Ekspertët: Të rregullohen me ligj mega-rrogat e menaxherëve të huaj në Shqipëri

0
123

Ervin Kaduku

megarrogatPak ditë më parë, me referendum, Zvicra vendosi kufizimin e shpërblimeve gjigante për drejtuesit e bankave

Ekzagjerime për menaxherët e huaj, ndërkohë që depozitat e shqiptarëve “fluturojnë” jashtë vendit

 

 

Ekspertët e ekonomisë kërkojnë një paketë të re masash ligjore që forcojnë mbikëqyrjen në sistemin bankar, ku të përfshihet edhe kufizimi i shpërblimeve që bankat japin për drejtuesit dhe punonjësit. “Këtu nuk bëhet fjalë për një sipërmarrje dhe shteti po ndërhyn në sipërmarrjen private individuale, por sektori bankar është një sektor, ku menaxherët administrojnë pasuritë publike, administrojnë paratë e qytetarëve kursimtarë të vegjël. Pavarësisht gjenisë krijuese të tyre dhe përdorimit me eficencën më të lartë ekonomike të këtyre parave, sërish kjo nuk mund të justifikojë përdorime të ekzagjeruara të fitimeve të gjeneruara, për t’u shpërndarë në mënyrë private nga ato që janë menaxherët e këtyre bankave”, – tha dje për median deputeti demokrat Selami Xhepa.

Ndryshimi

Dy javë më parë Bashkimi Evropian miratoi një direktivë, e cila detyron çdo bankë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian të mos japë për punonjësit shpërblime më të mëdha se sa paga e tyre.

“Ne jemi me fat që në Bashkimin Evropian po vendosen disa direktiva, qoftë që në fushën e mbikëqyrjes, qoftë në rregullat e kapitalit që duhet të kenë bankat për t’u ruajtur nga tronditjet që ka ekonomia, qoftë edhe në skemat e shpërblimit për menaxherët e bankave. Në mënyrë graduale, banka jonë qendrore, Ministria e Financës dhe Parlamenti duhet të ndërmarrin përafrimin e politikave dhe standardeve në sistemin tonë bankar dhe financiar, në përputhje me atë që janë duke bërë vendet e Bashkimit Evropian, pasi mësuan nga dështimet e tyre të mëparshme”, – tha deputeti socialist, Arben Malaj.
Shpërblimet miliardere të bankierëve u cilësuan një nga shkaqet kryesore që e çuan sistemin financiar botëror në prag të kolapsit. Kufizimi i tyre ka dhe arsye ekonomike.
“Në mënyrë që të ulen presionet mbi menaxherët që joshen nga bonuset shumë të mëdha, ata të përkeqësojnë menaxhimin e bankave apo të korporatave të mëdha”, – shtoi Malaj.
Vitin e kaluar, në kushtet e recesionit të përgjithshëm bankat më të mëdha në Evropë dhe SHBA shpërndan 257 miliardë euro bonuse për punonjësit. Në Shqipëri të dhënat nuk janë publike.
“Është koha që sektori bankar duhet të jetë shumë më transparent në raport me publikun, në kuptimin që bilancet financiare, shpenzimet e tyre dhe në veçanti, duke qenë se kjo është një çështje që ka tashmë një ndjeshmëri më të madhe, duhet që ato të japin sa më shumë informacion publikut”, – tha Xhepa.
“Është parakusht dhe ne duhet të shikojmë ku kemi mangësi dhe duhet ta kthejmë në rregull numër një të detyrueshëm rritjen e transparencës duke nisur nga sistemi bankar”, – tha Malaj.
Selami Xhepa mendon se këto masa duhet të shtrihen edhe në sektorë të tjerë, veçanërisht kompanitë që kanë koncesione apo kanë privatizuar asete publike. Ndonëse bilancet e tyre nuk bëhen publike, në të kaluarën kanë dalë fakte për pagesa marramendëse deri në 66 mijë euro në muaj.

 

 

Maqedonia “gjuan” turistët shqiptarë për sezonin e verës

Ervin Kaduku

 

Maqedonia duket se ka ndryshuar vizionin e saj për të tërhequr turistët dhe këtu përfshihen edhe ata shqiptarë. Gjuetia, peshkimi sportiv dhe turizmi malor do të jenë atraksionet kryesore më të cilat fqinji ynë synon të konkurrojë, jo vetëm në tregun rajonal.

Zyra “Invest Macedonia” në Tiranë ka ftuar operatorët turistikë shqiptarë që të realizojnë një udhëtim disaditor për të njohur nga afër atraksionet që gjenden kryesisht në rajonin e Ohrit (Shën Naum, Parku Kombëtar Galiçica, burimet e Biljanës), Mavrovë (Parku Kombëtar, Lumi Radika, fshati Jance) dhe Shkup (rezervuari i gjuetisë Jasen, kanioni Matka). Sipas drejtuesit të zyrës ndërkombëtare “Invest Macedonia – Shqipëri & Kosovë” Fatos Mustafa, operatorëve shqiptarë do t’iu jepet mundësia të zhvillojnë takime dhe të shkëmbejnë eksperienca me ata të industrisë së turizmit në Maqedoni, me shoqatën e gjuetarëve dhe peshkimit sportiv, si dhe do të degustojnë shijet tradicionale të ushqimeve dhe pijeve vendase.

Vizita e operatorëve turistikë nga Shqipëria në Maqedoni, e kthyer tashmë në një traditë të përvitshme, synon të rrisë interesimin e pushuesve, si dhe të zgjerojë mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency