Përndjekja Kërcënoi me vrasje spikeren e radios dënohet me dy vite burg 56-vjeçari

0
152

Elton Qyno

makinaOlger Zylfi përndiqte spikeren Denada Dajlani. “Do të të vras, nëse s’pranon të bëhesh e dashura ime”

 

Një qytetar nga Elbasani ka kërcënuar me jetë spikeren e një radioje private në vend, pasi siç mësohet, spikerja s’ka pranuar të takohet me të. “Kam armë me silenciator dhe do të vras”. Ky është vetëm njëri nga shumë mesazhet që shtetasi nga Elbasani Olger Zylfi, ia ka dërguar spikeres Denada Dajlani, nëse kjo e fundit nuk pranonte që të bëhej e dashura e tij. Hetimet e kryera nga ana e Prokurorisë së Tiranës tregojnë se Olger Zylfi ,56 vjeç, është nga Elbasani, dhe se për një kohë të gjatë i ka dërguar dhjetëra sms spikeres Dajlani, e cila drejton një emision radioje në një kompani private. Gjithçka ka lindur vitin e kaluar kur gjatë drejtimit të emisionit, spikerja Denada Dajlani, ka publikuar numrin e emisionit dhe pas kësaj, pikërisht në këtë numër, kanë mbërritur dhjetëra sms dhe telefonata nga shtetasi Olger Zylfi. Ky i fundit, nuk është ndalur më, duke vijuar ritmin e telefonatave dhe sms, në mënyrë të vazhdueshme, duke u kthyer në një përndjekës të vërtetë të spikeres Denada Zylfi. Duke qenë se kjo e fundit nuk i përgjigjej në telefon, Zylfi ka zgjedhur një tjetër taktikë, duke shkuar poshtë ambienteve të punës së saj dhe në disa raste i ka dërguar dhe dhurata gjatë orarit, ku Denada Dajlani hynte në punë. Nisur nga kjo situatë, spikerja e ka denoncuar në polici, mirëpo pas shoqërimit të tij në ambientet e policisë, janë përkeqësuar akoma dhe më tepër ngjarjet. Pëndjekësi Zylfi ka vazhduar me mesazhe duke e kërcënuar me vrasje spikeren e njohur dhe për shkak të frikës, Dajlani i është drejtuar me një kallëzim sërish policisë, e cila më pas ka referuar ngjarjen në prokurori. Ka qenë prokurori Kol Hysenaj, që ka hetuar ngjarjen. Për veprimet përndjekëse, Olger Zylfi është dënuar nga ana e gjykatës me 2 vite burg, vendim ky që është marrë në 6 mars nga gjyqtari Martin Deda.

Dëshmia e spikeres

“…Unë kam rreth një vit që kam komunikim telefonik me Olgerin. Ne kemi dy numra kontakti në radio. Kontakti i parë me Olgerin ka qenë në numrin fiks të radios. Ai merrte në telefon aty dhe unë ia bëra të qartë që të mos merrte më në telefon, pasi më shqetësonte. Ai filloi të dërgonte mesazhe në numrat e celularit të emisionit tim. Mesazhet ishin të ndryshme dashamirësie, erotike dhe kërcënimi. Kur këto mesazhe u bënë kërcënuese atëherë, unë u bëra merak dhe po shqetësohesha. Olgeri përveçse më dërgonte mesazhe filloi dhe të vinte në punën ku unë punoja. Unë e denoncova, atë e thirrën në komisariat dhe pastaj situata u qetësua disi deri një javë, por më pas filloi përsëri, të më dërgonte letra, filloi të vinte në punën time, dhe më kërkonte. Unë nuk e di se çfarë të pres nga ky person, unë e kam të pamundur të bëj emision pasi me vijnë mesazhe të ndryshme dhe nuk e di se çfarë të pres prej tij nga kërcënimi, që ai më bën. Mesazhet që ai më bën janë të ndryshme, më thotë që kam armë me silenciator dhe do të vras, me prezanton tek persona të ndryshëm si të dashurën e tij. Letrat e tij janë të frikshme dhe kanë karaktere të ndryshme. Unë nuk e kam takuar asnjëherë fizikisht Olgerin. Ai më ka sjellë dhurata të ndryshme në punë por unë nuk i kam pranuar. Në momentin kur kam bërë denoncimin kam marrë vesh që ka fëmijë dhe që është i divorcuar. Pas kallëzimit ai më ka shqetësuar prapë disa herë, nuk kam dashur të ballafaqohem me të. Mendoj që vetëm frenimi i ligjit do ta ndalojë…”.

Vendimi i gjykatës

Në datë 12.9.2012, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi bazën e kallëzimit të bërë nga shtetasja Denada Dajlani ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Përndjekja” në ngarkim të të pandehurit Olger Zylfi. Shtetasja Denada Dajlani është e punësuar në një radio dhe drejton një emision, duke vënë në dispozicion të dëgjuesve dhe numrin e telefonit 069 20 98 052. Pikërisht në këtë numër është marrë vazhdimisht në telefon nga numri 066 21 10 210, i cili i përket të pandehurit Olger Zylfi. I pandehuri Olger Zylfi me anë të këtij numri telefoni vazhdimisht i ka dërguar shtetases dëshmitares Denada Dajlani mesazhe ngacmuese. I pandehuri Olger Zylfi përveç mesazheve ngacmuese në numrin e telefonit ka vajtur dhe disa herë tek zyrat e kompanisë ku punon dëshmitarja duke kërkuar me këmbëngulje, që ajo të dilte në takim. Hetimi dhe gjykimi i të pandehurit Olger Zylfi është bërë në mungesë të tij duke iu caktuar një avokat kryesisht. Gjykata arrin në përfundimin se i pandehuri Olger Zylfi duhet të përgjigjet penalisht për veprën penale të “Përndjekjes”, duke u dënuar me 2 vite burg.

 

Aksidenti në Berat

Vdes në spital 2-vjeçarja që u godit

nga 10-vjeçari. Fier, bie dera, vdes 3-vjeçari

Dy foshnja kanë humbur jetën gjatë ditës së djeshme, pasi janë përfshirë në ngjarje aksidentale. Rasti i parë është shënuar në fshatin Seman të Fierit, ku një fëmijë 3 vjeç ka humbur jetën në mënyrë aksidentale. Vogëlushi Erald S. ndodhej në oborrin e shtëpisë, dhe se mësohet se është varur në portën hyrëse të shtëpisë, së cilës i janë këputur menteshat, duke e zënë djalin poshtë dhe duke i shkaktuar plagë të rënda veçanërisht në kokë. Familjarët e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Fierit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore e më pas është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por fëmija nuk ka mundur t’i shpëtojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë. Ndërkohë që gjata ditës së djeshme ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak dhe 2-vjeçari që u aksidentua së bashku me motrën dy ditë më parë në fshatin Çiflig të Beratit. P. Mata nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe për pasojë, ajo ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak. 2-vjeçarja u aksidentua rëndë nga një makinë që drejtohej nga një fëmijë 10-vjeçar, të cilën ai ia kishte marrë gjyshit të tij.

 

Aksidenti në Lushnjë

Nxitoi t’i jepte lule tezes së tij,

5-vjeçari goditet për vdekje nga makina

Dëshira për t’i dhuruar një lule tezes së tij për 8 Marsin i ka kushtuar jetën 5-vjeçarit Klevis Bojaxhiu nga Lushnja. I mituri i shoqëruar nga nëna e tij sapo ka zbritur nga një autobus në tentativë për të kaluar rrugën është përplasur nga një mjet tip “Ford Fokus”. Një fëmijë tjetër ka parë gjithçka. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën nacionale të fshatit Zhym të Komunës Krutje të Lushnjës. Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit, 20-vjeçari Albi Mile i ka dhënë ndihmën e parë 5-vjeçarit, duke e dërguar në spitalin e Lushnjës, por fëmija ka ndërruar jetë gjatë rrugës. Policia ka thënë se shkak i këtij aksidenti mund të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara nga drejtuesi i mjetit dhe pakujdesia e prindit të fëmijës. Policia lokale e Lushnjës ka ndaluar drejtuesin e mjetit, ndaj të cilit tashmë është ngritur akuza e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Pritet që në ditët në vijim Albi Mile të dalë para Gjykatës së Lushnjës për t’u njohur me masën e sigurisë që do të kërkojë prokuroria e këtij rrethi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency