Koalicionet, Mediu: Me PD-në, por me formulë të re bashkëpunimi

0
140

mediuuuKryetari i republikanëve bën thirrje për një të djathtë edhe më integrale, ndërsa beson se duhet gjetur një zgjidhje për të korrigjuar defektet që vijnë nga Kodi Elektoral

Partia Republikane, pa surpriza, ka rikonfirmuar bashkëpunimin e saj parazgjedhor me Partinë Demokratike. Kreu i republikanëve, ministri Fatmir Mediu, u shpreh se tashmë është një fakt që forca që ai drejton do të jetë në koalicion me demokratët. Megjithatë, Mediu propozon që marrëveshja paraprake më PD-në të realizohet me kushte të tjera, duke nënvizuar këtu edhe faktin se Kodi i ri Zgjedhor i miratuar vitin e kaluar me konsensusin e plotë të partive të mëdha, ka ndryshuar jo pak gjëra nga zgjedhjet e fundit e mbajtura në 2009. “Unë mendoj se duhet të jetë një koalicion, që t’u japë shanse dhe mundësi subjekteve politike dhe individëve që garojnë, dhe jo të jetë një koalicion thjesht i rreshtuar në krah të PD-së, ku kostot i kanë subjektet politike dhe përfitimet i merr vetëm PD”, – tha Mediu. Në 2009, koalicionet e të dyja palëve u ndërtuan në bazë të listave, ku secila parti përfaqësohej me listën e vet të kandidatëve. Atëherë, kryetarët e partive kishin mundësi të kandidonin në më shumë se një qark, por vetëm tre kryetarë të partive të vogla arritën të futeshin në Parlament: Ilir Meta, Vangjel Dule dhe Fatmir Mediu. Me ndryshimin e Kodit, kjo mundësi është hequr dhe përpara se të nisin bisedimet për koalicionet parazgjedhore, partitë e vogla po përpiqen të maksimalizojnë rezultatin e 2009-ës për një përfaqësim më të sigurt në 2013-ën. Fatmir Mediu e bën këtë llogari, duke iu referuar rezultatit të vitit 2009, që, për shkak të sistemit zgjedhor, nuk u siguroi republikanëve përfaqësim të drejtë proporcional mes peshës elektorale dhe vendeve në parlament. “Partia Republikane pati mundësinë që, në 2009 të përfaqësohej në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe pse votat i jepnin tri mandate, morëm vetëm një. Ne do të jemi, sa të shpërndarë në të gjithë territorin, aq edhe racionalë për të bërë një politikë më të përqendruar, atje ku mendojmë të fitojmë. Por marrëdhëniet me PD-në, nëse do të ketë një koalicion, do të kushtëzohen nga këto lloj raportesh elektorale. Jo për t’i marrë, as për të na marrë, por për të pasur një raport të drejtë e vlerësues, në mënyrë reciproke”, – shtoi Mediu. Ky i fundit nuk propozon konkretisht ndonjë formulë, përderisa tryeza e aleatëve të koalicionit qeverisës ende nuk është mbledhur zyrtarisht. Por, lë të kuptohet se një zgjidhje e drejtë do të ishte përfshirja në listat e Partisë Demokratike e kandidatëve të partive aleate, për të motivuar më shumë elektoratin e tyre. “Unë jam për një marrëdhënie, që të kemi një të djathtë sa më të integruar. Kjo do të thotë që, një subjekt që garon, apo një individ që garon, të jetë sa më i motivuar për garën elektorale. Sepse, nëse do të ishte një shtojcë formale, të paktën në 70 për qind do të kishte firo të votave të elektoratit të vet, si individi garues edhe subjekti. Pra, mendoj se, nëse do të thellohemi dhe kemi mundësi për të gjykuar, ne mund të gjejmë edhe formula të një funksionimi racional. Nuk është shkrirje apo bashkim fizik i partive. Jam për një marrëdhënie integrale të partive”, – përfundoi Mediu.

Ndërkohë, edhe vitin e kaluar, kur ishte hedhur në diskutim Kodi Zgjedhor që u miratua më vonë, të gjitha partitë e vogla duke “parandier” rrezikun që do të vinte shumë shpejt, e kundërshtuan këtë nismë dhe propozim, madje realizuan edhe disa tryeza njëra pas tjetrës, ku ulën në to edhe përfaqësues të mazhorancës dhe Partisë Socialiste. Të vegjlit shpresuan që t’u ndryshonin mendjen partive të mëdha për të miratuar një kod që do të kishte një përfaqësim më të denjë edhe për këto forca politike, por më tej ajo që rezultoi ishte fakti se me konsensus kodi kaloi në komisionet parlamentare dhe më tej u votua në Parlament.
             PLL hap fushatën zgjedhore në Kukës

Partia Lëvizja e Legalitetit ka hapur në Kukës fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Kreu i kësaj force, Ekrem Spahia, deklaroi nga qyteti që konsiderohet si një bastion i djathtë, se populli do të ndëshkojë me votë bllokuesit e integrimit. Slogani me të cilin Lëvizja e Legalitetit do të paraqitet në zgjedhje është “Dua traditën”. Në të njëjtin aktivitet u prezantua edhe kandidati për deputet për qarkun e Kukësit, zoti Sokol Nelaj.

 

Zgjedhjet, sot në Tiranë mision nga ODIHR-i

Mbërrin sot në Tiranë një ekip vlerësues i ODIHR-it, “Needs Assesment Mission”, që do të qëndrojë në Tiranë nga data 11 deri 14 mars, për të vlerësuar nevojat e vëzhgimit të zgjedhjeve në vend. Pas takimeve në Tiranë, ky mision do të bëjë një raport për të vlerësuar se cilat janë nevojat për vëzhguesit, për numrin e tyre, etj. Sipas rregullave të procedurës së Organizatës OSBE, ODIHR-i është ftuar me notë verbale (në dhjetor 2012) të Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë për të dërguar një mision vëzhgimi në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të 23 qershorit 2013. Ftesa është bërë menjëherë pas dekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, vizitë dyditore, takim me krerët e politikës

Me ftesë të ministrit të Jashtëm Edmond Panariti, vjen sot për një vizitë dyditore në Tiranë zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm dhe Integrimit Evropian i Malit të Zi, Igor Lukshiç. Në orën 10:00, Lukshiç do të zhvillojë një takim me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti, ndërsa më pas do të nënshkruhen edhe dy marrëveshje, për bashkëpunim në fushën e arsimit dhe për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar. Në axhendën e vizitës, veç bisedimeve zyrtare ndërmjet dy ministrave të Jashtëm, janë parashikuar takime të zotit Lukshiç me Presidentin Bujar Nishani, me Kryeministrin Sali Berisha, me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, me kryetarin e PS-së, Edi Rama, si dhe me zv.kryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë,Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, ministri malazez Lukshiç do të takohet me kreun e LSI-së, Ilir Meta, dhe me përfaqësues të minoritetit malazez në Shqipëri. Në kuadër të kësaj vizite do të mbahet edhe Forumi Ekonomik Shqipëri-Mali i Zi.

 

Topalli tregon në Facebook Shkodrën e vërtetë

Kryeparlamentarja poston foto të evoluimit radikal të qytetit të saj, pasojë e investimeve të qeverisë

Ina Jano

Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ka postuar dje në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook” disa foto, të cilat, sipas saj, dëshmojnë progresin e madh që ka pasur qyteti i Shkodrës si një nga vendet që ka evoluar më shumë që nga viti 2005, kur nga pushteti u largua Partia Socialiste. Megjithëse tradicionalisht me prirje të djathta, qyteti verilindor i Shqipërisë, siç duket edhe nga fotot, ka qenë i penalizuar nga investimet dhe grantet e qeverive të majta. Ndërsa fotot e tjera e tregojnë qartësisht zhvillimin dhe ecurinë pozitive që është arritur gjatë dy mandateve të Partisë Demokratike, ndërsa e kuptueshme është se një vlerësim pozitiv shkon edhe për performancën e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës. Fotot nuk përmbajnë asnjë koment dhe duket se Kryeparlamentarja ka vendosur t’i përmbahet shprehjes “një foto sa një mijë fjalë” dhe përkrah çdo postimi jepet vetëm viti i fotos, në këtë mënyrë secili mund të nxjerrë vetë përfundimet e veta. Kjo është përgjigjja që ka zgjedhur zonja Topalli për t’i kthyer kryesocialistit Edi Rama, i cili vetëm një ditë më parë tha se gjatë qeverisjes së tij Shkodra do të bëhet si në pikturat e Marubit. Pa akuza politike, akuza apo sharje, Kryetarja e Kuvendit ka vendosur “t’i hapë sytë” shefit të selisë rozë për gjendjen e qytetit të saj, duke mos lënë pas edhe krahasimin me vitin 2005, kur mazhoranca socialiste e kishte lënë qytetin në një gjendje të mjerueshme. Gjithashtu, edhe rrugët kombëtare kanë qenë një tjetër album, të cilin zonja Topalli ka vendosur ta publikojë për të gjithë miqtë e saj.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency