Fjalët e fundit të komedianit: “Mos qani për mua!”

0
186

Violeta Murati

roland trebickaPas luftës njëvjeçare me sëmundjen e kancerit në mushkëri, dje, në orët e pasdites së vonë, aktori Roland Trebicka ka ndërruar jetë. Kur të gjithë besonin se lufta me vdekjen kishte marrë fund, dhe Trebicka ishte shfaqur plot entuziazëm e fuqi në rolin e Seit Beut në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”, brenda tij rezistenca ishte e vështirë. Hera e fundit e qëndresës ishin orët e regjistrimit të shfaqjes, kur në të ftohtin e teatrit, Trebicka “luftonte” sërish me pafuqinë fizike. Sot homazhet dhe përcjellja e fundit në Teatrin Kombëtar, nga ora 11:00-13:00

 

 

 

Pas luftës njëvjeçare me sëmundjen e kancerit në mushkëri, dje, në orët e pasdites së vonë, aktori Roland Trebicka ka ndërruar jetë. Kur të gjithë besonin se lufta me vdekjen kishte marrë fund, dhe Trebicka ishte shfaqur plot entuziazëm e fuqi në rolin e Seit Beut në dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”, brenda tij rezistenca ishte e vështirë. Hera e fundit e qëndresës ishin orët e regjistrimit të shfaqjes, kur në të ftohtin e teatrit, Trebicka “luftonte” sërish me pafuqinë fizike. Këtë rast, siç tregojnë miqtë e afërt, as mjekët francezë nuk e kanë besuar, ndërsa ishin këputur shpresat për jetë, në anën tjetër.

“Mos qani për mua”, kanë qenë fjalët e fundit të aktorit 66-vjeçar, që u la familjarëve, ndërsa kolegët dhe miqtë e sidomos publiku e kanë tejkaluar këtë, duke e përjetuar si një fatkeqësi për shpirtin e komedisë. Ndodh rrallë që një aktor të marrë me vete një simbol, e vetëm një, si të një kryqi varur mbi qafë, siç ishte dhe sakrifica e Trebickës në teatër. Gjithë karriera e tij është e mbledhur në komedi, në role ironike, groteske, që lënë gjurmë të forta te njeriu. Përballë këtij piedestali të komedisë, asnjë regjisor nuk guxoi t’i afrohej. Miti i komedianit nuk arriti të shembej deri ditën e fundit kur dha shpirt. Alfred Bualoti në intervistën ekskluzive, regjisori i “Pallati 176”, por edhe bashkëpunëtor në shfaqjen e fundit që pamë në skenë Trebickën, te “Ëndrra e Ismail Qemalit”, tregon fuqinë e shpirtit të ironisë e humorit brenda aktorit, krejt të pazakontë se si transformohej brenda këtij lloji portreti.

“Miku im i shtrenjtë! Sot ti i kapërceve kufijtë e tokës për të prekur me siguri fytyrën e Zotit. Ti ishe me fat, se njohe në tokën që deshe suksesin e madh dhe me talentin tënd të pazakontë e ngrite shpirtin njerëzor në një vend më të lartë. Sot pa ty ne jemi më të varfër. Unë ndihem me fat që të takova, të njoha dhe të duartrokita ty”, është letra e regjisorit Kiço Londo.

“E prisja ta shihja në rolin e Doktor Shusterit, por sëmundja nuk e lejoi. E prisja ta shihja edhe në shumë projekte të tjera, sepse ai, artisti i mrekullueshëm i skenës shqiptare, Roland Trebicka, kishte të gjithë pjekurinë artistike për t’i dhënë skenës role dhe karaktere. Aktor i shkëlqyer i teatrit, me një elegancë dhe sharm skenik, zë kumbues dhe i ngrohtë, pantomimë e jashtëzakonshme, ai jepte gjithçka për të arritur dhe për të shprehur saktë dhe qartë pasionet dhe ndjenjat e personazheve”, shkruan aktorja Luiza Xhuvani duke kujtuar: “Sa shumë biseda, para dhe pas shfaqjes, sa diskutime, sa ide dhe dëshira për teatrin. Ai dinte të krijonte atmosferë, ai dinte të mësonte pa treguar aftësinë e më të mirit”.

“Dua të largohem me dinjitet nga skena. E kam mësuar nga më të vjetrit e këtij teatri se skena është e shenjtë”, kanë qenë fjalët e Trebickës pas kthimit nga operacioni i vështirë në Francë, me plot shpresë se do t’i bënte ballë sëmundjes.

“Ditë zie për kulturën shqiptare” e ka cilësuar ministri i Kulturës Aldo Bumçi ndarjen nga jeta të Trebickës, duke thënë: “Kur ndërron jetë një aktor, nuk vdes vetëm ai si njeri, duket sikur shuhen edhe personazhet e tij, por në fakt ndodh e kundërta. Pikërisht këto personazhe e sjellin midis nesh, e ringjallin me magjinë e artit. Këtë mund të themi përballë aktorit të përmasave të Roland Trebickës, i cili u ka dhuruar hare dhe buzëqeshje të gjithë shqiptarëve, për më shumë se 40 vjet”. Kritika dhe kolegët e kanë vlerësuar vazhdimisht me nota maksimale për sensin e jashtëzakonshëm të humorit, brenda dhe jashtë skene, në rol dhe jashtë rolit. “Ishte mjeshtër i farsës dhe i groteskut, që e bazon lojën e tij në një fantazi të shfrenuar dhe improvizime të paparashikueshme, jo vetëm për shikuesit, por edhe për partnerët. Nga ana tjetër është kampion i përkushtimit dhe disiplinës në punë”. Këto cilësi të tij e kanë bërë një nga aktorët më të kërkuar nga regjisorët. Kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”. Mjeshtëria e tij në këtë rol ndikoi fort që komedia të thyejë të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë. Edhe sot, me 500 shfaqje në shtatë vjet, me dhjetëra transmetime TV dhe dhjetëra mijë kopje videokasetash të shitura, “Jovan Bregu” është figura më popullore e skenës shqiptare.

 

***

Një nga intervistat e para dhe të fundit të Roland Trebickës, si u shndërrua në një personazh kulmor në komedi, duke u bërë sfidë për regjisorët që nuk e larguan dot nga komedia “Pallati 176”, ndërsa me këtë intervistë risjellim kronikën e një nga viteve më të suksesshme dhe si ndër të vetmet rrëfime që shfaqin punën dhe laboratorin krijues të aktorit

 

Fytyra “e fshehur” e Roland Trebickës!

 

 

Kur i kemi marrë intervistën e mëposhtme aktorit Roland Trebicka, ishte e vështirë të “rrëmbeje” prej tij fjalë. Nuk ishte intervistuar deri në këtë kohë nga mediat, na tha. Aspak për të treguar shenjë arrogance apo pakënaqësi, siç ndodh rëndom, por për të na drejtuar nga skena si e vetmja gjuhë për ta interpretuar aktorin përballë publikut. Po në këtë periudhë ishte e vështirë t’i merrje edhe kohën Roland Trebickës, pasi mund të mbahet mend si një nga vitet më intensive të aktorit në teatër. Pavarësisht nga kjo, ai asnjëherë nuk qe pyetur pse publiku e mbante aq fort personazhin e tij, Jovan Bregun, nga komedia “Pallati 176”. Roland Trebicka na dha përgjigjen se regjisorët janë trembur prej karakterit të tij, janë treguar absolutisht të padrejtë, aq sa deri tani nuk kanë guxuar t’i japin veçse role në komedi. Ndërsa publiku ka pasur rastin ta shohë gjithmonë të transformuar në ironinë e personazheve, pamja e Trebickës në rrugë tregonte seriozitetin, ndërsa vetë ai na qe shprehur se “sekreti i tij është sinqeriteti, gjeni i tij i të qenit i vërtetë”. Në vitin 2005, kur shkëpusim një pjesë të intervistës së mëposhtme, në kuadër të javës së kulturës franceze, Trebicka ka pasur peshën duke u shndërruar në një nga protagonistët e axhendës së këtij kalendari, duke sjellë kronikën e kohës se janë mbajtur duartrokitjet më të gjata të publikut. Tjetër gjë janë rolet e tij, shërbëtor nga një rol në tjetrin, “shërbëtor” i komedisë që vetëm në shfaqjen e fundit “Magjia e verës” u kthye në një Sokrat modern.

 

 

Ka pak ditë që kaluan netët e kulturës franceze në Teatrin Kombëtar. Aq sa në hapje, nuk pamë ndonjë ceremoni, në mbyllje të saj ku ju ishit ndër aktorët më të angazhuar në repertorin e dramaturgjisë franceze. Shfaqje intensive, të lodhshme… a morët ndonjë konsideratë?

 

Nuk jam në gjendje të them për aktivitetin konkret, prej katër ditësh të kulturës franceze, për arsye se përveç nja dy-tre flamujve nuk pashë ndonjë gjë të veçantë, ose të ndryshme nga një javë përpara që kaloi; pashë sërish një publik, doli një plan, bëra dy shfaqje me një publik shqiptar. Pastaj në kuadrin e javës franceze apo një marrëveshje ndërmjet Drejtorisë së Teatrit dhe ambasadës franceze, këto janë punë të tyre. Për këtë nuk ndjeva ndonjë gjë të veçantë nga java që kaloi. Nuk mora absolutisht asnjë lloj opinioni nga ata që organizuan këtë aktivitet. Meqë ishte quajtur “java franceze”, sigurisht prisja diçka, se çfarë ndryshimi kishte, të paktën për t’u parë, përshëndetur me një gotë verë. Apo thjesht për të thënë se i vunë në skenë këto shfaqje.

 

Meqenëse jemi te pjesa për nder të javës franceze, u duk sikur repertori i teatrit kishte akumuluar shumë nga dramaturgjia franceze dhe ju ishit po kaq intensiv në këtë teatër. Keni ndonjë lloj lidhje dashurie me këtë teatër?

 

Më pëlqen shumë letërsia franceze, edhe kam lexuar shumë, më tepër romane, gjë që është normale. Klasikët francezë i kam lexuar qysh në rininë time. Kësaj panorame i shtoj dhe filmat francezë, që në atë kohë shfaqeshin shumë dhe, sigurisht të gjitha këto kanë lënë gjurmë mbi mua. Por kam pasur dhe fatin që këto vitet e fundit të interpretoj në disa pjesë franceze, duke u nisur që nga “Koprraci”. “Darka e të marrëve”, “Stjuardesat”, që ka arritur shifrën rekord të shfaqjeve, e cila është dhënë për herë të parë në vitin 1962, dhe në fund te “Pleshti në vesh” etj. Nuk e di, është një art që më ngjit, më i kapshëm, e kam shumë më të lehtë për ta rrokur. Duke qenë ballkanas si natyrë, jam më afër kësaj dramaturgjie, tipave që ndërton teatri francez, pasi jam aktor karakteri i komedisë dhe këtu kam parasysh shumë aktorë të mëdhenj francezë.

 

Meqë jemi te ky lloj modelimi, përveçse keni atë karakterin e spikatur, intuitën e lindur të aktorit të komedisë, cili është modeli që krijoni në vetvete, pasi ekziston ajo frika e afrimit të tipareve, roleve?

 

Për të krijuar një figurë, e cila është figurë e shkruar nga autori, në radhë të parë aktori duhet të jetë sa më i sinqertë në atë që bën dhe, detyrimisht të jetë bindës.

Të qenit i sinqertë dhe bindës të çon tek e vërteta, dhe në fund besueshmëria e bën rolin të arrirë. Tani ndryshimet i takojnë pjesës profesionale, në fund të fundit është një aktor që luan, dhe në rastin konkret jam unë. Unë, Rolandi do t’i luaj këto role, pra, nuk mund të shkëputem nga njeriu-Roland. Nuk mund të ndryshoj zërin, se më pas duhet ndryshuar një tjetër dhe pastaj nuk merret vesh se kush je. Pra, unë Rolandi me këtë zë dhe intuitë, me këtë përgatitje dhe temperament mundohem t’ia vesh këtij personazhi dhe gjej më të afërtin, më të pranueshmin dhe më të besueshmin, e që i shkon rolit. Gjatë punës së përgatitjes së pjesës, të krijohet, vërtitet një figurë. Por, rrjedhimisht, kjo do një punë përgatitore. Nuk mundesh kurrsesi të të ndihmojë në punën për krijimin e një figure, nëse nuk qëmton tipa karaktere. Nga natyra jam tip që nuk më shkasin gjërat kollaj dhe shumë tipa, karaktere i regjistroj në trurin tim. Nëse do të më duhen disa tipa, që janë në mendjen time, atëherë mundohem të gjej më të përafërtin e këtij personazhi. P.sh., Shan dë Biz ose Posh te “Pleshti në vesh”, luhen nga i njëjti personazh, ata kanë ngjashmëri, por janë diametralisht të kundërt. Atëherë mundohem të gjej një Posh, me plastikë në të gjitha shqisat që i veprojnë këtij personazhi, të cilat duhen të jenë të ndryshme. Ky ishte më pranë natyrës sime si aktor, qoftë për plastikën, veshjen etj.

 

Të ngacmon pak ajo që the më lart, se Posh është më afër natyrës tënde si aktor. Po ashtu dukesh dhe te “Koprraci”, në rolin e usta Jakut apo kuzhinieri, që janë gati e njëjta linjë… role episodike, por që tërheqin fort, çfarë ju rrëmben pas këtyre roleve prej shërbëtori, kur sapo del në skenë publiku qesh menjëherë, s’ju duket “paragjykim” ky?

 

Shërbëtor njëri, shërbëtor tjetri. Natyrisht këtu duhet që të mos sillen njëlloj. Nëse, Poshi është në një hotel të rëndomtë që bën punën e druvarit, shërbyesit të rëndomtë, po të njëjtën gjë bën dhe usta Jaku, që është dhe karrocier dhe kuzhinier. Pra, janë punë të rëndomta. Problemi është që duhet gjetur e veçanta, e ndryshmja nga njëri-tjetri.

Sa për publikun, unë edhe po të hyj me ndonjë rol dramatik në skenë, ata do të qeshin. Është krijuar një diçka e tillë, pasi ka shumë vite, mbi 20 vjet, që jam futur në këto shina të këtyre roleve, të këtyre lloj karaktereve. Spektatori niset me “paragjykim” në teatër; nëse merr vesh se po luan Roland Trebicka, sepse pret të shohë një komedi. Për mua nuk është mirë, pasi një aktor i plotësuar duhet të luaj bukur disa gjini, si dramën dhe tragjedinë, vetëm atëherë mendoj se është i kompletuar. Nuk them se nuk jam në gjendje ta luaj dramën, të mos më merret kjo për mendjemadhësi, ose tragjiken. Madje, mua tragjikja më pëlqen, sepse tragjiken nga komikja një fije peri i ndan.

 

Mos është kjo një “padrejtësi” e regjisorëve që të kanë pozicionuar vetëm në komedi?

 

Mendoj se me mua është bërë një padrejtësi dhe se tani s’kanë ç’të më bëjnë më, se jam nga fundi. Regjisorët, as që më mendojnë më në dramë, ata tremben. Po të jetë dramë, unë nuk jam prapa liste, por nuk figuroj fare. Po qe puna vetëm për dramë, nuk jam as në organikën e Teatrit. Por, mund të jetë dhe një komedi, që nuk është konditë që të jem unë patjetër, por ata prapë më caktojnë mua.

Këtu mendoj se më është bërë padrejtësi. Mund të quash aktor të kompletuar Kadri Roshin, ai është i magjishëm për arsye se luan bukur komedinë, dramën apo Sulejman Pitarka dhe Robert Ndrenika, të cilët kanë pasur këtë fat. Regjisorët kanë qenë të guximshëm, u kanë dhënë role komedie, drame dhe tragjedie. Kurse sot, regjisorët janë të trembur, janë caktuar ata që luajnë dramën, komedinë. Nuk është se jam i fyer, por është padrejtësi për mua. Por tani s’kam çfarë të bëj më.

 

Te “Magjia e verës”, “devijove” pak nga komedia, u duke si “Sokrat” modern, shumë grotesk, ironik, tragjik, të gjitha i kishe brenda dhe ishit epiqendra e asaj shfaqjeje, e qarte në duartrokitjet që i mbajti goxha gjatë publiku në krahasim me aktorët e tjerë. Ishe një Roland tjetër, i shtjetërsuar dhe si rol, a ishte mund, pasi ishte dhe një ngjitje e tri veprave në një?

 

Ai është një Sokrat shumë i vogël. Kur kam lexuar veprën kam rezervat e mia për të, i kam pasur dhe i kam. Ka probleme nga ana dramaturgjike, ndoshta ngaqë kanë qenë tre pjesë të bëra në një, dhe nuk janë ngjitur bukur, nuk vijnë në mënyrë shumë logjike. Ka lapsuse nga ana dramaturgjike, jo për faj të regjisorit. Ka pengesa në linjë, që nuk janë shkrirë mirë. Duket që është ngjitje. Ndërsa për rolin, më ka pëlqyer që kur e kam marrë në dorë. Nuk kam absolutisht as edhe një lloj rezerve, asnjë lloj vërejtje.

Ky rol më dha mundësinë të jem në tre momente të caktuara. Një njeri i ndershëm, strikt në punë, herë papunë, korrekt, prandaj nga ana e jashtme e kam ndërtuar të tillë, me syze të tilla, që të më lehtësonte figurën. Në të dytën, ky njeri është i çuditshëm. Momenti kur ka bërë magjinë ajo vera, që e bëri dhe të papërmbajtur, sepse ndryshe nuk mund të thoshte të vërtetën. Sepse nuk është tip që thotë të vërtetën në kushte normale, në të tretën fazë, në hetuesi ai është sa tragjik aq dhe komik. Është gjë tjetër kur qesh publiku, ajo skenë është shtjetërsimi i njeriut, ai është për të ardhur keq. Në hetuesi, ai është tragjik. Është një ordiner që të ngre, të ul dhe që ka një finale të gjetur. Kjo gjë më ka lehtësuar shumë, pasi ishte shkruar shumë bukur, ku në të katërta tablotë shfaqej ndryshe. Është një Sokrat brenda kësaj vaske të vogël me ujë.

 

Këtë vit keni qenë aktori më i angazhuar në teatër, a jeni ndjerë mirë financiarisht. A jeni i vlerësuar në këtë drejtim si aktor?

 

Aktori, absolutisht nuk vlerësohet, as që bëhet fjalë. Kam qenë i angazhuar gjatë gjithë kohës, nuk kam vuajtur nga papunësia, kam qenë i ngarkuar vazhdimisht. Ndërsa tani që ka hyrë logjikë tjetër në pagesë, as që bëhet fjalë për një lloj trajtimi financiar. Është gjetur një rrugë për të jetuar. Bëjmë shfaqje dhe, sigurisht, ka një ndryshim midis atij që nuk ka shfaqje. Ka një trajtim dhe ndryshim, por jemi shumë larg… Nuk kam dëshirë të ankohem, por nuk kam kujt ti qahem, se këtu janë bërë për t’u qarë të gjithë.

Nëse do të ishte ligji i vjetër, do të dilnim 55 vjeç në pension, pra do të isha nga tre vite në pension me 10 mijë lekë. Nëse do të ishim me një ligj të para pak kohëve, duhet të kisha dalë në pension sot që po flasim, me një pension 11 mijë lekë. Dhe, nëse do të dal me këtë ligjin e ri, më duhen dhe katër vjet, që do të dal me 13 mijë lekë, sepse të ardhurat e mia nuk janë aq sa të siguroj pensionin. Të ardhurat e mia dhe gjithë aktorëve të tjerë, deri tek ai që është më i angazhuar, janë për të shtyrë muajin.

 

Jeni selektuar në një aktivitet “Çmimet vjetore 2004” të organizuar nga revista “Kult”, ku flitet se fituesi do të ketë 3 milionë lekë shpërblim… Si ju duket?

 

Ma thanë në klub që je i përzgjedhur në katërshe dhe, mundësisht t’u sillja dhe një biografi artistike, bashkë me fotografi. Për lekët nuk di gjë fare. Më bën përshtypje që të të zgjedhin dhe më pas të të thonë “na thuaj ç’ke bërë”. Pra, të zgjedhin dhe nuk dinë pse. Por më e rëndësishmja nuk di nga jam zgjedhur, duhet një motivim se kush është pyetur. Këta që na vlerësojnë, a na kanë parë, se përderisa më kërkuan se çfarë kam luajtur, besoj se nuk dinë gjë. Atëherë pse të zgjedhin? Mirë bëhet që organizohen, por duhen organizuar mirë, sepse vjen pyetja po juria a na kanë parë? Prandaj kam rezerva për këtë aktivitet dhe nuk më duket shumë serioze.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency