Propozimi Berisha: Të drejtë vote për 16-vjeçarët, përfitojnë 100 mijë të rinj

0
127

Ina Jano

berishaKryeministri, porosi kryetarit të grupit parlamentar Patozi për të filluar negociatat me zotin Ruçi dhe krerët e tjerë të grupeve kuvendore

Kreu i qeverisë: M’u kërkua nga të rinjtë në Facebook, What’sApp dhe mesazhe. Të prapambetur në gjykimin tonë

 

Propozimi më i ri i hedhur në arenën politike shqiptare është ai i uljes së moshës së detyrueshme për të gjithë votuesit, duke e zbritur atë me 2 vjet. Këtë nismë e propozoi dje kreu i qeverisë, Sali Berisha, i cili tha se duhet që të rregullohet konsiderimi dhe prapambetja në gjykim që ka qenë për këtë moshë të popullsisë. Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kreu i PD-së i dha porosi të veçantë zotit Patozi që në cilësinë e kryetarit të grupit të deputetëve demokratë, të fillojë negociatat me homologun e tij zotin Ruçi, për ta diskutuar këtë propozim konkret. “Do t’i kërkoj kryetarit të grupit parlamentar të negociojë me zotin Gramoz Ruçi dhe me grupet e tjera parlamentare uljen e moshës së votimit në 16 vjeç. Janë me qindra të rinj, të cilët më pyesin në WhatsApp, në Facebook, në sms. Po ne a do të votojmë? Po ne pse nuk votojmë? Mirëpo po të rrimë ta mendojnë thellë, moskonsiderimi i tyre dëshmon një prapambetje në kohë të gjykimit tonë për ta”, – vlerësoi Kryeministri. Sipas tij, ky është një detyrim që politika ua ka për borxh të rinjve të sotëm. Berisha, duke ritheksuar të gjitha karakteristikat e të rinjve të sotëm, tha se kjo moshë di më shumë se 50-vjeçarët. “Kjo është një gjeneratë krejtësisht tjetër, e pakrahasueshme as edhe me një gjeneratë të vetme në historinë e kombit. Kjo është një gjeneratë, e cila u mëkua që ditët e para të jetës me lirinë dhe vlerat e saj. Kjo është gjeneratë e internetit, i cili i bën ata të dinë më shumë sesa ç’dinin 50-vjeçarët para gjeneratës së tyre. Kjo, jo se ata nuk kishin përkushtim, porse burimet e informacionit që ata kanë i mbrujnë, i maturojnë këta me një sasi dijesh, që ne e kemi të vështirë t’i vlerësojmë dhe t’i marrim me mend”, – vijoi kryetari i ekzekutivit.

Më tej, ai tha se kjo është një praktikë që nuk ka asnjë problem teknik për t’u realizuar dhe mjafton vetëm vullneti politik i forcave parlamentare për ta ndryshuar. Sipas kreut të qeverisë, vetë regjistri elektronik i zgjedhësve të jep mundësinë që nëse vendoset procedura të përmbyllet brenda pak orësh. Berisha tha se janë mbi 100 mijë qytetarë që përfitojnë, nëse kjo nismë do të behët realitet. “Uroj që diskutimi dhe negociatat tuaja zoti Patozi me zotin Ruçi dhe me përfaqësuesit e LSI-së dhe forcave te tjera politike të ecin në frymën e duhur, pa politizime ndaj një akti që vetëm e fisnikëron procesin e votimit dhe e bën këtë vend të përfaqësohet me votë, shumë më mirë sesa përfaqësohej më parë. Do të fitojnë të drejtën e votimit edhe mbi 100 mijë qytetarë të rinj çka është shumë e mirëpritur”, – tha shefi i mazhorancës. Më tej në takimin e përjavshëm Kryeministri gjeti rastin të bëjë edhe disa batuta me deputetët, ku një ndër “të përzgjedhurit” e shefit të qeverisë ishte Ndue Paluca, i zgjedhuri i qarkut të Shkodrës. “Në të vërtetë, po të kthehemi në traditë, se tani ka shumë që nuk u pëlqen më tradita, e shoh që Ndue Paluca po buzëqesh, se pushka i jepej 16 vjeç. Tani nuk është më koha e pushkës, tani vota i jepet 16 vjeç, edhe nusja jepej 16 vjeç, ndaj dhe kjo moshë ka pasur një vlerësim në të gjitha kohërat, por tani kjo është mosha e lirisë, është mosha e internetit. Tani është krejt tjetër. Ne duhet t’u japim të drejtën e votës, si një shoqëri e qytetëruar. Na takon edhe për një arsye tjetër. Ne jemi komb i ri. Ne jemi komb, që vetëm 12 për qind e kemi mbi moshën 65 vjeç dhe në aspektin e përfaqësimit të moshave është e domosdoshme, për të qenë më të drejt, më të barabartë ndaj qytetarëve, që të paktën 16 vjeç e sipër, t’ju jepet e drejta e votës”, – u shpreh Berisha mes buzëqeshjeve të ligjvënësve të tij.

Në vlerësimin e shefit të qeverisë të rinjtë e meritojnë që të jenë votues, pasi ka ndryshuar qëndrimi tërësisht ndaj kësaj kategorie dhe ata janë mjaft të zgjuar. Madje Kryeministri shkoi edhe më tej duke thënë se dikur dhënia e gjuhëve të huaja përbënte një çështje madhore, ndërsa të rinjtë e sotëm e japin Toeflin me lehtësinë më të madhe.

 

Kryeministri: Në mandatin e ardhshëm realizojmë planin e përgjithshëm rregullues të gjithë vendit

Shefi i qeverisë shqiptare u shpreh në mbledhjen e grupit parlamentar se në katër vitet e ardhshëm kur PD-ja do të drejtojë vendin do të realizohet plani i përgjithshëm rregullues i gjithë Republikës së Shqipërisë. “Në katër vitet që vijnë qeveria e ardhshme do të përgatisë Planin e Përgjithshëm të Rregullimit të Republikës së Shqipërisë, në të katër anët e saj. Ky është zotimi për urbanistikën e Shqipërisë së këtij shekulli. Kjo është pjesa e programit të ardhshëm”, – deklaroi numri një i mazhorancës. Berisha duke u cilësuar si një hap tepër të madh përpara me ligjin e urbanistikës që ka shkuar dje në Kuvend, ai tha se merr fund praktika e deritanishme e lënies së përgjegjësisë jetime. Me mendimet që i janë bërë ligjit të urbanistikës, Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, i hiqet gjithë ajo autoritet i shtrirë në gjithçka dhe për të dështuar në shumëçka, siç e cilësoi Berisha gjendjen e deritanishme. Mbi bazën e amendimeve të ligjit, Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit do të ketë vetëm veprat e një rëndësie kombëtarë kudo që janë ato, në qendër të Tiranës apo në Martanesh, Bizë apo kudo që ndërtohen, se ky është rregulli dhe përgjegjësia. Gjithçka tjetër është atribut i qeveritarëve vendor. “Merr fund praktika e neveritshme e përcaktimit të kateve dhe qosheve nga Kryetari i Këshillit të Rregullimit të Territoreve, përkatësish Kryeministri, që edhe ai nuk i përcaktonte edhe merrej me to edhe nuk merrej. Merr fund shpërndarja e përgjegjësive në të gjitha drejtimet për ti lënë ato jetime. Merr fund përdorimi i Këshillave të Bashkive të Komunave në stilin e sovjetëve të dikurshëm”, – u shpreh Kryeministri. Ai nënvizoi se që sot e tutje përgjegjës kryesor për zbatimin e planit rregullues së komunës ose bashkisë mbetet kryetari i bashkisë. “Do të ketë një Këshill Teknik që do të japë me shkrim mendimet e tij. Natyrisht kryetari vendos. Kjo nuk mund të jetë ndryshe. Këshilli i Bashkisë, Këshilli i Komunës do të mbeten autoriteti suprem për çdo gjë që ka të bëjë me çështje pronësie në territorin e Bashkisë dhe të Komunës. Ato kompetenca nuk mund të hiqen, nuk mund të delegohen, por nuk mundet që Këshilli i Bashkisë të vendosë për katet e pallateve. Nuk mundet që të bëhet Këshilli i Bashkisë arenë interesash të fragmentuara. Jo. Këshilli i Bashkisë do të ruajë të gjitha autoritetin mbi çdo gjë që ka të bëjë me pronësinë në territorin, çka do të thotë vendimet që merren për çështje pronësie në territorin e caktuar janë vendime që merren nga Këshilli i Bashkisë”, – tha kreu i ekzekutivit. Duke akuzuar ish-kreun e Bashkisë së Tiranës, Berisha pohoi se ishte i treti vend në botë, për të cilin nevojiteshin 399 ditë për të marrë një leje ndërtimi.

 

Meta: Integrimi, jo peng i politikës, bashkëpunim për ligjet

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, përsëriti thirrjen për konsensus e bashkëpunim politik, në mënyrë që të përmbushen kriteret e domosdoshme që do ta çonin Shqipërinë përpara, në rrugën drejt integrimit evropian. Lideri i LSI-së nënvizoi domosdoshmërinë që kryefjala e politikës të mos jetë më konflikti, por bashkëpunimi në kuadër të interesave të vendit dhe qytetarëve shqiptarë. Për kryetarin e LSI-së është e papranueshme që integrimi të mbetet peng i llogarive elektorale të 23 qershorit. “Një konflikt absurd politik, që shteron energjitë tona pozitive vazhdon, një konflikt me pasoja serioze, që ka shkaktuar një staniacion të pamerituar. Ndaj sot këtu në qytetin e Korçës, unë apeloi edhe në emrin tuaj dhe gjithë shqiptarëve të cilët kërkojnë që procesi i integrimit të mos bllokohet nga llogaritë elektorale të 23 qershorit. Të përqendrojmë energjitë tona në votimin e 3 ligjeve,sepse kjo jo vetëm do ndihmojë Shqipërinë për të qenë më e respektuar, por do të ndihmojë edhe shqiptarët që të jetojnë më mirë, dhe të zhbllokojnë projekte që do hapin mijëra vende të reja pune. Interesat e elitës së sotme politike nuk duhet të prevalojnë mbi interesat e qytetarëve. Ne duhet të hapim një faqe të re, atë të bashkëpunimit të vazhdueshëm. LSI ka qenë dhe do të mbetet forcë politikë e bashkëpunimit, që do të bëjë gjithçka për të nxitur një konsensus sa më të gjerë për një axhendë kombëtare të zhvillimit dhe për të përshpejtuar axhendën e integrimit evropian”, – u shpreh Meta. Ndër të tjera ai përfitoi nga rasti për tu kërkuar të gjithë të rinjve të Korçës që të mbështesin alternativën e LSI-së me 23 qershor, pasi siç tha ai, kjo alternativë është me këmbë në tokë e me mend në kokë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency