Zgjidhet Papa! Françesku I, prijësi i ri i Kishës Katolike

0

 

papa i ri 1

“Detyra e Konklavës ishte që t’i jepnin një papë Romës. Ju falënderoj për mikpritjen, për këtë mbledhje në Romë! Faleminderit!”

 

Habemus Papam! Kemi Papë! Jorge Mario Bergoglio, Papa Françesku, arqipeshkvi i Buenos Airesit nga Argjentina, do të drejtojë Vatikanin. Jezuiti i vetëm brenda Konklavës ka zgjedhur të quhet Papa Françesku I. Kisha Katolike tashmë ka prijësin e saj shpirtëror, Atin e Shenjtë. Tymi i bardhë i dalë nga oxhaku i Kapela Sistina rreth orës 19:05 minuta njoftoi botën se është zgjedhur Papa i ri. 76-vjeçari është i pari amerikano-jugor në historinë e Kishës Katolike. Kardinalët kanë votuar disa herë, derisa një kandidat i vetëm ka arritur të marrë 77 vota në 115. Prej ditës së djeshme kardinalët kishin hyrë në Kapelen Sistina dhe qëndruan aty derisa një kandidat mori 2/3 e votave për t’u zgjedhur Ati i Shenjtë. Mbledhja e fshehtë ndodh një muaj pasi, Papa Benedikti XVI ka dhënë dorëheqje, duke u bërë papa i parë në 600 vjet që heq dorë nga detyrat. Sipas traditës, fletëvotimet digjen pas çdo votimi: Nëse tymi nga oxhaku është i zi, kjo do të thotë se Papa nuk është zgjedhur, por nëse tymi nga oxhaku është i bardhë, kjo është shenjë se Papa i ri është zgjedhur.

Fjalët e para të Papa Françeskut

76-vjeçari është i pari amerikano-jugor në historinë e Kishës Katolike. Papa Françesku u shfaq më pas në dritaren e lozhës, ku mbajti një fjalim para besimtarëve të pranishëm, të cilëve u ka kërkuar të luten për bekimin e tij nga Zoti për këtë rrugëtim të ri të tij, ndërsa njëherësh kërkoi lutje edhe për Papa Benediktin XVI, i cili dha dorëheqjen një muaj më parë.

“Detyra e Konklavës ishte që t’i jepnin një papë Romës. Ju falënderoj për mikpritjen, për këtë mbledhje në Romë! Faleminderit! Dhe para së gjithash do të doja të bëja një lutje për Papa Benediktin XVI. Lutemi të gjithë bashkë për të, që Zoti ta bekojë”, – foli Papa Françesku.

Emri i Papës

Deri në shekullin e gjashtë, papët mbanin emrin e tyre. Kështu, ka pasur një papë Silvestër, një papë Julius dhe një Viktor. Pastaj, në vitin 553, në krye të kishës u zgjodh një prift i quajtur Mercurius dhe ishte thjesht e papranueshme që Ati i Shenjtë të mbante emrin e një hyji pagan: Mërkur. Ai zgjodhi të thirrej Gjoni i Dytë. Që atëherë, papët e braktisin emrin e tyre të lindjes, kur marrin këtë pozicion, dhe pranojnë të marrin emra shenjtorësh, papësh të tjerë apo edhe të afërmish që janë larguar nga jeta. Deri diku mund të konsiderohet edhe si një lloj përpjekje për të marrë pak nga shkëlqimi i paraardhësve, thotë at Thomas Rëse, analist i Vatikanit për të përjavshmen “National Catholic Reporter”. Kur kardinali Jozef Racinger u zgjodh Papë në 2005-ën, ai kërkoi të njihej si Benedikti  i 16-të në formë respekti për Papën e mëparshëm Benedikt, i cili udhëhoqi Kishën Katolike në periudhën e vështirë të Luftës së Dytë Botërore, si dhe shenjtin Benedikt, një intelektual ashtu si vetë Racingeri dhe një prej shenjtorëve mbrojtës të Evropës. Në mënyrë të veçantë, Papa gjerman shpresoi që ky emër të ndihmonte katolikët ta mbajnë Krishtin gjithmonë të pranishëm në jetët e tyre. Sidoqoftë, për momentin vëmendja është mbërthyer tek oxhaku i Kapeles Sistine, Sacellum Sixtinum siç quhet latinisht, e që edhe vetë e ka marrë emrin nga një kryetar i Kishës Katolike: Papa Sikstus i katërt.

 

Pritja më e gjatë

Për të zgjedhur Papa Benediktin e 16-të mjaftuan dy ditë, vetëm katër votime. Paraardhësi i tij, Papa Gjon Pali i Dytë, papa i parë jo italian pas 455 vjetësh, u zgjodh pas tri ditësh dhe tetë votimesh. Mesatarisht, Konklava zgjat rreth tri ditë, megjithëse është shtuar numri i kardinalëve dhe është vështirësuar arritja e shumicës së nevojshme prej 2 të tretave të votave.
Por ka një rast në të kaluarën e largët kur konklava ka zgjatur 1006 ditë, nga 1268 deri në 1271. Pikërisht në këtë ngjarje e kanë burimin shume prej rregullave të Konklavës dhe vetë emri i saj. Të dëshpëruar nga pritja e pafundme, besimtarët arritën t’i mbyllnin me çelës (nga këtu klausi cum clave) kardinalët, u pakësuan atyre ushqimin, madje arritën deri sa t’i zbulonin çatinë e Pallatit për t’i nxitur që të vendosnin. Nga kjo Konklavë, me e gjata e historisë dhe që njihet si Konklava e parë, doli Papa Gregori X. Që atëherë normat e përgjithshme kanë mbetur po ato, vetëm në vitin 1562 Papa Pio i Katërt futi rregullin e votës sekrete.

Lajmi për zgjedhjen e Papës së ri po qarkullon në mediat e të gjithë botës, të cilat e kanë nxjerrë atë në plan të parë në edicionet e tyre.