Pse Rama i 2013-ës nuk mund të kopjojë Berishën e 2005-ës

0
131

Gëzim Saliu

rama...KOP-i dhe ribashkimi i së djathtës ishin strategjia fituese për Berishën në 2005-ën, strategji e cila nuk duket se ka analogji me formatin e përzgjedhur nga Rama

 

Është komentuar dhe analizuar shpesh kohët e fundit nga shumëkush në rangun mediatik e jo vetëm për “analogjinë” që po krijon fushata aktuale e PS-së së kryesuar nga lidershipi Edi Rama me fushatën e Kryeministrit Berisha në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Por i marrë si i tillë ky opinion nuk mjafton. Për t’i hapur sadopak “rrugën” do të na duhej të vërtetonim se sa vetë PS dhe kreu i saj kanë ndryshuar në këto vite. Kështu, në rast se do të krahasonim fushatën e organizuar nga PS-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare me atë çka po paraqet sot e majta shqiptare, sigurisht që do të thoshim pa më të voglin hezitim se ndryshimi ekziston, jo vetëm në koncept, por edhe në përmbajtje. Në zgjedhjet e 2009-ës, pavarësisht bindjes që kërkonte të krijonte PS tek qytetarët për një program qeverisës alternativ, realisht askush nga ne nuk mësoi asnjëherë pikat strategjike të tij. Ndërkohë që para këtyre zgjedhjeve, të paktën në dukje, socialistët paraqiten para qytetarëve me një alternativë qeverisëse, pavarësisht kritikave për disa nga piketat e saj, kryesisht për taksimin progresiv dhe premtimet e punësimit, të cilat kanë hasur kundërshti jo vetëm nga rivalët politikë, por edhe nga brenda radhëve të selisë rozë. Po ashtu një tjetër faktor që na jep të dhëna të këtij ndryshimi lidhet me koalicionet zgjedhore. Kështu, në vitin 2009, vetë kreu socialist nuk la shumë hapësira për aleanca të gjera elektorale, duke shprehur siguri se PS do të vinte në pushtet pas 28 qershorit. Ndërkohë, në këto zgjedhje në kuadër të një rezultati pozitiv, lidershipi socialist ka hapur dyert e partisë për të gjitha forcat politike që janë kundër PD-së, sidomos thirrjet e ripërsëritura për bashkëpunim me LSI-në, të cilat deri më tani kanë marrë përgjigje negative. Një sërë ndryshimesh këto, ku duke iu rikthyer analogjisë, i shtohet edhe faktori i rrotacionit politik pas 8 viteve qeverisjeje të së djathtës tani dhe së majtës në atë kohë, që krijojnë përshtypjen se fati i kryesocialistit Rama do të jetë i njëjtë me atë të liderit të së djathtës në zgjedhjet e 2005-ës. Por në këtë mes “ndërhyjnë” faktet, të cilat na rendisin dy arsye kryesore se përse Rama i vitit 2013, pavarësisht nga ndryshimet, nuk mund të “kopjojë” Berishën e vitit 2005.

 

KOP-i

Një ndër faktorët më të rëndësishëm që ndikuan në fitoren e së djathtës në parlamentaret e 2005-ës ishte Komitetit i Orientimit të Politikave (KOP), forum i cili solli një risi në kuptimin e plotë të fjalës në jetën politike në vend. KOP-i ishte i përbërë prej 31 anëtarësh, mes tyre profesionistë të fushës akademike, të shoqërisë civile dhe ekspertë të shquar të fushave të ndryshme, të cilët ishin shkolluar në universitetet më të mira të botës. KOP-i ishte një ndër forumet më kontribuuese në programin qeverisës të së djathtës, duke ndikuar në përpilimin e strategjisë ekzekutive dhe në orientimin e drejtimeve kryesore të saj. Ndër prurjet më produktive të këtij forumi, të cilat dallohen edhe aktualisht në jetën politike në vend për ecurinë e tyre, ishin kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi dhe ministri i Arsimit Myqerem Tafaj. Po ashtu në të njëjtën linjë ishin edhe prurjet e Florian Mimës, fillimisht zëvendësministër i Financave, tani deputet, Selami Xhepës apo edhe Albana Vokshit, kryetares aktuale të Forumit të Gruas në PD. Në rast se do të zhvillonim analogjinë me PS-në e sotme, do të vinim re se në selinë rozë mungon një KOP-i i majtë. Pavarësisht se kreu socialist është munduar t’i paraqesë prurjet e reja në grupin e PS-së, gazetarin Alfred Peza, ish-kreun e KQZ-së Ilirjan Celibashi, biznesmenin Parid Cara apo edhe prokurorin Vexhi Muçmata si një energji e re brenda së majtës, vihen re dy dallime të rëndësishme. Së pari, krejt ndryshe nga figurat e KOP-it, të cilat u lançuan për herë të parë në jetën aktive politike në vend, një pjesë e mirë e prezantimeve të bëra dhe ato që pritet të bëhen nga kryesocialisti Rama, janë figura të cilat janë hasur shpesh me publikun në funksionet që kanë pasur më parë. Së dyti, KOP-i ishte një forum brenda partisë, i cili ndikoi jo vetëm në programin qeverisës, por edhe në hapjen e PD-së. Krejt ndryshe, prurjet e reja të Ramës, krahas kritikës brenda partisë për formën e përzgjedhjes, pasi sipas një pjesë të deputetëve socialistë me to është shkelur statuti i PS-së, janë të angazhuara pak ose aspak në përpilimin e programit “Rilindja shqiptare”.

 

Bashkimi i së djathtës

Në prag të zgjedhjeve të 2005-ës, lidershipi i PD-së arriti të bashkonte të djathtën duke rikthyer në selinë blu një pjesë të mirë të themeluesve të forcës së parë opozitare në historinë e vendit. Genc Pollo, Arben Imami dhe Genc Ruli, aktualisht në postet e ministrit të Arsimit, Mbrojtjes dhe Bujqësisë, ishin të rikthyerit e mëdhenj në PD. Këto rikthime e paraqitën të djathtën para qytetarëve më të bashkuar se kurrë, gjë që dha një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në rezultatin zgjedhor. Ndërkohë, duke iu rikthyer analogjisë, në këto zgjedhje situata në kampin e majtë duket jo pak kaotike. Duke mos mënjanuar largimet e njëpasnjëshme nga koalicioni opozitar, më me ndikim ato të PBDNJ-së së Vangjel Dules e PDK-së së Nard Ndokës, kreu socialist Rama nuk po arrin të bashkojë të majtën shqiptare. Që me ardhjen në krye të PS-së, pas humbjes së zgjedhjeve nga ish-kreu i kësaj force njëkohësisht ish-kryeministër, Fatos Nano, një ndër premtimet e para të Ramës ishte ai i bashkimit të së majtës, duke e cilësuar mos realizimin e kësaj të fundit si gabimin më trashanik të liderit historik të PS-së. Por krejt ndryshe nga sa premtoi, kryesocialisti nuk arriti të bashkonte të majtën, bashkim i cili më së shumti presupozon afrimin e LSI-së me PS-në. Kështu, pas bashkëpunimit në zgjedhjet lokale të vitit 2007, PS e LSI pësuan një krisje të thellë në marrëdhëniet mes tyre. Ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, të arritura me marrëveshje mes Kryeministrit Berisha dhe kreut socialist Rama u cilësuan si një tradhti e hapur nga kreu i LSI-së, Ilir Meta. Më tej, pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kjo marrëdhënie u ndërpre tërësisht, pasi LSI vendosi të bashkohej me PD-në, duke krijuar koalicionin qeverisës, i cili po drejton vendin prej thuajse 4 vitesh.

 

Zogaj: Bashkëpunimi parazgjedhor PS-LSI, i pakuptimtë

Koordinatori i opozitës së bashkuar, Preç Zogaj, duke u ndalur në debatin që po zhvillohet së fundmi në skenën politike lidhur me mundësitë që ekzistojnë për një aleancë mes PS-së e LSI-së, deklaroi se një koalicion parazgjedhor do të ishte i pakuptimtë. Gjatë një intervistë për “ABC News”, Zogaj theksoi se një parti e madhe opozitare dhe një koalicion i madh opozitar nuk mund t’i lejojë vetes që të kalkulojë mundësitë se kush nga partitë në aleancë do t’i sjellë fitoren. “Për më tepër që LSI është në koalicion qeveritar dhe tashmë s’ka kohë për daljen e saj nga ky koalicion dhe nëse do të dilte, s’do të mund të radhitej në opozitë, sepse do t’i bënte oponencë vetes”, – tha ai.

 

 

Malësi e Madhe, Rama: Do të ndryshojmë vendin

Pas prezantimit të programit të partisë socialiste në qytetin e Shkodrës, kreu i Partisë Socialiste ka vazhduar paraqitjen e programit edhe në Malësinë e Madhe, ku ka premtuar ndryshimin rrënjësor të vendit. Duke folur para të pranishmëve, Rama paraqiti pjesët kryesore të programit, që lidhen me vendosjen e taksimit progresiv, sektorin e shëndetësisë dhe arsimin. “Me votën për PS, në 23 qershor të gjithë do e kuptojnë se nuk do japin një votë për tifozllëk, por do japin një votë për një program që do ndryshojë situatën ekonomike, situatën në sistemin e shëndetësisë dhe kujdesin shëndetësor për njerëzit, do ndryshojë situatën në fshat ku ne jemi të vendosur të bëjmë disa politika nxitëse për të lehtësuar njerëzit që duan të jetojnë me punën dhe tokën duke ulur koston e prodhimit që të kenë mundësi të dalin në treg dhe të shesin. Ne jemi këtu në një zonë që qysh në kohën e Skënderbeut është eksportuar. Kush do punë, duhet të heqë Saliun nga puna. Kush nuk do të shkojë në azil duhet të çojë Saliun në azil, ai është moshë e tretë”, – tha Rama.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency