Standard.al

Roshi mbyllet në qeli të femrave, sot prokuroria kërkon lirimin e kryebashkiakut

Elton Qyno

elvisTurbullirat në Kavajë, policia prangos 7 persona, 5 punonjës bashkie

Roshi: Nuk e kam qëlluar Nevil Deden. Avokati: Noka urdhëroi prangosjen

 

Ka nisur si një konflikt sportiv, por më pas ka marrë nuancat e një ngjarjeje rrugaçërie dhe në fund e gjithë ngjarja është kthyer në përplasje politike mes dy forcave më të mëdha të vendit. Për më shumë se 24 orë me radhë, kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi, mbahet i izoluar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për shkak se ndaj tij ka depozituar një kallëzim penal trajneri i Tiranës, Nevil Dede, i cili ka treguar në polici se kryebashkiaku e ka sharë dhe më pas e ka qëlluar me grushte mes të gjithë lojtarëve të ekipit të Tiranës, që në ato momente ndodhej në dhomat e zhveshjes. Për këtë veprim të kundraligjshëm, Elvis Roshi është arrestuar që prej pasdites së të dielës, duke u izoluar më pas në një nga dhomat e shoqërimit të femrave, ambiente këto që sapo janë inauguruar në policinë e Tiranës. Kryebashkiaku Roshi është lejuar të vizitohet vetëm nga avokati i tij Plarent Ndreca, i cili është njohur me dëshminë e klientit të tij, rreth asaj që kishte ndodhur në dhomat e zhveshjes së stadiumit të Kavajës, mes tij dhe trajnerit të ekipit të Tiranës. Sipas avokatit Ndreca, kryebashkiaku është trajtuar në mënyrë të rregullt dhe konform ligjeve në fuqi, ndërsa për sa i përket dhunës fizike nga ana e strukturave të policisë, Ndreca ka shpjeguar se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ndreca është shprehur se klienti i tij nuk ka konsumuar asnjë vepër penale dhe menjëherë duhet të ishte liruar me urdhër të prokurorit. Avokati shtoi se arrestimi i Roshit është bërë me urdhër të ministrit të Brendshëm Noka. Ndërkohë, gjatë mbrëmjes së të dielës, policia e Kavajës, pas ndalimit të kryebashkiakut, ka bërë dhe arrestimin e 7 personave, ku mes të cilëve pesë kanë qenë zyrtarë të bashkisë së qytetit.

Sot kërkesa në gjykatë

Pritet që ditën e sotme, me urdhër të prokurorit të rrethit, të dorëzohet në Gjykatën e Kavajës kërkesa për caktimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut Elvis Roshi. Ndaj këtij të fundit prokuroria ka ngritur akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës”, “Kundërshtim të punonjësve të policisë” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”. Gjithmonë duke iu referuar këtyre burimeve, mësohet se prokuroria do kërkojë caktimin e masës “Detyrim për paraqitje” për Elvis Roshin, duke pasur parasysh dhe funksionin që ai ka në administrimin e punëve publike të qytetit të Kavajës. Nuk dihet nëse seanca gjyqësore do të zhvillohet nesër ose jo, pasi është Gjykata e Kavajës ajo që cakton ditën dhe orarin për shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë, për caktimin e masës së sigurisë.

Shtatë arrestime

Turbullirat e krijuara mbrëmjen e djeshme para komisariatit të Kavajës kanë sjellë arrestimin e 7 personave, mes të cilëve janë 5 punonjës të bashkisë së qytetit. Arrestimi i tyre, është bërë për shkak se kanë kryer kundërshtimin me forcë të efektivave të policisë. Lidhur me këtë ngjarje të shëmtuar në prangat e policisë kanë rënë shtetasit Abdulla Tafa, 47 vjeç, nga Kavaja, Astrit Veliu, 40 vjeç, me detyrë shofer pranë Bashkisë Kavajë, Gazmend Demrozi, 38 vjeç, drejtor i Policisë Bashkiake, Shkëlqim Nasufi, 28 vjeç, punonjës bashkie, Osman Tabaku, 56 vjeç, kryeplak dhe Ruzhdi Aliu, 47 vjeç, banues në Kavajë. Të gjithë këta persona kanë ushtruar dhunë ndaj forcave të rendit si dhe kanë organizuar tubimin e paligjshëm, duke mbledhur qindra persona përpara ambienteve të komisariatit të Kavajës. Ata janë shoqëruar disa orë pas arrestimit të kryebashkiakut Roshi dhe në momentin e shoqërimit të 7 të ndaluarit kanë kundërshtuar me forcë efektivët e policisë, të cilët kanë urdhëruar dhe ndërhyrë për shpërndarjen e tubimit të paligjshëm të organizuar përpara komisariatit.

Roshi: Dede na fyeu

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, ka deklaruar në dëshminë e dhënë në policinë e Kavajës se situata është acaruar pas ofendimeve të trajnerit të Tiranës në adresë të tifozerisë së Kavajës, por ka mohuar se ka ushtruar dhunë ndaj teknikut bardheblu. Roshi është shprehur se akuzat e hedhura ndaj tij se ai ka hyrë në dhomat e zhveshjes janë shpifje dhe aspak të vërteta: “Nuk ka pasur fare, nuk e kam kërcënuar dhe s’kam pse e kërcënoj”, – ka deklaruar kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi. Incidenti mbi të cilin është ngritur e gjithë kjo ngjarje, ndonëse ka ndodhur në pushim të ndeshjes, është marrë vesh vetëm pas përfundimit të saj. Pas takimit që përfundoi 2-1 me fitoren e kavajasve, trajneri i Tiranës ka bërë një kallëzim penal për kryebashkiakun e këtij qyteti, duke pretenduar se Roshi e kishte kërcënuar me vdekje dhe më pas e ka qëlluar me grusht. Gjatë marrjes në pyetje, ky i fundit ka refuzuar të tërheqë kallëzimin, duke bërë që më pas policia të shoqërojë menjëherë kryebashkiakun.

Të arrestuar

  1. Abdulla Tafa, banues në Kavajë
  2. Astrit Veliu, shofer në bashki
  3. Osman Tabaku, kryeplak
  4. Gazmend Demrozi, drejtor i Policisë Bashkiake
  5. Shkelqim Nasufi, punonjës bashkie
  6. Erjald Kostrica, elektricist në bashki
  7. Ruzhdi Aliu, banues në Kavajë

 

Dritan Bici, akuzë për shkatërrim prone

Gramsh, prokuroria nis hetime për

kryebashkiakun që hyri në stadium

Tri ditë pas incidentit të rëndë në fushën e futbollit të Gramshit, ku kryetari i bashkisë shpërtheu portat e stadiumit me makinën e tij dhe hyri në fushë, Prokuroria e Elbasanit ka filluar ndjekjen penale ndaj kryebashkiakut të Gramshit, shtetasit Dritan Bici. Mësohet se ndaj kryebashkiakut është ngritur akuza e shkatërrimit të pronës publike, ndërkohë që hetimet ndaj tij janë duke vijuar në gjendje të lirë. Pritet që në ditët në vijim Bici të thirret në Prokurorinë e Elbasanit për t’u marrë në pyetje rreth këtij incidenti. Nga të dhënat paraprake ka rezultuar se Dritan Bici ka hyrë në fushë në minutën e 15, teksa ishte duke u zhvilluar ndeshja mes ekipit të Gramshit dhe Mamurrasit. Ka qenë arbitri i ndeshjes që, sipas kryebashkiakut, ka dhënë disa faulle të pajustifikuara në dëm të ekipit të Gramshit dhe për pasojë ka sjellë dhe irritimin e kryebashkiakut, i cili ka marrë makinën e tij dhe me të ka shpërthyer dyert e stadiumit, duke hyrë në fushë. Këtë veprim të pahijshëm Bici e ka ndërmarrë, për shkak se një ndeshje më parë komisioni i Federatës Shqiptare të Futbollit kishte marrë vendimin për heqjen e të drejtës së hyrjes në stadium të kryebashkiakut, për shkak të sjelljes jo të mirë të tij gjatë kohës së ndeshjes.

Reagimi i Flamur Nokës

Pas deklaratës së avokatit mbrojtës të kryebashkiakut Roshi se arrestimi i tij ishte politik dhe i urdhëruar nga ministri Noka, ky i fundit ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat. “Arrestimi i Elvis Roshit nuk është politik. Kjo është një përrallë, si përrallat e tjera të Elvis Roshit”, – deklaroi shkurt ministri Noka.

Reagimi i Edi Ramës

“S’ka pikë dyshimi se në qoftë se Elvis Roshi, kryebashkiaku i Kavajës, është grindur me duar pas ndeshjes me Nevil Dedën, trajnerin e Tiranës, kjo është e pajustifikueshme. Një personi publik, aq më tepër një qytetari të parë, nuk i lejohet të sillet si një tifoz i dalë duarsh prej etheve të një ndeshjeje. Gjithnjë nëse kështu ka ndodhur, qytetari i parë i Kavajës duhet t’i kërkojë ndjesë publikisht skuadrës mike dhe vetë publikut”, – është shprehur Rama.

Comments are closed.