Standard.al

Përpilohen kërkesat e ekstradimit Frroku e Jak Jaku, gjykim në Selanik

Elton Qyno

frrokuNëntë ditë pas vrasjes së kryekomisarit, prokuroria dërgon dosjen në Ministrinë e Drejtësisë

Kërkohet përkthimi në gjuhën greke të vendimeve gjyqësore dhe urdhrit të arrestit të nxjerrë nga Interpoli

 

Nëntë ditë pas arrestimit në Greqi të biznesmenit Arben Frroku, si i dyshuari kryesor në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, prokurori i çështjes Anton Martini, ka dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme kërkesën për ekstradimin e Frrokut nga shteti grek në Shqipëri. Një kërkesë shumë të ngjashme me atë të prokurorit Martini ka bërë dhe prokurori i Tiranës Arben Nelaj, i cili i është drejtuar me një kërkesë Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka kërkuar fillimin e procedurave të shtetasit Jak Jaku, nipit të biznesmenit Arben Frroku. Lajmi për dorëzimin e kërkesës së ekstradimit bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se të dyja kërkesat kanë mbërritur thuajse në të njëjtën ditë dhe se tashmë ka filluar puna për përkthimin e tyre dhe dërgimin në Ministrinë e Drejtësisë, prej nga më pas kërkesa dhe materiali që do jetë bashkëlidhur në dosje do të marrë udhën në drejtim të Ministrisë greke të Drejtësisë. “Ka një procedurë standarde që përdoret në të gjitha rastet e ekstradimeve. Tashmë kjo procedurë ka marrë rrugën procedurale dhe se brenda afatit 40-ditor të vendosur nga ana e Gjykatës së Selanikut, kërkesa e ekstradimit të biznesmenit Arben Frroku dhe nipit të tij Jak Jaku, do të jetë në duart e prokurorëve të Selanikut”, – thanë burimet pranë organit të prokurorisë. Në kërkesën e prokurorisë, janë bashkëlidhur vendimi i gjykatës së Krimeve të Rënda, që ka caktuar masën e arrestit në burg ndaj Frrokut dhe Jakut, vepra penale për të cilën akuzohet dy të kërkuarit si dhe urdhri ndërkombëtar i Interpol Tiranës, i cili ka shpallur në kërkim dy personat e mësipërm.

Gjykimi në Selanik

Pas përkthimit të gjithë materialit në gjuhën greke dhe dorëzimit autoriteteve të drejtësisë helene, shumë shpejt biznesmeni Arben Frroku dhe Jak Jaku do të dalin para gjykatës sërish, ku do të njihen me kërkesën e ardhur nga shteti shqiptar. Megjithëse zyrtarisht Arben Frroku ka pohuar se shumë shpejt do të kthehet në Shqipëri, lidhur me këtë çështje në Gjykatën e Selanikut, do të zhvillohet një proces gjyqësor, ku prokuroria dhe avokatët e Arben Frrokut do të japin pretendimet e tyre. Pas dëgjimit të palëve, do të jetë gjykata ajo që do të vendosë nëse do të miratojë ose jo kërkesën për ekstradimin e biznesmenit Frroku në Shqipëri, ku edhe akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Në disa dalje publike, Arben Frroku ka hedhur poshtë akuzat e prokurorisë se është ai autori i vrasjes së ish-shefit të komisariatit nr. 6, duke deklaruar se në momentin e ekzekutimit ai ka qenë në Doganën e Kapshticës, duke firmosur pasaportën për të udhëtuar në drejtim të Selanikut. Një version mohues kanë nxjerrë edhe vëllai dhe djali i Arben Frrokut, të cilët kanë pohuar se kanë pasur konflikte me Dritan Lamajn, por i afërmi i tyre nuk është personi që ka qëlluar apo të ketë organizuar vrasjen e efektivit të policisë. Sipas tyre, Arben Frroku ka qenë në biznesin e tij në Kashar dhe më pas është larguar në drejtim të Greqisë, duke kaluar nga rruga e “Komunës së Parisit” dhe më pas ka dalë në unazën e madhe duke larguar drejt Elbasanit.

Dy kërkesa ekstradimi

Ende nuk dihet arsyet që shtynë prokurorinë të përpilonte dy kërkesa për Arben Frrokun dhe Jak Jakun, të cilët janë dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e komisar Dritan Lamajt. Pavarësisht kësaj, në mënyrë zyrtare konstatohet se Frroku po hetohet për vrasjen e ish-shefit të komisariatit numër 6 në Tiranë, ndërsa masa ndaj tij u mor nga Gjykata e Krimeve të Rënda në mungesë. Kurse hetimet për Jak Jakun dhe vëllain e tij Ndue Jakun, po i kryen Prokuroria e Tiranës dhe dy vëllezërit akuzohen për “Armëmbajtje pa lejë” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, pasi në shtëpinë e tyre në Domje të Tiranës u gjet një arsenal armësh dhe një sasi e konsiderueshme drogash si kokainë dhe heroinë. Arben Frroku dhe Jak Jaku u arrestuan mëngjesin e 25 Shkurtit në Selanik të Greqisë dhe u lanë në burg për 40 ditë nga Gjykata greke për armëmbajtje pa leje dhe posedim lëndësh narkotike. Ndërsa e gjithë kjo kohë do të shfrytëzohet nga autoritet shqiptare për ekstradimin e tyre dhe vënien para drejtësisë. Pritet që pas ekstradimit të Frrokut në Shqipëri të zhvillohet një hetim i thellë, ndërkohë që nga ana tjetër biznesmeni Arben Frroku, do kërkojë lirimin e menjëhershëm në të gjitha shkallët e gjyqësorit Shqiptar, pasi ka pretenduar se ai nuk është autori dhe organizatori i vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj.

Kromi

Biznesmeni Arben Frroku, veç disa bizneseve që administron në Tiranë, ka dhe një kompani që nxjerr mineralin e kromit në Bulqizë. “Gjini-Nika” është kompania ku Frroku disponon 50 për qind të aksioneve dhe, sipas burimeve të prokurorisë, ushtron aktivitet tregtar në eksportimit e mineralit të kromit.

 

Nahir Hoxha u vetëvra në sy të pacientëve të tjerë

Dy ditë i shtruar në spitalin e Beratit

55-vjeçari fund jetës, hidhet nga dritarja

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në qytetin e Beratit. Një 55-vjeçar është hedhur nga kati i 3-të i pavijonit të Patologjisë në spitalin e qytetit të Beratit, gjë e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Nahir Hoxha, i cili ishte shtruar prej dy ditësh në këtë spital dhe ishte në pritje të ekzaminimit të sëmundjes, në një moment depresioni, ka tentuar vetëvrasjen duke u hedhur nga kati i tretë dhe ka ndërruar jetë. Forcat e policisë së qytetit të Beratit kanë nisur hetimet për zbardhjen e arsyeve të kësaj ngjarjeje tragjike. Në pyetje janë marrë familjarët e viktimës dhe mjekët që kishin bërë trajtimin mjekësor të 55-vjeçarit. Ata kanë treguar në policinë e Beratit se pacienti vuante nga një sëmundje e rëndë dhe se nisur nga kjo situatë, ai është futur në një depresion të thellë, gjatë qëndrimit dy ditur në spital. Pavarësisht kësaj, mjekët e spitalit i kishin dhënë shpresa të shumta se ai do të shërohej nga sëmundja, por pavarësisht kësaj Nahir Hoxha, ka vendosur të hidhet nga dritarja e katit të tretë e spitalit, duke rënë me forcë në tokë. Si pasojë e kësaj përplasje Hoxha, ka pësuar dëmtime të shumta në trup, të cilat i kanë sjellë dhe hemorragji të brendshme dhe më pas vdekjen e tij. Disa nga pacientët e tjerë që ishin në dhomë së bashku me 55-vjeçarin, kanë deklaruar për policinë se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe se nuk kanë mundur të ndalojnë hedhjen nga dritarja të Nahir Hoxhës, për shkak se ky i fundit është hedhur menjëherë, në momentin kur pacientët e tjerë që ndodheshin në shumë ishin të shtrirë në krevatet e tyre.

 

Ngjarja në Durrës

Kapen 47 kile drogë, në pranga Tiransi

Forcat e Policisë së Durrësit sekuestruan dje në mesditë një sasi prej 47 kg lëndë narkotike marijuanë, ndërsa kanë arrestuar edhe drejtuesin e automjetit, ku u gjet e fshehur droga. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut bënë të ditur se forcat e sektorit të antidrogës pas një kontrolli të ushtruar në automjetin e drejtuar nga 54-vjeçari kryeqytetas Ilir Shabani, në zonën e plazhit të Durrësit, kanë zbuluar 47 lëndë narkotike marijuanë. Sipas të njëjtave burime, drejtuesi i automjetit është arrestuar në flagrancë, ndërsa vazhdojnë hetimet për të mësuar prejardhjen e lëndës narkotike, si dhe destinacionin e saj.

 

Droga në Shkodër

Bllokohen 30 kg drogë, në kërkim 2 vëllezër

Dy vëllezër u shpallën në kërkim pasi në banesën e tyre u zbulua një sasi lënde narkotike. Gëzim e Nosh Kulla 34 e 31 vjeç, nga Grudë të Re të Komunës Rrethina po kërkohen nga policia e Shkodrës, sepse në shtëpinë e tyre u sekuestrua 30 kg lëndë narkotike marijuanë. Lënda narkotike u gjet në magazinën ku mbanin ushqimet për kafshët, dhe e ndarë në tre thasë, në formë të thatë dhe në boçe. Lidhur me këtë ngjarje, policia e Shkodrës ka marrë në pyetje anëtarët e tjerë të familjes Kulla, por ata nuk kanë qenë në gjendje të japin shpjegime, rreth ekzistencës së lëndës narkotike brenda në magazinë. Nisur nga kjo situatë, policia ka kërkuar dy djemtë e familjes, por ata janë larguar në drejtim të paditur, duke mos pasur asnjë kontakt me policinë por edhe me familjen e tyre.

 

Plagosja Elbasan

Policia identifikon autorin, shpallet në kërkim

Një 26-vjeçar u plagos me armë zjarri mbrëmjen e vonë të së hënës në qytetin e Elbasanit. I riu me inicialet Lenci C. u qëllua me pistoletë në lagjen “Partizani”, duke marrë plagë të rënda. Ai u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit për mjekim, por prej andej u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë për një kurim më të specializuar, ku është jashtë rrezikut për jetën. Forcat e policisë së Elbasanit kanë nisur punën për zbardhjen e ngjarjes si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të plagosjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme asnjë person i dyshuar rreth kësaj plagosje nuk është arrestuar, ndërkohë që burime pranë policisë bënë të ditur se kanë bërë identifikimin e personit që qëlloi me armë mbi 26-vjeçarin.

 

 

 

 

Comments are closed.