Brezi pa lamtumirë

0
166

Enver Robelli

 

brezi“Ne jemi brez pa fat, pa atdhe dhe pa lamtumirë. Dielli ynë është i zbehtë, dashuria jonë është e tmerrshme dhe rinia jonë është pa rini. Ne po ashtu jemi brez pa kufi, pa vetëpërmbajtje dhe pa përkujdesje – brez i shtyrë nga karrigia e fëmijërisë në një botë të bërë prej atyre që tani na përçmojnë për shkak të saj. Mirëpo, ata s’na dhanë një zot me vete, i cili do të na e mbante zemrën kur të na përlajnë erërat e kësaj bote. Kështu ne jemi brez pa zot, sepse jemi brez pa ndonjë lidhje, pa të kaluar, pa mirënjohje. Erërat e botës (…) na kanë bërë gjeneratë pa lamtumirë. (…) Por, ne jemi brez i arritjeve. Ndoshta jemi brez plot arritje nën një yll të ri, në një jetë të re. Plot arritje nën një diell të ri, në zemrat e reja. Ndoshta jemi brez plot arritje në një dashuri të re, në një buzëqeshje të re, në një zot të ri. Ne jemi brez pa lamtumirë, por e dimë se të gjitha arritjet na takojnë neve”.

Nga tregimi “Brezi pa lamtumirë” i autorit gjerman Wolfgang Borchert

Një shqiptar në Zvicër ka vrarë tre qytetarë, ka plagosur shtatë të tjerë, pastaj edhe vetë dorasi ekzekutoi veten apo u ekzekutua, ende nuk është bash e qartë se si rrodhi tragjedia në fshatin Menznau në Zvicrën qendrore. Në raste të tilla më së lehti është të emërohet e damkoset fajtori, të shprehet keqardhje për të vrarët dhe të shpresohet se krimi i llahtarshëm nuk do të politizohet nga qarqet raciste në Zvicër, nga partitë shqiptarongrënëse dhe nga mediet propagandistike e bulevardeske. Fundja, rastet kur një person rrok alltinë apo dyfekun dhe hap zjarr pa zgjedhur cakun nuk janë të rralla, duke filluar prej Amerikës armëngjeshur deri te vendet e Evropës Perëndimore. Zvicra është ndër shtetet me dendësinë më të madhe të armëve në botë. Vetëm në SHBA dhe në Jemen në 100 banorë ka më shumë armë se në Zvicër, e cila renditet e treta në këtë listë tmerri. Zvicra i ka gati 8 milionë banorë dhe rreth 4,5 milionë armë zjarri.

Burri dhe arma

Që në mesin e të tërbuarve, të cilët verbërisht sulmojnë e vrasin, qëllon edhe një shqiptar – nuk paraqet ndonjë përjashtim, por është pjesë e rregullit trishtues. Disa zëra nga komuniteti shqiptar janë shprehur të lehtësuar që tragjedia në Menznau nga shumica e medieve në Zvicër nuk është kategorizuar si “sulm etnik”. Kështu shpresohet se nuk do të ashpërsohet disponimi edhe ashtu mjaft i egër ndaj shqiptarëve i një pjese të madhe të shoqërisë zvicerane. Duhet thënë hapur se ekziston një racizëm latent i shumë zviceranëve, sidomos në zonat jourbane, ndaj shqiptarëve. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë arsyetim për racizëm. Por, gjithsesi komuniteti shqiptar do të ishte mirë që rastin e fundit ta marrë si shkas për një reflektim pak më të thellë për imazhin tejet të keq në Zvicër.
Pas një ngurrimi fillestar mediet, madje edhe ato që njihen si serioze, po e vënë fokusin edhe te prejardhja e vrasësit. Një gazetë e fundjavës e Zyrihut citonte një plakë nga katundi Menznau me këto fjalë: “Nëse ata lejojnë të vijnë edhe më shumë të huaj, atëherë do të bëjë vaki diçka edhe më e madhe”. “Ata” janë pushtetarët në Zvicër, të cilët, sipas plakës, paskan “lejuar” që në këtë vend të vijnë “të huajt”, një sinonim që shpesh përdoret për t’i stigmatizuar të gjithë shqiptarët, pa asnjë dallim.
Sado e neveritshme të jetë kjo qasje, s’mund të injorohen disa fakte që e bëjnë biografinë e vrasësit Viktor B. deri-diku tipike për shumë delikuentë dhe kriminelë shqiptarë. Fjala është për njerëz që janë rritur në terrene të minuara sociale dhe në ambiente të dhunshme, ku pothuaj pandërprerë lartësohet “trimëria e burrit”, ku armët shikohen si pjesë e pandashme “për ruajtjen e nderit”, ku dominimi agresiv ndaj gjinisë femërore merret si diçka e zakonshme dhe e kërkuar prej burrit shqiptar, mundësisht me mustaqe.
Çfarë dihet deri më tani për vrasësin Viktor B.? Prokuroria e shtetit në Luzern, qyteti më i madh në Zvicrën qendrore, ka bërë të ditur përmes një njoftimi se kosovari B. ishte i njohur për policinë, madje ai ishte i dënuar: më 13 mars 1998 një gjykatë zvicerane ia kishte shqiptuar dënimin me dymbëdhjetë muaj burg (me kusht) për shkak se kishte sulmuar gjatë natës një grua dhe ia kishte marrë çantën e dorës. Po ashtu prokuroria ka konfirmuar se njëherë kishte shkuar në shtëpinë e B. për shkak të “dhunës familjare”. Hollësitë rreth këtij kapitulli ende nuk janë qartësuar, por hapësira për interpretime të ndryshme gjithsesi ekziston. Ndërmarrja ku punonte vrasësi i kishte bërë vërejtje me shkrim për shkak se ai, siç thuhej, s’i kushtonte aq rëndësi cilësisë në punë.

“Trajtimi i keq”

Të gjitha këto anë të errëta ose jo aq të favorshme në biografinë e B. nuk janë tematizuar pothuaj fare në opinionin shqiptar ose informatat janë dhënë krejt tërthorazi si diçka e rastësishme. Ndërkohë policia ka arrestuar pronarin e mëhershëm të armës, me të cilën Viktor B. kreu krimet. Bëhet fjalë për një 43-vjeçar nga Kosova. Duket se Viktor B. nuk kishte leje për armën, së paku dihet se emri i tij nuk gjendet në regjistrin e armëve. Mund të jetë e vërtetë që Viktor B. është trajtuar keq në punë – një gjë e tillë ndodh shpesh në ndërmarrje jo vetëm në Zvicër. Sidomos të huajt nuk gëzojnë respektin e duhur dhe shtrydhen pamëshirshëm nga ekonomia e përqendruar vetëm në shumëfishimin e prodhimit dhe fitimit, por jo edhe në krijimin e një klime të mirë në punë, e cila do të bënte të ndiheshin të kënaqur edhe punëtorët.
Por, edhe nëse Viktor B. është “trajtuar keq nga shefi”, siç po pretendohet nga disa familjarë të tij, “zgjidhja” e çfarëdo problemi me dhunë është fatale si për dorasin ashtu dhe për familjen dhe komunitetin shqiptar në Zvicër. Në një shoqëri aq të përzier etnikisht, siç është Konfederata Helvetike, keqkuptimet, konfliktet dhe mosmarrëveshjet janë pjesë e përditshmërisë. Tejkalimi i tyre shpesh është punë e mundimshme, por e domosdoshme për paqen sociale në këtë vend, i cili përkundër rasteve të përgjakshme si ky në Menznau mbetet ishull i të bekuarve dhe i mirëqenies. Në disa komuna në Zvicër krahas vendorëve jetojnë edhe të huaj, të cilët rrjedhin prej 70 e më shumë vendeve të botës – prej Kubës në Kosovë, prej Gjermanisë në Gjeorgji, prej Portugalisë në Palestinë. Për një pjesë të të ardhurve ambientimi në këso shoqërie shpesh është i shoqëruar me probleme, madje nganjëherë edhe dështon.

Gruri dhe varri

Krimet e Viktor B. do të ndikojnë edhe më shumë që disponimi ndaj shqiptarëve në Zvicër të bëhet edhe më agresiv. Do të kërkohet ashpërsimi i ligjeve për dhënien e shtetësisë (Viktor B. ishte shtetas zviceran falë martesës me një grua, e cila kishte pasaportën e këtij vendi). Ndërmarrjet do të jenë edhe më restriktive apo së paku më të rezervuara në punësimin e shqiptarëve. Gjenerata e Viktor B. i përngjan brezit pa fat, që përshkruhet aq trishtueshëm nga Wolfgang Borchert. Autori gjerman e paraqet brezin e tij të humbur nga furtunat e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa gjenerata e Viktor B. është gjeneratë e tretur nëpër botë pas skëterrave të kaluara nën regjimet represive serbe në vitet ‘80 dhe ‘90. Kjo është një gjeneratë pa fat, pa atdhe dhe pa lamtumirë, sepse fluturimthi dhe kundër vullnetit të vet është detyruar të largohet nga vendlindja dhe nga familja; ashtu e çrrënjosur kjo gjeneratë ka gjetur strehim në barakat e ftohta të Zvicrës, Gjermanisë e Austrisë, shpesh duke qenë e detyruar të kryejë punët më të ndyra, të cilat s’i kryejnë pjesëtarët e popujve vendas. Kjo gjeneratë jeton nën një diell të zbehtë, e dëshpëruar për shkak të pamundësisë për t’u kthyer në atdhe, me të cilin çdo shqiptar i Kosovës në Perëndim është i lidhur pothuaj deri në fatalitet. Kjo gjeneratë s’i ka thënë Kosovës kurrë lamtumirë, madje refuzon ta bëjë këtë, ndonëse gati secili mërgimtar e di se në tokën e Kosovës nuk do të hedhë më farën e grurit si dikur, por vetëm trupin e tij pa jetë.

Vrasja e një gjimnazisteje

Pamundësia për t’u shkëputur nga Kosova qiellore, një atdhe i projektuar vetëm në ëndrra, ndikon që shumë shqiptarë të refuzojnë të integrohen në atdheun e ri, por jo aq mikpritës. Ata që janë integruar, atyre që u ka punuar fati, por edhe shpaguar mundi e sakrifica, duhet të struken edhe më shumë përballë krimeve të bashkëkombësve. Derisa në Menznau kishte vrapuar me kamerë edhe një ekip i televizionit kinez CCTV, policia e kantonit të Zyrihut bëri me dije se kishte arrestuar një 19-vjeçar nga Kosova, i cili me një 18-vjeçar zviceran kishte zhvilluar një garë me vetura. Në gusht 2011 një kosovar vrau një punëtore sociale dhe bashkëshorten e tij. Krime e delikte të tjera ndodhin në intervale të rregullta. Të hënën në Zyrih në instancën e dytë ka filluar gjykimi i kosovarit S. I., i cili në vitin 2009 kishte vrarë të dashurën e tij zvicerane, një gjimnaziste 17-vjeçare. Në instancën e parë S. I. është dënuar me 13,5 vjet burg, sepse pa asnjë arsye ia kishte vënë revolen në qafë te dashurës së tij dhe kishte hapur zjarr. Krimi ishte klasifikuar si vrasje me paramendim, por me këtë nuk është pajtuar Prokuroria. Autoritetet kishin gjetur te S. I. disa armë zjarri, mes tyre edhe një kallashnikov, thika, shkopinj bejsbolli etj. Ky rast i rëndë është përshkruar gjerësisht nga mediet në Zyrih dhe sërish ka betonuar imazhin e keq të shqiptarëve si njerëz të dhunshëm. Një shembull tjetër: në Youtube mund të dëgjohet zëri i një shqiptari se si e ndërsen fëmijën e tij në park për ta ndjekur dhe rrahur me thupër një fëmijë zviceran. Edukatë moderne ballkanike!

Stambolli si simbol

Supozohet se gati 200 mijë shqiptarë jetojnë në Zvicër, por ata nuk kanë një gazetë të vetme, e cila do të informonte mbi problemet dhe përparësitë e komunitetit. Nuk ka asnjë radio. Në të ashtuquajturin televizion publik të Kosovës shfaqen kryesisht kronika mbi vallëzimet histerike e patriotike për nder të Pavarësisë së Kosovës dhe Shqipërisë. Dhe për t’i vënë kapak kësaj pune shteti i Kosovës këto ditë ka hapur qendrën e parë kulturore në Stamboll, jo në Bernë, Berlin apo Vjenë. Në Zvicër, Gjermani e Austri jetojnë gati gjysmë milioni shqiptarë dhe shumë gjenerata pa fat, të cilave shteti i Kosovës – në emër të sigurimit për veturë – u kërkon haraç sa herë që kthehen në atdhe.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency