16-vjeçarët në votime, dështojnë negociatat, PS kundër. Berisha: Nuk tërhiqemi

0
170

Gëzim Saliu

ruciRuçi: Jo ndryshimit të rregullave të lojës. Patozi: Votimi i tyre, një vlerë e shtuar në zgjedhje

 

Partia Socialiste i thotë zyrtarisht “jo” propozimit të Kryeministrit Berisha që në zgjedhjet e 23 qershorit të votohet që nga mosha 16 vjeç. Në takimin mes krerëve të grupeve parlamentare të PD-së dhe PS-së, në emër të socialistëve, Gramoz Ruçi ka shprehur qëndrimin kundër nismës, me pretendimin se është shumë vonë për ndërhyrje në Kushtetutë. Pas dështimit që në nisje të negociatave, kreu i qeverisë ka bërë të ditur në mbledhjen e djeshme të ekzekutivit se nuk do të tërhiqet nga propozimi i tij, duke theksuar se do të bëjë çdo përpjekje që të rinjtë e moshës 16 vjeç të mund të votojnë në këto zgjedhje parlamentare. “Siguroj 16-vjeçarët e këtij vendi se nuk do resht përpjekjen time derisa ata të votojnë me të drejta të barabarta me të tjerët. Kombi t’u japë 16- vjeçarëve të drejtën që u takon me tërë faktorët dhe rrethanat. Ftoj të gjitha forcat politike që të mos e bëjnë çështje debati dhe karshillëqesh, por ta marrin këtë si çështje të thellë themelore për 100 mijë qytetarët shqiptarë që mezi presin të dalin ditën e votimit që të vendosin për vendin e tyre për 4 vitet që do vijnë”, – tha Berisha.

 

Negocimi

Ashtu siç propozoi Kryeministri Berisha në mbledhjen e fillimjavës së grupit parlamentar demokrat, krerët e grupeve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi, u takuan dje për të shqyrtuar nismën për uljen e moshës së votimit deri në 16 vjeç. Në takimin në Kryesinë e Kuvendit, pa praninë e mediave, negociatat mes dy krerëve të grupeve kanë dështuar që në fillim, pasi PS ka bërë të ditur kundërshtinë e saj për propozimin e kreut të qeverisë. Ruçi ka deklaruar se nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës tre muaj para zgjedhjeve. “Tashmë rregullat e lojës janë mbyllur. Nëse do t’u futemi ndryshimeve të rregullave, atëherë ka shumë problem që duhen zgjidhur siç janë pastrimi i listave nga të vdekurit dhe dublikimet apo ajo e votimit të emigrantëve”, – u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist. Ndërkohë, kryetari i deputetëve demokratë e ka cilësuar votimin e 16-vjeçarëve një vlerë të shtuar në procesin zgjedhor. “Ruçi nuk e pranoi nismën tonë më argumentin se kemi probleme më të mëdha me listat zgjedhore sesa votimi i 16-vjeçarëve”, – pohoi Patozi. Tri ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar, Kryeministri Berisha i kërkoi kreut të deputetëve të selisë blu, Patozi, që të nisë negociatat me homologun e tij socialist lidhur me propozimin, i cili kërkon që mosha e votimit të ulet deri në 16 vjeç. Kjo ide e kreut të qeverisë për t’u dhënë të drejtën e votës edhe rreth 100 mijë të rinjve nga mosha 16 në 18 vjeç, u cilësua si e pazbatueshme për tre muajt e mbetur nga ambasadori i OSBE-së. Ndërkohë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka mbështetur propozimin e Kryeministrit Sali Berisha për uljen e moshës së votimit në 16 vjeç. “LSI është e para forcë politike që e ka ndryshuar statusin dhe 16-vjeçarët kanë të drejtën e votës. Ata e meritojnë të votojnë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre”, – tha ai duke shtuar se për këtë duhet konsensus mes palëve politike në vend. Ulja e moshës së votimit në Shqipëri nga 18 vjeç në 16 vjeç kërkon ndryshime kushtetuese. Nëse kjo do të realizohej, listës së votimit për këto zgjedhje do t’i shtoheshin edhe rreth 100 mijë votues.

 

Rama: Trashëgimia kulturore para rrugëve, Olldashi: Deklaratw e çmendur

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzon qeverinë se po i kushton rëndësi një projekti mediokër të infrastrukturës rrugore, duke premtuar se me ardhjen në pushtet socialistët do t’i kushtojnë rëndësi potencialit që mban trashëgimia kulturore. Në prezantimin e programit të PS-së për kulturën në qytetin e Durrësit, kryesocialisti deklaroi se më shumë kërcënuese për të nesërmen e shoqërisë është varfëria e aspiratave. “Të kesh si aspiratë ndërtimin e rrugëve, që kanë mbetur të papërfunduara pasi janë krijuar me projekte mediokre, do thotë ta udhëheqësh popullin tënd drejt qorrsokakut. Për ne duhet kthyer plotësisht krahu ku ne duhet të kërkojmë rrugën e zhvillimit. Trashëgimia kulturore është një potencial i pazhvilluar dhe dëmtohet vit pas viti.Unë jam besimplotë që me votën e 23 qershorit do mund të sjellim një ndryshim të qenësishëm në 4 vitet e para për jetën ekonomike, sociale dhe kulturore të vendit”, – deklaroi Rama.. Ndaj akuzave të kreut socialist ka reaguar Ministria e Transporteve e cila theksoi se deklarata e Ramës është tërësisht jashtë realitetit. “Rama foli për programin e PS për kulturën dhe trashëgiminë kulturore, bëri dhe disa deklarata për rrugët duke thënë: Të kesh për aspiratë ndërtimin e rrugëve do të thotë ta udhëheqësh popullin tënd drejt qorrsokakut, për ne duhet kthyer plotësisht krahu kur ne duhet të kërkojmë rrugën e zhvillimit. Nëse nuk ka ngatërruar dorën në të cilën shënon tezën e tij, deklarata e Ramës është thjesht e çmendur. Gjatë qeverisjes së PD-së janë ndërtuar 273 akse kombëtare me 2237 km, 306 akse sekondare nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me 1476 km, janë ndërtuar mbi 6500 km rrugë rurale nga Fondi I Zhvillimit të Rajoneve dhe nga fonde që qeveria ja ka akorduar bashkive dhe komunave të vendit.”tha zëdhënësja e minsitrisë  Arminda Qyflaku. Më tej ajo nënvizoi se kur Rama ishte në krye të bashkisë së Tiranës për 11 vite ndërtoi vetëm 250 km rrugë. “Kjo tregon që Rama nuk e ka kuptuar që elementi kryesor i zhvillimit të një vendi janë pikërisht rrugët, damarët nëpër të cilët qarkullon gjaku dhe plazma e ekonomisë, njerëzit dhe zhvillimi”, përfundoi reagimin zëdhënësja e ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency