Ballkani perëndimor, rreziku: Ndasitë etnike dhe politike!

0

clapperNdasitë e brendshme politike dhe ato etnike, do të përbëjnë rrezikun më të madh për Ballkanin Perëndimor për vitin 2013. Ky është vlerësimi i agjencive amerikane të zbulimit, sipas raportit të përvitshëm që ato i paraqesin Kongresit. Raporti u paraqit dje nga Drejtori i Zbulimit Kombëtar James Clapper, gjatë një seance në Komisionin e Përzgjedhur të Senatit për Çështjet e Zbulimit.

Sipas vlerësimit të agjencive të zbulimit, shtetet e të dobëta të këtij rajoni vuajnë nga ngecja ekonomike, papunësia e lartë, korrupsioni dhe një shtet i dobët ligjor. Megjithëse gjendja e sigurisë në veri të Kosovës, të banuar nga shumica serbe, është përmirësuar që nga viti 2011, angazhimi diplomatik dhe ai në fushën e sigurisë i perëndimit, është i nevojshëm për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Raporti thekson se me shtimin e përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ekziston edhe rreziku i shtimit të dhunës nga grupet ekstremiste serbe në veri të Kosovës. Qeveria relativisht e re e Serbisë, ndeshet me pengesa të shumta në rrugën e saj drejt përmbushjes së detyrimeve për të filluar negociatat e anëtarësimit me Bashkimit Evropian, mes të cilave është edhe gjetja e një zgjidhjeje mes pretendimit kushtetues mbi Kosovën dhe faktit që Kosova është e pavarur.

Mbikëqyrja e pavarësisë përfundoi, thekson raporti dhe qeveria e Kosovës do të synojë t’i zgjerojë instrumentet e sovranitetit mbi gjithë territorin e saj.

Në Shqipëri, sipas raportit, institucionet qeverisëse vuajnë nga korrupsioni dhe ndikimi i tepruar politik mbi to. Në muajt që i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare të qershorit, ekziston shqetësimi i rikthimit në konfliktin e ashpër partiak që shpërtheu pas zgjedhjeve parlamentare të 2009, kur opozita i kundërshtoi zgjedhjet dhe bojkotoi herë pas here parlamentin për gati 2 vjet.

Në Maqedoni, raporti nuk parashikon një kthim në luftën civile të një dekade më parë, por parashikon thellimin e mëtejshëm të mosmarrëveshjeve mes dy komuniteteve shqiptare dhe maqedonase. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit dëshmoi dje në Kongres së bashku me drejtorin e ri të CIA-s, John Brennan dhe me drejtorin e FBI-së, Robert Mueller.

 

 

Britania për armatimin e kryengritësve në Siri

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka bërë të ditur se Britania e Madhe mund të konsiderojë vendosjen e vetos, në lidhje me zgjatjen e embargove të armëve nga Bashkimi Evropian drejt Sirisë. Embargoja pritet të rinovohet në maj, por Kryeministri britanik tha se kjo është diçka “që na lejon të bëjmë gjëra sipas mënyrës sonë”.

Qeveria ka premtuar gjithashtu se do t’u ofrojë ndihma forcave kundër Presidentit Assad. Cameron shtoi se Britania është “ende një shtet i pavarur”, pavarësisht se ai shpreson që e gjithë BE-ja të arrijë në një marrëveshje. Javën e kaluar, Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë, William Hague, tha se qeveria mund të ofrojë mjete të blinduara dhe mburoja trupore për forcat opozitare në Siri, “për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve”, si dhe disa miliona funte në pajisje, përfshi materiale për kërkim-shpëtimin, komunikimin dhe parandalimin e sëmundjeve. Anëtarët e BE-së janë të ndarë nëse do ta heqin embargon, teksa disa shtete, si Gjermania, shqetësohen se ky veprim do të çojë në shtimin e armëve në Siri dhe në rajonin përreth.

 

 

Dy milionë fëmijë sirianë kanë nevojë për ndihmë humanitare

Sipas një raporti të ri, dy milionë fëmijë sirianë kanë nevojë për ndihmë humanitare, pas dy vjet konflikti, që ka ndikuar në mënyrën e ushqyerjes së tyre, tek shkollimi dhe kushtet përshtatshme sanitare për të jetuar. Grupi i ndihmave “Save the Children” publikoi dje një raport, ku theksonte pasojat e krizës siriane tek “viktimat e harruara” të luftimeve. Në raport thuhet se shkollat dhe spitalet janë dëmtuar nga luftimet mes forcave rebele dhe luftëtarëve të qeverisë siriane dhe se thuajse çdo familje me të cilat grupi bisedoi, tha se nuk kishin as kushtet minimale sanitare.

Raporti u bën thirrje të gjitha palëve në konflikt, që të lejojnë ndihmën humanitare t’u shkojë personave në nevojë dhe t’i jepet fund përdorimit të lëndëve shpërthyese në zonat e populluara.

Raporti u bën thirrje luftëtarëve t’i japin fund rekrutimit të fëmijëve ushtarë, një praktikë për të cilën hetuesit e Kombeve të Bashkuara thanë se është duke u përdorur si nga ushtria, edhe nga rebelët.

 

 

 

Seuli akuzon Phenianin për luftë psikologjike

Udhëheqësi i Koresë së Veriut ka deklaruar se trupat e tij janë në gatishmëri për sulm ndaj një ishulli koreanojugor. Media zyrtare e Koresë së Veriut citon udhëheqësin e vendit, Kim Jong Un, i cili përdori termat më kanosëse deri tani gjatë një vizite në një njësi ushtarake në vijën e parë të frontit, ku ai thotë se ushtarët janë në gatishmëri për të sulmuar një ishull të Koresë së Jugut. Ndërkaq, një gazetë e rëndësishme konservatore në Korenë e Jugut citon një zyrtar të qeverisë së Seulit sipas të cilit armët bërthamore amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë të dislokuara në ujërat territoriale të Koresë së Jugut, pas manovrave ushtarake, për të parandaluar sulme nga Veriu komunist.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare në Korenë e Jugut thotë se kërcënimet e reja të udhëheqësit komunist kundër një ishulli që ndodhet pranë kufirit mes dy vendeve është pjesë e një taktike psikologjike që synon të ndryshojë politikat amerikane dhe koreano-jugore.

Zëdhënësi i ministrisë Kim Min-seok u tha gazetarëve se Koreja e Veriut po përgatit manovra të mëdha ushtarake për këtë muaj, të cilat pritet t’i ndjekë nga afër edhe udhëheqësi Kim Jong Un.

“Manovrat mund të sjellin provokacione. Forcat e Koresë së Jugut po ndjekin me vëmendje veprimet e ushtrisë koreano-veriore”, – tha zëdhënësi.

Të martën, radioja e Koresë së Veriut dha hollësi për inspektimin që zhvilloi të hënën udhëheqësi i vendit në një njësi bregdetare, që sipas fjalëve të tij ishte në gatishmëri për të sulmuar ishullin koreano-jugor Bangnyong. Në transmetimin e lajmeve citohet Kim Jong Un, i cili u drejtohet trupave me fjalët që ta shndërrojnë ishullin në një det flakësh:

Në transmetimin e lajmeve thuhet se zoti Kim i kishte informuar ushtarët se sapo ai të japë urdhërin, ata duhet t’i tregojnë armikut se ç’do të thotë luftë e vërtetë, duke “i thyer bretkun dhe duke i marrë jetën”. Agjencia jug-koreane e lajmeve Yonhap thotë se vizita e fundit e zotit Kim në njësitë ushtarake bregdetare ka shqetësuar vëzhguesit për mundësinë e një tjetër ballafaqimi ushtarak mes dy Koreve në Detin e Verdhë.

Acarimi i retorikës nga Pheniani bëhet në një kohë kur janë forcuar sanksionet ekonomike nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe në periudhën e manovrave vjetore ushtarake amerikano-koreane. Joong Ang Ilbo, një gazetë e rëndësishme konservatore në Seul, citon një zyrtar të qeverisë sipas të cilit armët bërthamore amerikane, do të qëndrojnë në ujërat territoriale koreano-jugore pas përfundimit të manovrave të muajit të ardhshëm.

 

 

SHBA tërheq armët bërthamore nga gadishulli

Komanda e Trupave Amerikane në Korenë e Jugut, në përgjigje të kërkesës së “Zërit të Amerikës” për komente, dërgoi një deklaratë ku thuhet se Shtetet e Bashkuara i përmbahen me forcë angazhimit në mbrojtje të aleatit të tyre, ku përfshihen përpjekjet për të parandaluar kërcënime përmes “forcave konvencionale dhe masave bërthamore”. Tensionet në gadishull kanë arritur nivele të papara prej vitesh.

Koreja e Veriut i ka cilësuar manovrat ushtarake me trupa amerikane dhe koreano-jugore si pjesë e një fushate konfrontimi kundër Phenianit si dhe parathënie për një sulm bërthamor, dhe ka thënë se Pheniani ka të drejtë të përgatitet për një sulm parandalues bërthamor.

Koreja e Veriut ka njoftuar gjithashtu se duke filluar nga 11 marsi, e konsideron të pavlefshme marrëveshjen e armëpushimit që nënshkroi në vitin 1953 me komandën ushtarake kineze.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Martin Nesirky, thotë se pavarësisht nga komentet e Phenianit, marrëveshja është ende në fuqi.

“Marrëveshja nuk lejon asnjërën palë të anulojë dokumentin në mënyrë të njëanshme. Sekretari i Përgjithshëm do ta ritheksojë vlefshmërinë dhe rëndësinë e këtij dokumenti kritik”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut Cho Tai-young u tha gazetarëve se Seuli kërkon nga Pheniani të tërheqë deklaratën e tij se ka anuluar marrëveshjen e paqes, pasi komente të tilla përbëjnë kërcënim për paqen në rajon.

Megjithëse Koreja e Jugut nuk ishte ndër palët sigluese të dokumentit), zëdhënësi thotë se Seuli do të respektojë në mënyrë të plotë kushtet e marrëveshjes, do të forcojë bashkëpunimin dhe diskutimet me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, për t’iu përgjigjur çdo përpjekjeje të Koresë së Veriut për ta anuluar marrëveshjen. Dokumenti, në masë të madhe ka mbajtur në fuqi një marrëveshje armëpushimi për 60 vjetët e fundit. Por dy Koretë nuk kanë nënshkruar asnjëherë një marrëveshje paqeje mes tyre, gjithashtu nuk kanë normalizuar marrëdhëniet, gjë që nënkupton se teknikisht dy vendet fqinje vazhdojnë të jenë në gjendje lufte që prej 60 vjetësh.

 

SHBA: Kina të trajtojë çështjen e sulmeve kibernetike

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i kërkoi Kinës të marrë hapa seriozë për të ndaluar krimin përmes piraterisë kompjuterike, duke thënë se çështja në fjalë është një sfidë në rritje në marrëdhëniet me dy vendeve.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Tom Donilon, i bëri thirrje Kinës të pranojë shtrirjen e problemit dhe të angazhohet në bisedime me Shtetet e Bashkuara për të ndryshuar situatën.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Hua Chunying tha sot se Pekini është i hapur për bisedime por këmbënguli se Kina është vet viktimë e sulmeve kibernetike.

Disa kompani të mëdha amerikane të teknologjisë, përfshi Apple, Facebook, dhe Twitter, janë sulmuar këtë vit. Gazetat “The New York Times”, “Wall Street Journal” dhe “Washington Post” kanë njoftuar gjithashtu për sulme kibenetike në faqet e tyre nga hakera kinezë.