Korrupsioni me zhdoganimet pranga 2 kontrollorëve në Muriqan dhe një ushtaraku

0
169

Elton Qyno

policiaZyrtarët e policisë abuzonin me hyrje-daljet, nuk i shënonin në sistem

Task-forca provon vetëm një rast me 50 mijë lekë, dyshohet për dhjetëra të tjerë

 

Dy efketivë policie dhe një nënoficer i ushtrisë, kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi është zbuluar se tre personat u merrnin qytetarëve shumën prej 50 mijë lek të vjetra, duke shmangur detyrimet doganore të mallrave konkrete. Përgjegjësi i koordinimit të pikës së kalimit kufitar në Muriqan Arben Sinani dhe kontrollori Adriatik Selmani, ishin person që bënin shënimet elektronike në mënyrë fiktive, dhe për pasojë shmangnin çdo detyrim financiar, për mallrat të ndryshëm që tregtarët e Shkodrës, por dhe jo vetëm, arrinin të merrnin nga Mali i Zi. Një skemë e tillë, funksionon në të gjitha pikat doganore të vendit duke filluar nga ajo e Kapshticës që ndodhet në Bilisht, dhe deri tek pikat kufitare në portet e vendit. Punonjësit e kontrollit të mjeteve, kryejnë shënime elektronike fiktive, për sa i përket hyrje-daljeve të mjeteve, dhe për këtë shërbim ata arrijnë të marrin nën dorë nga 50 deri në 100 mijë lekë. Në shumicën e rasteve, një veprimtari e tillë, bëhet me ndërmjetësimin e një sekseri, që në këtë rast, ka qenë një nënoficer i ushtrisë shqiptare. Sipas burimeve nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm,agjentët e të cilit kanë hetuar në teren abuzimin me detyrën, nënoficeri quhet Artan Tafa, 37 vjeç, i cili aktualisht është lënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, ndërsa dy personat e tjerë Arben Sinani 44 vjeç dhe Adriatik Selmani 39 vjeç, janë lënë nga gjykata e Tiranës me masën e “Arrestit në burg”. Vendimi për arrestimin e tyre është dhënë nga gjykata, mbrëmjen e së Enjtes dhe se arrestimi është bërë në orët e vona të natës, teksa efektivët e policisë ishin duke ushtruar detyrën e tyre.

Provohet vetëm një rast

Nga hetimet dymujore të kryera nga njësia antikorrupsion task-forcë dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, është arritur të provohet vetëm një rast, kur tre personat e arrestuar kanë marrë shumën e lekëve prej 50 mijë lekë të vjetra. Sipas burimeve pranë prokurorisë së Tiranës, tre personat Arben Sinani, Adriatik Selmani dhe Artan Tafa, kanë abuzuar në dhjetëra raste, por që nga ana e organit të akuzës, është arritur të provohet vetëm një rast, i vetëm. Burimet sqaruar se dy personat Arben Sinani dhe Adriatik Selmani, ishin shtetasit që bënin falsifikimet duke lënë qytetarët të hynin dhe dilnin, pa u regjistruar në sistemin kompjuterik të doganës, ndërkohë që shtetasi tjetër, nënoficeri Artan Tafa, ka pasur rolin e sekserit. Tafa arrinte të gjente njerëzit e besueshëm dhe t’i adresonte në drejtim të dy punonjësve të policisë, të cilët pasi merrnin të dhënat, menjëherë bënin konfigurimet fiktive në sistem dhe më pas lejonin kalimin e shtetasve të ndryshëm, duke përfituar nën dorë një shumë prej 50 mijë lekë të vjetra. Një skemë e tillë sipas burimeve nga SHKB dhe prokuroria është përdorur disa herë, ndërkohë që si prova materiale, njësia task-forcë, ka arritur të administrojë në dosje përgjimet telefonike, pamjet filmike të kamerave të pikës doganore dhe dëshmi të disa personave të tjerë, që janë pjesë e administratës së pikës doganore të Muriqanit në Shkodër. Pritet që shumë shpejt, prokuroria të dorëzojë kërkesën në gjykatën e Tiranës, për të caktuar masën e sigurisë ndaj tre zyrtarëve, megjithëse ndaj tyre është marrë një masë arresti në mungesë. Ndërkohë që lidhur me këtë çështje, aktualisht hetimet janë duke vijuar me qëllim zbulimin e personave të tjerë, që janë përfshirë në këtë veprimtari të kundraligjshme.

Dëshmitë pas arrestimit

Menjëherë pas arrestimit të tre zyrtarëve, strukturat policore kanë bërë shoqërimin e tyre nga Shkodra në drejtim të Tiranës. Ka qenë prokurori i njësisë antikorrupsion task-forcë, Genti Osmani, ai që ka marrë në pyetje tre të ndaluarit, ku gjatë seancës ka asistuar dhe një oficer i Policisë Gjyqësore. Të tre të arrestuarit janë shprehur se ndienin pendesë për krimin e kryer dhe se një veprim të tillë, më tepër e kishin bërë për çështje nderi, pasi kishin njohje me personin që kishte kaluar në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, sesa për korrupsion. Ndërkohë që nën oficeri i ushtrisë ka treguar të gjithë skemën, se si kanë vepruar dhe për pasojë ndaj tij është vendosur një masë më e butë sigurisë si ajo e “Arrestit shtëpiak”. Ndaj ushtarakut është ngritur akuza e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ndaj dy zyrtarëve të policisë së Muriqanit, është ngritur akuza e korrupsionit. Mësohet se pas arrestimit të tyre, drejtori i policisë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Arben Sinanit dhe Adriatik Selmanit, deri në përfundim të procesit hetimor dhe atij gjyqësor. Sipas Prokurorisë së Tiranës, skemën e marrjes së ryshfetit në shumë të vogla nga të gjithë kontrollorët e doganave, funksionon thuajse në të gjithë pikat hyrëse-dalëse të Shqipërisë. Një fenomen i tillë duhet të zhduket, pasi jo vetëm që shënohen me tepër raste korruptive, por prish dhe imazhin e Shqipërisë, përballë të huajve, të cilët hapin e parë që hedhin në tokën Shqiptare, përplasen me veprimet korruptive të efektivave të policisë dhe doganierëve shqiptarë.

50 mijë

Kjo është shifra që dy kontrollorët e policisë së Muriqanit, u merrnin çdo qytetari, që kërkonte të shmangte detyrimet doganore, për mallrat e ndryshëm, që bliheshin në Malin e Zi apo dërgoheshin nga Shqipëria në këtë shtet.

 

Vlorë, abuzimi me ligjin antiduhan. Lezhë, policët merrnin para

Dy operacioni antikorrupsion në Vlorë dhe Lezhë

arrestohen specialistët e higjienës dhe dy rrugorë

Operacionet kundër korrupsionit në administratën publike, janë shtrirë gjatë ditës së djeshme, jo vetëm në Shkodër, por edhe në Lezhë dhe në qytetin e Vlorës, ku në pranga kanë rënë pesë funksionarë shtetërorë. Tre prej tyre janë punonjës të Drejtorisë së Higjienës në Vlorë, ndërkohë që dy të tjerë janë punonjës të policisë rrugore në Lezhë. Në të dyja rastet, zyrtarët e arrestuar merrnin ryshfet prej 50 mijë lekë të vjetra, në këmbim të ofrimit të favoreve për sa i përket nxjerrjes së dokumenteve, si dhe lëshimeve të bëra në kontrollet për zbatimin e ligjit antiduhan, të nxjerrë nga ministria e Shëndetësisë. Nisur nga kjo situatë janë arrestuar në orët e para të mëngjesit në kushtet e flagrancës 3 punonjës të Institutit të Shëndetit Publik në qytetin e Vlorës. Pas një pune intensive hetimore, Drejtoria e Policisë së Vlorës ka finalizuar me suksese operacionin e koduar “Rikthimi” ku u bë e mundur arrestimi i shtetasve Gazmir Bundo, Pandeli Bilbili, Afroviti Gjyli. Sipas policisë këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin duke qenë në inspektim të kushteve higjieno-sanitare në disa subjekte tregtare në qytet, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash nga pronarët e këtyre subjekteve, në këmbim të mosmarrjes së masave për ata që nuk përmbushnin kushtet dhe kriteret higjieno-sanitare, kryesisht në respektimin e ligjit antiduhan. Për pasojë, prokuroria e Vlorës, ka prerë urdhër-arrestet, duke kryer arrestimin e tre zyrtarëve ndaj të cilëve është ngritur akuza e korrupsionit. Ndërkohë që në lidhje me këto arrestime ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë. Drejtori i politikave në këtë ministri Pëllumb Pipero është shprehur se personat e akuzuar janë pushuar nga puna. Pas këtij operacioni, arrestimet kanë vijuar në qarkun e Lezhës, ku dy inspektorë të qarkullimit rrugor të Drejtorisë së Policisë së Lezhës u arrestuan nga kolegët e tyre në flagrancë, pasi në këmbim të 5 mijë lekëve i rikthyen dokumentet e automjetit një drejtuesi që kishte thyer rregullat e qarkullimit rrugor. Haki Xhixha, 49 vjeç, dhe Naim Dani, 45 vjeç, ishin vënë në përgjim prej prokurorisë së Lezhës, pasi dyshoheshin për mitmarrje. Nisur nga kjo situatë, ata janë kapur në kushtet e flagrancës dhe për pasojë kanë pranuar akuzën e ngritur.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency