Dënohet me 10.4 vite burg trafikanti përdori balerina franceze për kokainën

0
473

Elton Qyno

kokAINARobert Hadëri ishte dënuar në Itali si kreu i një bande me 26 persona. Gjykata e Tiranës njeh vendimin

Dënohet me 10.4 vite burg Robert Hadëri, shtetas ky që është përfshirë në një grup kriminal që shpërndante drogë, dukë përdorur dy balerina franceze. Ka qenë gjyqtari Sokol Tona ai që ka njohur vendimin e Gjykatës italiane të Torinos, e cila ka dënuar Hadërin me 10.4 vite burg, dënim ky që është njohur nga drejtësia shqiptare. Pritet që pas marrjes së formës së prerë, Hadëri nga qyteti i Librazhdit të arrestohet dhe këtë dënim të vuajë në burgjet shqiptare. Akuza për të cilën është dënuar Hadëri, bën fjalë për “Mbajtje në mënyrë ilegale të substancave narkotike të llojit heroinë, të destinuar për përdorim jo ekskluzivisht personal, në bashkëpunim me të tjerë, me peshë totale 5 kg”, vepër penale kjo e parashikuar në Legjislacionin Penal Italian si e tillë, e cila sipas legjislacionit shqiptar, i referohet kryerjes së veprës penale të “Trafikimit të narkotikëve” në bashkëpunim. Skema e trafikut është zbardhur plotësisht nga prokuroria italiane, e cila ka mësuar se Hadëri në bashkëpunim edhe me dy vajza tepër simpatike, që ishin balerina nate në Milano dhe Torino, arrinin të trafikonin kokainë nga Franca në drejtim të Italisë. Një trafik të tillë i dënuari e kryente duke përdorur trenat e një shpejtësi të lartë, që ndodhen në linjat e hekurudhës Francë – Itali. Sipas burimeve, drejtues të kësaj organizate dyshohen të jenë shqiptarët Shpëtim Memolla dhe Robert Hadëri. Hetimi për këtë çështje ishte mbyllur në dhjetor të vitit 2008, ndërkohë që gjykimi çështjes ka zgjatur disa vite në gjykatën e Torinos. Hadëri ka mundur të largohet nga Italia, dhe se hetimi ndaj tij është bërë në mungesë. Pas kryerjes së procedurave, autoritetet italiane kërkuan nga drejtësia shqiptare njohjen e vendimit penal që dënon Hadërin me 10.4 vite burg, kërkesë kjo që tashmë është pranuar nga Gjykata e Tiranës.

Hadëri, mes 26 personave

Rrjeti i trafikantëve ndërkombëtar të drogës i përbërë nga 26 persona, pjesa dominuese e të cilëve shqiptarë, është goditur nga policia e Milanos në Itali. Droga sigurohej në vendet e ulëta dhe nëpërmjet dy korriereve femra, balerina franceze lokalesh natë, të martuara me dy shpërndarës droge shqiptarë, mbërrinte në Itali. Aty sasia narkotike përpunohej dhe prodhohej një substancë narkotike stimuluese e pagëzuar nga rrjeti kriminal si “Speedball Milano”, që ishte një përzierje kokaine, heroine dhe amfetaminë. Droga e re, çmimi i së cilës ishte 100 euro për një gram kishte fituar treg të gjerë shitjeje në lokalet e natës ku bëhej striptizëm në Milano. Agjencitë italianë të lajmeve shkruan pas operacionit policor, se janë arrestuar 21 persona të identifikuarve si pjesëtarë të rrjetit, ndërsa pesë të tjerë ndodhen ende në arrati. Sipas burimeve, drejtues të kësaj organizate dyshohen të jenë shqiptarët Shpëtim Memolla dhe Robert Haderi. Hetimi për këtë çështje ishte mbyllur në dhjetor të vitit 2008, por për “goditjen” përfundimtare është pritur 15 shkurti 2010.

Skema e trafikut

Sipas prokurorisë italiane dy femrat, bionde dhe shumë tërheqëse, kishin bindur bashkëshortët e tyre t’ua besonin atyre trafikimin e drogës nga Franca në Itali, sepse do të shfaqnin më pak dyshime. Në këtë mënyrë dy femrat kalonin nga Franca në Itali, duke udhëtuar në trena të shpejtësisë së lartë çdo fundjavë nga një kilogram kokainë të pastër në masën 80 për qind duke e mbajtur në bagazhet e dorës. Korrierët e dërgonin drogën në Milano, ku përpunohej nga tre “kimistë”, një maroken, një italian dhe një tunizian. Mësohet se ishin ata që pas përzierjes së kokainës, heroinës dhe amfetaminës “prodhonin” “Speedball Milano”. Droga e re shpërndahej më pas në qytete të tjera të Italisë. Sasia narkotike ishin të destinuara kryesisht për klientët e lokaleve të striptizmit dhe atyre për festa intime private. Në banesat e të arrestuarve është bllokuar edhe një sasi heroine, e dyshuar se kishte ardhur nga Kosova. Referuar burimeve, “puna” e dy korriereve nuk mbaronte vetëm me transportin e drogës. Ato përdornin në doza të mëdha “Speedball Milano” në momente eksperiencash seksuale me meshkuj të njohur mes internetit ose me trafikante të tjerë shqiptarë.

 

Ngjarja në Lushnjë

Bie rrufeja në Krutje, vdes 50-vjeçari

Një 50-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht në banesën e tij në fshatin Krutje të Lushnjës, pasi u godit në kokë nga një shkarkesë rrufeje. Viktima është identifikuar si 50-vjeçari Jorgji Goga. Ai ka humbur jetën pas shkarkesës elektrike teksa ndodhej pranë sobës në brendësi të banesës së tij. Rrufeja ka mundur të depërtojë në banesë nëpërmjet tubave të nxjerrjes së tymit. Familjarë dhe të afërm janë përpjekur ta shpëtojnë 50-vjeçarin duke e dërguar menjëherë në spital, por pa mundur dot. Lushnja, ashtu si gjithë pjesa tjetër e vendit tonë është përfshirë nga një mot i ftohtë me shi dhe erëra të forta, që në shumë zona kanë shkaktuar edhe përmbytje.

Parandalohet vrasja

Divorci me gruan, kërcënon me vdekje dy kunetërit

Policia e Lezhës parandalon vrasjen e dyfishtë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Barbulloj të Ri, ku dy vëllezërit Stena janë kërcënuar me armë nga burri i motrës së tyre. Pëllumb Gojani ka shkuar në shtëpinë e vëllezërve ku ka qëlluar në oborr në drejtim të dhomës së tyre. Konflikti ka ndodhur pasi e motra kishte 2 muaj që ishte ndarë nga Gojani. Forcat e policisë së Drejtorisë së Lezhës kanë arrestuar në flagrancë autorin falë sinjalizimit në kohën e duhur të fqinjëve. Lidhur me këtë ngjarje janë marrë në pyetje protagonistët e këtij sherri që për pak nuk ka përfunduar me vrasje. Shkak i konfliktit është bërë divorci i motrës së dy vëllezërve, të cilët pas kësaj ngjarje kishin ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike mbi ish-dhëndrin. Si kundërpërgjigje të kësaj, Pëllumb Gojani ka vendosur të hakmerret, duke kërcënuar me vrasje dy kunetërit e tij.

 

Vrau të moshuarin për pronën, arrestohet nga policia e Fierit 50-vjeçari

Policia e Fierit ka vënë në pranga një 50-vjeçar të akuzuar për plagosje të rëndë me dashje me pasojë vdekjen. Sipas burimeve zyrtare, Festim Kalemaj nga Buzmadhi i Fierit, ishte shpallur në kërkim pasi më 8 mars ka plagosur me sende të forta Ali Hodaj 78 vjeç po nga ky fshat. I plagosuri u dërgua në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm. Policia bën të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur për motive pronësie, ku viktima dhe autori i krimit janë qëlluar fizikisht me njëri-tjetrin. Nisur nga kjo situatë, 50-vjeçari ka ushtruar dhunë fizike nga të moshuarit duke e qëlluar këtë të fundit me shkopin e deleve si dhe me gurrë, të rrugës. Për pasojë Ali Hodaj ka marrë plagë të rënda në trup si dhe në kokë e për pasojë familjarët e tij kanë bërë transportimin me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit. Si pasojë e plagëve të marra, bluzat e bardha kanë urdhëruar transportimin sa më shpejt në Spitalin Ushtarak të 78-vjeçarit, ku gjatë qëndrimit një javë i shtruar dhe në gjendje shëndetësore të keqe, i moshuari ka gjetur vdekjen si rezultat i plagëve të marra në pjesën e kokës. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, familjarët kanë bërë denoncim në policinë e Fierit, e cila menjëherë ka arrestuar shtetasin 50-vjeçar Festim Kalemaj. Ky i fundit, gjatë marrjes në pyetje, ka pranuar autorësinë e krimit, duke shfaqur pendesë për krimin që kishte kryer

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency