Ballsh, shpërthim në depozitën e naftës të kompanisë ARMO

0
250

Sonja Caka

balleshMinuta tmerri për banorët e qytezës dhe zonës përreth, dy punonjës në gjendje të rëndë në Spital Ushtarak. Shkak, dyshohen shkëndijat e krijuara si pasojë e goditjeve të veglave të punës

 

Një shpërthim i fuqishëm në uzinën e Ballshit ka tronditur e terrorizuar qytezën e vogël të Ballshit dhe zonën përreth, duke alarmuar dhe vënë në panik gjithë banorët e saj. Dy punonjës të ARMO-s kanë mbetur të plagosur rëndë, ndërsa një tjetër në gjendje më të lehtë, ndërsa kanë qenë duke pastruar depozitat e naftës në uzinë. Zjarri mësohet të ketë rënë në një nga depozitat pranë kompleksit të KPTHN-së. Sipas burimeve zyrtare, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 09:30 të ditës së djeshme në Uzinën e Përpunimit të Naftës, kur një prej depozitave nëntokësore në repartin 11/4 që ndodhet në rrëzë të kodrës sipër së cilës ndodhet fshati Usojë, ka marrë flakë duke shpërthyer fuqishëm. Si pasojë kanë mbetur të plagosur tre punonjës manovratorë të kompanisë ARMO, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë për shkak të djegieve të shumta që u janë shkaktuar. Megjithatë, pavarësisht ngjarjes së rëndë, kompania ARMO nuk ka dhënë një version zyrtar për shkaqet e shpërthimit, ndonëse bëhet me dije se shpërthime të tilla në Uzinën e Ballshit nuk janë të rralla. Rreth vitit 2004 ka ndodhur një shpërthim i ngjashëm më këtë të mëngjesit të djeshëm.

Shpërthimi

Shpërthimi i depozitës për shkak të djegies së lëndës hidrokarbure që ndodhej në të ka qenë mjaft i fuqishëm duke shkaktuar panik tek punonjësit e uzinës. Gjithçka ka ndodhur në çast, teksa sipër depozitës mësohet të kenë qenë duke punuar disa punëtorë, të cilët i kanë shpëtuar vdekjes mrekullisht. Por, për dy prej tyre situata ka qenë edhe më e rëndë, pasi kanë marrë plagë të rënda në gati gjithë sipërfaqen e trupit, për shkak të djegieve dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Fierit e më pas në atë Ushtarak në Tiranë. Depozita e cila ka shpërthyer ndodhet rreth dy kilometra larg zonave të banuara nëpër të cilën kalojnë mjaft tubacione të naftës e të gazit, çfarë ka bërë që të rritet paniku tek banorët të cilët janë ndjerë të frikësuar duke shpresuar që të mos ndodhte më e keqja. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë katër mjete zjarrfikëse, pjesë e shërbimit zjarrfikës në uzinë dhe të mbrojtjes kundër zjarrit në Mallakastër. Tonelata uji dhe shkume janë hedhur në depozitën që po digjej nga flakët, me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit që rrezikonte edhe depozitat e tjera nëntokësore që ndodhen aty pranë. Është dashur më shumë se një orë që situate të normalizohet. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie. Këta të fundit kanë rrethuar në një perimetër të konsiderueshëm vendin ku ndodhi shpërthimi dhe nuk kanë lejuar afrimin brenda territorit të personave të paautorizuar, për shkak të rrezikut të ndonjë shpërthimi tjetër.

Hetimi

Pas stabilizimit të situatës dhe shuarjes së zjarrit, policia e Fierit në bashkëpunim me organin e akuzës së këtij qyteti kanë nisur hetimin për zbulimin e shkaqeve që çuan në djegien e sasisë së hidrokarbureve që ndodheshin në depozitë. Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar si pasojë e krijimit të shkëndijave nga goditjet e veglave të punës apo çelësave mekanikë me të cilët mendohet se kanë qenë duke punuar aty pranë disa punëtorë. Burime nga brenda uzinës bëjnë me dije se dyshohet që shkak të kenë qenë këto shkëndija, ndërsa kanë shtuar se nga ato që kanë dëgjuar, kanë mësuar se shkëndijat që mund t’i kenë vënë flakën depozitat mendohet të jenë krijuar nga shkëndija të formuara prej goditjeve me mjete të forta metalike. Ndërkaq, polica është duke verifikuar gjithë pistat e mundshme me qëllim arritjen e një konkluzioni përfundimtar. Ndërkaq, forca të shumta të zjarrfikëseve dhe specialistë të fushës së hidrokarbureve kanë qëndruar deri në orët e vona në zonën e shpërthimit me qëllim që të kenë situatën nën kontroll dhe të ndalojnë rindezjen e mundshme të flakëve në këto depozita.

Të dëmtuarit

Tre kanë qenë të lënduarit nga ky shpërthim, dy prej të cilave në gjendje më të rëndë. Përparim Beqiraj është në gjendje më të mirë shëndetësore, ndërsa Nezir Muçaj, 35 vjeç dhe Qemal Hoxhallari, 50 vjeç janë shoqëruar menjëherë me autoambulancë për në Spitalin e Fierit ku edhe kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Pas trajtimit paraprak në repartin e reanimacionit të këtij spitali, mjekët e shërbimit kirurgjikal kanë vendosur t’i dërgojnë urgjentisht për në Tiranë për marrjen e një ndihme më të specializuar. Kjo, sepse gjendja e dy të plagosurve është paraqitur e rëndë, pasi kanë pësuar djegie të shumta në gjithë sipërfaqet e trupit. Mjekët e spitalit të Fierit kanë bërë me dije se gjendja e tyre është e rëndë, por për sa i përket rrezikut për jetën mund të flitet vetëm pas 24 orëve. Sipas mjekëve, punonjësit Nezir Muçaj i është djegur rreth 15% e sipërfaqes së trupit, kryesisht në kokë. Ndërsa Hoxhallari ka pësuar djegie në rreth 30% të sipërfaqes së trupit të tij.

Reagimi i banorëve: Jemi të frikësuar, mund të ndodhë sërish  

Panik dhe tmerr kanë përjetuar banorët e qytezës dhe zonës përreth nga momenti i shpërthimit dhe deri sa janë siguruar për shuarjen e plotë të zjarrit. Banorët shprehen se ndihen të rrezikuar pasi nën qytet shtrihen tubacione e depozita, çka i bën që pas asaj që ndodhi dje, të ndihen realisht të frikësuar dhe të rrezikuar. “Uzina e Ballshit ka më shumë tubacione e depozita nën tokë se sa mbi tokë. Ajo është mjaft e përhapur dhe mesa kemi dëgjuar ka mjaft lëndë të rrezikshme nëpër depozitat e saj, që nëse do të shpërthenin mund ta hidhnin në erë gjithë këtë zonë, përfshi edhe qytetin. Shpresojmë që të mbetet me kaq e mos të ndodhi më e keqja, që të shpërthejnë gjithë depozitat e zonat e rrezikshme të uzinës”, reagojnë banorët.

 

Elbasan

Del nga rruga automjeti, plagosen dy persona

Një aksident automobilistik u regjistrua dje në aksin rrugor Elbasan-Librazhd në afërsi të fshatit Xibrakë, bilanci i të cilës ishte dy të plagosur. Automjeti tip Wolksvagenme targë TR 5121 F ka dalë nga rruga e është përplasur në anë të saj. Për pasojë kanë mbetur të plagosur drejtuesi i automjetit dhe një person tjetër që udhëtonte në këtë automjet. Të lënduarit janë dërguar për në spitalin e Elbasanit dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas burimeve spitalore, njëri prej të aksidentuarve ndodhet në gjendje serioze për jetën. Në vendin e ngjarjes shkuan policia dhe ekspertët. Sipas të dhënave të para rezulton se shkak I aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia tej normave dhe moti me lagështi.

Tiranë

E përplas makina, aksidentohet 9-vjeçari

Një 9-vjecar është aksidentuar rëndë pasi është përplasur nga një automjet. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme ne zonën e Babrrusë, ndërkohë që mësohet se fëmija ka marrë dëmtime të rënda dhe është transportuar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policore, ndërkohë që mjekët në spitali po bëjnë të pamundurën për shpëtimin e jetës së tij, pasi mësohet se gjendja e tij është kritike. Grupi hetimor po punon për identifikimin e personit dhe automjetit që përplasi të miturin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency