Paketa e reformave Hiqet TVSH-ja dhe dogana për makineritë, Berisha: Rritet prodhimi e punësimi

0
144

Ina Jano

bero...Kryeministri deklaroi se vendimet e djeshme të qeverisë do ta shndërrojnë këtë mbledhje në një ditë të madhe, për shkak të reformave të rëndësishme që u morën

 

 

Kreu i qeverisë shqiptare njoftoi dje heqjen e TVSH-së dhe doganës për të gjitha makineritë bujqësore që do të përdoren nga fermerët shqiptarë. Nga mbledhja e përjavshme e kabinetit qeveritar, Berisha tha se kjo do t’i shërbejë rritjes së prodhimit dhe të punësimit në të gjithë vendin. Duke e cilësuar si një mbledhje të reformave të mëdha dhe që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve për të gjitha ndryshimet e marra, udhëheqësi i ekzekutivit pohoi se do të vijojnë të ndiqen praktika të tilla,për të fuqizuar ehe më tej ekonominë shqiptare. “Kjo mbledhje do të mbetet në memorien e mureve të kësaj salle si mbledhja e vendimeve më të rëndësishme për reformat në këtë vend. Pas një debati të gjatë me grupe interesi, me specialistë më të mira të fushave, qeveria vendos sot heqjen e taksave mbi çdo gjë që shërben për të rritur prodhimin dhe në funksion të tij. Në këtë mënyrë, qeveria shqiptare shkon në postulatin e qëndrimit ideal të nxitjes së prodhimit. Ne besojmë se kjo është rruga më e fuqishme për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Sot ne vijmë me listën më të plotë. Në rast se ka mbetur ndonjë gjë jashtë saj, ajo në frymë, në parim është në listë dhe vendosja e saj është vetëm çështje burokracie dhe e pashmangshme. Duke e kompletuar me heqjet e reja të TVSH-së dhe çdo lloj tarife doganore për këto makineri, mjete, impute, produkte, besojmë se i japim një nxitje të madhe prodhimit në Shqipëri”, – tha Berisha.

Në prezantimin e paketës Kryeministri u shpreh se pas suksesit të politikave ekonomike dhe fiskale të qeverisë në ruajtjen e stabilitetin makroekonomik, ruajtjen e rritjes ekonomike, mbajtjen nën kontroll të borxhit e inflacionit, kjo paketë ishte një thirrje e kohës dhe përfshin heqjen e taksave mbi çdo gjë që shërben për të rritur prodhimin dhe në funksion të tij. Gjithashtu duke u ndalur në efektet pozitive që do të sjellë heqja e TVSH-së dhe tarifës doganore për makineritë bujqësore, kryetari i qeverisë pohoi se ato do të jenë të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme. Kështu rritja e punësimit, por edhe ajo e prodhimit do të ndikohen në mënyrë të menjëhershme nga reformat e ndërmarra nga ekzekutivi dhe të përgatitura pas konsultimeve me ekspertë të shumtë. “Në mënyrë që ekonomia shqiptare të rritet, në mënyrë që shqiptarët të punësohen në vendin e tyre, janë jetike ndërhyrjet në dy drejtime themelore. Së pari, të nxitjes së prodhimit nëpërmjet heqjes së çdo takse e tarife për gjithçka i shërben atij direkt. Së dyti, ndërhyrja jonë madhore është në drejtim të krahut të punës. Në përputhje me normat e standardet ndërkombëtare, krahu i punës në Shqipëri është fleksibël dhe është një ndër më të kualifikuarit e të leverdishmit, por prapë ka vend për përmirësim. Ndërhyrja që bëmë duke hequr tatimin mbi të ardhurat personale prej 10 për qind për pagat deri në 30 mijë lekë dhe duke marrë përsipër përballimin e të gjitha taksave për tre vjet për punësimin e të rinjve janë reforma shumë të rëndësishme të krahut të punës që do të kenë ndikim të madh në punësim”, – theksoi kreu i mazhorancës. Zoti Berisha e vuri theksin edhe në kujdesin e madh që është treguar në mosdëmtimin e prodhimit vendas. Ai dha shembullin e rastit të Lushnjës: “Për shembull, përjashtimi i farës së grurit u prit shumë mirë nga fermerët e Lushnjës, sepse ka mundësi të prodhohet në vend, por edhe e prodhuar në vend do të shitet pa TVSH. Pra, çdo gjë në funksion të prodhimit. Duke e kompletuar me heqjet e reja të TVSH-së dhe çdo lloj tarife doganore për këto makineri, mjete, impute e produkte besoj se i japim një nxitje të madhe prodhimit në Shqipëri”. Kryeministri nuk la jashtë vëmendjes edhe konferencës e zhvilluar dy ditë më parë në lidhje me peshkimin dhe përsëriti premtimin e bërë gjatë aktivitetit, se shumë shpejt qeveria do të hartojë një plan kombëtar të detajuar, me anë të të cilit do të synohet rritja dhe shfrytëzimi i kësaj pasurie.

 

 

Kryeministri takon ambasadorin e Tajlandës: Intensifikim të marrëdhënieve mes vendeve

Kryeministri Berisha takua me ambasadorin e ri të Tajlandës, Surapit Kirtiputra. Shefi i qeverisë i shprehu ambasadorit të Tajlandës gatishmërinë dhe interesin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar marrëdhënie të ngushta dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në dobi të të mirës së dy popujve dhe vendeve. Në takim u shpreh vendosmëria për të intensifikuar kontaktet në nivelet më të larta politike midis dy vendeve, por edhe mes Dhomave të Tregtisë dhe grupeve të biznesit dhe investitorëve, duke i vlerësuar fushat e industrisë, turizmit, fushën minerare, të energjisë, në veçanti atë hidrike, si sektorë potencialë të bashkëpunimit midis dy vendeve, në të ardhmen. Ambasadori i Tajlandës, zoti Kirtiputra, i shprehu Berisha vlerësimet për zhvillimet e rëndësishme ekonomike që Shqipëria ka arritur, në dallim të qartë nga trend-y evropian, por edhe nga shumë vende të rajonit. Ai që viziton Shqipërinë, theksoi ambasadori, dallon menjëherë dinamikën e madhe të zhvillimit në të cilën është përfshirë vendi, kur sheh infrastruktura të mëdha dhe moderne të zhvillimit urban dhe atmosferën e përgjithshme pozitive nga e cila rrethohen vizitorët dhe investitorët që vijnë në Shqipëri. Në këtë kontekst, Ambasadori i Tajlandës vlerësoi reformat e rëndësishme të realizuara nga qeveria shqiptare në fushën ekonomike, krijimin e klimës më të favorshme për biznesin dhe investimet, me të cilat e njohu Kryeministri Berisha. Duke i shprehur shefi të ekzekutivit urimet më të përzemërta për vazhdimësinë e suksesit të punës së qeverisë, në të gjitha këto fusha, Ambasadori Kirtiputra i shprehu gjithashtu edhe urimet më të mirat për suksese në zgjedhjet e qershorit.

 

 

Ndoka: Ja kandidatët për deputetë të PDK-së

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ka bërë dje publike listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Kështu, nën siglën e kësaj partie në Gjirokastër kandidojnë Perlat Kalemi, Gëzim Proko, Lulzim Sula, ndërsa në Vlorë: Baki Jazaj, Dhimitraq Lapa. Për qarkun e Fierit janë në garë Xhemil Hoxha dhe Gazmend Qela. Për qarkun Beratit do të jenë kandidatë potencialë Lorenc Mato dhe Përparim Harizaj. Ndërsa për Elbasanin pesë kandidatët e deritanishëm janë Agron Goga, Rezart Kovaci, Xhemal Bregu, Rudi Bardhoshi dhe Renato Minoli. Në qarkun juglindor të Korçës nga i cili dalin 12 deputetë emrat deri në këto momente të bërë publikë nga zoti Ndoka janë: Ilo Jatagani, Arjan Mema, dhe Gjergji Malush. Në qytetin bregdetar të Durrësit janë në garë Zef Cupi, Manjola Memini, Skënder Koni, Shaban Kaziu, Haki Mavriqi. Duket se për Tiranën pavarësisht të gjithë listës që duhet të plotësuar deri më tani, Frrok Gjini, Ndue Shpani, Agron Laci, dhe Agim Pisli. Nën siglën e PDK-së do të kandidojnë Preng Luli, Ferdinand Jaku, Cesk Kalaj dhe Nikolin Bardhoku për qarkun e Shkodrës, ndërsa për Lezhën Alfred Daci, Zef Doda, dhe Vasil Bici. Për qarkun e Dibrës kandidon Avni Buci, Abedin Paci, Sami Bruci, dhe Kujtim Martani. I fundit në listën e qarqeve është Kukës ku në garë do të jenë Nebi Ramallari, Dem Brati dhe Binak Pepkola.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency