Dita e gruas Topalli: Nënat do votojnë për Shqipërinë evropiane, s’ia falin “rilindasit Edvin” bllokimin e statusit

0
146

Florenc Drizari

topalliQindra e mijëra gra, nëna e vajza të reja festuan në një aktivitet madhështor në Pallatin e Kongreseve 8 Marsin, Ditën e Gruas

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, organizoi dje një aktivitet festiv në ambientet e Pallatit të Kongreseve me rastin e 8 Marsit. Nën tingujt e muzikës “Victory” mijëra gra, nëna e vajza të reja festuan ditën e 8 Marsit, ndërsa kryetarja Topalli shprehu mirënjohje dhe vlerësim për të gjithë kontributin e tyre në shoqëri dhe premtoi një të ardhme më të mirë në saj të qeverisjes së djathtë në mandatin e ardhshëm. “Çdo nënë sot, përqafimin më të shtrenjtë, lulen më të bukur, buzëqeshjen më të sinqertë e ka marrë në mëngjes herët, nga djali e vajza e saj. Çdo bashkëshorte sot, merr urimin e veçantë, fjalën e mirë, çdo gjyshe gëzon sot ditën e 8 Marsit, me dhuratën e vogël e gëzimin e festës nga mbesat e nipërit e saj”, – tha Jozefina Topalli”.
Kryetarja e Kuvendit vijoi më tej duke evidentuar edhe disa nga arritjet kryesore të qeverisjes aktuale, mundësia e të cilave sipas saj ka rritur mirëqenien dhe angazhimin e grave në vendimmarrje. “A nuk është mbështetje për çdo grua që merr nën 300 $ heqja e tatimit mbi të ardhurat personale, a nuk është kjo një rrogë më shumë për çdo grua e burrë? Po heqja e TVSH-së dhe të çdo tarife doganore mbi çdo gjë që përdoret për prodhimin dhe nxitjen në industri, në bujqësi, në agrobiznes, në artizanat? A nuk ndihmon me qindra e mijëra gra që punojnë në këtë sektor? A nuk rrit kjo më shumë prodhimin, të ardhurat e mirëqenien e familjeve shqiptare? A nuk sjell kjo ndryshim? A nuk është për një shoqëri, shëndeti i parë, themelor?”, – deklaroi Jozefina Topalli.

PËR RAMËN
Kryetarja e Kuvendit nuk la pa përmendur edhe ngërçin politik që ekziston mes mazhorancës dhe opozitës për votimin e tri ligjeve, të vëna si kusht për marrjen e statusit nga Brukseli që në muajin tetor të vitit të ardhshëm. Duke folur për refuzimin e statusit nga BE-ja për shkak të mosgjetjes së konsensusit politik, Topalli etiketoi kryesocialistin Edi Rama si përgjegjësin kryesor të integrimit. Sipas saj, nënat shqiptarë në zgjedhjet e 23 qershorit do të votojnë për Partinë Demokratike dhe nuk do t’ia falin Ramës bllokimin e integrimit. “Historia e gruas është historia e vendit. Historia e nënës është historia e kombit. Unë e di se në zgjedhjet e ardhshme shumica e grave, bashkë me fëmijët e tyre do votojnë për Kryeministrin Sali Berisha. Jam e sigurtë se nënat nuk ia falin atij që e quan veten rilindas, “rilindasit Edvin”, që duke bllokuar votimin e tre ligjeve la vendin pa status, i hoqi Shqipërisë miliona euro, i hoqi fëmijëve studentë bursa të panumërta. Nënat janë të parat që prekin ndryshimin. Nëna nuk lejon të kthehemi mbrapa. GRUAJA shikon vetëm përpara. Nënat e jo vetëm ato, do votojnë për një Shqipëri të zhvilluar, për një Shqipëri evropiane. Ato e dinë më mire se kushdo se Kryeministri ynë e mban fjalën, se ai nuk ndalet, se ai e do kombin, se ai ia del për të çuar përpara vendin tonë të dashur, atdheun tonë të shtrenjtë, Shqipërinë tonë të bukur”, – deklaroi nga Pallati i Kongreseve kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

 

 

Topalli: Mirënjohje për të gjitha ato gra që vuajtën terrorin komunist

Në aktivitetin e djeshëm të organizuar nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në Pallatin e Kongreseve, një simfoni pianoje shoqëroi ekspozimin e një seti fotografik e pamjesh filmike ku u shfaq gruaja shqiptare me kapërcimin e vështirësive gjatë diktaturës, arritjet dhe e ambiciet e saj, gruaja lidere në shtëpi, në biznes, në politikë, në art, në kulturë etj. Në fjalën e saj z. Topalli shprehu nderimin dhe përuljen për të gjitha ato gra që vuajtën terrorin komunist. “Ne nderojmë gruan që i mbijetoi diktaturës, nënën që ushqeu, rriti dhe edukoi e vetme fëmijën, kur bashkëshorti i saj dergjej burgjeve e internimeve. Ato gra, që herë fustanin nuk duhet ta mbanin të gjatë dhe njëherësh as të shkurtër; ato që s’duhet të këndonin as këngën e dashurisë, as Beatles-at, as George Michael-in; vajzat e gratë që sistemi i ndalonte të kërcenin rock and roll… ato që s’duhej as të dashuronin”, – u shpreh Jozefina Topalli.

 

Sequi, deputeteve: Respektoni barazinë gjinore në zgjedhje

Në ditën ndërkombëtare të gruas, gjatë një takimi pune me deputetet shqiptare, ambasadori i Bashkimit Evropian, në Tiranë, Ettore Sequi duke i cilësuar ato si model suksesi u kërkoi që të përpiqen, për një përfshirje sa më të madhe të grave në listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 23 qershorit. Ambasadori Sequi, theksoi se Shqipëria mund të ecë para në këtë drejtim, pasi kujtoi se kur ajo lejoi gratë të votojnë, në 1920, e bëri këtë 24 vjet më herët se Franca dhe 51 vjet me herët se Zvicra. “Sa më i madh të jetë numri i grave në parlament, aq më të suksesshme do të jeni ju përsa i përket trajtimit të dhunës në bazë gjinore, të diskriminimit. Duhet të punoni fort që të respektohen dispozitat e kodit zgjedhorë”, – tha Sequi. Në parlament gratë përfaqësojnë 16.7% të tij, ndërsa në nivel drejtuesish vendorë në masën 1.31%. Në bazë të kodit zgjedhor partitë politike kanë detyrimin që për zgjedhje, 30% të listave të kandidatëve të jenë gra. Por drejtuesit e partive, deri tani nuk e kanë zbatuar më përpikmëri këtë kërkesë të kodit. Ndërkaq, me ndryshimet e bëra me konsensus në kodin zgjedhor mes dy partive të mëdha PD e PS, ekziston mundësia e “shkeljes” së kuotës së barazisë gjinore në listat emërorë për zgjedhjet e 23 qershorit. Gjatë një vendimi që u mor disa javë ma parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thuhet se nëse partitë politike nuk plotësojnë kriteret gjinore në listat e tyre, atëherë komisioni ua kthen listën partive për ta rishikuar dhe nëse sërish lista paraqet mangësi nga ana e tyre, atëherë KQZ merr masa disiplinore me gjoba, por në fund duke e pranuar listën e ardhur nga subjektet zgjedhore.

 

8 Marsi, Nishani pret gratë gjyqtare në presidencë

Presidenti i Republikës priti dje pasdite në Presidencë gratë gjyqtare, me rastin e festës së 8 Marsit. Gjithashtu kreu i shtetit në fjalën e tij të rastit çdo grua, nënë e vajzë shqiptare. “Është padyshim një kënaqësi që sot jam në ambientet e Presidencës me gjyqtaret e Republikës. Më lejoni që duke adresuar këtë urim, juve zonjave të nderuara që keni marrë përsipër një detyrë të rëndësishme, atë të dhënies së drejtësisë më lejoni t’ju uroj të gjitha juve, por edhe nënat, gratë, motrat shqiptare kudo që ndodhen”, tha Nishani. Presidenti vlerësoi se sot profili i gruas shqiptare ka ndryshuar, ajo nuk është më vetëm gruaja e fortë që punonte pambarim si në kohën e diktaturës, por sot ka fituar edhe brishtësinë femërore. “Sot në ditën e 8 Marsit kur gratë kujtojnë vlerat, të drejtat dhe arritjet e tyre ja vlen të theksoj se profili i gruas shqiptare është një grua e fortë, dhe që ka fituar atë brishtësinë që i ishte shkatërruar gjatë diktaturës. Nuk besoj se ka ndonjë grua, që sot është gjyshe dhe s’i kujton vuajtjet e rinisë, punën e rëndë më shumë se burrat ndonjëherë”, shtoi Nishani.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency