Kupa e Shqipërisë, Laçi, mes polemikash, lë jashtë Flamurtarin

0
137

Altin Vorpsi

kupaNë Kurbin vendasit mundën 3-2 Bylisin

Flamurtarit nuk i mjaftuan 3 golat që i shënuan Teutës

 

 

Skema e zgjedhur nga Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka qenë ajo e duhura. Edhe këtë vit çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë kanë ngritur polemika që me shumë mundësi do të duhen shumë kohë për t’i lënë pas. Tetë skuadrat që morën pjesë në këtë fazë, u ndanë në dy grupe. Prej tyre do të kualifikoheshin për më tej dy vendet e para të çdo grupi. Pikërisht këtu lindi gjithçka. Sa i përket grupit A, nuk pati shumë mister, pasi përveç Skënderbeut u kualifikua lehtësisht edhe Kukësi. Ndërkohë, në grupin B lindën të gjitha polemikat. Skuadrat që bënin pjesë ishin të barabarta dhe kjo bëri që gjithçka të vendosej prej ekipeve që nuk pretendonin për gjë.

 

Grupi A

Në Kukës ishte Abdurrahmani që shënoi dy gola për vendasit, ndërkohë që verilindorët reaguan ashpër duke shënuar tre gola. I riu Tahirllari bëri dopjetë duke ekuilibruar shifrat. Për golin e fitores mendoi braziliani Fernando de Souza që i vuri “vulën” këtij ballafaqimi, për t’i dhënë fitoren e radhës në këtë raund Skënderbeut, i cili i mbyll i plotë çerekfinalet, me 18 pikë në 6 ndeshje. Për t’u veçuar, sa i takon Skënderbeut, është aktivizimi si titullar i Erbim Fagut, i rikthyer nga një dëmtim i gjatë, dhe debutimi i lojtarit nga Mali, Bakary, që la mbresa shumë të mira. ndërkohë që në ndeshja e Peqinit është luajtur sa për statistikë, me vendësit që e kishin mendjen te mbijetesa në kampionat, ndërsa krutanët e kanë shfrytëzuar këtë 90-minutësh si një test miqësor në kuadër të Superiores. Miqtë kanë shënuar dy gola në pjesën e parë, me mbrojtësin Xhafa dhe të riun shkodran Shaba, duke i mbyllur këto çerekfinale të kupës me 6 pikë, të parafundit në grup, duke e lënë të bardhë kolonën e peqinasve në këtë raund të kompeticionit në fjalë.

 

Grupi B

Flamurtarit nuk i mjaftoi fitorja e thellë 3-0 me Teutën, për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, pasi rezultati I dyshimtë i takimit Laçi-Bylis u dha të drejtë këtyre dy skuadrave për t’iu bashkuar Skënderbeut dhe Kukësit në turin pasardhës. Vlonjatëve u nevojitej një fitore e thellë 5-0 për të mos u varur nga rezultati i takimit të Laçit, por kjo goleadë rezultoi e pamundur për t’u arritur. Në fillim të pjesës së dytë Memelli dhe Veliu i dhanë avantazhin e dyfishtë skuadrës vendase, ndërsa në të 80-ën sërish Memelli vulosi fitoren 3-0 të vlonjatëve nga pika e bardhë. Gjithsesi, kjo fitore e thellë nuk mjaftoi për kualifikimin e Flamurtarit, pasi Laçi-Bylis u mbyll me shifrat 3-2. Në fund të këtij 90-minutëshi, trajneri I Flamurtarit, Ernest Gjoka, falënderoi futbollistët e tij për shpirtin e garës, por akuzoi Laçin dhe Bylisin se e kishin fiksuar rezultatin e përballjes mes tyre.

 

 

Reagimi i Gjikës

Për atë që ndodhi në Laç, reagoi fort edhe presidenti i Flamurtarit, njëkohësit edhe kryetarë i Bashkisë së qytetit të Vlorës, Shpëtim Gjika: “Ndeshja që u zhvillua në Laç, e dinte e gjithë Shqipëria që do të përfundonte me rezultatin 3-2 dhe unë gjej rastin jo të denoncoj, sepse fjala denoncim është shumë e butë, por të hedh poshtë me neveri këta skenarë, të cilët jo sepse dëmtuan sot ekipin e Flamurtarit, por kanë dëmtuar, kanë rrënuar, madje e kanë kthyer në një gangrenë futbollin shqiptar. Sot (dje) ka qenë një ngjarje shumë e dhimbshme dhe jo vetëm se është dëmtuar Flamurtari, sepse publiku u kënaq me një fitore 3-0 në një ndeshje të luftuar dhe korrekte, ndaj një Teute që ne do ta presim dhe në fundjavë për kampionat, por ajo që më shqetëson dhe dua të përcjell është pikërisht që ndeshja në Laç ka qenë e bërë në mënyrën më të turpshme dhe më karagjoze”.

 

Skenarët e grupit B

Klubi i Bylisit kryesonte renditjen e grupit B, me 12 pikë, para se të luante çerekfinalen e fundit. Në ndeshjen e së mërkurës në Laç, ballshiotët kualifikoheshin automatikisht për në gjysmëfinale, nëse arrinin të merrnin një pikë. Nga ana tjetër, ata mund të shkonin në turin e ardhshëm, edhe nëse humbisnin me rezultatin e ngushtë 1-0 në Kurbin. Këtu futej në lojë diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë ndeshjeve të grupit, teksa ballshiotët likuidonin bardhezinjtë dhe nuk u interesonte aspak rezultati në ndeshjen tjetër, Flamurtari-Teuta. Me një humbje në Laç, por me diferencë prej dy golash, Bylisi ishte i varur nga rezultati i ndeshjes që luhej në Vlorë. Ndërkohë që nga ana tjetër bardhezinjtë duhet të fitonin me rezultatin e pastër 2-0 ndaj Bylisit, për të qenë në turin gjysmëfinal. Me këtë rezultat, Laçi parakalonte ballshiotët falë diferencës së golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve (takimi i parë në Ballsh kishte përfunduar 2-1 për vendësit). Ekipi i Nicës kishte edhe një tjetër shans, të fitonte me vetëm një gol diferencë, sikurse ndodhi realisht. Kurbinasve në këtë rast u duhej të shpresonin që Flamurtari të mos fitonte më shumë se 3-0 ndaj Teutës, për të përfituar nga diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë ndeshjeve të grupit. Sa i përket klubi vlonjat, së pari duhej të mos e diskutonte fitoren me Teutën dhe të shpresonte që Laçi nuk do të merrte pikët e plota ndaj Bylisit. Duke qenë se durrsakët ishin të pamotivuar, pasi ishin eliminuar, teorikisht Flamurtari konsiderohej me tri pikë në xhep. Mirëpo, edhe mund të mos mjaftonte kjo. Kuqezinjtë ishin të varur nga rezultati i ndeshjes Laçi-Bylisi. Bardhezinjtë, që ishin kundërshtari më i afërt i tyre, fituan me vetëm një gol diferencë ndaj Bylisit, kështu që bregdetarët e Vlorës e panë veten të eliminuar. Atyre u duhej të arrinin një triumf me 4 gola diferencë ndaj Teutës,që të superonin atë që ndodhi në Laç. Në këto kushte, vlonjatët kualifikoheshin, pasi hiqnin qafe Laçin pasi do tu llogaritej numri më i madh i golave të shënuar gjatë ndeshjeve në grup dhe Flamurtari shkonte në 12 të tillë, ndërsa Laçi 10. Në rastin më të keq, nëse Laçi fitonte 2-0, atëherë vlonjatët duhet të shënonin 5 gola ndaj Teutës, për të parakaluar Bylisin.

 

Rezultatet

 

Grupi A

KUKËSI-SKËNDERBEU  2-3

Golat: Abdurrahman 52′, 69′ / Tahirllari 63′, 81′, F.De Souza 87′

 

SHKUMBINI-KASTRIOTI  0-2

Golat: E. Xhafa 2′, Shaba 41′

 

Grupi B

FLAMURTARI-TEUTA  3-0

Golat: Memelli 48′, 80′, Veliu 50′

LAÇI-BYLIS  3-2

Golat: Emurllai 48′, Cela 59′, Vucaj 90+3′ / Huan 22′, Olayinka 31′

 

 

Kupa “Panajot Pano”

“Supersport” përsërit suksesin

Edicioni i katërt i Kupës që zhvillohet në nder të legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, këtë vit dhuroi spektakël dhe shumë emocione. Ideatori dhe organizatori i këtij eventi (organizohet prej katër vitesh), Dëfrim Methasani, arriti që për dy ditë të mbledhë plot nëntë skuadra të përbëra nga gazetarë sportivë. Ky edicion i kësaj kupe speciale ishte mjaft i veçantë, pasi për herë të parë morrin pjesë edhe ekipe me gazetarë sportivë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve tanë. Kështu, përveç skuadrave si “RTVSH”, “Tring Dixhital”, “Supersport”, “Ora News”, “Sporti Shqiptar” dhe Gazetarët Sportivë të Shkodrës ishin prezentë edhe ekipe si “RTK” dhe Gazetarët e Maqedonisë. I gjithë ky event që u luajt për dy ditë, u mbajt në kompleksin e kalçetos “Eurosport”, nën kujdesin e presidentit Agron Loka. Ceremonitë ishin mbresëlënëse, pasi përveç futbollit pati edhe spektakël. Në to morën pjesë familjarë të Panajot Panos (gruaja Rebeka dhe djali Ledio). Gjithashtu, ky event u pasurua edhe më shumë nga fjalimet e dy miqve të kampionit të madh të futbollit shqiptar, që u nda nga jeta katër vite më parë. Flasim për Miço Papadhopullin dhe Veli Radën. Sa i përket mbarëvajtjes së këtij eventi, gjithçka shkoi si duhet. Finalja e vogël u luajt mes “RTVSH” dhe “RTK”. Gazetarët nga Kosova arritën që të mposhtnin kolegët e tyre të Radio-Televizionit Shqiptar, me rezultatin e pastër 2-0. Ndërkohë, finalja u fitua nga “Supersporti” që mundi “Tringun”, 5-3. Ndryshe nga herët e tjera këtë vit u nderuan edhe lojtarët më të mirë të turneut. Kështu lojtari më i mirë ishte Ansel Seci. Ndërkaq, golashënuesi më i mirë ishte Fatos Preniqi. Sa i përket portierit më të mirë, ai ishte Ermal Mazari. Ky eveniment që uli siparin dje, një ditë para 75-vjetorit të lindjes së Panos, vitin e ardhshëm do të zhvillohet në Prishtinë. Gazetarët e “RTK”-së kanë bërë me dije se pas një viti do të kenë nderin që ta organizojnë ata edicionin e pestë të kupës “Panajot Pano”.

 

Shkodër

Tek Vllaznia ka revoltë

Pesëmbëdhjetë titullarë të Vllaznisë kanë bojkotuar stërvitjen e pasdites së djeshme. Arsyeja e këtij bojkoti ka të bëjë me mosmarrjen e rrogave prej dy muajsh si dhe të kësteve të kontratave për një pjesë të tyre. Në orën 16:00, kur ka qenë e planifikuar për t’u zhvilluar kjo seancë, në fushën sportive “Reshit Rusi” nuk kanë qenë të pranishëm portierët Vujadinoviç e Gjokoviç, nuk kanë qenë të pranishëm Smajli, Kraja, Beqiri, Belisha, Semina, Begaj, Nallbani, Tafili, Deliç, Shtubina, Dragoi, Hajdari dhe Rexha.

Këtë seancë e kanë drejtuar zëvendëstrajnerët Sinani, Osja e Legata ngaqë trajneri i parë Bushati ka qenë në Laç duke ndjekur ndeshjen e kundërshtarit të ardhshëm të Vllaznisë, Bylisit. Ata kanë drejtuar vetëm 11 futbollistë të rinj në këtë seancë dhe më pas janë shpërndarë. Ajo çfarë nuk dihet ka të bëjë me faktin sesa do të zgjasë ky bojkot i stërvitjes nga ana e këtyre titullarëve. Futbollistë të ndryshëm janë shprehur se ata ende nuk kanë marrë rrogat e muajit janar dhe shkurt, madje një pjesë e lojtarëve ka që në muajin nëntor që nuk merr asnjë lekë. Përpos kësaj, disa prej titullarëve nuk kanë marrë as këstet e kontratave që kanë pasur për të marrë që në janar. Po këta futbollistë janë shprehur se nuk e kanë ndër mend të dalin në stërvitje as sot nëse nuk marrin një përgjigje nga ana e klubit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency