Vrau çiftin në Belishovë, 25 vjet burg për autorin e masakrës

0
157

Sonja Caka

xhavitProkuroria kërkoi dënimin me burgim përjetë për 20-vjeçarin Xhavit Malkaj, i shpëtoi dënimit pas pranimit të gjykimit të shkurtuar. Reagojnë familjarët e viktimave, të pakënaqur me vendimin

 

I shpëton dënimit me burgim përjetë dhe dënohet vetëm me 25 vite burg 20-vjeçari Xhavit Malkaj, autor i masakrës së Belishovës, ku humbi jetën mizorisht një çift bashkëshortësh, të cilët u vranë dhe më pas u dogjën brenda banesës së tyre. Gjykata e Fierit, pasi ka pranuar një seancë më parë kërkesën e tij për aplikim të gjykimit të shkurtuar, si dhe dëgjoi përfaqësuesin e akuzës që kërkoi dënimin me burgim përjetë për të pandehurin, shpalli dje vendimin dhe e dënoi atë përfundimisht me 25 vite burg. Ndërkohë që para shpalljes së vendimit të gjykatës, e cila e dënoi me burgim përjetë por që në aplikim të gjykimit të shkurtuar i mbetet vetëm 25 vjet si dënim përfundimtar, i pandehuri Malkaj kërkoi mëshirë. Pas vendimit të gjykatës kanë reaguar ashpër familjarët e dy viktimave Enver e Azbie Myftaraj, të cilët kanë kërkuar dënimin kapital të autorit, ndërsa kanë shkuar më larg, deri në akuza për korrupsion ndaj trupit gjykues.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi në fshatin Belishovë të Mallakastrës në tetor të vitit të kaluar, ku bashkëshortët Myftaraj u gjetën të masakruar dhe të djegur në banesën e tyre. Krimi ka ndodhur pas një konflikti midis viktimës dhe autorit, të cilët më parë kanë realizuar vjedhje së bashku, përkatësisht për ndarjen e lekëve të naftës së vjedhur në puset e naftës në zonën e Mallakastrës. Sipas akuzës, viktima Enver Myftari, që punonte si roje në disa puse të nxjerrjes së naftës, është autor i vjedhjes së disa litrave naftë, që më pas ia shisnin atë kompanive të tjera. Këtë veprimtari ai e ka kryer së bashku me 20-vjeçarin nga fshati Belishovë. Të dy së bashku, sipas akuzës, ata kanë vjedhur naftën dhe më pas atë e kanë shitur duke ndarë më pas paratë me njëri-tjetrin. Mirëpo duket se ky biznes nuk ka shkuar aq mirë sa duhet, pasi mes viktimës dhe autorit kanë nisur konfliktet një javë para krimit lidhur me ndarjen e lekëve. Masakra ka ndodhur në banesën e çiftit të bashkëshortëve Enver dhe Azbie Myftari.

Akuzat

Mbi të riun Xhavit Malkaj rëndojnë pesë akuza, përkatësisht “Vrasje e dyfishtë në rrethana cilësuese”, “Shkatërrim i pronës me zjarr”, “Vjedhje”, “Vjedhje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”. I pandehuri akuzohet se ka hyrë në banesën e çiftit Myftaraj më 26 tetor të vitit të kaluar me synimin për ta grabitur, por kur është vënë re nga të zotët e shtëpisë, ai u ka qëlluar me armë nga një distancë fare e afërt. Për pasojë kanë humbur jetën burrë e grua. Më pas, për të humbur gjurmët, Malkaj i ka vënë flakën banesë, duke shkaktuar edhe djegien e tyre.

Reagimi

Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Fierit është kundërshtuar ashpër nga familjarët e viktimave të masakrës së Belishovës. Ata kanë kërkuar dënimin kapital për 20-vjeçarin Malkaj. “Nuk jemi dakord me vendimin e gjykatës. Ne kërkojmë dënim kapital për Xhevit Malkajn”, – shprehen familjarët. Këta të fundit akuzojnë Gjykatën e Fierit se është korruptuar me para nga familjarët e autorit të krimit të dyfishtë. Të afërmit e viktimave deklaruan se do ta apelojnë vendimin, duke e cilësuar atë një masë të vogël krahasuar me krimin e kryer. Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për 20-vjeçarin, por që në aplikim të gjykimit të shkurtuar kërkoi të dënohej me 25 vite burg, aq sa dhe e dënoi dje trupi gjykues.

 

Gjyqi

Mungon avokati, dështon sërish seanca kundër Dritan Dajtit

Procesi gjyqësor ndaj të pandehurit Dritan Dajti është shndërruar në një telenovelë. Kur mendohej se ngërçit të krijuar në vite po i jepej një zgjidhje, sërish dje ka dështuar seanca gjyqësore, pasi ka munguar avokati i caktuar nga trupa gjyqësore. Sajmir Vishaj kishte pranuar të mbronte të pandehurin, ndërkohë që dje në seancë ka dërguar shkresë se ndodhej në një impenjim në Gjykatën e Lezhës dhe gjyqin ta shtynin për në një tjetër datë. Bëhet fjalë për mbi 200 seanca, ndërsa telenovela “Dajti dhe gjykata” duket se do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Gjykata e Krimeve të Rënda duket se është dorëzuar përballë strategjive të përdorura nga i pandehuri, duke vendosur t’i japë edhe një mundësi vetes me avokatin e zgjedhur prej saj nga Shoqata e Avokatëve Penalistë, duke e shtyrë seancën për në datën 18 mars, ndërsa ka vijuar me kërkesën ndaj Komisionit për Ndihmë Juridike në Ministrinë e Drejtësisë për caktimin e një tjetër avokati.

Apel

Hidhet shorti i çështjeve gjyqësore në prani të publikut

Më transparente nuk mund të mendohej. Publiku, media, avokatët dhe persona të interesuar morën pjesë në hedhjen e shortit elektronik për dosjet e mbërritura për gjykim, proces që u krye në sallën e pritjes së publikut. Prej më se një viti është bërë traditë që në Gjykatën e Apelit në Tiranë hidhet shorti elektronik i çështjeve gjyqësore në prani të publikut. Krijimi i kësaj tradite ka si qëllim, rritjen e transparencës dhe forcimin e besimit tek publiku. Kryetari i Gjykatës se Apelit, Alaudin Malaj, theksoi rëndësinë e hedhjes së shortit elektronik, i cili shmang në mënyrë absolute çdo ndërhyrje në caktimin e çështjeve gjyqësore te Gjyqtarët e kësaj Gjykate. Hedhja e shortit kryhet nga Kryetari i Gjykatës dhe në këtë mënyrë as ai e askush tjetër nuk mund të ndryshoje rezultatin e shortit. Kreu i Gjykatës së Apelit, Alaudin Malaj, shprehu angazhimin maksimal për të vendosur një komunikim sa më efiçent midis Gjykatës dhe qytetarëve.

Rekursi

Tragjedia e Gërdecit, prokuroria çon dosjen në Gjykatën e Lartë

Prokuroria ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Apelit për të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit, duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Organi i akuzës nuk ka qenë dakord lidhur me mosndryshimin e akuzave të kërkuara të pandehurit e konsideruar përgjegjës për tragjedinë, si dhe me momentin e pranimit të kërkesës për aplikim të gjykimit të shkurtuar për Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin, Dritan Minxollin e Sokol Ngjeçin. Gjithashtu, organi i akuzës nuk ka qenë dakord edhe për një nga pafajësitë e dhëna dhe për uljen e dënimit për disa prej të pandehurve. Vendimi për të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit u shpall më 13 shkurt, ndërsa Minxolli, Pinari, Delijorgji, Ngjeci dhe disa të tjerë u vetëdorëzuan në policinë e kryeqytetit për të vijuar shlyerjen e dënimit. Ndërkohë që, Delijorgji ka kërkuar nga Gjykata e Tiranës ulje dënimi, për shkak se i kanë mbetur vetëm 3 muaj për të vuajtur.

 

 

Vrasja e Lamajt

Niset letërporosia për ekstradimin e Frrokut, më 19 mars në Apel ankimimi për arrestimin

Pas përfundimit të procedurave të përkthimit, Ministria e Drejtësisë u dërgoi autoriteteve të drejtësisë greke kërkesën për ekstradimin e Arben Frrokut dhe Jak Jakut, ndërsa pritet që brenda 15 ditësh të shqyrtohet kjo kërkesë për ekstradimin e të akuzuarit për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Ndërkohëqë deri në fund të muajit mars apo javën e parë të prillit, pritet mbërritja e Frrokut dhe Jakut në Shqipëri për t’u përballur me akuzën, më 19 mars në Apel do të shqyrtohet ankimimi i avokatit Tonin Prendi mbi kundërshtitë e këtij arrestimi dhe akuzave ndaj klientit të tij. Për Frrokun dhe Jakun është marrë masa e arrestit në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila pritet të vleftësojë këto masa në momentin që dy të dyshuarit do të dorëzohen te autoritete shqiptare. Arben Frroku dhe Jak Jaku u arrestuan mëngjesin e 25 shkurtit në Selanik të Greqisë dhe u lanë në burg për 40 ditë nga gjykata greke për armëmbajtje pa leje dhe posedim lëndësh narkotike. Përmes kërkesës së saj, Ministria e Drejtësisë kërkon nga autoritetet greke ekstradimin e tyre.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency