Këshilli i Mandateve dhe i Rregullores në Kuvend Mandati i Fidel Yllit, Topalli: S’do lejoja asnjë miliarder në Parlament

0
176

Florenc Drizari

TOPALLIFidel Ylli: Po bëni gjueti shtrigash, licencën e radios nuk e mora kur isha deputet

 

Këshilli i Mandateve dhe i Rregullores zhvilloi dje një seancë dëgjimore me deputetin e Partisë Socialiste Fidel Ylli, lidhur me kërkesën e 16 deputetëve të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit. Seanca dëgjimore me deputetin socialist u shoqërua me debate mes deputetëve të pozitës dhe opozitës, dhe vendimi për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese do të merret në mbledhje e ardhshme të Këshillit të Mandateve pasi të jetë shqyrtuar edhe njëherë nga Kuvendi. Në debat me deputetin Fidel Ylli, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, tha se z. Ylli pasurinë e tij e ka bërë në kohën kur kryesocialisti Rama ishte kryetar Bashkie i Tiranës. Zonja Topalli shkoi më tej duke thënë se po të ishte në dorën e saj, asnjë miliarder nuk do të ishte pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. “Po te ishte për Jozefinën asnjë biznesmen s’do lija në Parlament, as një miliarder. Fidel, ju thatë që pasuritë dhe gjithë këto qindra mijëra euro i kam bërë nga ndërtimet në Tiranë?! Po të mos kishe pas kryetar bashkie Edi Ramën nuk do t’i kishe bërë”, – tha Topalli. Nga ana e tij, deputeti Ylli tha se të ardhurat e tij janë fituar falë punës përgjatë viteve kur nuk mbante poste politike.
Ndërkaq, para një jave deputetët e Partisë Demokratike i kërkuan Kuvendit të Shqipërisë që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për heqjen e mandatit të Fidel Yllit. Sipas demokratëve, zoti Ylli ka shkelur nenin 70 të Kushtetutës, pasi në dhjetor të 2009-ës, kur ai kishte disa muaj që ishte shpallur deputet, kishte në pronësi një radio. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi sqarime nga deputeti Ylli, nëse ka qenë në pronësi të një pasurie publike siç janë frekuencat, në kohën kur mori mandatin e deputetit në vitin 2009. Topalli rikujtoi se rasti i Yllit nuk është precedenti i parë me deputetët socialistë, pasi sipas saj edhe Ilir Beqja është akuzuar për konflikt interesi. Por deputeti socialist duke e cilësuar kërkesën e demokratëve “gjueti shtrigash”, – u shpreh se PD synon të largojë vëmendjen nga konfliktet e interesit të saj. Sipas Yllit, për këtë çështje ka edhe një vendim gjykate, që thotë se ai nuk ka asnjë konflikt interesi. Deputeti Ylli ka sqaruar faktin që licencën e radios lokale të cilën tashmë e ka në pronësi motra e tij, nuk e ka marrë në kohën kur ai mori mandatin e deputetit. “Sot kam ardhur para jush dhe kam sjellë gjithë praktikën, jo për të folur për gjëra teknike se për ato do merret gjykata. Kam ardhur t’ju bëj me dije se në këtë nismë të paprinciptë që ju keni marrë si mazhorancë është e turpshme që Parlamenti të funksionojë me ‘gjueti shtrigash’, kur unë kam të drejtën t’ju kërkoj ju zonja kryetare se që më 28 dhjetor të vitit 2009 ju ka ardhur një shkresë. Unë kam pasur një licencë radio lokale që në vitin 2003 për një pjesë të Tiranës dhe Durrësit në 2006 në kohën e Ledi Biankut dhe me thotë duhet të rinovosh licencën. Në maj të 2009 më ka ardhur një shkresë nga zonja Edlira Bushati që më njofton se ka ardhur momenti për të rinovuar licencës, dhe unë në bazë të rregullores së ligjit për median, në maj kam plotësuar dosjen dhe ja kam cuar zonjës Bushati për të më rinovuar licencën, sipas ligjit kjo zonja, 3 muaj pa u bërë deputet, duhet të më njoftonte a më takonte apo jo dhënia e licencës”, – tha deputeti Ylli. Sipas KKRT vendimi për licencën e Fidel Yllit nuk mund të merrej në shtator të 2009, pasi nuk formohej kuorumi i nevojshëm.

 

 

Kërkesa e PD-së: Fidel Ylli, në shkelje të Kushtetutës

Gjashtëmbëdhjetë firmat e deputetëve të Partisë Demokratike kërkojnë që Gjykatë Kushtetuese të shqyrtojë rastin nëse deputeti socialist Fidel Ylli ka qenë në konflikt interesi apo jo lidhur me pronësinë e një radioje në kohën kur ai është zgjedhur si ligjvënës në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas kërkesës së PD-së, grupi i deputetëve nismëtarë për këtë çështje vlerëson se roli i deputetëve dhe i Kuvendit në tërësi është thjesht konstatues i fakteve që tregojnë se një deputet, ka papajtueshmëri në ushtrimin e detyrës së tij. “Në këtë rast janë evidentuar fakte dhe prova në dokumente shtetërore”, – thuhet në shkresën e firmosur nga deputetët e mazhorancës. “Deputeti socialist Fidel Ylli ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Siç dihet, dhe siç përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike. Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”, – shkruhet në kërkesë.

 

Kryesia e Kuvendit

Vendimi i Kushtetueses, Rusmali: Pro referendumit dhe jo kundër importit të mbetjeve

Gjykata s’ka ndaluar importin e mbetjeve, por vendosi për referendum

Florenc Drizari

Kryetari i Komisionit Kuvendor të Ligjeve, Ilir Rusmali, sqaroi një ditë më parë se Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj u ka dhënë të drejtë shqiptarëve që të vendosin nëpërmjet zhvillimit të referendumeve për çështje të rëndësishme që atyre u interesojnë dhe jo kundër importit të mbetjeve. Z. Rusmali kundërshtoi disa publikime të në media në lidhje me këtë çështje duke i quajtur keqkuptime me dashje interpretimet se Kushtetuesja ndaloi ose lejoi importin e mbetjeve. “Sot njerëz dhe media kanë hedhur idenë sikur Kushtetuesja me vendimin e vet ka ndaluar importin, ky është keqinterpretim me dashje i vendimit të Kushtetueses dhe përfitoj nga ky komunikim për të sqaruar thelbin e vendimit. Kushtetuesja është pjesë e procedurës ligjore për shqyrtimin e nismave për referendum. Ajo çmon nëse çështja që i shtrohet me kërkesë duhet ti drejtohet popullit dhe të vendosë populli apo jo, ajo as nuk ndalon dhe as nuk lejon. Ajo ka marrë një vendim të rëndësishëm që konfirmon të drejtën e shqiptarëve që përmes votës të vendosin për çështje që i vlerësojnë, nuk ka parashikuar vullnetin e shqiptarëve për të vendosu, u ka kaluar atyre të drejtën për të vendosur”, – tha Rusmali.
Gjithashtu, deputeti i Partisë Demokratike shpjegoi se kushtetuesja e di që për shkak të defekteve të kërkesës për referendum krijohet vështirësi, pasi kërkesa hap krahun për importin total të listës së plehrave, por Kushtetuesja duke respektuar të drejtën sovrane të shqiptarëve ka njohur edhe instrumentet që ka parlamenti, për të mos lejuar krijimin e situatave kaotike në vend. “Ne si mazhorancë respektojmë sikurse dhe Kushtetuesja të drejtën e shqiptarëve, e provuam edhe dje me kërkesën për referendum, demokracia e shëndoshë e përsos sistemin demokratik në vend. Efektet negative që mund të na vijë nga një kërkesë e tillë do të përballohen nga, jo shteg abuzuesve që e kanë me hile pozicionimin e tyre ndaj çështjes”, – shtoi ai.
Ndërkaq, debati për importin e plehrave ka nisur që në vitin 2011 kur Parlamenti miratoi një ligj të ri për trajtimin e mbetjeve urbane në të cilin ishin përfshirë edhe dy nene që lejonin importimin e tyre për qëllime riciklimit. Nga ana e tyre ambientalistët kanë kundërshtuan me forcë këto dy nene duke argumentuar se Shqipëria nuk ka mundësitë për kontrollet e nevojshme dhe se vendi sipas tyre mund të rrezikojë të kthehet në një destinacion për mbetjet e rrezikshme. Por sipas qeverisë, ligji është hartuar në përputhje me standardet evropiane dhe janë vetëm 25 lloje mbetjesh që lejohet të hyjnë për qëllime riciklimi.


 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency