Kompanitë e sigurimeve nuk i paguajnë aksidentet, abuzime në treg me çmimet

0
143

 Ervin Kaduku

sigurimetRaporti dëme/prime llogariten në 41%, ndërkohë që shpenzimet e kompanive të sigurimit kanë ardhur në rënie

 

Pavarësisht nga vështirësitë rreth Shqipërisë, tregjet financiare brenda vendit u paraqitën të konsoliduara dhe pa probleme madhore gjatë vitit të kaluar. Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkeleida Shehu, raportoi dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi zhvillimet e këtij tregu përgjatë vitit 2012, duke thënë, nga ana tjetër, se ligji për liberalizimin e tregut të sigurimeve duhet rishikuar dhe duhet përshtatur me zhvillimet aktuale të tregut. Në këtë drejtim ajo kërkoi edhe mbështetjen e Kuvendit.

 

Sigurimet

 

Shehu tha se gjatë vitit 2012 operuan 38 aktorë në treg me një total aktivesh prej 37.3 miliardë lekësh. Sipas saj vitin që lamë pas janë kryer 31 inspektime dhe detyrimet e akumuluara shkojnë në vlerën e 250 milionë lekëve. Shehu bëri të ditur se problem mbete ende raporti dëme/prime të cilat llogariten në 41 %, ndërkohë që shpenzimet e kompanive të sigurimit kanë ardhur në rënie.
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit në vitin 2012, arritën rreth 8,951 milionë lekë, ose 7.38% më shumë se në vitin 2011.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, gjatë vitit 2012 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,057,821 me një ulje prej 19% krahasuar me një vit më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën rreth 89.85% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 9.83% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.32%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 48.86% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 51.14% të totalit të tregut. Gjatë vitit 2012, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,823 milionë lekë ose 27.68% më shumë se viti 2011.

 

Letrat me vlerë
Volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë gjatë vitit 2012 u dominua në masën 64.31% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 35.69% ishin instrumente afatgjatë (obligacione).
Sipas statistikave zyrtare më të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për sa i takon numrit të transaksioneve, 97.47% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera me bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të Qeverisë për vitin 2012, flasin për një dominim të transaksioneve “blerje në tregun primar” dhe “shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 44.04% dhe 27.71% kundrejt volumit të përgjithshëm. Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të Qeverisë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë rreth 98.75% të të gjitha transaksioneve në këtë treg.
Grupi i transaksioneve “shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë vitit 2012 ka pasur një rritje prej 131.57 milionë lekë ose në masën 1.90%, krahasuar me vitin 2011. Kjo është shoqëruar me një ulje në masën 9.57% të numrit të transaksioneve. Transaksioni i llojit “blerje nga individët para afatit të maturimit” gjatë vitit 2012 ka pasur një rritje prej 2,555.45 milionë lekë ose 82.23%, krahasuar me vitin 2011. Kjo është shoqëruar me një rritje në masën 4.49% të numrit të transaksioneve. Krahasuar me vitin 2011 vihet re një rritje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit “shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” dhe “blerje nga individët para afatit të maturimit”, të marra së bashku, me rreth 2,687 milionë lekë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency