David Tukiçi “Publiku të dijë se ç’bëhet me intelektualë e muzikës klasike”

0
134

 

davidPremiera nga kompozitorët më të njohur botërorë, dirigjentë shqiptarë të shquar që aktivitetin e zhvillojnë jashtë bëhen pjesë e koncerteve, por dhe instrumentistë të rinj që premtojnë të jenë dikushi në të ardhmen. Kjo është panorama që ofron programi i Stinës Koncertore të RTSh-së për periudhën në vazhdim. Një eksperiment në dy koncertet e para ku pjesë e shfaqjes janë futur prezantueset. Drejtori Artistik i Orkestrës së RTSH-së, kompozitori David Tukiçi tregon, se cilat janë premierat që ofron stina, synimin për të kthyer tingujt shqiptarë, hapësirat që gjejnë të rinjtë. Nga biseda mësuam dhe një të re, që Simfonia mo. 1 e kompozitores Diana Ziu është shpallur pjesa fituese e konkursit për 100 –vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Si e tillë vjen premierë absolute në koncertin e fundit të Orkestrës me datë 8 korrik.

 

Një Stinë Koncertore e Okestrës së RTSH-së, që përveç instrumentistëve ngjit në skenë dhe prezantuese. Pse kjo zgjedhje?

 

Si Drejtor Artistik i Orkestrës duhet të mendoj që të sjell risi për të afruar masën më shumë me këtë lloj muzike. Është shumë e rëndësishme edhe një spikere, një prezantuese. Ne bëjmë ftesa, por jo të gjithë ata që vijnë në koncert kanë ftesa me vete. Kështu që shumë nga spektatorët e dinë se çfarë luhet, por shumë të tjerë nuk e kuptojnë se çfarë ndodh dhe kanë dhe turp të pyesin. Kështu që përse ti lemë enigmë pjesët që luhem kur ato duhet të jenë sa më të qarta. Mendova se një prezantuese që ti tregojë publikut se çfarë luhet në këtë koncert, çfarë interpretohe është një zgjedhje e duhur.  U bënë dy koncerte, i pari me Eva Alikaj pati shumë sukses, sepse shumë kishin kuriozitet ta shihnin Evën pas shumë kohësh në një profesion që nuk është i saji, pra si prezantuese. Ajo është aktore e filmit dhe teatrit dhe kishin ardhur shumë për të parë Eva Alikaj. Është interesante, sepse me atë rast ndoqën dhe muzikën…

Keni zgjedhur t’i prezantoni këto koncerte me portrete femërore të njohura si rasti i Eva Alikajt, çfarë sjell ky eskperiment?

 

Po. Dhe ky është një eksperiment. Kam vendosur të eksperimentoj në dy koncertet e para për të parë më tej se si do të shkojë. Në koncertin e parë salla qe plot …por, jo vetëm për spikeren shpresoj, por dhe muzikën e bukur që do të luhet. Po kërkoj të afroj sa më shumë muzikën simfonike me publikun. Publiku shqiptar duhet të kuptojë se në muzikë nuk është vetëm kënga. Kënga është e bukur, por muzika simfonike nëse do ta krahasonim me letërsinë është romani, është proza, është poezia, pra nuk duhet të mbetemi vetëm te kënga. Patjetër publiku duhet të afrohet tek muzika simfonike, sepse jo vetëm që luajmë muzikën botërore nga më të bukurën që ekziston, por ne kemi dhe kompozitorë tanët shumë të talentuar. Në koncertin e datës 12 mars u interpretua një vepër e Aleksandër Peçit titulluar “Skerzante”. Duhet që publiku të dijë se ç’bëhet me këta intelektualë të muzikës klasike sot.

 

 

Ju dëshironi ta sillni spektatorin që të ndjekë koncertet e Orkestrës së RTSH-së. Nuk mendoni se ka ardhur momenti që artdashësit duhet të paguajnë për të parë këto koncerte?

 

Në jemi një institucion taksa pagues dhe si i tillë mbahet dhe nga taksat e qytetarëve. Unë them se njerëzit duhet të paguajnë, por ata tashmë kanë paguar, pra pse t’u vëmë dhe një biletë dhe një taksë tjetër. Jam dakort se në asnjë vend të botës nuk bëhen pa pagesë, por në Shqipëri jemi në fazën që jemi duhet që vetëm të vijnë me dëshirën për të parë muzikën, kjo është më e rëndësishme. Sigurisht që do të vijë momenti që të vihet një pagesë, sepse një latinisht thuhet që “Arti i pa paguar nuk është i konsideruar”. Nuk dua të shkojmë tek ky proverb, që duke mos vënë një biletë mos ta konsiderojmë këtë art, përkundrazi dua që ky art të vlerësohet për vlerën që ka.

Kjo është një muzikë e kultivuar që shkruhet për njerëzit

 

Ju sapo u kthyet nga një koncert në Prishtinë të Filarmoniasë së Kosovës, ku solist në piano ishte vëllai juaj Genc Tukiçi. Orkestra interpretoi një pjesë të shkruar nga ju “Koncert për piano. Nr 2” shkruar më shumë se 20 vjet më parë. Si ndjehet një kompozitor kur dëgjon të luhet muzika e tij?

 

Po sapo u ktheva nga një koncert në Kosovë ku nga Filarmonia e Kosovës u interpretuam tri pjesë, një prej të cilave ishte koncerti im për piano nr. 2. Solist në piano ishte vëllai im Genc Tukiçi që vinte nga Parisi dhe dirigjent Bujar Llapaj që vinte nga Kanadaja. Im vëlla ka shumë herë që e luan koncertin për paino nr. 2 dhe dirigjenti Bujar Llapaj e ka digjitalizuar dhe në momentin që po luhej kjo pjesë, salla u ngrit në këmbë. Më bëri shumë përshtypje sepse nuk ndodhi me asnjërën nga pjesët e tjera. E pëlqyen veprën dhe u ndjeva shumë mirë. Kuptova që dhe pse koncertin e kisha shkruar para 25-vjetëve ky koncert kishte vlerë sepse menduan se e kisha shkruar tani dhe ishte një vepër e re. Kuptuan gjuhën e re dhe nga spektatorët dëgjova thënien “Ti shkruan shqip”. Ky është një kompliment shumë i bukur sepse ndonëse nëse gjuha ime në muzikë është ajo e notave, kuptuan se flet një shqiptar se emicioni që përcjell është shqiptar. Këtu duhet të arrijë muzika jonë që t’i tregojë botës së ne jemi me dinjitet, shumë i vjetër dhe kemi gjuhën tonë. Kjo është vlera e madhe edhe në muzikë. Ky kompliment ishte esenca e atij koncerti sepse ishte i njëjtë me reagimin e publikut. Më mirë është të bësh një punë dhe të bëhet mirë deri në fund sesa të bësh shumë punë dhe t’i bësh keq. Një punë e mirë ngelet dhe i rritet vlera me kalimin e kohës.

 

Shoh në programin e koncerteve të të gjithë stinës që do drejtohen nga disa prej dirigjentëve tanë më të njohur që zhvillojnë aktivitetin e tyre jashtë, si Eno Koço, Ermir Krantja, Bujar Llapaj etj…

 

 

Këta dirigjentë janë një vlerë kombëtare dhe është një politikë që e kam vënë në plan të parë. Çdo vend ka vlerat e veta dhe ne në radhë të parë duhet të respektojmë veten, pastaj të tjerët. Dirigjentët tanë më të mirë duhet të rikthehen të bëjnë koncerte këtu. Unë kam jetuar dhe në Francë dhe Itali. Nuk të hapin rrugë ata para vetes së tyre. Në fillim respektojnë veten, fusin dirigjentët e tyre më të mirë dhe një koncert lënë për të tjerët. Ne ishim mësuar që të respektonim në radhë të parë të huajt. Sigurisht që do t’i respektojmë dhe të huajt sepse shkëmbimi i eksperiencave është shumë e rëndësisshme. Por pa harruar edhe respektin ndaj muzikantëve që kanë dhënë për shumë vite për këtë orkestër. Eno Koço është mga themeluesit, vjen pas Mustafa Krantjes si themelues të parë, por pastaj kemi një brez tjetër si Eno Koço, Ferdinand Deda, Ernir Krantja, Bujar Llapaj  që kanë investuar me vite dhe nuk mund të mos kenë një koncert, apo dirigjentët e punësuar Oleg Arapi e Jetmir Barbullushi. Të gjithë duhet të kenë vend pa harruar të huajt që janë në Stinën Koncertore si eksperiencë e më të mirëve. Kemi dhe një dirgjent të ri që duhet t’i hap një vend si Gridi Kraja. Nga Gjermania vjen një dirigjent i ri në koncertin e datës 5 prill që quhet Oliver Leo Schmid, së bashku me një violinist Alban Pengili, mjaft i talentuar. Pengilin e kemi parë në koncerte recitale por jo me orkestër.

 

Sa hapësira gjejnë të rinjtë në Stinën Koncertore të RTSH-së?

Sigurisht që kanë hapësirën e tyre. Instrumentistë të rinj që na përfaqësojnë denjësisht dhe jashtë. Kam patur guximin që të fus dhe të rinj siç ishte koncerti i datës 12 mars ku interpreton në piano Herton Mikeli. Pati nga ata që më thanë pse e fute se nuk është i njohur. Pikërisht e futa se duhet të bëhet i njohur meqë bordi artistik i orkestrës e konsideroi aq të talentuar sa për të interpretuar me orkestrën. Në tendencënm time është të përkrah jo vetëm dirigjentët, por dhe kompozitorët. Përshembull në 8 korrik është një premierë absolute e kompozitores Diana Ziu titulluar “Simfonia no.1”. Është vepra që ka fituar konkursin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

 

Nuk di që të jetë shpallur akoma fituesja e atij konkursi…!

Nuk e di nëse janë shpallur publikisht, por unë e di që kjo është vepër fituese dhe kam menduar që duhet të jetë patjetër në repertorin e orkestrës, sepse një simfoni është një vepër madhore.  Pra është një simfoni prej 40 minutash që luhet premierë nga kompozitore shqiptare. Tendenca është që të nxisim kompozitorët shqiptarë, të nxis krijimtarinë shqiptare, por dhe të luajmë majat e krijimtarisë botërore. Në këtë stinë do të ketë disa simfoni si Shostakoviç, apo premiera e Gustav Mahler nën drejtimin e Eno Koços, apo vepra të tjera shumë interesnatë që luhen për herë të parë si koncerti “Tide” (valëtt) e kompozitores kanadeze Elisabeth Knudson, simfonia nr. 2 e Brahms, simfonia nr. 5, op.47 e Shostakoviç etj. Këto janë majat botërore të muzikës simfonike.

Intervistoi: E.Peti

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency