Apeli tërheq dosjen e plotë për 21 Janarin, së shpejti hidhet në short

0
368

Sonja Caka

apeliProkuroria ankimoi vendimin e 2 pafajësive të gjykatë, kërkon dënimin e të pandehurve Llupo e Prendi. Gjykata e Shkallës së Parë i shpalli të pafajshëm, hetimet të paplota

 

Dosja e bujshme e 21 Janarit me tri pafajësi brenda mbërrin në Gjykatën e Apelit dhe pritet të javën e ardhme t’i nënshtrohet procedurës së hedhjes së shortit. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare pranë kësaj gjykate, të cilat bëjnë me dije se dosja e plotë e gjykatës së Shkallës së Parë është tërhequr tri ditë më parë dhe në vijim do të përcaktohet edhe gjyqtari rehatues i saj. Pas kësaj procedure, do të jetë sekretaria gjyqësore që do të përcaktojë në bazë të numrit rendor edhe seancën e parë për këtë dosje, duke njoftuar edhe palët e interesuara në këtë proces. Në ankimimin e bërë një javë pas shpalljes së vendimit nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha, organi i akuzës ngre pretendime mbi dy prej pafajësive, konkretisht mbi ato të dhëna për Agim Llupon dhe Ndrea Prendin për të cilët kishte kërkuar respektivisht dënimin me 25 dhe 23 vite burg.

Ankimimi i prokurorisë

Prokuroria ka depozituar më 15 shkurt të këtij viti apelimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës për çështjen e 21 Janarit. Qysh në fillim të ankimimit të vendimit të dy pafajësive, prokuroria lëshon akuza të forta ndaj trupës gjyqësore, duke deklaruar se “gjykata në kundërshtim të plotë me provat e paraqitura nga organi i akuzës gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke u referuar në fakte e prova inekzistente dhe në tejkalim me kompetencat që i njeh ligji procedural-penal për çmuarjen e provave, vlerësimin e analizën e tyre sipas kërkesave të neneve 152 e 380 të Kodit të Procedurës Penale, ka deklaruar të pafajshëm dy të pandehurit Ndrea Prendi e Agim Llupo, për këto shkaqe e “argumente” të paraqitura në vendim”. Më tej, në 10 faqe ankim, Prokuroria argumenton pse kundërshton dy pafajësitë, provat ku mbështet akuzën ndaj të pandehurve, kundërshtitë për analogjinë me vendimin Strasburgut, si dhe akuzuat për manipulime të ekspertizës nga ana e ekspertit Ndoc Çardaku.

Vendimi i gjykatës

Një sërë argumentesh ka përdorur trupi gjykues për të arsyetuar tri pafajësitë, ndërsa i bazon ato në mungesën e hetimeve të organit të akuzës për ngjarjen e rëndë me pasojë 4 viktima. Sipas trupës gjyqësore, nga ana e akuzës ka munguar një hetim i plotë për ngjarjen, ndërsa Garda e Republikës është sulmuar dhunshëm nga ana e turmës së egërsuar, e cila nuk ka ngurruar të përdorë deri në bomba “Molotov” kundër efektivëve që ruanin institucionin e Kryeministrisë. Gjykata përdor në vendim deklarimet e bëra nga vetë prokurorët gjatë procesit gjyqësor, ku përmendet se Garda ka qenë e sulmuar dhunshëm nga turma e egërsuar, ndërsa është shkelur disa herë edhe “zona e kuqe”. Ndërsa lidhur me momentin e hapjes së zjarrit, gjykata arsyeton se “hapja e zjarrit nga i pandehuri Ndrea Prendi nuk ka lidhje me hapjen e zjarrit nga efektivat e Gardës së Republikës për t’u shërbyer atyre si urdhër virtual, pasi efektivat e Gardës së Republikës e kanë filluar hapjen e zjarrit qysh me djegien e vendrojës dhe shpërthimin e portës”. Në vendimin e saj të arsyetuar, Gjykata evidenton faktin se ka qenë vetë organi i akuzës që ka pranuar para trupit gjykues sulmet agresive të turmës ndaj gardës dhe përdorimin deri në bomba “Molotov” ndaj tyre. “Organi i akuzës, megjithëse e pranon dhe e pasqyron vetë këtë situatë fakti dhe veprimet e kundërligjshme dhe agresive të disa prej protestuesve, nuk ka zhvilluar aspak hetime në drejtim të intensitetit dhe rëndësisë së sulmit në raport me veprimet e të pandehurve (në detyrë) dhe akuzave të ngritura në ngarkim të tyre” shprehet gjykata në vendim.

 

 

Vendimi

20 plumba automatiku për një goditje pa dashje në sup, dënohet 1.2 vjet burg

Kanosi me armë automatike një të ri vetëm pse e preku pa dashje në sup dhe e qëlloi për shkak të sharjeve nga ana e të pandehurit. Një breshëri automatike u derdh mbi të, por që për fat të mirë nuk e kapi asnjë plumb. Për të gjitha këto veprime të rrezikshme, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 vit e 2 muaj burg 20-vjeçarin Ardit Haxhiaj, i cili rezultoi të ishte djali i një efektivi policie. I riu i pandehur nuk është kapur ende nga policia, ndërkohë që është përfaqësuar në hetim dhe gjykim nga avokati i zgjedhur nga familja. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykata konstatoi në lidhje me të pandehurin dhe qëndrimin e tij pas kryerjes së veprës, se ai është hetuar dhe gjykuar në mungesë (pavarësisht se ndaj tij është vendosur një masë sigurimi arrest në burg) duke iu shmangur ballafaqimit me drejtësinë dhe duke dëshmuar se organet policore nuk mund ta arrestojnë atë. Duke qenë kështu, pretendimi i avokatit se i pandehuri është i penduar dhe nuk paraqet rrezikshmëri mbetet i pabazuar. Gjithashtu, gjykata u shpreh se i merr në konsideratë edhe rrethanat lehtësuese për të pandehurin duke dhënë një dënim më të butë nga ai i kërkuar nga Prokuroria, por vetëm fakti se ai është nxënës shkolle nuk mund të mjaftojë për aplikimin e nenit 59 të Kodit penal. Nga hetimi gjyqësor ka rezultuar se i pandehuri Ardit Haxhiaj dhe i dëmtuari Ledio Guni janë përplasur me njëri-tjetrin pas daljes nga një lokal, përkatësisht te dera e tij. Pa dashje rezulton të jenë prekur me sup dhe i pandehuri ka sharë të dëmtuarin. Ky e ka qëlluar dhe më pas janë ndarë. Më pas, i pandehuri i ka shkuar me armë automatike te lokali ku pinte kafe i dëmtuari dhe në largësi 5-6 metra nga njëri-tjetri, ka qëlluar me 20 plumba automatiku, duke rrezikuar seriozisht jetën e Gunit, pasi edhe arma i ka dalë nga kontrolli. Sipas hetimit dhe gjykimit, i pandehuri nuk ka rrezikuar vetëm jetën e Ledio Gunit, por edhe të personave të tjerë, pasi ka qëlluar në një ambient publik.

 

Tiranë

Bleu mall me euro të falsifikuara, dënohet 9 muaj burg

Gjykata e Tiranës dënoi me 9 muaj burg shtetasin Erion Ymeri, akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit të monedhave”. Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri përfundimisht do të vuajë 6 muaj burg, pasi pranoi gjykimin e shkurtuar. Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar. Sipas vendimit të gjykatës, në këtë kohë, i pandehuri ka shkuar në një dyqan këpucësh të përdorura në zonën e Medresesë. Rezulton që ai t’i ketë kërkuar shitësit Dashnor Meçi të blinte një palë atlete “Adidas”, të cilat kushtonin 2 mijë lekë dhe përfundimisht ata ranë dakord për shumën 1800 lekë. Pasi kanë rënë dakord për çmimin si më sipër, i pandehuri ka kërkuar të kryente pagesën në Euro, duke i bërë të ditur shitësit të dyqanit edhe kursin e këmbimit të asaj dite me 139 lekë. I pandehuri i ka dhënë shitësit një kartëmonedhë 50 duke marrë kusurin prej 5.200 lekë. Vetëm kur është larguar i pandehuri, shitësi ka kuptuar se kartëmonedha prej 50 euro ishte false. Shitësi ka ndjekur të pandehurin, i cili është ndaluar nga një punonjës i qarkullimit rrugor e më pas nga patrulla e policisë që vajti në vend.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency