Berisha në PPE: Opozita, përpjekje për të demonizuar zgjedhjet

0
118

Ina Jano

BERISHA...PS shpiku “Dushkun” në zgjedhje, sot Rama është bërë “Dushku Bis”

Kryeministri: Qeveria garanton zgjedhje të rregullta dhe me standarde. Përpjekjet e opozitës do të jenë të pashpresa për të bllokuar

 

Kryeministri Berisha në takimin e Partive Popullore Evropiane që u mbajt dje në Bruksel, duke u fokusuar në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Shqipëri, tha se opozita është duke zhvilluar një përpjekje të shpërfytyruar për t’i demonizuar ato. Në takimin me homologët e tij, shefi i qeverisë shqiptare u ka dhënë garanci për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme dhe me standarde të gjithë të pranishmëve, ndërsa ka pranuar se ky është fokusi që ndërkombëtarët kanë për momentin. Kryeministri u ka bërë thirrje atyre që të dërgojnë sa më shumë vëzhgues nga vendet e tyre për të parë ecurinë e procesit zgjedhor.

Takimi në Bruksel

Në drekën e zgjatur të punës që u mbajt dje në Bruksel, kreu i ekzekutivit shqiptar pohoi se mazhoranca dhe vetë Kryeministri mbeten të vendosur që të zhvillojnë në vend zgjedhje me cilësi të lartë dhe standarde. Ndërsa u shpreh mes kryetarëve të PPE-ve se në vend është duke u përgatitur një terren nga ana e opozitës për të bllokuar dhe për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve. Kryetari i qeverisë tha se zgjedhjet e qershorit do të karakterizohen nga e njëjta klimë, si ishte ajo në 2009. “Partitë Popullore kanë garanci të plotë tek Partia Demokratike, tek Kryeministri Berisha, në vendosmërinë e tyre për të respektuar vlerat e lirisë që kjo parti ndan me të gjithë familjen e saj. Se cili do të jetë qëndrimi i Edi Ramës, ai është bërë “Dushku Bis” i Evropës. Në qoftë se ju kujtohet vite më parë, partia e tij shpiku “Dushkun” dhe Dushku hyri në terminologjinë e të gjitha fjalimeve për zgjedhjet. Tani nuk është më Dushku por është Rama vetë dhe kjo është punë e tij”, – pohoi zoti Berisha. Ndërsa pyetjes se nëse i frikësohet një kontestimi nga ana e opozitës numri një i qeverisë, shtoi se kjo është një gjë e sigurt. “Jo frika, por kjo është e sigurt, që Edi Rama nuk do të pranojë kurrë rezultat tjetër përveçse atij që do ta nxjerrë fitimtarë, por problemin e ka me zgjedhësit, se ka me kundërshtarët. Faktikisht kundërshtar ai ka të gjithë qytetarët që e votojnë kundër, por ata votojnë shumicë kundër tij”, – deklaroi shefi i mazhorancës shqiptare.

Reformat

I pyetur për reformat që ka bërë Shqipëria, kreu i qeverisë tha se ato janë unikale ndërsa ka marrë vlerësimin e të gjithë të pranishmëve në takim duke i mbështetur ato, por njëkohësisht edhe duke shprehur habi pasi ato janë zhvilluar në një kohë krize për vendet e tjera. “Ky Samit theksoi si çështje kryesore punësimin, por Shqipëria para këtij Samiti shpalli një skemë, që është unike deri më tani, sipas së cilës për çdo të ri të punësuar shteti merr përsipër tre vjet çdo detyrim tatimor ndaj tij dhe kjo është skema më inkurajuese. Shtuar këtu edhe ajo që në Shqipëri nuk mund të jetë në nivelet siç është në vendet më të zhvilluara, trajnimi, por zhvillimi i trajnimit me këtë skemë realisht krijon premisat më të mira për punësimin e të rinjve”, – tha lideri i qeverisë. Ky i fundit informoi median dhe gjithë publikun për të gjitha diskutimet në lidhje me reformat e guximshme të implementuara nga qeveria shqiptare. “Gjatë bisedave me ta për reformat, u mahnitën, sepse janë reforma të guximshme në këtë periudhë, të jemi realist, sepse reformat, të cilat hiqet çdo lloj takse mbi makineritë dhe çdo lloj inputi mbi makineritë, reforma, të cilat hiqet tatimi mbi të ardhurat personale për të gjithë të punësuarit me rrogë nën 300 dollarë, reforma të cilat hiqet çdo lloj detyrimi tatimor për të punësuarit e ri për tre vjet. Të gjitha këto janë reforma që krijojnë në mënyrë të padiskutueshme një deficit në buxhet, pro janë reforma, të cilat kanë për qëllimin më kryesor rritjen ekonomike. Unë mund t’ju them se mora shumë përgëzime nga kolegët e mi për këto reforma. Unë kam bindje se Shqipëria me këto reforma do ti japë një zgjidhje të re të madhe rritjes ekonomike, do t’i japë një zgjidhje të re të madhe punësimit në tërësi, punësimit të të rinjve në veçanti”, – nënvizoi Kryeministri. Ai u shpreh edhe në lidhje me vlerësimin unanim që kanë bërë institucionet më seriozë në botë, si FMN-ja, Komisioni Evropian, Banka Botërore apo BERZH-i. “Duke thënë të gjitha këto në asnjë mënyrë nuk mund të mohohen një seri e tërë problemesh, mangësish, sakrificash, dhimbjesh, të cilat janë për tu zgjidhur, por në qoftë se të tjerët flasin për punësim në kushtet e recensionit, Shqipëria flet për punësim në kushtet e rritjes ekonomike, e cila nuk ra kurrë në 2 për qind, u ruajt pozitive. Në këto rrethanë unë shpreh optimizëm se me këtë program të ri që po ndërtojmë, në një dialog të gjerë dhe përmasat e këtij dialogu do të vijnë duke u zgjeruar jashtë kufijve që mund të imagjinojnë të tjetër. Ne do ti japim vendit kësaj herë programin më të mirë, që ai ka pasur në tërë historinë e tij”, – përfundoi deklaratën e tij për mediat shefi i ekzekutivit. Numri një i qeverisë shoqërohej edhe nga kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, deputeti Gerti Bogdani.

 

 

Takimi i PPE-ve në Bruksel

Kryeministri ishte dje në Bruksel në takimin e PPE-ve dhe në përfundim të takimit, duke folur për diskutimet që ishin mbajtur, ai u shpreh: “Ishte një samit i shkëlqyer, natyrisht çështjet më kryesore ishin problemet ekonomike dhe financiare, por një ton i qartë optimizmi për rezultatet paraprake të reformave në vendet më shumë të prekura dominoi samitin dhe është e sigurt se pavarësisht se gjendja nuk është kapërcyer, por reformat e ndërmarra kanë rezultate të qarta pozitive në këto vende. Natyrisht në samit diskutohet gjithnjë edhe për çështje të tjera përveç axhendës qendrore, kështu që në këto çështje të tjera mora fjalën”. Në samit morën pjesë kryetarë shtetesh dhe kryeministra, si dhe kryetarë të partive opozitare në Evropë, anëtare të Partisë Popullore Evropiane. Pjesëmarrës janë Kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministri i Spanjë Mariano Rajoy, Kryeministri i Luksemburgut Jean Claude Juncker, Presidenti i Rumanisë Traian Basescu, Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, Kryeministri i Polonisë Donald Tusk, Kryeministri i Suedisë Frederik Reinfeld, Kryeministri i Portugalisë Pedro Passos Coelho, Kryeministri i Irlandës Enda Kenny, Kryeministri i Greqisë Antonis Samaras, Kryeministri i Finlandës Jyrki Katainen etj., si dhe Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy dhe Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso.

 

 

Ministri i Jashtëm i Kosovës sot në Tiranë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, mbërrin për një vizitë zyrtare në Shqipëri ditën e sotme. Sipas një njoftimi zyrtar për shtyp, ai do të nisë takimet të premten, ku bashkë me delegacionin zyrtar do të takohet me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Panariti. Më pas të dy ministrat do të nënshkruajnë Protokollin e Sesionit të Parë të Bashkëpunimit Ndërqeveritar mes Shqipërisë dhe Kosovës ku dhe do të jepet edhe një konferencë për shtyp.

 

Patozi: Meta të mos joshet nga oferta e Ramës

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, në një prononcim të djeshmin i ka bërë thirrje aleatit të PD-së, Ilir Meta, që të mos joshet nga oferta e kryesocialistit Rama për zgjedhjet e 23 qershorit. Për sa kohë Ilir Meta është ende në dilemë për koalicionin e 23 qershorit, aleatët në pushtet e këshillojnë të mos joshet nga ofertat e Edi Ramës në opozitë. Kreu i grupit demokrat Astrit Patozi vuri në dukje se vendimet e LSI-së duhet të bazohen në llogaritë që imponon vota e 8 majit 2011, duke marrë parasysh të gjitha rezultatet që rrjedhin prej zgjedhjeve lokale. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se kreu i mazhorancës, Sali Berisha, nuk do të prezantojë kandidatet e rinj për deputetë siç po ndodh në selinë e partisë më të madhe opozitare. Kjo gjë nuk do të ndodhë, pasi, sipas tij, deputetët që largohen, ndihen të fyer në këtë forme. Zoti Patozi vuri në dukje se në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, largimi i partive aleate nga koalicioni opozitar është shenjë e klimës mosbesuese në kampin opozitar. “Socialistët refuzuan uljen e moshës së votimit deri në 16 vjeç me dy arsye. Emigrantët që nuk votojnë dhe problematika në listat zgjedhor, por të dyja këto nuk qëndrojnë”, – u shpreh Patozi pasi negocioi me kryetarin e grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci. Mungesa e besimit mes palëve duket se është arsyeja e vërtetë që 100 mijë të rinj nuk do të votojnë në këto zgjedhje. “PD nuk lutet por garanton se respekton marrëveshjet me aleatet dhe LSI është e qartë në këtë pikë, sipas tij”, – përfundoi deputeti demokrat.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency