BE nis javën diplomatike për marrëveshjen Prishtinë-Beograd

0

prishtinTakimi i radhës në nivel kryeministrash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që pritet të mbahet më 20 mars në Bruksel, nga Bashkimi Evropian, po vlerësohet të jetë i një rëndësie të veçantë.

Brukseli, si ndërmjetësues në këtë dialog, pret që palët e përfshira të merren vesh në lidhje me kompetencat e një organi që do të quhej Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë.

Me krijimin e këtij organi, Beogradi ka paralajmëruar se do të pajtohej për zhbërjen e strukturave të saj të sigurisë në veri të Kosovës, si hapi i parë drejt vendosjes së një normaliteti në këtë pjesë të Kosovës.

Po në funksion të arritjes së një marrëveshjeje të tillë, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, ka ftuar në Bruksel kreun e shtetit të Serbisë, kurse më 14 mars, pritet të vizitojë edhe Prishtinën.

Brukseli në disa raste e ka bërë të qartë se kërkon një marrëveshje të shpejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, andaj edhe ka nisur një aktivitet të tillë diplomatik.

Pas takimit të fundit ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, më 4 mars në Bruksel, Ashton në deklaratën e saj kishte thënë se “është arritur një përparim i mirë”.

Por, kishte nënvizuar ajo, “ka ende punë që të kryhet para 20 marsit, kur do të takohemi sërish”.

Zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiç i tha Radios “Evropa e Lirë” se dialogu është në fazën vendimtare dhe se tani po punohet që të dyja palët të arrijnë deri te marrëveshja.

“Përpjekjet tona po shkojnë në drejtim të përparimeve në dialog. Por, për arritjen e marrëveshjes gjithmonë nevojitet që të kemi pajtimin e njërës dhe palës tjetër”, – tha Kocijançiç.

Sa i përket Prishtinës zyrtare, sipas këshilltarit politik të kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, ajo i ka kryer tashmë veprimet e nevojshme dhe nuk pritet që Brukseli të ketë ndonjë kërkesë shtesë.

Kurse, vizita e Ashtonit thuhet se ka për qëllim t’i informojë forcat politike në Kosovë, sidomos opozitën, se marrëveshjet që mund të arrihen në Bruksel, do të jenë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

“Vizita e baroneshës Ashton në Prishtinë ka qëllim të vetëm që të sqarojë të gjithë aktorët politikë në Kosovë, se të gjitha marrëveshjet që mund të realizohen në Bruksel me ndërmjetësimin e saj, do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Qeveria e Kosovës i ka kryer të gjitha punët e veta në aspekte të ndryshme që ndërlidhen me marrëveshjet eventuale që mund të arrihen në ditët e ardhshme, në kuadër të procesit të dialogut që mbahet në Bruksel”, – theksoi Çollaku.

Ndërkohë, analisti i çështjeve politike nga Beogradi, Predrag Simiç, tha se nëse të dyja palët në bisedime thonë se i kanë përmbushur kërkesat në dialog, atëherë mbetet të shihet se çfarë do të ofrojë Bashkimi Evropian.

Siç qëndrojnë aktualisht punët, Simiç e sheh mjaft të vështirë arritjen e një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e dështimit të diplomacisë së zonjës Ashton dhe transferimin e dialogut te diplomacia amerikane.

“Në këtë moment diplomacia evropiane teorikisht ka mundësi që të arrijë deri te marrëveshja, por nëse nuk e arrin, atëherë raundi i ardhshëm i bisedimeve nuk do të mbahet në Bruksel, por në Uashington apo diku në Amerikë”, – u shpreh Simiç.

Me arritjen eventuale të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me vendosjen e një normaliteti në pjesën veriore të Kosovës, besohet se do të hapej edhe perspektiva e arritjes së një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përparimet në këtë dialog, nga Brukseli janë vlerësuar si të domosdoshme për dyja vendet. Kosovës i është premtuar Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, përderisa Serbisë data e negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.

 

 

Thaçi: Vizita e Baroneshës Ashton mund të lëvizë gjërat

Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes së rregullt të qeverisë së Kosovës ka folur për aktualitetin politik në vend, me theks të veçantë rreth bisedimeve Prishtinë-Beograd në Bruksel.

“Ne dje, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kemi prezantuar raportin për takimin e radhës në Bruksel me Kryeministrin serb Ivica Daçiç. Dëshiroj të falënderoj shumicën e partive politike për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për këtë proces të rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore për fqinjësi të mirë. Në të njëjtën kohë dua të theksoj se tash jemi në fazë të rëndësishme apo përfundimtare të këtij procesi për arritjen e marrëveshjeve përfundimtare në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Sonte në mbrëmje dhe nesër paradite, baronesha Ashton do të qëndrojë në Republikën e Kosovës, ku është planifikuar që të ketë takime më bartësit e institucioneve të Kosovës dhe me një pjesë të liderëve politikë.

Sa i përket Prishtinës, gjithçka është e qartë. Qëndrimet tona kanë qenë, janë dhe do të mbeten plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet tona dhe me standardet evropiane.

Përkushtimi ynë maksimal është normalizimi i gjendjes në veri; fillimi i funksionimit të jetës normale; shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave të sigurisë në këtë pjesë të vendit; krijimi i kushteve dhe rrethanave të përshtatshme për lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës; fillimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë sipas legjislacionit kosovar; dhe në të njëjtën kohë, krijimi i kushteve të përshtatshme për organizmin e zgjedhjeve të lira në katër komunat veriore të vendit tonë në kohën kur do të organizohen zgjedhjet e përbashkëta në gjithë Kosovën për nivelin lokal.

Zgjedhjet do të organizohen me ftesën tonë, nga OSBE-ja, por do të certifikohen nga KQZ-ja. Pastaj do të formohet edhe një asociacion i komunave me shumicë serbe, një asociacion, i cili do të ketë rregulloren e vetë të punës në baza vullnetare të bashkëngjitjes së çdo komune dhe shkëputjes në të njëjtën kohë, por gjithmonë pa asnjë mandat legjislativ dhe ekzekutiv apo të pushtetit të tretë.

E theksoj edhe njëherë se vizita e baroneshës Ashton është inkurajuese për Prishtinën dhe natyrisht do të jetë një vizitë e cila besoj që do të mund të lëvizë gjërat përpara, që të ndodhin këto marrëveshje më herët, por me theks të veçantë ne do të fokusohemi edhe në periudhat kohore të implementimit të të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore dhe mekanizmat implementues, edhe KFOR-i, edhe EULEX-i, edhe institucionet e Kosovës me mbështetjen e plotë ndërkombëtare, domethënë të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë sot kam zhvilluar një bisedë telefonike me z. Philip Reeker. Është një mbështetje e vazhdueshme e SHBA-së për tërë procesin që po e zhvillojmë. Dua të potencoj përsëri, se edhe deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Nikoliç, kanë qenë deklarata për të kënaqur opinionin e vet të brendshëm, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe nga deklaratat e tij. E kam theksuar dje dhe e ritheksoj edhe sot, janë deklarata të mentalitetit të politikës së vjetër të Beogradit, që japin deklarata të ndryshme në rrethana të ndryshme, kur janë edhe të periudhave, siç e theksova edhe dje, nga Beteja e Kosovës, Rambuje, Marrëveshja e Kumanovës e deri në ditët e sotme. Por, sot është një rrethanë e re, jemi vende të pavarura dhe sovrane, synimi dhe qëllimi ynë është që të kemi fqinjësi të mirë si dy vende sovrane të integrohemi në NATO dhe BE, e për Kosovën të ketë lëvizje edhe për anëtarësim edhe në OKB. Prandaj, hymë më vullnet dhe përgjegjësi në këtë drejtim që të normalizojmë gjendjen në veri, por edhe raportet tona ndërshtetërore”, – ka thënë Kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e hapjes së mbledhjes së qeverisë së Kosovës.

Kosova në protestë, “kundër hajnisë”

Mijëra protestues iu përgjigjën dje organizatorëve të marshit “Kundër hajnisë – për zhvillimin e shtetit”, që u mbajt në kryeqytet. Ata, ashtu siç ishte paralajmëruar, u mblodhën pikërisht në orën 12 para zyrave të KEK-ut, prej nga marshuan paqësisht nëpër sheshin “Nënë Tereza” deri para godinës së qeverisë, e cila bashkakuzohet nga qytetarët për fryrje faturash për energjinë. Protestuesit në fakt manifestuan pakënaqësinë përgjithësisht ndaj gjendjes në të cilën është katandisur vendi, ndaj varfërisë, korrupsionit dhe papërgjegjësisë.

Aktorja me famë ndërkombëtare, Arta Dobroshi, e cila iu bashkua organizatorëve, kur u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në protestë, përmendi se “mbi 40 për qind e popullit janë të papunë dhe krejt kjo si pasojë e keqqeverisjes”. Yll Rugova, nga Grupi i Qytetarëve të Organizuar, kishte bërë thirrje që kësaj proteste paqësore t’i bashkoheshin të gjitha institucionet dhe organizatat, qofshin ato politike apo joqeveritare, në mënyrë që të ndihmojnë protestën me pjesëmarrje sa më të madhe, kurse Ilir Deda, nga instituti “KIPRED”, tha se ky është marshi i parë i këtij viti kundër së keqes. Ndër protestues ishte edhe deputetja e AAK-së Donika Kada – Bujupi, drejtuesja e Grupit Koha, Flaka Surroi dhe shumë emra të jetës publike e politike.

Në komunikatën e Grupit të Qytetarëve të Organizuar rreth organizimit të protestës së sotme thuhet se mijëra qytetarë sot protestuan me moton “Ndaloje hajninë – Zhvilloje shtetin!” Pas 6 protestash kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike për muajt e parë të vitit, pasi u kërkua përgjegjësi institucionale për vjedhjen nga KEK-u, duke mos e parë asnjë reagim serioz të institucioneve përgjegjëse, u bë e qartë që ka një problem më të thellë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. KEK-u është vetëm sipërfaqja e këtij korruptimi të thellë të kuptimit të institucioneve dhe vartësve të tyre.

Sot u protestua për të 7-ën herë, tashmë me mijëra qytetarë u bashkuan. U protestua kundër hajnisë dhe për zhvillimin e shtetit të Kosovës. Kjo është veç protesta e parë e nisur nga Grupi i Qytetarëve të Organizuar në bashkëpunim me OJQ-të, organizimet politike e jopolitike si dhe me organizatat studentore numri i të cilave do të rritet në vazhdimësi.