“Kontrolli i financave”, përplasje mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe opozitës

0
144

Florenc Drizari

komisioni i siguriseMinistria e Mbrojtjes: Institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar është KLSH e jo nënkomisioni

Gjoni: Ministria e Mbrojtjes, përpjekje infantile për të ndërhyrë në prerogativat e legjislativit dhe për të shmangur kontrollin

 

Ministria e Mbrojtjes kërkon rishikimin në tërësi të projektligjit “Për kontrollin parlamentar mbi shërbimet informative dhe të sigurisë”. Gjatë seancës dëgjimore që u zhvillua një ditë më parë në Komisionin për Sigurinë Kombëtare me organizata joqeveritare dhe institucione që preken nga ligji i lartpërmendur, drejtues të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (SHIU) kërkuan që nënkomisioni parlamentar që pritet të ngrihet me miratimin e draftit, të mos ketë tagrin ligjor për kontrollin e shpenzimeve financiare të AIM-së. Në shkresën e firmosur nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami thuhet se kontrolli financiar i agjencisë është kompetencë e KLSH-së dhe e akteve ligjore të nxjerra nga Këshilli i Ministrave.

MINISTRIA E MBROJTJES

“Në nenin 2 të projektligjit vërejmë se përveç ushtrimit të mbikëqyrjes parlamentare të Shërbimeve Informative dhe të Sigurisë, mbi ligjshmërinë e aktivitetit dhe veprimtarisë së tyre, projektligji ka si qëllim edhe ushtrimin e mbikëqyrje që lidhet edhe me buxhetin dhe shpenzimet financiare të këtyre shërbimeve. Për sa i përket një kompetence të tillë, sjellim në vëmendjen tuaj se referuar dispozitave kushtetuese (nenet 162-165) institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar është Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili kontrollon veprimtarinë ekonomike të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetëror, si dhe përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe atij vendor”, – shkruhet në letrën e firmosur nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami, drejtuar Komisionit për Sigurinë Kombëtare.
Në lidhje me këto propozime ministria kërkon rishikimin e dispozitave të projektligjit në tërësi, në të cilat përmendet mbikëqyrja e buxhetit dhe shpenzimeve financiare, “me qëllim harmonizimin e tyre me sugjerimet e mësipërme, si dhe me parashikimet e pikës 2, të nenit 19 të ligjit nr. 117/2012”.

ILIR GJONI

Nënkryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Ilir Gjoni, disa orë pas përfundimit të mbledhjes së djeshme, shkroi në faqen e tij të internetit në Facebook se Ministria e Mbrojtjes po përpiqet sërish të shmangë kontrollin parlamentar. “Sot në Komisionin e Sigurisë në seancë dëgjimore me disa institucione, përfshirë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, lidhur me projektligjin për mbikëqyrjen e shërbimeve inteligjente. E habitshme përpjekja e vazhdueshme dhe insistimi i Ministrisë së Mbrojtjes për të shmangur kontrollin përmes një përpjekjeje infantile për të ndërhyrë në prerogativat e legjislativit për t’i përcaktuar atij nga ana e ekzekutivit, se çfarë duhet të mbikëqyrë apo jo apo çfarë informacioni është relevant apo jo për të ushtruar funksionin mbikëqyrës. Nga sa po shohim, pjesa e ekzekutivit po duan “ta vrasin” këtë ligj që në embrion”, – shkruan deputeti socialist Ilir Gjoni në profilin e tij në internet.
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Leonard Demi, i quajti deklarata për qëllime elektorale qëndrimet e mbajtura nga disa deputetë të opozitës në lidhje me veprimtarinë e AIM-së dhe projektligjin për kontrollin e shërbimeve të inteligjencës.

BIZHGA DHE ÇUKO

Një qëndrim kritik ndaj veprimtarisë së AIM-së dhe raporteve të krijuara me Komisionin për Sigurinë Kombëtare mbajti edhe deputeti socialist Gazmir Bizhga. “Për Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes ky komision ka pasur goxha vërejtje lidhur me mënyrën sesi ka funksionuar dhe rekordet negative që ka ky shërbim në lidhje me raportet ndaj komisionit. Ka tri vite që ky shërbim nuk raporton në Komisionin e Sigurisë. Do doja të dija: jemi në muajin mars, a do të raportojë brenda këtij mandati ndonjëherë apo jo?”, – tha të hënën deputeti Bizhga. Nga ana e tij, deputeti socialist Arben Çuko u shpreh: “Pas diskutimit që bënë po përpiqen të na thonë se jemi dakord shumë më kontrollin dhe mbikëqyrjen parlamentare, por ikni diku tjetër jo këtu tek agjencia jonë e madhe e inteligjencës së mbrojtjes. Edhe kjo kontrolli financiarë, ai nënkomisioni nuk do t’i interesojë shumë se cili informatorë B. Q. apo Rr. K. i ka marrë ato lekët e informimit, por do t’i interesojë procedura e dhënies së këtyre shpërblimeve.

 

 

Financat, DSIK dhe organizatat joqeveritare raportojnë sot në Komisionin e Sigurisë

Komisioni për Sigurinë Kombëtare pritet të mblidhet paraditen e sotme në një seancë dëgjimore me grupet e interesit që preken nga projektligji “Për kontrollin parlamentar mbi shërbimet informative dhe të sigurisë”. Pas seancave të zhvilluara një ditë më parë me Ministrinë e Mbrojtjes, (AIM), përfaqësues të Avokatit të Popullit, Ministrisë për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, pritet zhvillimi i një seance dëgjimore me Ministrinë e Financave, komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, DSIK-në dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, mbi projektligjin.

 

PD e PS përplasen për ndryshimin e emrit të Komunës Liqenas

Mazhoranca dorëzoi pranë Komisionit të Ligjeve kërkesën e banorëve të Komunës Liqenas, me komunitet maqedonas, për t’i rikthyer emrin komunës nga Liqenas në Pustec. Deputeti i PD-së, Edmond Spaho, mbrojti nismën, duke thënë se është një e drejtë e banorëve të vendosin për emrin e zonës së tyre, ndërkohë që deputetët e opozitës kundërshtuan propozimin, me arsyetimin se ndryshimi i emrit të komunës vetëm pak kohë para zgjedhjeve do të krijonte precedent. Sipas tyre, ndryshimi i emrit të komunës mund të kthehej në një çështje referendumi lokal. “Kërkohet konsensusi i palëve për ligjin për ndarjen territoriale, duke shtuar se duhet bërë edhe një reformë e plotë. Këto janë ligje të rëndësishme dhe kërkohet reformë territorial, jemi dy muaj para zgjedhjeve. Ndryshimi i emrit të komunës nuk mund të bëhet në fund të mandatit, do krijohej precedent. Ky propozim mund të kthehej në një çështje referendumi lokal”, – tha Bashkim Fino. Ndërsa deputetit demokrat Edmond Spaho ka theksuar se çështja nuk ka të bëjë me fundin e mandatit, duke shtuar se referendumi konsiderohet kur banorët bëjnë peticion. Ndërkohë, edhe pas kundërshtimeve të opozitës, Komisioni i Ligjeve kaloi vetëm me votat e mazhorancës propozimin e Komunës Liqenas në Korçë për t’i ndryshuar emrin në Komuna Pustec. Nisma në fjalë pritet të votohet në seancën e radhës të Kuvendit të Shqipërisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency