Inter Morati u bërtet futbollistëve pas “turpërimit” në Londër

0
128

 Përgatiti Altin Vorpsi

interTotenhemi mposhti Interin dy net më parë me rezultatin e thellë 3-0. Ky rezultat dhe mënyra e sjelljes së lojtarëve në fushë ka “xhindosur” Moratin, që edhe në tribunë nuk kurseu kritikat ndaj të tijve

 

 

Humbja poshtëruese përballë Totenhemit duket se e ka mbushur “kupën”. Presidenti i Interit, Masimo Morati, e ka humbur durimin dhe nuk ka shmangur lojtarët pas humbjes. Në fakt, ai filloi që të shfrynte që në tribunë, kur Riki Alvarez humbi një rast të pastër për të shkurtuar rezultatin dhe për të ndryshuar rrjedhën e lojës.

 

Mediat tregojnë…

Mediat italiane tregojnë skenarë të denjë për Superligën shqiptare. Morati ka qëndruar në dhomat e zhveshjes me lojtarët për rreth 30 minuta, duke u shprehur atyre dhe teknikut të gjitha pakënaqësinë e tij për atë që kishte parë. Duke lënë mënjanë humbjen, Moratit nuk i pëlqeu paraqitja e shëmtuar e zikaltërve dhe vuajtjet që ata pësuan nga Garet Bejli me shokë. Futbollistët e Totenhemit ishin shumë më të fortë fizikisht se italianët dhe këtë e vërtetuan me duelet e fituara në fushë. Numri një i klubit akuzoi lojtarët e tij se kishin një mentalitet për të ardhur keq në mënyrën se si ata u bënin ballë situatave gjatë ndeshjes. Ekipi qe i pavëmendshëm, pa dëshirë dhe për më tepër që gaboi shumë raste goli.

 

Tekniku

Presidenti Morati gjithmonë e ka mbrojtur Stramaçonin, por në episodin e fundit, mediat italiane raportojnë se ai ka qenë kritik edhe ndaj teknikut. Në tri takimet e fundit, skuadra ka pësuar 9 gola dhe mesatarja është tri për ndeshje: 4 me Fiorentinën, 2 me Katanian dhe 3 në Londër. Trajneri është justifikuar se ka pasur probleme të grupit si pasojë e dëmtimeve. Të enjten mbrëma, vetëm Ranokia pavarësisht dhimbjes në gju, ishte në fushë.

 

Pikësynimi

Me tre golat e pësuar në Londër, tashmë synimet e Interit janë Kupa e Italisë dhe vendi i tretë në kampionat, që do të thotë pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve. Ndërkohë që ekziston shpresa për një përmbysje të tre golave ndaj Totenhemit, edhe pse të vakëta. Me dëmtimin e Militos dhe huazimin e Livajas, Kasano ka vuajtur në sulm, ndërkohë që Palasio ruhet si xhevahir nga ndonjë dëmtim i mundshëm. Por ankesat e Moratit po bëhen më të forta, ashtu si edhe nevoja për një ortak të ri, për shkak të problemeve ekonomike. Të tilla sinjale nuk janë të bukura, ndërsa të dielën, skuadra ka një sfidë delikate ndaj Bolonjës.

 

Merkato, Interi kërkon Xhekon

Interi është në kërkim të një bomberi për të zëvendësuar Diego Militon. Edhe pse drejtuesit e klubit tashmë kanë arritur një marrëveshje paraprake me argjentinasin Ikardi, sërish ata duan një tjetër bomber për repartin ofensiv. Nga Anglia vijnë lajme sa i përket të ardhmes së Edin Xhekos. Boshnjaku duket se do të largohet nga Mançester Siti dhe diçka të tillë e ka thënë vetë trajneri Roberto Mançini. Nisur nga rezultatshmëria e tij përpara portës, drejtuesit zikaltër mendojnë se ai do të ishte një përforcim shumë i mirë për ekipin. Kontaktet me menaxherin e lojtarit kanë nisur, por bisedimet janë në fillim të tyre e do të duhet kohë për të pasur diçka konkrete. Ndërkohë që Ruben Bota është gjithmonë e më afër zikaltërve. I ati i talentit argjentinas ka qenë dje në klub, ku është folur për transferimin dhe për anën financiare të lëvizjes.

 

 

 

Merkato

Fergi, tifozëve: Runi qëndron këtu

Aleks Fergusoni u ka premtuar tifozëve të Mançester Junajtidit se Uejn Runi nuk do të nxirret në shitje dhe do të jetë pjesë e kësaj skuadre edhe në sezonin e ardhshëm. Trajneri skocez bëri të lindin shumë spekulime mbi të ardhmen e sulmuesit anglez kur e la në stol në ndeshjen kundër Real Madrid, por ai insiston se as që i ka shkuar ndër mend ta nxjerrë në shitje në verë. “Ai do të jetë këtu edhe vitin e ardhshëm. Këtë jua premtoj. Çështjet që janë shkruar në gazeta janë të gjitha spekulime të kota. Nuk ka asnjë lloj problemi mes meje dhe Runit. Është i pakuptimtë sugjerimi se ne nuk flasim me njëri-tjetrin në stërvitje. Ai i kuptoi arsyet pse nuk u aktivizua, të cilat ishin krejtësisht taktike dhe unë mendoj se kisha të drejtë për atë ndeshje”, – tha trajneri i Mançester Junajtidit. “Deni Uellbek është lojtari më i mirë që kemi për sa i përket rolit të dubluesit. Na duhej të mbytnim aftësinë e Ksabi Alonsos për të kontrolluar ndeshjen, gjë të cilën Dani e bëri duke mos i dhënë mundësinë Alonsos të kthehej në një lojtar shtesë sulmi. Jo gjithmonë gjejmë formacionin e duhur por të martën ne e gjetëm. Mendoja se do të kritikohesha më shumë se kisha lënë jashtë Kagauan pasi shënoi tre gola, jo për Runin”, – shtoi trajneri skocez, i cili në fund pranoi se kishte qenë shumë i tensionuar pas ndeshjes me Realin e për këtë arsye nuk kishte preferuar të fliste me mediat. “Është shumë e vështirë të qëndrosh i qetë kur të ndodhin gjëra të tilla. Ndaj Mik ishte personi i duhur për të folur. Shfrytëzova atë kohë për të folur me Zhozenë, të pija një gotë verë dhe të qetësohesha pak”, – deklaroi trajneri skocez.

 

Rrëfimi

Xhakir: Veprova mirë

Gjyqtari turk Xhunei Xhakir, në qendër të polemikave për ndeshjen mes Mançester Junajtidit dhe Real Madridit në Ligën e Kampioneve, ka folur për herë të parë rreth ngjarjes së diskutuar të kartonit të kuq të dhënë ndaj portugezit Luis Nani. Sipas tij, vendimi për largimin e lojtarit të Mançester Juanjtidit me karton të kuq ishte plotësisht i drejtë. “Mendoj se kam gjykuar mirë dhe nuk kam asnjë dyshim për vendimet e mia. Kartoni i kuq i dhënë ndaj Nanit ishte vendim korrekt. Me kalimin e kohës, e gjithë bota do ta kuptojë të drejtën”, – ishin fjalët e tij për gazetën spanjolle “AS”. Në Angli ai është kthyer në një armik publik, pasi mediat në këtë vend kanë bërë të ditur se ai ka hesape të hapura me ekipet angleze. Në listën e viktimave Xhakir ka përfunduar edhe Xhon Terri që u ndëshkua me karton të kuq në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve të vitit të kaluar. Dy vite më parë, ai ndëshkoi me karton të kuq Mario Balotelin në ndeshjen mes Mançester Sitit dhe Dinamo Kiev, ndërsa po prapë me karton të kuq ka ndëshkuar Stiven Xherard në ndeshjen e Euro 2012 kundër Ukrainës dhe Geri Kahill në finalen e Botërorit për klube mes Çelsit dhe Korinthians. “Në të gjitha takimet e mëparshme të skuadrave angleze që kam drejtuar, asnjë përjashtim nuk ka qenë i padrejtë. Cili vendim ishte i gabuar? Kartoni i kuq ndaj Terri apo Balotelit? Mendoj se nuk kam bërë gabim që kam nxjerr kartonin për t’i përjashtuar. Kritikat nuk më krijojnë asnjë lloj trishtimi. Nuk mendoj për to. Kam marrë kritika edhe më parë por gjithmonë kam arritur të ringrihem. Mund ta bëj përsëri. Dua që të bëj sa më mirë punën time dhe do të vazhdoj në këtë rrugë pasi mendoj se po bëj një punë të shkëlqyer”, – ishte prononcimi i gjyqtarit turk.

 

Spanjë

Adriano: Ramosi më rrëzoi

Mbrojtësi brazilian i Barcelonës, Adriano Korreia, ka dashur të sqarojë personalisht situatën e minutave shtesë në takimin e javës së kaluar kundër Real Madridit, kur ai u rrëzua në zonë dhe katalanasit kërkuan penallti. “Unë nuk u hodha, ishte penallti pasi Ramos më goditi me shkelm. Por tani të lëmë këto polemika, ndeshja me Realin ka kaluar”, – deklaroi mbrojtësi i cili është shfaqur mjaft i bindur për atë që ndodhi në fund të takimit të kampionatit, në kundërshtim nga kolegu i tij te madrilenët që pretendon se nuk i kujtohet nëse kishte kontakt apo jo mes të dyve. Por duket se katalanasit po mundohen tashmë të përqendrohen vetëm te sfida ndaj Milanti në Ligën e Kampioneve dhe për këtë arsye, duan të evitojnë çdo polemikë të mundshme që i shpërqendron. Kjo është vënë re edhe nga konferenca për shtyp e Çesk Fabregas, i cili ka bërë të qartë se ishte e kotë tani të shihej se çfarë bënte Real Madrid. “Nuk ka si të na krijojë trysni kualifikimi në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve nga Real Madrid. Kur luan për të fituar trofeun, nuk ka rëndësi nëse kalon apo jo Reali, pasi ajo që duam është të shkojmë në finale dhe nuk ka rëndësi kundër kujt do të luajmë. Fjalët e Murinjos pas ndeshjes me Mançesterin? Të gjithë e dimë se si është ai. Për mua nuk ka rëndësi nëse flet për Barçën apo për Pepen”, – ishin fjalët e spanjollit që ka preferuar të injorojë rivalët historikë të katalanasve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency