“Identiteti” më agresive në “Eurovision”

0

13 mars kenga e eurovisionTingujt e parë dëgjohen në një lagje të papërfunduar në periferi të Tiranës. Rrëfimi për “Identitetin” zhvendoset në një skenë të madhe. Ai kulmon para publikut që e duartroket. Kjo është fabula me të cilën shteti shqiptar i ka ofruar publikut evropian këngën me të cilën do të përfaqësohet në “Eurosong”. Videoklipi i këngës “Identitet” të hënën është publikuar në uebfaqen zyrtare të “Eurovisionit”. Versioni final i këngës me të cilën Shqipëria do të garojë në garën më të madhe të këngës evropiane është sjellë në publik e riorkestruar. Kënga është tkurrur në tre minuta, nga katër e dhjetë sekonda që ishte kur dyshja, Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko, e këndoi për herë të parë “live” në Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar. “Identitet” – që do të prezantohet në gjysmëfinalen e dytë të “Eurosong” në Malmo të Suedisë më 15 maj të këtij viti – është ripërpunuar dhe incizuar në studion “Kingside”, në kryeqytetin e mikpritësit të sivjetëm të garës. Këngëtari ulqinak, Ardian Lulgjuraj, në një prononcim për “Kohën Ditore” ka shpjeguar ndryshimet që i janë bërë këngës. “Ka pasur disa ndryshime. Disa nota janë ndryshuar. Tema ka mbetur e njëjtë dhe kënga është shkurtuar në tre minuta, sipas standardit të ‘Eurovisionit’”, ka thënë Lulgjuraj nëpërmjet telefonit. “Është më kompakte dhe më agresive”.

Loading...

Lulgjuraj ka rrëfyer arsyen për incizimin e versionit final të “Identitetit” në Suedi.

“E kemi bërë vetë këtë përzgjedhje, edhe pse kemi pasur mundësi ta realizojmë në Amerikë, sikur vjet Rona Nishliu. Por ajo studio nuk ishte adekuate për muzikën rock dhe duke pasur parasysh që Suedia anon më shumë nga muzika rock, e kemi gjetur një studio të mirë në Stockholm”, ka thënë ai. Ekipi shqiptar kishte realizuar versionin final të këngës dy javë më parë. Por publikimi është bërë tek të hënën. “Kënga është dërguar në adresë të ‘Eurovisionit’ dhe derisa është analizuar nuk është publikuar”, ka thënë Lulgjuraj. Sipas tij, “Identiteti” përfundimisht do të interpretohet në gjuhën shqipe. “Duke marrë parasysh që titullohet ‘Identitet’ dhe ka elemente etno, do të ishte qesharake të këndohej në anglisht”, ka thënë Lulgjuraj.

Njëri nga protagonistët e Shqipërisë në “Eurovisionin” e sivjetmë është i kënaqur me komentet që janë bërë pas publikimit të videoklipit. “Sa kam parë, 90 për qind të komenteve janë pozitive. Por nuk prisja kaq shumë kritika pozitive. Sigurisht që këto na japin vullnet dhe na bëjnë optimistë”, ka thënë Lulgjuraj. “Sido që të jetë, ne do të japim maksimumin”.

Në uebfaqen zyrtare të “Eurovisionit”, videoklipi është shoqëruar me përshkrim. “Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko do të përfaqësojnë Shqipërinë në ‘Eurovision’, me këngën ‘Identitet’. Qëkur Shqipëria i është bashkuar garës në vitin 2004, ata i kanë zgjedhur këngët në dhjetor përmes garës së tyre kombëtare Festivali i Këngës. Finalja e këtij viti ka rezultuar me fituesit Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko me këngën ‘Identitet’”, është shkruar në uebfaqen e “Eurovisionit”. Kënga “Identitet” që gërsheton elementet etno me muzikën rock, e interpretuar nga Bledar Sejko, vokal e kitarë, dhe këngëtari Adrian Lulgjuraj, ka fituar në edicionin e 51-të të Festivalit të Radiotelevizionit Shqiptar, në dhjetor të vitit të kaluar.

Pas triumfit të këngës “Identitet” nëpër rrjete sociale ka shpërthyer një debat i ashpër në lidhje me atë se notat e këngës janë huazuar nga kënga “Plavi safir” e këngëtarit serb Momçilo Bajagiq – Bajaga, që ishte realizuar në vitin 1988. Aludimet se Shqipëria po shkon në “Eurosong” me një këngë të vjedhur kanë qenë kryesisht të serbëve. Por pas lançimit të këtij lajmi nëpër media, krijuesi i këngës “Identitet”, Bledar Sejko reagimin e tij e ka publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” duke mohuar kritikat.

 

Loading...