Standard.al

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve PS shkel kodin, nuk dorëzon emrat e anëtarëve të KZAZ-ve. Opozita: Dezinformim publik i KQZ-së

Florenc Drizari

kqzKQZ: Brenda afatit ligjor kanë paraqitur propozimet e tyre PD, LSI dhe PBDNJ, ndërsa PS nuk ka paraqitur asnjë propozim

PS: I kemi dorëzuar propozimet për anëtarë të KZAZ-ve brenda afatit ligjor që parashikon Kodi

 

Regjistrimi i anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve pranë KQZ-së ka sjellë shkëmbime akuzash të ndërsjella mes komisionit dhe Partisë Socialiste. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akuzon PS-së se ka shkel Kodin Zgjedhor, përkatësisht nenin 28 në pikat 1 dhe 2 të tij, duke arsyetuar se ka përfunduar afati për regjistrimin e anëtarëve të komisioneve zonale të administrimit zgjedhor dhe Partia Socialiste nuk ka sjellë emrat, ndërkohë që PS me anë të një deklarate e quan dezinformimin ndaj publikut qëndrimin e mbajtur nga KQZ-ja.

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha një ditë më parë se Partia Socialiste është e vetmja parti me të drejtë propozimi emrash për anëtarë dhe sekretarë KZAZ-je, që nuk ka sjellë emrat e tyre, ndërkohë që partitë e tjera sipas saj, PD, LSI dhe PBDNJ i kanë dorëzuar listat brenda afateve që parashikon kodi. Në zbatim të nenin 28 pika 1 dhe 2 e Kodit Zgjedhor i cili parashikon “Ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor” në datën 8 mars përfundoi afati i paraqitjes së propozimeve nga partitë politike për anëtarët dhe sekretarët e këtyre komisioneve(KZAZ-ve). Sipas Kodit Zgjedhor, Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor duhet të konstituohen deri në datën 23 mars dhe partitë politike të cilat kanë të drejtë të paraqesin këto propozime, duhet t’i kishin paraqitur ato deri ditën e premte, datë 8 mars. Brenda afatit ligjor kanë paraqitur propozimet e tyre PD, LSI dhe PBDNJ, ndërsa PS deri në momentin që flasim nuk ka paraqitur asnjë propozim me dokumentet përkatëse. Kjo vonesë në paraqitjen e propozimeve për anëtarët dhe sekretarët e KZAZ-ve pengon punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për konstituimin e tyre Brenda afatit ligjor të parashikuar në Kodin Zgjedhor”, – u deklaroi zëdhënësja e KQZ-së.
Në emër të Komisionit më të lartë të administrimit zgjedhor në vend, Drilona Hoxhaj i bëri thirrje Partisë Socialiste të paraqesë sa më shpejtë propozimet për anëtarët dhe sekretarët e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, në përmbushje të detyrimit që sipas saj parashikon Kodi zgjedhor.
Ndërkohë sipas zëdhënëses Hoxhaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke shqyrtuar dokumentacionin e paraqitur nga subjektet e tjera politike për të verifikuar përputhshmërinë e propozimeve të paraqitura me kriteret e përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

PARTIA SOCIALISTE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një qëndrim tërësisht politik ka dezinformuar opinionin publik, duke deklaruar lidhur me propozimet për anëtarë të KZAZ-ve se “brenda afatit ligjor kanë paraqitur propozimet e tyre PD, LSI dhe PBDNJ, ndërsa PS deri në momentin që flasim nuk ka paraqitur asnjë propozim me dokumentet përkatëse”, thuhet në deklaratën e PS-së. Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga zyra e selisë rozë, Partia Socialiste sqaron se i ka dorëzuar propozimet për anëtarë të KZAZ-ve brenda afatit ligjor që parashikon Kodi, dje me datë 11 mars 2013 ora 14.00. “KQZ qëllimisht përmend si afat ligjor një datë të paqenë siç është data 8 mars 2013, si afatin zyrtar për dorëzimin e propozimeve në fjalë. Kodi Zgjedhor ka përcaktuar qartë se afati zyrtar kur subjektet duhet të paraqesin propozimet për anëtarë të KZAZ është 105 ditë nga dita e zgjedhjeve. Mjafton dhe një llogari e thjeshtë aritmetikore për të nxjerrë datën e saktë për dorëzimin e propozime që është 10 mars 2013. Sipas Kodit Zgjedhor, më konkretisht në nenin 125 të tij, përcaktohet qartë që nëse afati përkon me ditën e pushimit, afati shtyhet në ditën në vijim. Në rastin në fjalë data 10 mars 2013 ishte ditë e diel, duke bërë që dita e sotme, pra 11 mars 2013 të jetë dita e fundit e afatit për dorëzimin e propozimeve”, – thuhet në njoftimin për shtyp të Partisë Socialiste.

 

 

 

Neni 28

Ngritja e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor

1. Vendimi për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor merret nga KQZ-ja jo më vonë se 90 ditë para datës së zgjedhjeve.

2. Partitë politike propozojnë kandidaturat përkatëse për anëtar të KZAZ-së jo më vonë se 15 ditë para afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.

 

Topalli takon zv.kryeministrin e Malit të Zi: Koha për bashkëpunim në projekte madhore

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një takim me zv.kryeministrin e Malit të Zi, Igor Lukšič. Bashkëpunimi konkret në projekte madhore, si e vetmja mënyrë për ecur drejt zhvillimit, stabilitetit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian ishte tema kryesore e takimit që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pati një ditë më parë me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Malit të Zi, Igor Lukšič. Pasi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, zoti Lukšič tha se është shumë e rëndësishme që vendet e rajonit të koordinojnë përpjekjet e tyre dhe të lobojnë për projekte infrastrukturore me rëndësi për të gjithë rajonin. “Jam shumë e kënaqur që vendi juaj po përparon në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, u shpreh më tej Kryetarja e Kuvendit. Fatkeqësisht, statusi i vendit kandidat për Shqipërinë mbetet i bllokuar për shkak të mosvotimit të tri ligjeve nga opozita. Personalisht ndihem e trishtuar, pasi mosmarrja e statusit bllokon hapa të tjerë që rëndësishëm që Shqipëria duhet të hedhë për të realizuar aspiratën e saj drejt Bashkimit Evropian”, – tha Topalli.

TAKIMI ME BERISHËN
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm Igor Lukšič u prit dje në takim edhe nga i qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Kryeministri Berisha e siguroi Zëvendëskryeministrin Lukšič se Shqipëria ka qenë dhe do të vijojë të mbështesë fuqishëm anëtarësimin e plotë dhe sa më të shpejtë të Malit të Zi në NATO, duke e konsideruar këtë si një tjetër kontribut në shërbim të forcimit të sigurisë së krahut jug-perëndimor të NATO-s, por edhe të rajonit. Zëvendëskryeministri Lukšič e njohu Kryeministrin Berisha edhe lidhur me zhvillimet e fundit politike në Mal të Zi, ku partitë shqiptare të përfaqësuara në Parlamentin e Malit të Zi janë, gjithashtu, pjesë e koalicionit qeverisës, sikundër vijon bashkëpunimi edhe më parti të tjera shqiptare në kontekstin lokal. Në këtë aspekt, zv.kryeministri Lukšič e informoi Kryeministrin Berisha se së shpejti do të mbahet edhe referendumi për përcaktimin e statusit të Komunës Urbane të Tuzit, çka Kryeministri e vlerësoi si një ngjarje shumë të rëndësishme, duke theksuar se kjo do t’i ndihmojë qytetarët e Tuzit në adresimin më të mirë në nivel lokal të çështjeve të jetës së tyre të përditshme. Më herët zv.kryeministri i Malit të Zi zhvilloi edhe një takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.

 

Comments are closed.