Udhëzimi i plotë, 4 hapat që duhen ndjekur për të plotësuar formularin A1

0

 Driçim Çaka

maturanteFormulari duhet të plotësohet në bashkëpunim me “mbikëqyrësin”

Të dhënat që duhen pasur kujdes

 

 

Pas publikimit të formularit A1, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar udhëzimin e plotë me të gjithë hapat që duhen ndjekur. Plotësimi i formularit fillon në portalin qeveritar dhe përfundon në portalin “matura online” në shkollën që është caktuar nga Drejtoria Arsimore. Procesi i plotësimit ndiqet nga një person i quajtur “mbikëqyrës” që ngarkohet nga drejtoria e shkollës. Hapi i parë është zbulimi i formularit online, i cili mund të bëhet nga kandidati ose në bashkëpunim me mbikëqyrësin.

 

Të dhënat personale (plotësohen nga maturantët)

 

Tek pika 1 maturanti shënon numrin personal që ka në dokumentin e identifikimit. Për të dhënat e tjera maturanti bën plotësimin, sistemi bën verifikimin e tyre dhe nuk lejon të aplikohet nëse ka pasaktësi. Tek pika 6 maturanti shënon numrin e telefonit dhe adresën e email-it, të cilat nuk duhet të ndryshohen deri në fund të procesit të Maturës Shtetërore 2013. Në rastet kur maturanti nuk ka telefon ose nuk dëshiron të shënojë numrin e tij, do të jetë mbikëqyrësi që do të shënojë numrin e tij dhe do të jetë përgjegjës për informacionet që do të marrë kandidati.

 

Të dhënat shkollore (plotësohen në bashkëpunim)

 

Të dhënat shkollore do të plotësohen në bashkëpunim me mbikëqyrësin e sallës ku bëhet aplikimi.

Maturanti plotëson: Prefekturën që përfshin shkollën ku studion. Emri i qytetit ose fshatit plotësohet automatikisht nga sistemi. Më pas zgjidhet emri i shkollës ku studiohet. Maturanti gjithashtu plotëson emrin e klasës dhe paralelin e klasës ku po studion.

Mbikëqyrësi plotëson: Pikën 10, indeksin e profilit, i cili jepet automatikisht nga sistemi. Po kështu plotëson emrin e profilit/degës

 

Të dhënat lëndore (plotësohen nga maturanti)

 

Nga lista maturanti zgjedh 2 lëndët me zgjedhja me të cilat do të konkurrojë për në shkollën e lartë. Për zgjedhjen e lëndëve duhen pasur parasysh këto kushte:

-Numri i lëndëve që do të zgjidhen duhet të jetë detyrimisht 2

-Shuma e krediteve të dy lëndëve duhet të jetë jo më e vogël se 8

-Kur zgjidhet një lëndë bërthamë nuk mund të zgjidhet ë njëjta lëndë e thelluar (përjashtuar lëndët e detyruara)

-Çdo maturantë mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja të ndryshme me kusht që njëra të trajtohet si gjuhë e parë dhe tjetra si gjuhë e dytë, pavarësisht nëse e ka bërë në shkollë lëndët që do të zgjedhë.

-Maturantët e shkollave artistike dhe të shkollave profesionale mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët

 

 

7 Marsi, Tafaj uron nga Facebook-u mësuesit

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka zgjedhur një mënyrë krejt të veçantë për të uruar 7 Marsin. Nëpërmjet rrjetit social Facebook, Tafaj uron të gjithë mësuesit për festën duke vlerësuar arritjet e tyre në kontributin për të mësuar brezat e ardhshëm.

“7 Marsi, dita e nderimit të mësuesit, më jep kënaqësinë t’ju përcjell me shumë respekt dhe mirënjohje urimet më të sinqerta për Ju, familjet tuaja dhe nxënësit e studentët që mësoni.
Me punën, pasionin e dashurinë për profesionin, për dijet, për nxënësit dhe studentët, Ju i keni dhënë një vizion të ri traditës së shkëlqyer të arsimit kombëtar. Me vullnetin dhe këmbënguljen që Ju karakterizon për të realizuar misionin tuaj fisnik, çdo orë e ditë pas dite, Ju po provoni se me mençuri keni garantuar suksesin e reformës arsimore të qeverisë “Berisha”.
Bashkërisht, me kontributin Tuaj të vyer, ne po e afrojmë, çdo vit e me shumë arsimin tonë me standardet më të mira të arsimit evropian. Ju meritoni një përshëndetje të veçantë për të gjitha arritjet e këtyre viteve në fushën e arsimit.
Rruga e reformimit të sistemit tonë arsimor është e gjatë dhe e vështirë. Ne kemi provuar se kemi ditur t’ia dalim dhe po ia dalim me sukses.
Ju jeni siguria e procesit të pandalshëm të modernizimit të arsimit dhe të rritjes cilësore të tij”, – thuhet në mesazhin e ministrit të arsimit. 

 

Përdorimi i celularëve, rritje 15 për qind brenda një viti

Përdorimi i telefonisë celulare njohu një rritje të mëtejshme gjatë vitit 2012. Sipas Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, përdorimi mesatar mujor i shërbimeve celulare nga përdoruesit aktivë ishte 319 minuta, me një rritje prej 15% kundrejt vitit të mëparshëm. Trafiku mesatar i thirrjeve dalëse ishte 152 minuta për abonent, me një rritje 17% kundrejt vitit paraardhës, ndërsa çdo abonent për vitin 2012 kreu mesatarisht 168 minuta thirrje hyrëse, me një rritje vjetore 15%.

Çdo përdorues aktiv dërgoi mesatarisht 35 mesazhe të shkruara në muaj, me një rritje vjetore 83%. Thirrjet brenda rrjetit përbëjnë 93% të totalit të thirrjeve dalëse, çka reflekton një vazhdimësi të tendencës së viteve të fundit për përdorim të madh të paketave tarifore me tarifa shumë të ulëta për thirrje brenda grupit apo brenda rrjetit. Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare, që teknikisht cilësohen ata që kanë kryer një thirrje në tre muajt e fundit, arriti në 3.5 milionë, me një rritje prej 12% krahasuar me fundin e vitit 2011. Zhvillimi dhe rritja e përdorimit të telefonisë celulare u shoqërua edhe në vitin 2012 me rënie të telefonisë fikse.

Në fund të vitit, baza e abonentëve u pakësua me rreth 27 mijë vetë. Sipas të dhënave të AKEP, gjithsej telefonia fikse kishte 312 mijë abonentë, 8% më pak krahasuar me vitin 2011. Rënia ka ardhur kryesisht për shkak të reduktimit të numrit të pajtimtarëve të Albtelecom me 29 mijë vetë, ndërsa numri i abonentëve të operatorëve alternativë ka pasur një rënie mjaft të lehtë. Tendenca në ulje e numrit të pajtimtarëve të telefonisë fikse po ndjek në fakt atë të vendeve të Bashkimit Evropian. Por, norma e penetrimit të telefonisë fikse në Shqipëri, 11%, vazhdon të jetë shumë e ulët krahasuar me vendet e BE, që kanë një mesatare penetrimi prej 40%.