Standard.al

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve PD e PS gjejnë konsensusin për buxhetin dhe fletët e Fierit, shkurtim fondesh për TVSH-në

Florenc Drizari

KQZGenc Gjonçaj: TVSH e ka humbur shikueshmërinë në raport me mediat kombëtare, të rishikohen fondet

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratoi të enjten modelin përfundimtar të fletës së votimit që do të përdoret për Qarkun e Fierit, ndërkohë që përfaqësuesit ligjor të mazhorancës dhe të opozitës në KQZ, ranë dakord për modelin e parë të fletës të propozuar nga administrata e komisionit. Administrata e KQZ-së ka paraqitur dy modele për fletën e votimit në Qarkun e Fierit, ndërkohë që përfaqësuesit ligjor përzgjodhën variantin e parë me argumentimin se ngjason më shumë me fletët e votimit në qarqet e tjera të vendit. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Lefterie Lleshi shtyu miratimin në tërësi të këtij akti me argumentimin se ditën e mërkurë komisioni do të negociojë me kompaninë për të përcaktuar në mënyrë përfundimtare modelin dhe ditën e enjte do të votohet nga anëtarët. Modeli i fletës së votimit për Qarkun e Fierit nuk do të jetë i njëjtë me modelet e tjera për faktin se në këtë qark për herë të parë do të aplikohet numërimi elektronik i votave. Por përfaqësuesit e administratës së KQZ-së, mbështetën modelin e dytë të fletës edhe për faktin së në atë model ekziston mundësia që të shtohen subjektet zgjedhore që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 qershorit, ndërsa në modelin e parë fleta e votimit nuk mund të mbajë më shumë se 42 subjekte zgjedhore. Sipas përfaqësuesve të KQZ-së, kompania që do skanojë fletët e votimit kërkon që të jenë të përcaktuara qartë se cilat shenja do të shënohen në fletën e votimit, në mënyrë që ajo të quhet e vlefshme. Edhe pse kjo çështje pritet të zgjidhet mes specialistëve të KQZ dhe kompanisë, përcaktimi i detajuar i shenjave që do të quhen të vlefshme në fletën e votimit pritet të ngjallë debate edhe për faktin se pak ditë më parë, anëtarët e KQZ-së morën një vendim ku votuesit mund të shprehin çfarëdo lloj shenje brenda kutisë së votimit, mjafton sipas tyre që të dallohet qartë vullneti i votuesit.

MIRATIMI I BUXHETIT

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi po me konsensus projektbuxhetin për zgjedhjet e 23 qershorit, duke përfshirë edhe reduktimin e shpenzimeve për trajnimin e komisionerëve që u debatuan gjatë në mbledhjen e kaluar. Një shtesë në buxhetin e miratuar të KQZ-së ishte edhe veshja e 50 autobusëve me adeziv ku do të reklamohen slogane për zgjedhjet. Ndërkaq, debate gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit shkaktoi edhe miratimi i strategjisë për edukimin e zgjedhësve. Ky projekt i kushton 35 buxhetit të KQZ-së dhe debatet e fokusuan tek shpërndarja e drejtë e fondeve për të gjitha mediat.

GENC GJONÇAJ

Përfaqësuesi ligjori i Partisë Socialiste Genc Gjonçaj kërkoi që në fondin prej 35 milion lekësh të përfshihet çdo media kombëtare dhe të shmangen favorizimet në prag fushatë elektorale. Sipas tij Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet bëj kujdes që në reklamat sensibilizuese të mos përdoren slogane që ngjasojmë ne partitë politike. “KQZ duhet të jetë e kujdesshme në këtë drejtimi pasi në zgjedhjet e kaluara ka pasur raste ku slogani i partive ngjasonte me thelbin e reklamës së komisionit”, – tha Gjonçaj. Por nga ana e tij, përfaqësuesi ligjori i Partisë Demokratike, Niazi Kosovrasti, tha se po të shihet me vëmendje, projekti i propozuar nga administrata e KQZ-së nuk bën diferencime në reklama.

FONDET PËR TVSH-NË

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj kërkoi që në zërin buxhetor “Shpenzime për njoftimet”, KQZ duhet të jetë sa më transparente dhe t’i heqë monopolin TVSH-së për transmetimin e tyre. Sipas Gjonçajt, Televizioni Publik e ka humbur shikueshmërinë e tij krahasuar me mediat e tjera kombëtare dhe për këtë arsye komisioni duhet të bëjë një shpërndarje më të drejtë të shpenzimeve, duke mos favorizuar vetëm TVSH-në. Në replikë me homologun e tij, Niazi Kosovrasti tha se drafti nuk përjashton mediat e tjera nga publikimet e KQZ dhe se me këtë çështje nuk duhet të abuzohet. Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi, tha se propozimi i Gjonçajt do të shqyrtohet gjatë procesit të publikimit të njoftimeve.

 

Jani Jani: KQZ të shpërndajë fonde edhe për gazetat lokale minoritare

Përfaqësuesi i PBDNJ-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Jani Jani, gjatë diskutimeve për miratimin e buxhetit të KQZ-së për zgjedhjet e 23 qershorit, kërkoi që fondet e komisionit për reklamat të shpërndahen edhe për mediat lokale minoritare. Sipas Jani Janit, në zërin buxhetor për shpërblimet që jep KQZ-ja për njoftimet para dhe pas zgjedhjeve, fonde duhet të shpërndahen edhe për mediat lokale. Për këtë ai përmendi shembullin e TVGJ-së në Gjirokastër, në të cilën transmetohet edhe një emision javor në gjuhën e minoritetit. Kërkesa e tij u miratua në parim nga anëtarët e KQZ-së. Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me konsensus projektvendimin, “Për miratimin e strategjisë së KQZ-së, për edukimin zgjedhor të shtetasve për zgjedhjet për Kuvendin e datës 23.6.2013”, si dhe projektvendimin, “Për miratimin e strukturës së shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet për Kuvendin, të datës 23 qershor 2013”.

 

Ambasadori Arvizu, të enjten bashkëbisedim online me qytetarët

Ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksander Arvizu pritet të zhvillojë një tjetër bashkëbisedim online me qytetarët në “Act Now-Albanians Coming Together Now” mbi zotimin “Premtoj, Sepse e Dua Vendin Tim!” dhe mbi angazhimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Njoftimin e ka bërë Ambasada Amerikane në Tiranë, përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook. Bashkëbisedimi do të zhvillohet ditën e enjte, ndërkohë që të gjithë të interesuarit mund të dërgojnë pyetjet që kanë për ambasadorin. “A patët mundësi të merrni pjesë në bashkëbisedimin online me Ambasadorin Arvizu, i cili u zhvillua në janar? Nëse nuk mundët të postoni pyetjet tuaja herën e kaluar, tani ju keni një tjetër mundësi. Ditën e enjte, Ambasadori Arvizu do të diskutojë, në Act Now-Albanians Coming Together Now mbi zotimin “Premtoj, Sepse e Dua Vendin Tim!” dhe mbi angazhimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. A do të merrni pjesë në këtë bashkëbisedim online?”- shkruan Ambasada Amerikane.

 

Armët miratohen tek “Siguria”, Demi: I jepet fund dhunës dhe qartësohen kategoritë

Projektligji për armët një ditë më parë vetëm me votat e mazhorancës në Komisionin për Sigurinë Kombëtare, ndërsa opozita votoi kundër. Pas disa javësh diskutimi e debate te gjata, shumica parlamentare miratoi në komisionin e Sigurisë, draftin për Armët ku socialistet, ishin kundër dhënies se mundësisë për një kategori zyrtaresh te pajisen me arme personale, si dhe theksuan se ky ligj favorizon tregtarët e armëve e madje nxit dhe prodhon dhunë. “Është shembulli më i keq që ligjvënësit i japin publikut. Në një realitet ku krimi i dhunshëm, vrasjet terroriste dhe mafioze kanë hyrë në çdo qelizë të shoqërisë sonë”, – u shpreh nënkryetari Ilir Gjoni. Nga ana e tij kryetari i komisionit, Leonard Demi, u shpreh se ligji nuk do te ketë asnjë ndikim ne fushatën elektorale qe është ne prag, pasi hyn në fuqi pas zgjedhjeve te 23 qershorit. “Për sa i përket politikës së dhunës, qeveria apo ministria e Brendshme me këtë ligj që ka ardhur, kërkon që t’i japi fund dhunës duke i organizuar dhe i bërë të qarta kategoritë që kanë të drejtën të mbajnë armë”, – tha Demi. Neni që parashikon pajisjen me armë të politikanëve mbetet pika qe ndan palët për të shkuar ne parlament, me një ligj konsensual dhe debatet për këtë pritet të ketë edhe gjatë diskutimeve në seancën plenare. Komisioni për Sigurinë Kombëtare ishte edhe komisioni përgjegjës për projektligjin e armëve dhe drafti pritet të votohet në Kuvend javës tjetër në seancën e radhës. Miratimi i këtij projektligji mund të bëhet edhe me shumicë të thjeshtë votash në parlament.

 

Comments are closed.