Dhuna në Kavajë, bordi i Tiranës: Prisnim ndjesë nga ana e Besës

0

Altin Vorpsi

Loading...

dhunaKlubi i Tiranës ka reaguar në rrugë institucionale pas dhunës së ushtruar në Kavajë ndaj trajnerit Nevil Dede. Anëtarët e bordit drejtues të klubit kërkojnë ashpërsimin e masave ndaj këtij fenomeni, edhe sepse kështu vazhdon të jepet një shembull i keq për brezat e rinj

 

 

Një ditë pas asaj që ndodhi në Kavajë, zbritën “në fushë” ata që kanë bërë historinë e klubit më të titulluar në Shqipëri, Tiranës. Ish-lojtarë si Bytyçi, Mema, Kola dhe Fortuzi, aktualisht anëtarët e bordit të skuadrës bardheblu, kanë dënuar episodet e dhunës që eklipsuan atë ndeshje të bukur mes Besës dhe Tiranës. Ndër të tjera ata kanë kërkuar që Federata Shqiptare e Futbollit të jetë më radikale në dhënien e vendimeve kundrejt personave të veshur me pushet si në rastin e kryebashkiakut të Kavajës.

 

Bytyçi: Duhet të jemi precedent pozitiv

Ka qenë pjesë e Tiranës së viteve ‘60-‘70 dhe foli dje për marrëdhëniet e mira që ka pasur ky klub me ekipin e Besës. Flasim për Luigj Bytyçin, që dje u shpreh i indinjuar për atë që ndodhi të dielën në Kavajë: “Jam i indinjuar për atë çka ndodhi në Kavajë. Kjo, jo sepse thjesht u godit trajneri ynë, por se u ngrit dora ndaj një institucioni. Tirana është një institucion i futbollit në vend. U godit miqësia mes Tiranës dhe Kavajës. Nuk është shqiptarizëm kjo që të presësh në shtëpi dhe më pas të qëllosh me grushte. Ne kemi shkuar ndër vite shumë mirë me kavajasit, kemi dhënë e kemi marrë, por asnjëherë një individ i vetëm nuk mundet të përfaqësojë atë popull, edhe nëse ky është kryetari i bashkisë. Unë mendoj se Federata, në bazë të rregullores, të ndëshkojë rastin në fjalë, jo se mund të përfitojë Tirana, por ne të bëhemi një precedent pozitiv që askush tjetër më të ngrejë dorën ndaj zyrtarëve. Futbolli është një lojë e bukur, e cila ka bashkuar prej vitesh brezat dhe në asnjë rast nuk duhet politizuar, ndaj politikanët të çdo spektri, larg duart nga futbolli”.

 

Mema: Futbolli nuk ka lidhje me politikën

Pas Bytyçit fjalën e mori një tjetër ish-lojtar i madh i 24 herë kampionëve të vendit. Sulejman Mema dënoi dhunën dhe përfitoi nga rasti për të hedhur poshtë çdo paralele me politikën: “Unë kam qenë viktimë në vetë të parë e dhunës pak vite më parë dhe sot (dje) jua them me bindje të plotë se kam ardhur vetëm për të mbështetur Deden, Tiranën dhe këdo që del kundër kësaj dhune. Këtu nuk ka lidhje politika dhe më besoni nuk do isha këtu, nëse nuk do ta besoja se kjo konferencë nuk është me ngjyrim politik”.

 

“Ndjesë nga Besa”

Ashtu si Mema, Indrit Fortuzi kërkoi vendime më të ashpra nga FSHF-ja. “Zogu” bardheblu deklaroi se në Kavajë u dhunua institucioni i trajnerit. “E di fare mirë që kjo nuk është hera e parë, por ne duam që të jetë e fundit, jo thjesht për Tiranën, por për futbollin në përgjithësi. Sot (dje) më së pari prisja një ndjesë publike nga klubi i Kavajës. Nga ana tjetër, ne si Tiranë do kërkojmë dhe ndihmojmë njëkohësisht Federatën që të jetë më radikale në dhënin e dënimeve karshi dhunës që vjen nga tribuna VIP ose persona të veshur me pushtet”, – tha Fortuzi. Ndërkohë, për Krenar Alimehmetin dhe Agustin Kolën, dhuna e përsëritur në shkallët e stadiumeve po prish brezin e ri, atë të së nesërmes.

 

 

Reagon Besa: Dede na ofendoi me grushtin që ngriti

Orët pas incidentit kanë qenë një “spektakël” më vete. Disa parti akuzojnë se ky incident ka shumë lidhje me politikën, ndërkohë që të njëjtën “lidhje” ka bërë edhe skuadra e Kavajës. Në një komunikatë për shtyp, Besa ka zhgënjyer Tiranën, që priste falje publike, dhe ka rritur dozën duke treguar se gjithçka nisi nga një gjest i Nevil Dedes. “Duam të sqarojmë se ndeshja ka qenë tepër e luftuar në fushë dhe shumë korrekte. Ajo s’ka të bëjë aspak me ekzagjerimet që përfliten. Mjafton të shihni fotografinë provokuese të trajnerit të Tiranës, që nderon me grushtin e majtë i kthyer nga tribunat e spektatorëve, për të kuptuar se as publiku dhe as kryebashkiaku Roshi nuk janë fajtorë për incidentet. Ai grusht i ngritur është shumë më i rëndë se ofendimet që i janë bërë Besës në qytetet e tjera. Dënimet e pashembullta vetëm të këtij sezoni nuk mund ta errësojnë kulturën e qytetarëve e futbolldashësve të Kavajës. Po në këtë stadium, po në këtë qytet, mbi dy dekada më parë u shemb regjimi i egër komunist dhe triumfoi demokracia. Kur Kavaja vrau frikën, trajneri Dede ndoshta fshihej dhe se dinte ç’do të thoshte përmbysja e sistemit komunist. Sqarojmë se kemi respektuar dhe do të respektojmë parimet e lojës së futbollit dhe nuk do të pajtohemi me mllefet dhe inatet që mbajnë erë politike. Ngjarja në korridor nuk ka pse zmadhohej e trumbetohej me aq patos nga trajneri i Tiranës. Nëse tekniku pretendon se është goditur, atëherë fytyra e tij u pa që nuk tregon asnjë shenjë, por të kundërtën. Ne kemi një jetë që merremi me futbollin dhe kemi vuajtur ngjarje më të rënda karshi trajnerëve e futbollistëve tanë, por nuk kemi dramatizuar në asnjë rast situatat”, – thuhej në deklaratë.

 

FSHF “lan” duart: Policia duhet të parandalojë të tilla ngjarje

Pas ngjarjeve të përsëritura të dhunës në futboll, shefi i Sektorit të Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Besnik Çela, ka listuar personat të cilët mund të qëndrojnë në fushë gjatë ndeshjes. “Në një ndeshje futbolli, sipas rregullores së veprimtarisë, në ambientet pranë stadiumit dhe në momentet kur nis loja, kanë të drejtë të qëndrojnë vetëm gjashtë zyrtarë, shtatë lojtarë, të cilët mund të qëndrojnë në bankinë”, – thotë Çela. Shefi Çela ka pranuar gjithashtu se drejtuesit e klubeve përkatëse kanë të drejtë të futen në dhomat e zhveshjes para, në pushim dhe në fund të ndeshjeve të futbollit. Por në tërë këtë histori diçka nuk shkon. Disa prej klubeve në vendin tonë sponsorizohen edhe nga bashkitë vendase, kështu kryetarët apo funksionarët e këtyre institucioneve e ndiejnë veten si pjesë të skuadrave. Pra, gjithçka mbetet në dorën e tyre, edhe një herë Federata Shqiptare e Futbollit distancohet nga të tilla çështje, edhe pse këto të fundit prej kohësh janë kthyer në gangrenë për futbollin shqiptar. Organi më i lartë futbollsitik do të ketë shansin e mirë që të rikuperojë disi me anë të Komisionit të Disiplinës Sportive. Ky i fundit mendohet së do të mblidhet sot ose nesër dhe më në fund do të ketë shansin që me vendimet e duhura mund të nisë fundin e dhunës në stadiumet shqiptare.

 

 

Loading...