Abuzimi me 12 mijë dynymë tokë në bregdet, dënohet 5 vjet burg

0
211

Sonja Caka

tokaGjykata: Nikolla Felahi përdori një tapi të falsifikuar për të marrë tokën në plazhin e Durrësit, bashkëpunoi me zyrtarë të KKKP-së

 

Pesë vjet burg i ka kushtuar një personi përdorimi i dokumenteve të falsifikuara nga ku janë përfituar plot 12 mijë dynymë tokë në plazhin e Durrësit. Në këtë aferë, i pandehuri Nikolla Felahi nuk ka qenë i vetëm por ka pasur edhe bashkëpunëtorë, kryesisht në zyrën e KKKP-së, një prej të cilëve është marrë edhe nën hetim nga organi i akuzës. Pasi ka marrë në shqyrtim dosjen, ka pranuar kërkesën për aplikim të gjykimit të shkurtuar për të pandehurin, gjykata e ka dënuar përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj Felahin, për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Në dhënien e dënimit, gjykata mori parasysh faktin se ajo që nuk mund të kundërshtohej dot nga i pandehuri ishte fakti se ai, duke e dorëzuar në KKKP Tiranë, ka përdorur faktikisht një dokument të falsifikuar dhe më pas, pasurinë e përfituar si rrjedhojë e përdorimit të këtij dokumenti të falsifikuar, e ka copëtuar e vënë në shitje për të mbuluar origjinën e pasurisë.

Hetimi

Gjithçka e pati zanafillën pas denoncimit të bërë më 23 mars të vitit të kaluar nga shtetasi Mihal Kalluçi, për veprën penale “Shpërdorim detyre” pa autor. Hetimet për çështjen nisën pas dyshimeve se zyrtarë të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ishin përfshirë në një aferë abuzive për njohjen e sipërfaqes prej 12 dynymë tokë në plazhin e Durrësit. Bëhet fjalë për vendimin nr. 59 datë 30.4.2002 të Komisionit të Kthimit të Kompensimit të Pronave në Tiranë, i cili i ka njohur të drejtën e pronësisë Lezina Felahit, përfaqësuar nga trashëgimtari i vetëm Nikolla Felahi. Sipas vendimit të gjykatës, toka ka sipërfaqen prej 12 mijë metra katrorë dhe ndodhet në zërin kadastral pyll në Malin e Robit, zonë kjo e cila ka qenë kënetore deri në vitin 1950, zonë pa ish-pronarë. Pas verifikimeve të para, Komisioni i Pronave ka arritur në përfundimin se kishte mospërputhje mes dokumentacionit të paraqitur nga subjekti përfitues dhe hartës që përcaktonte vendndodhjen e pronës, e cila ishte firmosur nga topografi Fatmir Shameti, i marrë në hetim për këtë çështje.

Zbulimi

Nga ana e prokurorisë, në datën 12.4.2012, në ZVRPP Durrës u bë këqyrja e regjistrit hipotekor ku duhej të ishte regjistruar nota e transkriptimit nr. 142/10 e vitit 1938 në favor të subjektit Lezina Felahi. Nga këqyrja rezultoi se nota e sipërcituar e transkriptimit, mbi bazën e së cilës ishte njohur dhe kthyer kjo pronë nga ana e KKKP e Qarkut Tiranë, nuk ndodhej e regjistruar në këtë regjistër, pasi me numrin e sipërcituar të notës së transkriptimit, në atë regjistër figuronte e regjistruar një notë transkriptimi në favor të përfituesit Shefqet Celkupa, për një pronë me sipërfaqe dhe vendndodhje të ndryshme nga ajo e përshkruar në notën e transkriptimit në emër të Lezina Felahit. I pandehuri ka përgatitur dosjen me dokumentin e falsifikuar dhe përmes kësaj dosjeje është kërkuar njohja dhe kthimi i pronës me sipërfaqe prej 12.000 m2 e ndodhur në vendin e quajtur Mali i Robit, Kavajë. Nga ana e komisionit është konfirmuar si e rregullt harta pretenduese e përgatitur nga subjekti nëpërmjet komunës Golem. Me shkresën nr. 11, datë 14.1.2002 dhe nr. 27/1 datë 8.2.2002, nga ana e KKKP-së, ish-pronarëve u është kërkuar konfirmim nga ZVRPP Kavajë për pronësinë aktuale dhe gjendjen e pronës së pretenduar, sipas hartës pretenduese. Por, nga ana e KKKP nuk i është kërkuar konfirmim ZVRPP-së Durrës në lidhje me autenticitetin e notës së transkriptimit të paraqitur nga subjekti kërkues. I pyetur për mospërputhjen e dokumenteve, Nikolla Felahi, përfituesi i pronës, ka deklaruar se dokumentin e ka pasur prej shumë vitesh në banesën e tij, të ruajtur nga babai, i cili ka ndërruar jetë në vitin 1964 dhe nuk ka patur dijeni për falsitetin e saj. Po ashtu, ka deklaruar se nuk e disponon më origjinalin e notës së transkriptimit, pasi e ka dorëzuar në KKKP dhe nuk ka mbajtur kopje të saj. Për këtë arsye, prokuroria ka marrë në pyetje ish-kryetarin e komisionit, Robert Kreçi, i cili ka deklaruar se Nikolla Felahi pas marrjes së vendimit ka dorëzuar në AKKP një kopje origjinale të notës së transkriptit dhe ka tërhequr dokumentin origjinal. Dëshmitari ka treguar se disponon një kopje të dosjes së njehsuar me origjinalin nga Komisioni i Pronave në vitin 2003. “Dëshmitari ka vënë në dispozicion të organit të prokurorisë kopjen e njehsuar të dosjes që ka përdorur vetë si palë e paditur në gjykatë, e njehsuar kjo me vulën e njomë të ish-KKKP Qarku Durrës. Nga këqyrja e kësaj dosje ka rezultuar se shtetasi Nikolla Felahi nuk ka dorëzuar dokumentin origjinal të notës së transkriptimit në KKKP, por një kopje të njehsuar me origjinalin, datë 3.5.2002 nga noteri në prani të vetë shtetasit Nikolla Felahi. Pra, provohet që shtetasi Nikolla Felahi, pas dhënies së vendimit nga KKKP, ka marrë origjinalin dhe e ka zëvendësuar atë me një kopje të njehsuar në KKKP, fakt që përputhet me deklarimin e shtetasit Robert Kreçi”, – thotë prokuroria. Nga hetimet ka rezultuar se falsifikimi i hartës është bërë nga topografi Fatmir Shameti, i cili punonte në KKKP dhe rezultoi të ishte nënshkrues i kësaj harte. Sipas aktit të ekspertimit topografik të muajit prill 2012, të kryer me grup ekspertësh për nevoja të këtij procedimi, është arritur në konkluzionin se prona e pretenduar nga subjekti është pozicionuar në mënyrë të gabuar nga ana e KKKP-së ish-Pronarëve Tiranë, në mospërputhje me përshkrimin e saj në notën e transkriptimit në emër të subjektit “Lezina Felahi”.

Pretendimi i akuzës

Prokurori theksoi në gjykatë se i pandehuri Felahi nuk mohon në asnjë çast që sipërfaqja e tokës është kthyer mbi një dokumentacion të provuar të falsifikuar tashmë, por tenton ta hedhë fajin tek babai i tij i ndjerë në vitin 1964. Edhe ky pretendim i të pandehurit duket se qëndron jashtë rrethanave të paraqitura në fashikullin gjyqësor. Nuk ngjan aspak i besueshëm ky pretendim kur mendon që babai i ndjerë i të pandehurit, të ketë lenë një dokument të falsifikuar në shtëpi, pa komunikuar më parë me asnjë nga familjarët dhe për më tepër duke parashikuar se pas vitit 1991 do të fillonte në Shqipëri procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave. Duket i pabesueshëm fakti që babai i ndjerë i të pandehurit, të mos ketë komunikuar asnjëherë për një sipërfaqe toke të këtyre përmasave. Për këtë arsye, pretendimi i të pandehurit se notën e transkriptimit e ka gjetur në banesë duket i pabesueshëm dhe tërësisht i pabazuar në provat e tjera të grumbulluara në fashikull. Gjithashtu, pretendimet e të pandehurit bien poshtë edhe nga deklarimet e shtetasit Robert Kreçi, i pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, i cili shpjegon se fillimisht, kërkuesi Nikolla Felahi, ka paraqitur pranë KKKP-së origjinalin e notës së transkriptimit dhe menjëherë pas dhënies së vendimit e ka tërhequr atë, duke e zëvendësuar atë me një fotokopje të njehsuar me origjinalin, kopje e cila gjendet në fashikullin e këqyrur nga oficeri i policisë gjyqësore gjatë hetimeve paraprake.

Detaj

12 mijë dynymë tokë në zonën e Malit të Robit është përfituar përmes falsifikimit nga i pandehuri dhe më pas është shitur në pjesë

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency