Dyshime se shoferi ishte i dehur mbyten në Zaranikë 2 bashkëshortët

0
133

Elton Qyno

perroiViktimat Agim dhe Miranda Jashari ishin duke udhëtuar më makinë, kur mjeti është rrëzuar në përroin e Zaranikës

 

Mbyten në përroin e Zaranikës në Elbasan, burrë e grua të komunitetit Rom. Viktimat janë Agim dhe Miranda Jashari, përkatësisht 32 dhe 30 vjeç, të cilët kanë qenë duke lëvizur me automjetin e tyre, në rrugën që ndodhet buzë rrjedhës së përroit të Zaranikës në unazën e Elbasanit. Prindërit e katër fëmijëve janë rrëzuar së bashku me makinë brenda në rrjedhën e përroit dhe për pasojë, disa ata i ka marrë për disa metra rrjedha së bashku me makinë. Për t’i shpëtuar dallgëve të përroit dhe mbytjes brenda në makinë, burrë e grua, kanë vendosur të braktisin mjetin, por pikërisht në këtë moment, ata janë shkëputur nga njëri-tjetri, për shkak të rrymës tepër të madhe të ujit. Miranda Jashari, ka qenë ajo që e para nuk ka arritur ti përballojë dallgët, ndërkohë që burri i saj në tentativë për të shpëtuar gruan, është mbytur edhe ai së bashku me të. Mes rrebeshit të madh të shiut, kanë nxituar për ti dhënë ndihmë vëllai i Mirandës dhe një punonjës policie, që ka qenë aty afër, të cilët kanë mundur t’i nxjerrin nga dallgët e Zaranikës dhe t’i çojnë në spitalin e Elbasanit, por sipas mjekëve të spitalit tepër vonë. Burime të policisë dhe prokurorisë së Elbasanit, thanë se çifti Jashari banonte në qytetin e Elbasanit, së bashku me katër fëmijët e tyre. Në momentin e aksidentit të rëndë, brenda në makinë, ndodheshin vetëm dy bashkëshortët, ndërkohë që fëmijët e tyre kanë qenë në shkollë. Dyshimet e para të policisë dhe prokurorisë janë se dalja nga rruga e automjetit, mund të ketë ardhur si pasojë e shpejtësisë së madhe, që drejtuesi i makinës Agim Jashari, e ka drejtuar në çastin e rrëzimit.

Nxjerrja nga përroi

Ka qenë vëllai i Miranda Jasharit ai që ka nxituar i pari, duke i dhënë ndihmën e parë, motrës dhe kunatit të tij. Ndërkohë që më pas, mes intensitetit të dendur të shiut kanë nxitur dhe disa persona të tjerë dhe më pas në vendngjarje kanë shkuar dhe forca të shumta të policisë, që kanë bërë të mundur nxjerrjen nga rrjedha e lumit të dy bashkëshorteve. Mësohet se gjatë operacionit për shpëtimin e jetës të Miranda dhe Agim Jashari, ka mbetur i lënduar lehtë dhe një punonjës policie, i cili më pas ka marrë ndihmën mjekësore dhe se aktualisht është kthyer në detyrë. Sipas burimeve të policisë operacioni për nxjerrjen nga përroi i Zaranikës së dy personave ka qenë tepër i vështirë, pasi jo vetëm që nxjerrjen e tyre e vështirësonin dallgët e mëdha të përroit, por në momentin e rrëzimit, qyteti i Elbasanit është përfshirë nga reshje të shumta shiu, duke bërë që niveli i ujit të rritet akoma dhe më tepër, gjë e cila solli vonesa në nxjerrjen e dy trupave. Policia bëri me dije, se të dy bashkëshortët janë arritur të nxirren të gjallë, por gjatë rrugës ata kanë gjetur vdekjen, si pasojë e futjes së ujit me inerte në mushkëri dhe stomak.

Shoferi i dehur

Për shkak se drejtuesi i mjetit përpara se të përfshihej në aksident ka qenë duke konsumuar alkool në një lokal jo shumë vendit të ngjarjes, hetuesit kanë ngritur dyshimin se Agim Jashari, ka qenë nën efektit e pijeve alkoolike. Nisur nga këto dyshime, prokuroria e Elbasanit ka kërkuar kryerjen e autopsisë së shtetasit Agim Jashari, për të mësuar nëse, viktima para aksidentit ka konsumuar pije alkoolike apo jo. E gjithë ngjarja ka ndodhur në paraditen e djeshme, kur në qytetin e Elbasanit, për gjatë gjithë natës dhe mëngjesit kanë rënë reshje të shumta shiu. Pritet që shumë shpejt, prokuroria të njihet me aktin e ekspertimit mjekoligjor, ndërkohë që vdekja e dy bashkëshortëve është cilësuar si aksidentale, dhe për pasojë dosja brenda kësaj jave do të mbyllet.

 

Festa në Elbasan

Dita e verës, 200 forca policie në gatishmëri

Rreth 200 forca policie do të angazhohen nga drejtoria e qarkut të Elbasanit për mbarëvajtjen e festimeve të ditës së Verës. Në publikimin e planit të masave që do të merren, policia bën të ditur se do të angazhohen forca nga të katër komisariatet e policisë në rrethe, të qarkullimit rrugor, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Prej orës 18:00 të 13 marsit, uniformat blu do të kalojnë në shërbim të përforcuar, deri në përfundimin e festimeve në 14 mars. Nga ana e shërbimeve të policisë rrugore janë marrë masat për lëvizjen sa me normale të personaliteteve të larta shtetërore, që do të festojnë Ditën e Verës në Elbasan. Mësohet se e gjithë Drejtoria e Policisë së Elbasanit, do të qëndrojë në gatishmëri që nga mbrëmja e ditës së sotme, ndërkohë që edhe prokuroria do të caktojë dy prokurorë, të cilët do të qëndrojnë në gatishmëri.

 

 

Azilkërkuesit në Francë

Burgaj dhe ambasadorja Moro: Ndëshkim rasteve të abuzimit me lejet e qëndrimit

Rritja e numrit të azilkërkuesve të shtetasve shqiptarë në Francë ka bërë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dhe Ambasadorja e Francës në Tiranë Christine Moro, të dalin në një deklaratë të përbashkët, duke u bërë thirrje azilkërkuesve se do të penalizohen për një periudhë të gjatë, nëse mashtrojnë dhe thyejnë rregullat e zonës Shengen. Nga aeroporti i Rinasit, ku dy zyrtarët e lartë ishin për një vizitë, deklaruan se janë marrë të gjitha masat për parandalimin e një lëvizje të tillë të shtetasve shqiptare, duke parë me vëmendje të gjithë procesin e kalimit në pikën e kalimit të Rinasit. Z. Burgaj, gjatë fjalës së tij, falënderoi ambasadoren për bashkëpunimin dhe e siguroi që policia shqiptare është e vendosur për të ndaluar çdo person, i cili tenton të prishë apo të shkelë rregullat e lëvizjes së lirë. “Ne kemi tashmë oficer policie të mirëtrajnuar, një teknologji shumë të avancuar, që ambasadorja e pa mënyrën e funksionimit të saj, dhe e sigurova, që për çdo person procedurat janë standarde dhe nuk do të tolerojmë absolutisht për sa i përket kësaj çështje. Shqiptarët do të lëvizin të lirë në zonën Shengen. E meritojnë një gjë të tillë, sepse janë miliona, që e kanë respektuar, dhe për një pakicë, për një numër të vogël, nuk mund të penalizohet asnjë shqiptar në zonën Shengen”, – tha z. Burgaj. Më tej Burgaj shtoi se Policia e Shtetit u ofron të gjitha vendeve Shengen bashkëpunimin e duhur për të ulur në minimum numrin e azilantëve. Ndërkohë Moro, duke iu referuar rasteve të konstatuara të qëndrimeve ilegale të shtetasve shqiptar në Francë, tha se duhet që këta shkelës të ligjit ta dinë mirë se çfarë i pret në rastet, që nuk zbatojnë ligjet në vendet evropiane: së pari është kthimi i detyrueshëm i tyre në Shqipëri; së dyti ata nuk do të kenë kurrë mundësinë, që për një periudhë 5 vjeçare të udhëtojnë në Evropë; dhe së treti që nëse kanë bërë shkelje në territorin Francës dhe kanë lidhje me Shqipërinë, sigurisht ata mund të ndiqen penalisht edhe në Shqipëri për shkeljet e bëra në vendet evropiane.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency