Prokuroria heton dy punëtorët e ARMO-s akuzohen për shkatërrim të depozitave

0
144

naftqaPolicia nis hetime ndaj Nezir Muçës dhe Qemal Hoxhallarit, dy punonjësve të djegur nga shpërthimi

Muça: Depozitat e nëndheshme, vatra zjarri që kanë gjithnjë rrezik. Shpërthimi erdhi nga kontakti me ajrin

Tradhtohen nga pronari i ARMO-s, Rezart Taçi, dy punonjësit e plagosur të rafinerisë së naftës në Ballsh. Ndaj dy punonjësve Nezir Muça dhe Qemal Hoxhallari, të cilët morën djegie të shumta në trup pas hapjes së depozitës së nëndheshme, është ngritur një akuzë për shkatërrim prone dhe nëse ata shpallen fajtorë nga gjykata, do të detyrohen t’i paguajnë Rezart Taçit dëmin e shkaktuar për prishjen e dy depozitave të nëndheshme. Ka qenë Drejtoria e Policisë së Fierit, ajo që ka nisur hetimet ndaj tyre, duke ngritur akuzën e “Shkatërrimit të pronës private” nga pakujdesia. Dy punëtorët e ARMO-s, aktualisht ndodhen nën trajtimin mjekësor të bluzave të bardha të repartit-djegies dhe plastikës, në QSUT, ku 55-vjeçari Nezir Muça ndodhet në gjendje më të mirë shëndetësore, ndërsa Qemal Hoxhallari është në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe gjatë ditës së djeshme ka qenë në reanimacion, për shkak se ka marrë më tepër plagë në pjesën e trupit. Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Fierit, më datë 9 mars 2013 nga strukturat e Drejtorisë së Policisë Qarkut Fier filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit Qemal Hoxhallari 55 vjeç, banues në Ballsh, Nezir Muça, 55 vjeç, banues në Fier. Procedimi penal për këtë shtetas filloi për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 161 i Kodit Penal. Sipas policisë rreth orës 10:00, në uzinën e përpunimit të naftës në qytetin e Ballshit, ka rënë zjarr në një rezervuar nafte dhe si pasojë e këtij zjarri janë dëmtuar dy punëtorët, shtetasit e mësipërm, të cilët në atë moment ishin duke punuar. Nisur nga kjo situatë, rreth kësaj ngjarje policia e Fierit, ka etiketuar menjëherë si fajtorë dy punëtorët, ndërkohë që për sa i përket mungesës së kushteve teknike në fabrikë, nuk ka marrë asnjë masë penalizuese.

Dëshmia: Depozitat, vatra zjarri

Nezir Muça, njëri nga punëtorët që ka pësuar djegie në pjesën e duarve dhe në fytyrë, ka treguar se shpërthimi ka ardhur si rezultat i rënies në kontakt i ambientit të mbyllur të depozitës së nëndheshme me ajrin në sipërfaqe. 55-vjeçari që ditën e djeshme kishte dalë nga reanimacioni, tregon se depozitat e nëndheshme në zonën e Ballshit, janë vatra zjarri dhe se nëse ato do të vazhdohen të mbahen, në atë gjendje që janë, në kohët në vazhdim do të ketë dhe shpërthime të tjera në zonën e Ballshit, shpërthime këto që do rrezikojnë jetën e qytetarëve. Muça rrëfen se së bashku me shokun e tij, i cili ka qenë përgjegjësi, në mëngjes kanë shkuar në dy depozita të nëndheshme, me qëllim, hapjen dhe pastrimin e tyre. Sapo kanë filluar të hapin, depozitat dhe kanë arritur të hyjnë brenda, ato kanë marrë zjarr. Flakët e zjarrit nuk kanë ardhur as nga saldimi, por edhe nga ndonjë shkëndije elektrike, por vetëm nga reaksioni që krijohet, midis pjesës së ndryshkur të depozitës me naftë dhe ajrit në sipërfaqe. Sipas Nezir Muçës, gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe se me shumë shpejtësi, ata kanë dalë nga depozita. Nezir Muça tregon se kanë qenë disa punëtorë të rafinerisë ata që i kanë dhënë ndihmën e shpejtë, ndërkohë që nga shpërthimi i fuqishëm Nezir Muça ka pësuar djegie në pjesën e duarve, në njërën këmbë dhe në të gjithë fytyrën.

Vëmendja e ARMO-s

Duket se pas shpërthimit të fuqishëm, që tronditi jo vetëm ambientin e kompanisë ARMO, por edhe të gjithë qytetin e Ballshit, Rezart Taçi ka marrë të gjitha masat për heqjen e shpenzimeve mjekësore të dy punëtorëve të plagosur gjatë shpërthimit. Sipas Nezir Muçës, në spital janë interesuar për shëndetin e tyre disa përfaqësues të kompanisë dhe se gjatë ditës së djeshme, vizita ka kryer edhe babai i Rezart Taçit. Ndërkohë, kompania sipas tij veç heqjes së shpenzimeve spitalore, është interesuar edhe për gjetjen e një hoteli, ku janë akomoduar anëtarët e dy familjeve, të afërmit e të cilave pësuan djegie në trup gjatë shpërthimit. Pavarësisht këtyre masave, ajo që tashmë është konfirmuar zyrtarisht nga policia e Fierit, është se ndaj dy punëtorëve është ngritur akuza e “Shkatërrimit të pronës private” dhe nëse dy punëtorët do të dënohen, atëherë ata do t’i paguajnë dëmin financiar Rezart Taçit, të shkaktuar nga dëmtimi i dy depozitave të nëndheshme të naftës.

Neni 161

Shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia i pronës, kur ka sjellë pasoja të rënda materiale, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

 

 

Skandal në Kavajë

Kryebashkiaku Roshi godet Nevil Deden dhe kërcënon ekipin e Tiranës

Elvis Roshi sërish përfshihet në skandal, ku pas asaj që i ndodhi me shtatzëninë e rreme të ish-bashkëshortes së tij, tashmë është bërë protagonist i një sherri me futbollistë të Tiranës. Incidenti i rëndë është regjistruar gjatë ndeshjes së futbollit mes Besës së Kavajës dhe Tiranës, kur kryetari i Bashkisë sp Kavajës, Elvis Roshi, ka goditur dhe kërcënuar me jetë trajnerin e Tiranës, Nevil Dede, dhe lojtarët e ekipit. Mësohet se gjatë pushimit të ndeshjes, Roshi ka hyrë në dhomat e zhveshjes së Tiranës dhe ka ushtruar presion mbi lojtarët, duke i kërcënuar se nuk do të dilnin të gjallë nga fusha dhe nuk do të fitonin. Pas këtyre kërcënimeve, skuadra e Tiranës nuk ka pranuar të dalë në fushë dhe fillimi i pjesës së dytë është vonuar disa minuta. Ndërkaq, trajneri Nevil Dede ka depozituar një kallëzim penal në ngarkim të kryebashkiakut Elvis Roshi për kërcënimet dhe goditjet e marra. Nga ana e saj, policia e Kavajës ka nisur menjëherë punën për arrestimin e Elvis Roshit dhe marrjen e tij në pyetje lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Për momentin ai është zhdukur nga stadiumi, por sapo ka mësuar rreth shpalljes së tij në kërkim nga policia e Kavajës, Roshi është vetëdorëzuar në polici, ku edhe ka dhënë shpjegime për atë që kishte ndodhur poshtë dhomave të zhveshjes së lojtarëve të ekipit të Tiranës. Roshi ka mohuar akuzat e kapitenit Dede, ndërkohë që ky i fundit nuk ka pranuar të tërheqë kallëzimin e bërë në polici.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency