Liga e Kampioneve, Xhakir bën “djallin”, Reali pa meritë në çerekfinale

0
123

Përgatiti Altin Vorpsi

Fergi vs Hoze Reali kalon “djajtë e kuq” mes fishkëllimave të publikut vendas

Arbitri turk ishte nota e vetme negative e një nate magjike në “Old Trafford”

 

 

Historia përsëritet. Hoze Murinjo, ashtu si në 2004 dhe 2010 (fitoi Ligën e Kampionëve me Porton dhe Interin), luajti mbrëmë në Angli një ndeshje deçizive për të kaluar në çerekfinale. Realit të tij i duhet një fitore dhe atë e arrin… falë disa vendimeve të çuditshme të kryesorit turk.

 

“I përjetshmi”  Gigs

Sër Aleks Ferguson habiti të tërë kur në fushë rreshtoi të tijtë me skemën 4-2-3-1. Në mes të fushës luajti Kerrik dhe Kleverli, ndërsa rolin e fantazistit e mori Rajan Gigs që luajti dje takimin e 1000 për “djajtë”. Tekniku skocez shtangu të gjithë kur në krahun e djathtë preferoi Nanin dhe jo Runin që e nisi ndeshjen nga bankina. Sa i përket repartit të avancuar u rikonfirmuan Uellbek (shënoi golin e parë në Bernabeu) dhe Van Persi. Nga ana tjetër hoze Murinjo nuk befasoi askënd pasi hodhi në fushë skuadrën e tij “të preferuar”. Higuain në sulm la në bankinë Benzemanë. “Pyka” nga Argjentina suportohej nga pas nga Ronaldo, Ëzil dhe Di Maria.

 

Skemat

Edhe pse Murinjo kishte thënë se Fergusoni nuk do të luante këtë ndeshje si të parën, pra në mbrojtje, nuk ndodhi ashtu. Sër Aleksi kishte rreshtuar të tijtë mjaft mirë prapa duke i lënë shumë pak hapësira spanjollëve. Gigsi mori krahun e Uellbekut, ndërsa ky i fundit u fut në mes pasi kështu kthehej dhe i shkatërronte lojën Realit duke shqetësuar Çabi Alonson. Rezultati? Loje e bukur por jo shumë e bukur.

 

Tersi

Sa i përket kronikës pjesa e parë ishte e ekuilibruar. Për të ruajtur të bardhë rezultatin “mendoi” shtylla e Diego lopezit. Në minutën e 21’, pas një goditje këndi, Nemanja Vidiç goditi bukur topin me kokë që përfundoi në shtyllë. Për “djajtë” e Mançesterit kjo ishte hera e shtatë që godisnin shtyllën në këtë edicion të Ligës së Kampioneve. Nga ana tjetër Reali nuk krijoi asgjë. Spanjollët rrezikuan shumë që merrnin gol edhe në minutën e 34’. Van Persi “tallet” me Varanen dhe lëshon një silur drejt Lopezit që i dhuroi një “asist” Uellbekut që çoi dëm gjithçka. nga Reali përsëri asgjë. I vetmi që bëri diçka ishte Murinjo që edhe një herë rrëmbeu vëmendjen duke lënë “Teatrin e Ëndrrave” një minutë para se të mbaronte koha e rregullt.

 

Përmbysja

Pjesa e dytë kishte gjithçka brenda. Askush nuk do të parashikonte një 45’ minutësh që do të niste me një autogol të Serxhio Ramosit. Qendërmbrojtësi i Realit, në minutën e 48’ çoi sferën në portën e vet pas një krosi pa pretendime të Nanit (i vodhi sferën Varanes). Reali mezi reagoi dhe këtu u fut “në lojë” arbitri Çakër. Në minutën e 56’, turku i nxori kartonin e kuq Luis Nanit pasi ky i fundit kishte ndërhyrë në mënyrë të parregullt  ndaj Arbeloas. Spanjolli i erdhi nga pas portugezit që nuk e pa dhe ngriti këmbën për të marrë topin. Kaq i mjaftoi arbitrit për të vendosur fatet e një supersfide. Për më tepër mendoi Murinjo që pas tri minutash hoqi Arbeloan dhe shtoi forcat në mesfushë duke aktivizuar Luka Modriçin. Minutat e mbetura ishin të tmerrshme për “djajtë” që në të 61’ shpëtuan vetëm në vijën fatale aty ku Rafael hoqi topin e goditur prej Higuainit. Por avantazhi i Junaitidit nuk do të zgjaste shumë pasi në 66’ erdhi barazimi. Modriç hyri bukur në qendër të mesfushës së vendasve dhe goditi mjaft bukur topin që pasi preku shtyllën “u pre” në rrjetën e De Xheas.  Ky i fundit, si gjithë skuadra ishte shokuar. Ky moment negativ do të zgjaste më shumë. Pas tri të tillave Ëzil i dha një superasist Higuainit që futi me forcë topin në zonë aty ky u hodh Ronaldo për ta shoqëruar në rrjetë. Këtu mbaroi edhe ndeshja. Mançesterit për tu kualifikuar i duheshin dy gola. Shumë për një skuadër që pa teksa iu mohua një penallti e pastër në minutën e 91’. Kështu përfundoi edhe “sfida” mes Sër Aleks Fergusonit dhe Hoze Murinjos. Të dy i dhanë jetë një duelit spektakolarë që i mungonte vetëm një arbitër i madh.

 

Hoze Murinjo

“Nuk fitoi skuadra më e mirë. Ne nuk luajtëm mirë dhe nuk meritonim që të fitonim por ky është futbolli. Nuk dua të flas për vendimet e arbitrit por dua të them se humbën më të mirë”.

 

Majk Filan (zëvendësi i Fergusonit)

“Të gjithë e keni parë se çfarë ka ndodhur. Unë jam këtu sonte pasi menaxheri (Fergusoni) është i shkatërruar. Vendimi i arbitrit ishte i pabesueshëm. Tani duhet të shohim para. Jemi të zhgënjyer”.

 

 

Borusia nuk ndalet

Borusia Dortmund nuk ka zhgënjyer askënd pasi ka fituar 3-0 ndeshjen e kthimit ndaj Shakhtar Donetsk, për të kaluar lehtësisht në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Ekipi gjerman nuk ka vënë në diskutim asnjëherë kalimin e turit, pasi kishte edhe në ndeshjen e parë në Ukrainë mori një brazim 2-2. Ndaj gjermanëve skuadra e drejtuar nga Mirçea Luçesku nuk ishte më ai ekipi i frikshëm që kishte shkëlqyer ndaj Juventusit e Çelsit në fazën në grupe. Përballë 80 mijë tifozëve në “Signal Iduna Park”, Borusias iu deshën pak më shuam se 30 minuta për të gjetur golin e avantazhit, me anë të Felipe Santanës, i cili me kokë nuk e pati të vështirë të dërgojë topin në rrjetë. Vetëm pak minuta më vonë, një kombinim Levandovski-Gëtze nxjerr talentin gjerman para portës dhe ai nuk fal duke dyfishuar shifrat. Armata e Klëp vazhdon dominimin dhe e ka shumë të thjeshtë të kontrollojë çdo tentativë të dobët të ekipit ukrainas për të kthyer ndeshjen. Në minutën e 58-të erdhi edhe goli i tretë që mbylli kualifikimin, ai i polakut Blazukovski që përfiton nga një gafë e Piatov për të shënuar qetësisht. Tani Dortmund shkon në çerekfinale me petkun  një pretendenteje, pasi ka vërtetuar se pikët e lëna kohët e fundit në kampionat kanë shërbyer për t’u përqendruar më shumë në Ligën e Kampioneve, një aktivitet ku dëshirojnë të vazhdojnë të dhurojnë surpriza të këndshme.

 

“Qemal Stafa” mbyll dyert sërish

Edhe pse dihen pasojat “Qemal Stafa” është shfrytëzuar në mënyrën më të keqe këto muaj të para të vitit të ri

Altin Vorpsi 

Impianti i vetëm ndërkombëtarë në Tiranë kërkon “pushim”. Kushtet në të cilat ndodhet fusha e “Qemal Stafës” janë të mjerueshme. Ky fakt ka shtyrë drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit që “të pezullojnë” deri në fund të këtij muaji çdo lloj aktiviteti që qe programuar për tu zhvilluar aty.

 

Terreni i vështirë

Edhe pse dihen pasojat “Qemal Stafa” është shfrytëzuar në mënyrën më të keqe këto muaj të para të vitit të ri. Kampionati filloi vetëm në fillim të shkurtit por në këtë terren janë luajtur një numër i madh ndeshjesh. Aty kanë luajtur si Tirana edhe Partizani madje edhe në distanca shumë të shkurtra kohore. Shembulli? Vetëm këtë javë që programuar që të dy ekipet të zhvillonin takimet respektive brenda tri ditëve. Javën e kaluar Tirana luajti përballë Teutës të shtunën ndërkohë që moti i keq shtyu sfidën mes Partizanit dhe Elbasanit. Kjo e fundit u programua për të luajtur ditën e hënë ndërkohë që realisht u luajt më datë 27 (të mërkurën).

 

Arsyet

Arsyeja që ka shtyrë Federatën Shqiptare të Futbollit për të marrë një vendim të tillë është e thjeshtë. Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të zhvillojë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Lituanisë në Tiranë më 26 mars 2013. Pas ndeshjes zyrtare në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014″ më 22 mars në Oslo me Norvegjinë, kuqezinjtë do të angazhohen në takimin miqësor me Lituaninë. Pikërisht për këtë sfidë FSHF mendon që të lërë “pushim” impiantin ndërkombëtarë “Qemal Stafa”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency