Zhdukja e pikturave, Xega: Niko Peleshi ia dhuroi njërën nga pikturat kryebashkiakut të Selanikut

0
134

Sonja Caka

xegaPiktori, akuza ish-drejtorit Topi dhe magazinierit Nico për vjedhje dhe shitje të pikturave. Ish-drejtori akuza të ndërsjella për Xegën

 

Merr një tjetër kthesë procesi gjyqësor për zhdukjen e 60 pikturave, 27 prej të cilave nga fondi i piktorit të njohur Vangjush Mio, të cilat gjendeshin në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” në Korçë. Ish-përgjegjësi i galerisë Sotiraq Xega ka dëshmuar se një nga pikturat e Mios i është dhënë kryebashkiakut të Korçës, Niko Peleshi, i cili ia ka dhuruar atë kryebashkiakut të Selanikut. Nga dëshmia e lexuar prej prokurorit Elsjon Sadikaj, mësohet se Xega ka hedhur dyshime të forta për vjedhje pikturash nga ana e ish-drejtorit Vladimir Topi dhe ish-magazinierin Vaskë Nico. Dyshimet e përgjegjësit Xega të dhëna para gjykatës janë lexuar nga prokurori pas akuzave të ish-drejtorit Topi kundër përgjegjësit për gati 10 vjet të kësaj galerie. Sipas Xegës, pikturat e Mios janë vjedhur, dhuruar apo shitur nga ish-drejtori Topi. Më tej në dëshminë e tij, ai është shprehur se pikturat nuk janë ruajtur asnjëherë ashtu si duhej të ruheshin, duke u lënë pas dore. Lidhur me pozicionin e tij, piktori Xega është shprehur se fondin e galerisë e ka marrë në mirëbesim dhe e ka ruajtur me fanatizëm për gati 10 vjet. Më tej ai ka dëshmuar një moment, kur ka gjetur magazinierin Nico dhe një specialist çelësash duke tentuar të shqyenin derën ku ndodheshin pikturat. Ata i janë justifikuar se kanë ngatërruar derën që donin të shqyenin. “Për këtë fakt kam vënë në dijeni drejtorin por ky më tha që nuk ka gjë. Kjo është arsyeja që unë dyshoj se vjedhjet janë kryer nga ish-drejtori Topi dhe Vaskë Nico” ka përfunduar dëshminë piktori Xega, i pandehur në një tjetër gjykim për “Shpërdorim detyre”.

Dëshmia

Ndërkohë, para gjykatës ka dëshmuar dje edhe i akuzuari i8 dytë për zhdukjen e pikturave, Vladimir Topi, në cilësinë edhe të ish-drejtorit të kësaj galerie në kohë kur ka ndodhur ngjarja, ka akuzuar përgjegjësin Sotiraq Xega për mungesën e këtyre pikturave, duke hequr në këtë mënyrë përgjegjësinë nga vetja. Përgjigjet e tij kanë ardhur pas pyetjeve të prokurorit të çështjes Elsijon Sadikaj, i cili ka kërkuar me insistim nga i pandehuri detaje rreth mënyrës së ekspozimit dhe kartelizimit të pikturave. Ish-drejtoi i galerisë Vladimir Topi është shprehur se Sotiraq Xega nuk ka qenë pjesë e strukturës së galerisë. Sipas tij, kartelizimi i pikturave ka nisur në vitin 1999, por, sipas tij, jo të gjitha pikturat janë në kartelë. “Mbase janë lënë pas dore ose procesi ka qenë në vijim. Të gjithë që vinin kontaktonin me Xegën” është shprehur i pandehuri Topi, duke vijuar se “pikturat janë ekspozuar dhe jashtë vendit dhe janë rikthyer. Nga ana e punonjësve ka pasur një neglizhim për kartelizimin e pikturave. Para 5 viteve galeria kishte roje, ndërsa tani ka sistem alarmi”.

Ngjarja

Vitin e kaluar në galerinë e arteve “Guri Madhi” të qytetit të Korçës, u zhdukën 60 piktura, 27 prej të cilave i përkisnin piktorit të popullit Vangjush Mio. Piktori Sotiraq Xega dhe ish-drejtori i galerisë Guri Madhi në Korçë Vladimir Topi akuzohen për shpërdorim detyre pas zhdukjes së 60 pikturave nga fondi i Galerisë. Ndërkohë pas ndarjes së çështjeve nuk dihet ende se kur do të rifillojë sërish gjyqi ndaj përgjegjësit, Sotiraq Xega, i cili ndodhet në Tiranë për arsye shëndetësore.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency