Vjedhja e kamerave në shtetin gjerman hetues nga Mynihu, kontrolle në disa TV

0
192

Elton Qyno

kameraPërgjimet vërtetuan se kamerat 150 mijë euro janë shitur tek disa persona në Shqipëri

Nga verifikimet në studio dhe televizionet private nuk u gjet asnjë gjurmë e kamerave të vjedhura

 

Një grup hetuesish të Prokurorisë së Mynihut kanë ardhur disa ditë më parë në Shqipëri, ku së bashku me prokurorë dhe hetues të Krimeve të Rënda kanë marrë një operacion, me qëllim rënien në gjurmët e një rrjeti që tregtonte kamera, të një marke shumë të njohur. Tregtia e paligjshme konsiston në faktin e vjedhjes në seri të disa dyqaneve me pajisje elektronike nga një shtetas shqiptar i quajtur Klaudio Dervishi, i cili më pas të gjitha kamerat të një cilësie shumë të lartë i ka tregtuar në Shqipëri. Vetëm një kamerë, sipas burimeve të prokurorisë, kapte shifrën 150 mijë euro, ndërkohë që ato dyshohet se janë blerë nga televizionet dhe studiot televizive private, që veprojnë në Shqipëri. Nisur nga këto dyshime, një grup prej katër anëtarësh të prokurorisë gjermane ka zbarkuar në disa prej televizioneve më të mëdha të vendit si dhe në disa studio të prodhimeve të videoklipeve, duke ushtruar kontrolle mbi përdorimin e kamerave dhe origjinën e blerjes së tyre. Mësohet se kontrolle të tilla janë kryer në mbi dhjetë televizione të njohura në vend si dhe disa studio private, por në fakt, nuk është arritur të gjendet asnjë e dhënë për kamerat e vjedhura në disa dyqane në Gjermani, kamera këto që në total kapin shifrën prej rreth 2 milionë euro. Në pamundësi për të rënë në gjurmët e mallit të vjedhur, hetuesit gjermanë kanë kërkuar nëpërmjet Prokurorisë së Krimeve të Rënda sekuestrimin e një hoteli që ndodhet në Sarandë, hotel ky që është bllokuar vetëm një muaj më parë.

Përgjimet telefonike

Në dosjen hetimore, të cilën hetuesit e kanë marrë nga Gjermania, tregoheshin përgjime të qarta se shtetasi Klaudio Dervishi, ishte i përfshirë në vjedhjen dhe tregtinë e kamerave tepër të shtrenjta. Në disa përgjime telefonike, Dervishi shfaqet duke folur me disa shtetas shqiptarë, duke u kërkuar këtyre se sa kamera duhet të dërgonte në drejtim të Shqipërisë. Pikërisht gjatë këtyre bisedave, është arritur të hidhet dritë edhe mbi çmimin, të cilin burimet pranë grupit të hetimit nuk pranojnë ta bëjnë të ditur. Nisur nga këto biseda, është krijuar dyshimi se kamerat e vjedhura në dyqanet e Mynihut janë shitur tek disa televizione dhe studio private në Shqipëri. Për të hedhur dritë mbi këto dyshime, gjermanët kanë preferuar vetë të udhëtojnë në drejtim të Shqipërisë, ku së bashku me homologët e tyre shqiptarë, të kryejnë hetime dhe kontrolle në disa televizione. Gjatë kësaj faze janë sekuestruar të gjitha listat e kamerave në përdorim, si dhe janë parë nga afër ambientet e montazhit, të studiove, si dhe kamerat e përdorura nga operatorët e terrenit. E njëjta situatë është ndjekur edhe për sa i përket kontrollit në studio private. Pavarësisht se nuk është gjetur asnjë gjurmë e kamerave, hetuesit gjermanë janë shprehur të bindur se porositësi, që ka folur në telefon, ka folur nga territori i Shqipërisë. Madje, sipas komunikimeve që ata kanë pasur me prokurorët e Krimeve të Rënda, biseda është bërë në gjuhën shqipe dhe për të përkthyer këtë është marrë si përkthyes i bisedës së përgjuar një shtetas kosovar.

Sekuestrimi i hotelit

Në pamundësi për të gjetur kamerat e vjedhura, hetuesit gjermanë në bashkëpunim me ata shqiptarë kanë arritur të identifikojnë një pasuri që zotërohej nga i dyshuari Klaudio Dervishi. Kjo pasuri është pikërisht një hotel në plazhin e Sarandës, i cili mban emrin “Piccolino”. Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjykata ka aprovuar vendosjen e sekuestros konservative për hotelin luksoz me pesë kate në bregdetin e Sarandës. Objekti i vendosur nën sekuestro është në pronësi të shtetasit shqiptar Klaudjo Dervishi, person në kërkim në Gjermani, me akuzën se ka grabitur disa kamera, që kapin shifrën e 2 milionë eurove në qytetin e Mynihut. Pak kohë më parë, pala gjermane kishte dërguar në Tiranë disa të dhëna për shqiptarin, bashkë me një kërkesë ndihme e bashkëpunimi për t’i bllokuar atij pasurinë. Në prani të hetuesve nga Gjermania, mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka verifikuar pronat që posedonte në Shqipëri shtetasi Klaudjo Dervishi dhe me të zbuluar hotelin “Piccolino”, është kërkuar menjëherë sekuestrimi i tij me vendim gjykate. “Në objektin e kërkesës së letërporosisë, pala gjermane kërkonte konfiskimin e aseteve, si dhe ushtrimin e kontrollit dhe sekuestrimit të sendeve në kuadër të procesit hetimor kundër shtetasit Klaudjo Dervishi”, – kanë thënë burimet e prokurorisë.

 

Sulejman Llano u kap teksa do të dorëzonte drogën

Fara droge në burgun e të birit,

arrestohet nga policia 43-vjeçari

 

Një 43-vjeçar është arrestuar nga policia, pasi ka tentuar të fusë disa fara kanabis në ambientet e burgut të të miturve, ku aktualisht është duke vuajtur dënimin djali i tij. Sipas burimeve të policisë, personi që është arrestuar quhet Sulejman Llano, 43 vjeç, nga fshati Kosovë e Madhe e Elbasanit. Ai ka shkuar të takojë djalin në Institucionin e të miturve në Kavajë dhe gjatë kontrollit iu gjetën disa fara kanabisi. “Rreth orës 10:25, nga kontrolli i Institucionit të Ekzekutim-Vendimeve Penale të të Miturve Kavajë, nga takimi që do të bënte me djalin e tij iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa kokrra si fara, rreth 3 gramë, të dyshuara si bimë narkotike të llojit kanabis sativa”, – bëri të ditur policia. Duke iu referuar burimeve të burgut, farat e drogës nuk janë gjetur në veshmbathjet që 43-vjeçari i ka çuar të birit, por në xhepat e pantallonave të Sulejman Llanos. Mësohet se 43-vjeçari do t’ia jepte djalit në momentin e takimit mes tyre në ambientet e takimit, brenda në burg. Pasi i riu të merrte farat, ka shumë gjasa që ai t’i mbillte ato në ndonjë vazo apo brenda ambientit të burgut, ku është izoluar prej disa kohësh. Ky nuk është rasti i parë që strukturat e policisë kryejnë arrestimin e prindërve apo njerëzve të afërt të të dënuarve, në tentativë për të futur drogë në ambientet e burgut. Disa kohë më parë, njëri nga vëllezërit e “Mandelës” ose Eduard Peqinit, është kapur në burgun e Peqinit, në tentativë për të futur rreth 80 doza drogë, të cilën e kishte futur në veshmbathjet që u kishte çuar dy vëllezërve të tij në burg.

 

 

Vdes i moshuari

Vlorë, makina e zv.prokurorit godet Xhindin

Një i moshuar humbi jetën pasi u godit nga një Mercedes-Benz në rimorkim. Ngjarja ndodhi në zonën e Skelës në Vlorë. Bilbil Xhindi po kalonte rrugën bashkë me gruan kur makina e zv.prokurorit të rrethit po tërhiqej me kavo. Prokurori Alfred Saliasi nuk mundi të bënte asgjë, sepse Benzi i tij drejtohej nga mjeti që e tërhiqte. Xhindi vdiq në spital dy orë pas goditjes. Policia sqaron se dy makinat kanë qenë duke rimorkiuar (njëra po rimorkionte tjetrën) në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, teksa një kalimtar ka qenë duke kaluar nga një trotuar tek trotuari i rreth rrotullimit, zonë e pavijëzuar për këmbësorët. 71-vjeçari Xhindi është futur mes dy makinave dhe makina që po rimorkiohej e ka goditur dhe hequr zvarrë për disa metra, duke mos bërë asgjë, pasi ishte nën fuqinë e makinës që po e rimorkionte. Makina e cila goditi për vdekje 71-vjeçarin me banim në Vlorë ishte “Mercedes-Benz” ngjyrë gri, model 270, me targa AA 409 E. I aksidentuari është transportuar në spitalin rajonal të Vlorës, por nuk arriti të shkonte gjallë.

 

Dita e Verës

Policia bllokon disa rrugë në kryeqytet

Policia e Tiranës, për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen në kryeqytet, me rastin e Ditës së Verës, ka marrë të gjitha masat për të garantuar zhvillimin normal të festimeve, si dhe ndalimin e qarkullimit të automjeteve në vendet ku do të zhvillohen ato, por pa penguar qarkullimin në akset e tjera në kryeqytet. Duke filluar nga ora 07:00 deri në orën 14:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nën tingujt e muzikës do të zhvillohen festimet tradicionale për Ditën e Verës, çka do të sjellë edhe bllokimin e këtij bulevardi përgjatë kësaj kohe. Policia e Tiranës bën me dije se nesër do të bllokohet gjithashtu dhe sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Murat Toptani” dhe ish-parku “Rinia”. Policia e Tiranës ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve kulturore-artistike.

 

Ngjarja në Korçë

Plagosja e 22-vjeçarit për hakmarrje

 

Një 23-vjeçar është plagosur rëndë mbrëmjen e së mërkurës në qendër të qytetit të Korçës. Sipas policisë, i plagosuri Daniel Deli ka pasur një konflikt të hershëm me 22-vjeçarin Roland Balili. Gjatë përballjes së mbrëmshme ata janë konfliktuar ashpër me njëri-tjetrin dhe Balili ka shtënë 2 plumba pistolete ndaj 23-vjeçarit. Daniel Deli ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Korçës, ndërsa autori i plagosjes së rëndë, Roland Balili, është shpallur në kërkim nga policia e Korçës. Për zbardhjen e ngjarjes policia ka shoqëruar 50 persona, ku pjesë e të cilëve kanë qenë të pranishëm në lokalin ku ndodhi krimi i rëndë. Aktualisht, materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Korçës, për hetimin e mëtejshëm të kësaj ngjarjeje, për të cilën është shpallur në kërkim Rolanda Balili.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency