Standard.al

Braçe: Ajo që po ndodh me listat e deputetëve është e pandershme dhe joproduktive

Gëzim Saliu

braceDeputeti i PS-së: Në seancën parlamentare jam ndier keq si asnjëherë më parë në katër vitet e fundit

 

Përpilimi i listave të kandidatëve të ardhshëm për deputetë të Partisë Socialistë është i pandershëm dhe joproduktiv. Kështu ka deklaruar dje anëtari i kryesisë socialiste Erion Braçe, duke nënvizuar se kjo praktikë duhet të marrë fund. “Kjo histori duhet të marrë fund. Për mua dhe kolegët e mi. Nuk është e drejtë, as e ndershme, as parimore, as produktive kjo që po ndodh”, – tha deputeti i PS-së.

 

Reagimi

Duke iu referuar deklaratave në seancën parlamentare të dy ditëve më parë të Kryeministrit Berisha dhe Kryeparlamentares Topalli, të cilët ironizuan me përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të PS-së nga ana e kreut socialist Rama, Braçe theksoi se kjo praktikë duhet të marrë fund. “Dje jam ndier keq personalisht. Më keq se kurrë në këto 4 vitet e fundit në Kuvend. Gjithnjë personalisht. Dy herë. Herën e parë kur Sali Berisha m’u drejtua duke më thënë: ‘Ti nuk do të jesh më deputet. Të ka hequr’, dhe bëri me dorë shenjën e thikës që pret kokën. Herën e dytë kur Jozefina Topalli m’u drejtua duke më thënë: ‘Ah mar Erjon kush pa ta za venin këtu, ti mbase e ke dashtë PS, por ai që po ta zë e ka luftu PS-në’. Natyrisht, Sali Berisha dhe Jozefina Topalli nuk vendosin në PS. S’kanë asnjë lloj mundësie të vendosin në PS. Kjo është fare, fare e qartë. Siç është e qartë që në mungesë të argumenteve mbi çështjet që unë dhe kolegët e mi mbrojtëm dje, posaçërisht privatizimet e atdheut, zgjodhën të mos përgjigjen për to – s’kishin ç’të thoshin e të merren me listat e PS-ës. Por, kjo histori duhet të marrë fund. Për mua dhe kolegët e mi. Nuk është e drejtë, as e ndershme, as parimore, as produktive kjo që po ndodh. Sa për Sali Berishën, gojën ia tapos vetë”, – u shpreh deputeti i Partisë Socialiste në rrjetin social “Facebook”. Më tej, duke bashkëbiseduar me qytetarët lidhur me këtë qëndrim, Braçe theksoi se situata aktuale me listat e deputetëve i jep avantazh Kryeministrit në raport me PS-në. “Nëse unë shkoj në Kuvend për të folur për privatizimit kriminale, është tërësisht fyese për të mos thënë skandaloze që të më përgjigjen me pozicionin tim në të ardhmen. Po kështu për të gjithë kolegët e mi të angazhuar dje. Unë s’e kam fare për gjë të mos jem deputet, por që kjo situatë t’i japë avantazh Sali Berishës nuk është në dëmin tim, por të PS-së!! Besoj kjo duhet të kuptohet!”, – deklaroi anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste. Deputeti Braçe e ka shprehur prej kohësh qëndrimin e tij lidhur me listat e kandidatëve për deputetë, ku ka kërkuar që në përpilimin e tyre të përfshihet edhe mendimi i anëtarësisë socialiste. Ky qëndrim, i mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të selisë rozë, nuk është marrë parasysh deri më tani nga kryesocialisti, i cili sipas të gjitha gjasave edhe në këto zgjedhje parlamentare do të ketë të drejtën ekskluzive në përzgjedhjen e kandidatëve. Vetëm pak ditë më parë, në një reagim në rrjetin social, dukë bërë të ditur se me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë po shkelet statuti i PS-së, Braçe nënvizoi se në rastin e tij nuk është parashikuar asnjë konsultim apo mendim i kryesisë së selisë rozë. “Nuk ka asnjë vendim të kryesisë së PS-së për këtë çështje! Sepse, nuk ka të miratuar asnjë dokument kriteresh e parimesh mbi bazë të të cilit do të përzgjidhen kandidatët për deputet; sepse, nuk ka asnjë analizë të punës të secilit prej deputetëve ekzistues të grupit parlamentar duke më përfshirë dhe mua; sepse, nuk ka asnjë konsultim të të deleguarit të kryesisë, me mua, me ne deputetët në qarkun Berat dhe mbi të gjitha me anëtarësinë e PS-së në këtë qark; sepse, nuk ka asnjë konsultim të të ngarkuarit të kryesisë në GSO për qarqet e Jugut, me mua, me ne deputetët në qarkun Berat dhe mbi të gjitha me anëtarësinë e PS në këtë qark. Unë i qëndroj parimit që do të vendosni ju, socialistët e thjeshtë që punoni në çdo fushatë në çdo bllok, lagje, fshat, komunë e bashki!”, – theksoi deputeti i PS Erion Braçe.

 

 

Lista e deputetëve ekskluzivisht nga Rama, anëtarësia lihet jashtë

Përpilimi i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste nga kreu socialist Edi Rama ka shkelur statutin e forcës më të madhe opozitare. Duke lënë kryesinë e PS-së pa asnjë funksion, pasi sipas statutit, duhet të jetë ky forum i cili duhet të japë miratimin për propozimet për kandidatët për deputetë, kryesocialisti po ripërsërit skemën e përdorur në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Duke lënë mënjanë strukturat e partisë, Rama ka nisur të bëjë publik këto ditë disa nga kandidatët për deputetë të PS-së në qytetet e vendit në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit, ku ka munguar tërësisht transparenca për kriteret e formën e përzgjedhjes së këtyre kandidatëve. Statuti i PS-së në Nenin 29/pika 14 thotë: “Kryesia e PS mblidhet jo më rrallë se një herë në muaj dhe ka këto kompetenca kryesore: miraton kandidaturat për deputetë dhe drejtuesit kryesorë të organeve vendore”. Megjithëse kandidaturat e miratuar nga Rama pritet të marrin në përfundim edhe miratimin e kryesisë, ky vendim i fundit i këtij forumi duket se do të jetë pa vlerë. Kjo pasi kandidatët në të shumtën e rasteve janë prezantuar nga lidershipi socialist dhe kanë nisur punën në qytetet ku janë zgjedhur dhe zëvendësimi i tyre në momentet e fundit, në rast se kryesia nuk e miraton kandidaturën e tyre, duket i pamundur. “Unë s’jam ekspert në sport, por di si menaxhohet një ekip. Ekipet fituese janë të suksesshme kur krijojnë ekipe zinxhirësh, jo ekipe me trajnerë të fortë, që vendosin kush do lozë dhe kush do rrijë në stol rezervë”, – pati reaguar pak kohë më parë anëtari i kryesisë së PS-së Arben Malaj, duke kritikuar drejtpërsëdrejti procesin aktual të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë të PS-së në kuadër të garës elektorale në 23 qershor.

 

 

Fushë-Krujë, Rama: Numri i aksidenteve varet nga gjendja fizike e rrugëve

Partia Socialiste ka organizuar dje në qytetin e Fushë-Krujës një takim me temë “Siguria rrugore”, ku u diskutua gjendja aktuale e infrastrukturës rrugore në vend si dhe pasojat tragjike që sjell situata skandaloze e rrugëve për jetën e qytetarëve. Kryetari i PS-së Edi Rama akuzoi mazhorancën qeverisëse si fajtoren kryesore për situatën e aksidenteve, duke theksuar se Shqipëria ka katër herë më pak automjete për 100 mijë banorë se sa të gjitha vendet e Bashkimit Evropian edhe të rajonit. “Qeveria ka ngritur një komitet. E quajnë komiteti ndërministror për sigurinë rrugore, që e kryeson Kryeministri. Në tetë vjet ky komitet është mbledhur vetëm një herë, në vitin 2006 dhe ndërkohë sipas statistikave çdo ditë një shqiptar vdes në rrugë dhe tre të tjerë plagosen. Sot në vitin 2013 Shqipëria nuk ka asnjë metër rrugë të certifikuar dhe të plotësuar sipas standardeve evropiane, siç i kanë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian ose që janë kandidate për në Bashkimin Evropian”, – tha Rama. Më tej ai pohoi: “Për sa kohë që qeveria nuk do të kuptojë, ose do të bëjë sikur nuk kupton që numri i madh i aksidenteve nuk është i lidhur me policinë, apo me qytetarin, por është i lidhur me gjendjen fizike të rrugëve, kjo gjendje nuk mund të përmirësohet ndjeshëm”. Në këtë kontekst, kreu socialist bëri të ditur edhe masat që parashikon programi i PS-së për aksidentet duke deklaruar se parashikohet të ngrihet një Qendër Kombëtare të Kontrollit të Trafikut Rrugor. “Ne duam është në sistemi arsimor shqiptar, publik apo jo publik, të ketë një program siç e ka gjithë Evropa, të përshkallëzuar nga klasa e parë deri në shkollën e mesme, për edukimin rrugor. Ndërkohë që rrjetin kombëtar bazë do ta ripërtërijmë krejtësisht në të gjithë Shqipërinë”, – u shpreh Rama. Në takimin me qytetarët e Fushë Krujës merrnin pjesë kryetari i PS-së, Sekretari organizativ i kësaj partie, Blendi Klosi, anëtarët e grupit të punës për programin, Eglantina Gjermeni dhe Artan Lame, si dhe drejtues të pushtetit vendor.

 

Referendumi për tri ligjet, Bushati: Duhet konsensus, Gjinushi: Qëndrim antievropian

Opozita e kundërshton hapur referendumin e miratuar dy ditë më parë në seancën parlamentare për tri ligjet e Brukselit, duke theksuar se palët duhet të gjejnë konsensusin mes tyre. Kryetari i komisionit parlamentar të integrimit, Ditmir Bushati e lidhi qëndrimin e mazhorancës me deklaratën e kryekomisionerit Stefan Fule, duke theksuar se një veprim i tillë cenon frymën e dialogut mes qeverisë dhe opozitës. “Ajo e djeshmja ishte një lojë duke ditur qëndrimin e BE për këtë çështje. Deklarata e Fyles, parashikon jo imponim por kompromis mes palëve. Mesa duket PD nuk e ka kuptuar këtë mesazh dhe ky është problem i tyre”, – tha Bushati për “Vizion Plus”, duke shtuar se nga ana e mazhorancës nuk ka një vullnet për ta çuar përpara integrimin e vendit, që presupozon sipas tij dhe një dakordësi të opozitës, në tre ligjet dhe aktet e mbetura pezull në Kuvend. Ndërkohë një tjetër zë opozitar, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, nga Korça deklaroi dje se votimi i referendumit tregon dëshpërimin e qeverisë dhe qëndrimin e saj antievropian.

Comments are closed.