Si u anëtarësuan në Partinë Komuniste të BS-së Dritëro Agolli dhe 15 studentë të tjerë.

0
2217

Çelo Hoxha

 

driteroi

Shkonin në Moskë për studime, ktheheshin anëtarë të partisë bolshevike

Studentët shqiptarë në vendet komuniste, që ishin kandidatë të PPSH-së, anëtarësuan në partitë komuniste të vendeve ku studionin, mes tyre edhe Dritëro Agolli, i cili në 1954 punoi një muaj në një kolkoz sovjetik

 

Pas izolimit nga Evropa Perëndimore, Shqipëria komuniste i ktheu sytë nga Lindja, me qendër Moskën. Ajo synoi të sfidonte natyrën, duke kërkuar ndihmë nga armiqtë tradicionalë të popullit shqiptar: sllavët.

Deri në 1939, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, në fakt, shqiptarët studionin më shumë në vendet e Evropës Perëndimore. Për këtë mjafton të shikohen CV-të e personave të pushkatuar pas luftës.

Pasi u vranë ata njerëzisht e shkolluar dhe filoperëndimorë, regjimi komunist punoi për të ngritur klasën e vet të të shkolluarve dhe këtë e bërë duke dërguar studentë në vendet e lindjes, më shumë në Bashkimin Sovjetik.

Miratimin për emrat e studentëve që do të studionin jashtë e jepte kupola e PPSH-së: Sekretariati i Komitetit Qendror. Kandidatët për studentë duhet të plotësonin disa kushte: të vinin nga shtresa shoqërore sa më të ulëta, gjatë luftës të kishin mbajtur qëndrim “të mirë” (të kishin qenë pjesë e forcave partizane ose t’i kishin ndihmuar ato), të mos kishin të dënuar politikë në familje, ose dhe po të kishin atëherë të vërtetonin se i kishin ndërprerë lidhjet familjare. Partia dilte para familjes.

Studentët që shkuan jashtë, si dëshmon dokumenti i sotëm, nuk shkuan vetëm për t’u kualifikuar si profesionistë në fusha të caktuara, ata u bënë dhe komunistët. Një pjesë e mirë e studentëve u bënë kandidatë të partisë komuniste dhe pastaj u anëtarësuan në partinë komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Për shumicën e studentëve në këtë listë thuhet se kanë “kontribuar për luftën si pionier”. Për ata që nuk e dinë: pionier (anëtar i organizatës së pionierit) bëhej çdo nxënës shkolle nga klasa e tretë në të tetën, 9-14 vjeç. Ky lloj organizmi filloi pas luftës. Gjatë luftës nuk kishte organizatë pionierësh dhe rrjedhimisht as pionierë. Në këtë dokument fjala pionier ka kuptimin fëmijë. Padyshim që një përshkrim i tillë në cv bëhej për efekte politike, jo se ishte i fakt, megjithatë, po ta marrim të miqëqenë, se ata fëmijë kanë ndihmuar partizanët, atëherë ajo që duhet thënë është kjo: partizanët kanë shfrytëzuar minorenët. Kush është mendimit që ajo që quhet luftë nacionalçlirimtare ishte veç një përpjekje e armatosur për të marrë pushtetin me dhunë, siç mendoj unë, shfrytëzimi i fëmijëve rezulton një akt edhe më i rëndë. Disa nga personat e përfshirë në listë rezulton të kenë qenë kandidatë partie që minorenë, nën moshën 18 vjeç.

Në listën që botojmë spikat emri i Dritëro Agollit. Në 1991, në fjalimin që mbajti në kongresin e 10-të të PPSH-së, Dritëro Agolli fajësoi Enver Hoxhën për diktaturën, sikur ai ishte personi i vetëm në Shqipëri që punoi për diktaturën, dhe PPSH, sikur të PPSH nuk kishte qenë bashkësia e gjithë njerëzve që ishin në sallë, bashkë me të. Ai jo vetëm që nuk mbajti asnjë përgjegjësi personale (që do të çonte në largimin e tij nga jeta publike), por vazhdoi të zgjidhej deputet i PPSH edhe pasi aj ndërroi emrin. Bëri atë që kishte bërë gjithmonë (siç e bënë dhe shumë të tjerë): partishmëria tregohej duke shkuar me studime në Bashkimin Sovjetik dhe shkoi; pas një 1960 partishmëria tregohej duke kritikuar BS dhe duke përqafuar revolucionin kulturor kinez dhe Dritëroi këtë bëri, pas prishjes së Shqipërisë me Kinën kërkohej të kritikoje Kinën dhe ai e kritikoi. Në 1991 e kritikoi PPSH se kjo ishte rruga më e sigurt për të bërë karrierë dhe nuk i eci keq.

 

 

DOKUMENTI

 

Komiteti Qendror i PPSH Tiranë, më 1956.

Sekretariati

Drejtoria Administrative

 

Relacjon

 Mbi pranimet në parti nga organizatat bazë të partisë jashtë shtetit

 

1.- Xhemal Nuredin Puka. Lindur më 1932 në Shkodër .Me origjinë shoqërore puntor dhe në gjëndje shoqërore student në Bashkimin Sovjetik. Kandidat partie është pranuar në janar 1952. Verifikimin e ndrimin e dokumentave ai si kandidat partie i ka bërë. Dënime nga partia nuk ka. Qëndrimi i familjes tij gjatë luftës N.CL. ka qenë i mirë. Ka dy vëllezër antarë partie njëri nga të cilët ka qenë dhe partizan. Vetë ka kontribuar për luftën si pioner. Mbas çlirimit ka punuar në komitetin e rinis në Shkodër si dhe në aksione të ndryshme rinie.

Në vitin 1952 i është akorduar bursa për studime të larta B.R.S.S. për Marksizëm – Leninizëm. Me mësimet vazhdimisht ka shkuarë mirë, bën përpjekje për ngritjen e tij ideologjike dhe i kryen mirë detyrat që i ngarkohen.

Orgnizata bazë e partisë e studentave tonë në qytetin Odesë ka vendosur ta pranojë anëtar partie. Komiteti partisë i studentave t´onë në Moskë e ka aprovuar këtë vendim.

Neve jemi dakort që kandidati Xhemal Puka, të pranohet anëtar partie.

Dokumentat i ka plotësuar në rregull.

 

2.- Marfu Mugni HaxhimusajLindur më1932 në Elbasan, me origjinë shoqërore nënpunës i mesëm dhe me gjëndje shoqërore student.

Kandidat partie është pranuar në vitin 1949. Verifikimin e dokumentave si kandidat partie e ka bërë. Dënime nga partia nuk ka.

Qëndrimi i familjes tij gjatë luftës N.CL. ka qenë i mirë. Shtëpia e tij ka qenë bazë e partizanëve ilegalë, një motër e ka patur partizane të vitit 1943, tani është antare partie dhe sekretare e B.Prof . të qarkut Vlorë. Djali dhe vajza e hallos së tij janë antarë të komitetit partisë të rrethit Elbasan.

Në vitin 1940, i ati i tij ka qenë kryetar komune, por u pushua nga puna pse nuk pranoi që të bëhej antar i partis fashiste. Ka të aratisur politik një kushëri të largët me të cilin i kanë prerë marëdhëniet familjare qysh 1942.Në vitin 1953, një djal i tezes i anës së tij është pushkatuar për abuzime në dyqanet e shtetit, me familjen e tij i kanë prerë marëdhëniet.

Vetë Marufi ka kontribuar mjaf për luftën N.CL. si pioner. Mbas çlirimit ka marrë pjesë në aksione dhe brigata kulturale rinie.

Ne vitin 1951 i është akorduar bursa për studime të larta në institutin e teknologjisë të Leningradit.

Me mësimet ka shkuar vazhdimisht mirë, bën përpjekje për ngritjen e tij ideologjike, ka kryer mirë detyrat e organizatës së Zemlaçestovos dhe të organizatës bazë të partisë.

Organizata bazë e partisë e studentave t`onë në Leningrad ka vendosur ta pranojë antar partie. Komiteti i partisë i studentave tonë në Moskë e ka aprovuar këtë vendim.

Neve jemi dakord që kandidati i partisë Maruf Haxhimusaj të pranohet antar partie.

 

3.- Valentina Vasil Mançi. Lindur më 1933 në Korçë, me origjinë shoqërore nënpunës i mesëm dhe në gjendje shoqërore studentore.

Kandidate partie është pranuar në vitin 1952. Verifikimin e ndrimin e dokumentave si kandidate e ka bërë. Dënime nga partia nuk ka.

Qëndrimi i familjes të saj gjatë luftës N.CL. ka qenë i mirë. E ëma dhe e motra e Valentinës janë antare partie. Vetë ka kontribuar për luftën si pionere. Mbas çlirimit ka marë pjesë në aksione të ndryshme rinie.

Në vitin 1952 i është dhënë bursa për studime në institutin e lart të tekstileve në Moskë. Me mësimet shkon shumë mirë, bën përpjekje për ngritjen e saj ideologjike, është sekretare e grupit të organizatës së Zemlaçestovo.

Organizata bazë e partisë e ´´Dom- Komunës´´ në Moskë ka vendosur t´a pranojë antare partie. Komiteti partia i studentave t`onë në Moskë e ka aprovuar këtë vendim.

Neve jemi dakort që kandidatja e partisë Valentina Mançi të pranohet antare partie.

Dokumentat i ka plotësuar në rregull.

 

4.- Lirika Themi Zengo.Lindur më 1930 katudin Dardhë të Korçës me origjinë shoqërore fshatare e varfër dhe në gjëndje shoqërore studente.

Kandidate partie është pranuar në vitin 1948, verifikimin e dokumentave si kandidate, e ka bërë. Dënime nga partia nuk ka.

Qëndrimi i familje saj gjatë luftës N.CL. ka qenë i mirë. Ka një motër dhe një vëlla antarë partie, motra ka qenë partizane, tash togere në Ministrinë M.popullore. Vetë Lirika ka kontribuar si pionere për luftën N.CL. mbas çlirimit ka punuarë në komitetin e rinisë Tiranë si dhe ka marë pjesë në aksione të ndryshme rinie.

Në vitin 1951 i është akorduar bursa për studime në institutin e lartë pedagogjik ´´Lenin´´ në Moskë . Me mësimet vazhdimisht ka shkuar mirë, bën përpjekje për ngritjen e saj ideologjike, ka kryer mirë detyrat e ngarkuara.Është pak si Tip e mbyllur.

Organizata bazë e partisë e institutit të lartë pedagogjik në Moskë ka vendosur t`a pranojë antare partie. Komiteti partia i studentave në Moskë e ka aprovuar këtë vendim.

Neve jemi dakort që kandidatja e partisë Lirika Zengo, të pranohet antare partie.

Dokumentat i ka plotësuar në rregull.

 

5.- Hyrjete Nexhip Ruli. Lindur më 1932 në Libohovë, me origjinë shoqrore fshatare e mesme dhe me gjendje shoqrore studente.

Kanditate partie është pranuar në vitin 1949. Verifikimin e dokumentave si kanditat partie e ka bërë. Dënime nga partia nuk ka.

Qëndrimi i familjes saj gjatë luftës N.CL. ka qenë shumë i mirë, i ati, vëllai dhe motra e saj kanë qenë partizanë qysh në fillim gjithashtu një vëlla dhe tre kushurinj të saj janë dëshmorë të luftës N.CL. Vetë Hyrjeta, mbas çlirimit ka marë pjesë në aksione të ndryshme rinie.

Në vitin 1951 i është akorduar bursa për studime të larta në fakultetin ekonomik të Moskës. Me mësimet ka shkuar vazhdimisht mirë, është treguar aktive në kryerjen e detyrave që i janë ngarkuarë.

Organizata bazë e partis e studentave të “Dom-Komunës´´ në Moskë ka vendosur që t`a pranojë antare partie. Komiteti i partisë i studentave dhe kursantave në Moskë e ka aprovuar këtë vendim.

Neve jemi dakort që kandidatja e partisë Hyrjeta Ruli të pranohet antare partie.

Dokumentat i ka plotësuar në rregull.

 

6.- Bardhyl Shkodra. Lindur më 1931 në Shkodër, me origjinë shoqrore nënpunës i mesëm dhe me gjëndje shoqrore stundet.

Kandidat partie është pranuar në vitin 1948. Verifikimin e dokumentave si kandidat partie e ka bërë.Dënime nga partia nuk ka.

Qëndrimi i familje tij gjat luftës N.CL. ka qenë i mirë, një vëlla i tij ka qenë antar partie dhe partizan. Baba i tij ka kryer shkollën e lartë ushtarake në Stamboll (Turqi), ka marë gradën kapiten, por me ardhjen në Shqipëri ka bashkëpunuar me patriotët Bajram Curri, Avni Rustemi etj.ku më vonë largohet nga detyra ushtarake dhe bëhet profesor fiskulture në gjimnazin e Shkodrës duke punuar si i tillë deri kohët e fundit, tash pensionist. Vetë Bardhyli ka marë pjesë në aksione të ndryshme rinie dhe për punë të mirë është dekoruar me medalje pune.

Në vitin 1950 i është akorduar bursa për studime të larta në institutin ekonomiko-tregëtar të Leningradit. Me mësimet ka shkuar mirë, është treguar i sjellshëm, i disiplinuar, dhe ka kryer mirë detyrat që i janë ngarkuar.

Organizata bazë e partisë e universitetit ´´Zhdanov´´ të Leningradit ka vendosur që t´a pranojë antar partie. Komiteti partisë i studentave t´onë në Moskë e ka aprovuar këtë vendim.

Neve jemi dakort që Bardhyl Taip Shkodra të pranohet antar partie.

Shënim. Në dokumenta që Bardhyli ka plotësuar si antar partie ka shënuar s eorigjina etij është ´´nënpunës i thjeshtë“. Neve mendojmë që ky duhet të ketë origjinën ´´ nënpunës i mesëm´´, ashtu siç i është përcaktuar me rastin e verifikimit të dokumentave të tij si kandidat partie.

 

7.- Sheraf Ismet Mosho.Lindur më 1933 në Gjirokastër, me origjinë shoqrore puntor dhe me gjëndje shoqrore student.

Kandidat partie është pranuar në janar të vitit 1952. Ndrimin e dokumentave si kandidat partie e ka bërë . Dënime nga partia nuk ka.

Familja e tij ka mbajtur qëndrim të mirë gjat luftës N.CL., e ëma e tij është antare partie.Vetë mbas çlirimit ka punuar në aksione të ndryshme rinie dhe është dekoruar me medalje pune.

Në vitin 1952 i është akorduar bursa për studime të larta në institutin ´´ ekonomiko-financiar´´ të Moskës. Me mësimet ka shkuar vazhdimisht mirë. Është puntor, i disiplinuar dhe aktiv në kryerjen e detyrave që i ngarkohen.

Organizata bazë e partisë e institutit ´´Financ- Ekonomi´´në Moskë ka vendosur që t´a pranojë antar partie. Komiteti partisë i studentave tonë në Moskë e ka aprovuar këtë vendim.

Neve jemi dakort që Sheraf Mosho të pranohet antar partie.

 Dokumentat i ka plotësuar në regull.

 

8.- Fuat Tahir Bozgo. Lindur më 1930 në Gjirokastër, me origjinë shoqrore nënpunës i mesëm dhe me gjëndje shoqrore student.

Kandidat partie është pranuar në vitin 1948. Verifikimin e dokumentave si kandidat partie e ka bërë. Dënime nga partia nuk ka.

Familja e tij ka mbajtur qëndrim të mirë gjat luftës N.CL. Dy motra e një vëlla i tij kanë qenë partizanë, sot janë antar partie. Vetë Fuati ka kontribuar mjaft për luftën N.CL si pioner. Mbas çlirimit ka punuar me rininë dhe më vonë si redaktor në Radjo Tirana.

Në vitin 1951 i është akorduar bursa për studime të larta në fakultetin e gazetarisë në Lningradë. Me mësimet ka shkuar vazhdimisht mirë, është treguar i sjellshëm dhe i disiplinuarë, ka kryer mirë detyrat e ngarkuara. Është pak gjak nxehtë.

Organizata bazë e partisë e universitetit ´´Zhdanov´´në Leningrad, ka vendosur që t´a pranojë antar partie. Komiteti i partisë i studentave tonë në Moskë e ka aprovuar këtë vendim.

Neve jemi dakort që kandidati partisë Fuat Bozgo të pranohet antar partie.

Dokumentat i ka plotësuar në regull.

 

9.- Feruze Shyqyri Tare. Lindur më 1931 në Fier, me origjinë shoqrore puntore dhe me gjëndje shoqrore studente.

Kandidate partie është pranuar në vitin 1948. Verifikimin e dokumentave si kandidate partie e ka bërë . Dënime nga partia nuk ka.

Qëndrimi i familjes saj gjat luftës N.CL. ka qenë i mirë, një vëlla e ka dëshmor të luftës N.CL. Vetë ka kontribuar për luftën, ndërsa mbas çlirimit ka marë pjesë në aksione të ndryshme rinie.

Në vitin 1951 i është akorduar bursa për studime të larta në institutin ekonomiko-financiar të Leningradit. Me mësimet vazhdimisht ka shkuar mirë, bën përpjekje për ngritjen e saj ideopolitike, është e sjellshme dhe aktive në kryerjen e detyrave që i janë ngarkuarë.

Organizata bazë e partisë e instituteve të inxhinierisë në Leningradit, ka vendosur që t´a pranojë antare partie. Komiteti partisë i studentave t´onë në Moskë e ka aprovuar këtë vendim.

Neve jemi dakort që Feruze Tare të pranohet antare partie.

Dokumentat i ka plotësuar në regull.

 

10.- Eleni Llambi Capo. Lindur më 1931 në Berat, me origjinë shoqrore zanatçi individual dhe me gjëndje shoqrore studente.

Kandidate partie është pranuar në vitin 1949. Verifikimin e dokumentave si kandidate partie e ka bërë . Dënime nga partia nuk ka.

Familja e saj ka ndihmuar mjaft lëvizjen N.CL. për këtë është dekoruar me tre dekorata. Vetë ka kontribuar për luftën si pionere. Mbas çlirimit ka marë pjesë në aksione të ndryshme dhe ka punuarë mirë.

Në vitin 1951 i është akorduar bursa për studime të larta në institutin të ekonomisë financiare në Leningrad. Me mësimet ka shkuar vazhdimisht mirë, është e disiplinuar, ka kryer mirë detyrat që i ka ngarkuar organizata.

Organizata bazë e partisë e studentave të instituteve të inxhinierisë në Leningradit, ka vendosur që t´a pranojë antare partie. Këtë vendim e ka aprovuar dhe komiteti i partisë i studentave t´onë në Moskë.

Neve jemi dakort që kandidatja e partisë Eleni Capo, të pranohet antare partie.

Dokumentat i ka plotësuar në regull.

 

11.- Dritëro Biza Agolli. Lindur më 1931 në katundin kankulaz të rrethit Bilisht, me origjinë shoqrore fshatar i mesëm dhe me gjëndje shoqrore studente.

Kandidate partie është pranuar në muajin shkurt 1952. Ndrimin e dokumentave si kandidat partie e ka bërë . Dënime nga partia nuk ka.

Qëndrimi i familjes dhe fare fisit tij gjat luftës N.CL. ka qenë i mirë .Një vëlla e ka oficer i cili ndodhet për studime në B.R.S.S. Vetë mbas çlirimit ka marë pjesë në mjaft aksione edhe brigada kulturale rinie ku ka punuar mirë. Është kandidat i lidhjes së shkrimtarëve të Shqiprisë.

Në vitin 1952 i është akorduar bursa për studime të larta në fakultetin e gazetarisë në Leningradë. Me mësimet ka shkuar vazhdimisht shumë mirë, ka kryer mirë detyrat që i janë ngarkuarë. Në vitin 1954 gjatë pushimeve verore ka marë pjesë në punën ndërtonjëse një muaj në një kolkoz sovjetik ku për punë të mirë është lavdëruarë.

Organizata bazë e partisë e universitetit ´´Zhdanov´´në Leningrad, ka vendosur që t´a pranojë antar partie. Këtë vendim e ka aprovuar dhe komiteti i partisë i studentave t´onë në Moskë.

Neve jemi dakort që Dritëro Agolli të pranohet antar partie.

Dokumentat i ka plotësuar në regull.

 

12.- Ilia Koli Demo. Lindur më 1931 në Korçë, me origjinë shoqrore nënpunës i mesëm dhe me gjëndje shoqrore student.

Është pranuar kandidat partie në vitin 1949. Verifikimin e dokumentave si kandidat partie e ka bërë. Masa ndëshkimore nga partia nuk ka.

Familja e saj ka mbajtur qëndrim të mirë gjatë luftës N.CL., një motër e ka antare partie.

Vetë mbas çlirimit ka marë pjesë në mjaft aksione dhe brigada kulturale rinie.

Në vitin 1950 i është akorduar bursa për studime të larta në institutin e naftës në Moskë. Me mësimet gjithmonë ka dalë shumë mirë. Është treguar i disiplinuarë dhe aktiv në kryerjen e detyrave që i janë ngarkuar.

Organizata bazë e partisë e institutit të naftës në Moskë, ka vendosur që t´a pranojë antar partie. Këtë vendim e ka aprovuar dhe komiteti i partisë i studentave t´onë në Moskë.

Neve jemi dakort që Ilia Demo të pranohet antar partie.

Dokumentat i ka plotësuar në regull.

 

13.- Flamur Hysen Zela. Lindur më 1929 në Tiranë, me origjinë shoqrore zanatçi individual, dhe me gjëndje shoqrore student.

Neve mendojmë që Flamur Zelës i përket origjina shoqrore puntor, për këto arësye :

I ati i tij ka qenë vazhdimisht puntor krahu. Në vitin 1942 Flamuri adoptohet nga Hysen Zela me origjinë zanatçi individual.Të dy baballarët i vdiqën në vitin 1942 . Mbas vdekjes së tyre është ritur me konditat e puntorit, mbasi që të dyja nënat e tija qysh prej muaj e deri tani kanë punuarë si shërbyese.

Kandidate partie është pranuar në vitin1948. Ndrimin e dokumentave si kandidat partie e ka bërë. Masa ndëshkimore nga partia nuk ka.

Gjatë luftës N.CL.si ky dhe familja e tij kanë mbajtur qëndrim të mirë.E ëma që e ka adoptuar punon si guzhinjere pranë ambasadës së Rep. Demokratike Gjermane në Tiranë.

Në vitin 1952 i është akorduar bursa për studime të lartapër gjeo-fizikë në Bashkimin Sovjetik. Me mësimet ka shkuar mirë, është i sjellshëm dhe i disiplinuarë, kryen me përpikmëri detyrat që i ngarkohen.

Organizata bazë e partisë të studentëve të universitetit ´´Longosov´´të Moskës ka vendosur që t´a pranojë antar partie. Këtë vendim e ka aprovuar dhe komiteti i partisë i studentave t´onë në Moskë.

Neve jemi dakort që Flamur Zela të pranohet antar partie.

Dokumentat i ka plotësuar në regull.

 

14.- Salih Xhafer Dedei: . Lindur më 1930 në Elbasan, me origjinë shoqrore nënpunës i thjeshtë dhe me gjëndje shoqrore student.

Është pranuar kandidat partie në vitin 1949. Verifikimin e dokumentave si kandidat partie e ka bërë. Dënime nga partia nuk ka.

Qëndrimi i familjes tij gjat luftës N.CL. ka qenë i mirë, një vëllai i tij ka qenë partizan, tash antar partie. Vetë ka kontribuar për luftën si pioner.

Në vitin 1949 i është akorduar bursa për studime të larta në fakultetin e mjekësisë në Pragë. Me mësimet ka shkuar mirë. Është i sinqertë, i disiplinuarë dhe ktiv në kryerjen e detyrave që i janë ngarkuarë.

Organizata bazë e partisë të studentave tonë në Pragë, ka vendosur t´a pranojë antar partie. I ngarkuarë me punën e partisë në Çekosllovaki jep mendimin pro vendimit të organizatës bazë të partisë.

Neve jemi dakort që Salih Dedei të pranohet antar partie.

Dokumentat i ka plotësuar në regull.

 

15.-Reshat Laze Kasi. Lindur më 1933 në Gjirokastër, tash student në fakultetin e agronomisë në Bullgari (Sofie).

Në kartën e rregjistrimit të tij si kandidat partie, lëshuar nga ish komiteti partisë të rrethit Tiranë, i është përcaktuar origjina ´´ zanatçi me çirak´´. Në dokumentat që ka plotësuar tani si antar partie, ka shënuar origjinën “ zanatçi individual“. Në bazë të të dhënave që na jep komiteti i partisë të rrethit Gjirokastër, neve mendojmë që duhet të i përcaktohet origjina shoqërore “ zanatçi individual“ (nallban).

Është pranuar kandidat partie në vitin 1952. Dënime nga partia nuk ka.

Qëndrimi i familjes tij gjat luftës N.CL. ka qenë i mirë, shtëpija e tij ka qenë çerdhe e partizanëve ilegalë e cila i është djegur nga ballistat në vitin 1943. I ati i tij tani punon si kryetar i kooperativës të nallbanëve në Gjirokastër. Vetë ka marë pjesë në aksione të ndryshme të rinisë dhe ka punuarë mirë.

Në vitin 1952 i është akorduar bursa për studime të larta në Bullgari. Me mësimet ka shkuar mirë, është i disiplinuarë, i sjellshëm dhe i pa përtueshëm në kryerjen e detyrave që i ngarkohen.

Organizata bazë e partisë e studentave tonë nëSofie, ka vendosur t´a pranojë antar partie. I ngarkuarë me punën e partisë në Bullgari jep mendimin pro vendimit të organizatës bazë.

Neve jemi dakort që Reshat Kasi të pranohet antar partie.

V.O. Fletë rekomandimet për pranimin në parti i ka si për ata që vijnë nga radhët e zanatçinjëve individualë.

 

Konc. L. Backa (Emri i shkruar me dorë)

Dakt. V. Mata 1 kopje

30/X/56

 

Sekretari i K.Q. të P.P.SH

Rita Marko

(Firma)

 

Drejtori Drejtoris Administrative

Llazi Stratobërdha

(Firma)

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency