Zhdukja e Remzi Hoxhës, mbyllet shqyrtimi në Apel, më 11 mars vendimi

0
156

Sonja Caka

remziProkuroria: Të lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë për Sefgjinin, Koldashin dhe Ilir Kumbaron. Mbrojtja: Kërkojmë të lihet në fuqi kërkesa e prokurorisë që i shpalli të pafajshëm

 

Nis gjyqi në Apelin e Krimeve të Rënda për tri të pandehurit e akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Me një seancë u mbyll shqyrtimi dhe më 11 mars pritet të shpallet vendimi, afat ky i argumentuar me kompleksitetin e çështjes. Para trupës gjyqësore, përfaqësuesi i akuzës kërkoi të lihet në fuqi vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila i shpalli fajtorë të pandehurit Arben Sefgjini e Avni Koldashi, por që gjykimi për ta u pushua për shkak të përfshirjes nga amnistia të veprës penale për të cilën u dënuan. Ndërkohë që, për të pandehurin e tretë Ilir Kumbaro u kërkua sërish të lihet në fuqi vendimi me 15 vite burg. Menjëherë kanë reaguar avokatët mbrojtës të të pandehurve Sefgjini e Koldashi, të cilët kërkuan të lihet në fuqi kërkesa e prokurorisë gjatë pretencës në Shkallën e Parë, duke shpallur të pafajshëm klientët e tyre. Mbrojtja ka akuzuar Prokurorinë për ndryshim qëndrimi nga akuzat e Shkallës së Parë. Sipas avokatëve mbrojtës, prokuroria në shkallë të parë ka kërkuar pafajësi për Sefgjinin dhe Koldashin, ndërsa në Apel kërkojnë lënien në fuqi të vendimit të gjykatës,i cili dënon tre ish SHIK-sat, por që në fund përfitojnë nga amnistia. Pasi ka dëgjuar dy palët në proces, për shkak të kompleksitetit të çështjes, gjykata ka kërkuar një javë kohë për shpalljen e vendimit, duke caktuar datën 11 mars për seancën e fundit.

Kërkesa e prokurorisë

Prokuroria e Apelit të Krimeve të Rënda kërkoi shpalljen fajtorë të të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, duke lënë në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë. Prokurori nuk ishte dakord me tërheqjen e Prokurorisë së Shkallës së parë, e cila rrëzoi akuzën e “Torturës me pasoja të rënda” duke e zëvendësuar atë me atë të “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit në rrethana lehtësuese”. Sipas prokurorit të Apelit, të pandehurit, pa përjashtim akuzohen për veprën penale të “Torturës me pasoja të rënda”. Për ta, tha prokurori, ka prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë implikimin në rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e shtetasit Remzi Hoxha, si dhe në torturimin e shtetasve Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli. Përfaqësuesi i akuzës përmendi se si prova kundër Ilir Kumbaros janë të gjitha faturat e hyrje-daljeve në kufi, faturat e blerjeve, datat e takimeve me persona të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu, një provë e rëndësishme është edhe dëshmia e dhënë nga personi i torturuar Avdyl Loshaj. Ky i fundit ka folur para një gjykate në Kosovë. Organi i akuzës tha se në dosje janë edhe deklarimet e vet të pandehurit Ilir Kumbaro në Angli. Sipas gjykatës, ky i pandehur, i dënuar me 15 vite burg, ka torturuar në prani edhe të Budion Meçes shqiptaro-maqedonasin Remzi Hoxha, duke i shkaktuar vdekjen. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda mbajti qëndrim tjetër nga prokuroria, duke ndryshuar kualifikimin e veprave penale ndaj të akuzuarve, të cilët, sipas gjykatës, kanë kryer veprime të kundërligjshme, por me akuzën e re që gjykata u adresoi, ata përfitojnë nga amnistia e vitit 2007. E për këtë, ndaj Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit pushohet gjykimi, sipas gjykatës, për akuzën e kryerjes së veprimeve arbitrare dhe cenimin e lirisë ndaj Remzi Hoxhës dhe Ziso Kristopullit, ndërsa ata janë të pafajshëm për këto akuza për të rrëmbyerin tjetër Avdyl Loshaj. Duke marrë në konsideratë një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë, gjykata e cilësoi marrjen nga SHIK-u të këtyre tre shtetasve si cenim lirie, pasi rrëmbimi kryhet, sipas gjykatës për qëllime përfitimi. Sipas gjykatës, Ilir Kumbaro u dënua për një akuzë të re, atë të kryerjes së torturës me pasojë vdekjen e Remzi Hoxhës.

Kërkesa e mbrojtjes

Pala mbrojtëse ka kërkuar nga gjykata të lihen në fuqi dy pafajësitë e kërkuara nga prokurorja Elisabeta Imeraj, si dhe ndryshimin e kualifikimit të akuzës të bërë gjatë paraqitjes së konkluzioneve. Avokati i Arben Sefgjinit u shpreh se “vetë akuza ka kërkuar pafajësi dhe sot nuk e kuptojmë qëndrimin e prokurorit dhe faktin se ku e mbështet kërkesën për ndryshimin e kualifikimit të veprës penale dhe atë për shpalljen e fajësisë së tyre”. Në të njëjtën linjë ishte edhe avokati i të pandehurit Avni Koldashi, Asaf Hadëraj. Ky i fundit tha se akuza nuk mundet në asnjë mënyrë të shtrembërojë akuzën e Shkallës së Parë.

Ngjarja

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur 17 vite më parë, kur më 21.10.1995, është rrëmbyer dhe ka humbur çdo kontakt me familjarët e tij viktima Remzi Hoxha. Por jo vetëm kaq, pasi në këtë proces hetimor u përfshinë edhe rrëmbimi dhe torturimi për të njëjtën akuzë dhe për lidhje mes tyre edhe i shtetasve Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Ky i fundit, sipas akuzës, është rrëmbyer nga fundi i shtatorit të vitit 1996 nga persona që punonin në Shërbimin Informativ Kombëtar dhe i është kërkuar përmes trysnisë së keqtrajtimeve fizike dhe psikike dhënia e informatave të ndryshme që kishin lidhje me sigurinë kombëtare. Sipas akuzës, ky person është mbajtur për disa ditë dhe keqtrajtuar derisa i kanë shkaktuar dëme të mëdha shëndetësore. Loshaj ka rrëfyer se ka parë Remzi Hoxhën në ambientin ku e mbanin të izoluar strukturat e SHIK-ut të asaj kohe. Edhe Ziso Kristopulli ka rrëfyer se ka kanë rrëmbyer pa paralajmërim në Sarandë dhe e kanë mbajtur për 5 ditë, ku vetëm më pas ka mësuar se e kanë marrë persona që punonin për SHIK. Nga hetimet e akuzës ka rezultuar se Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli janë rrëmbyer dhe keqtrajtuar mizorisht nga punonjës të SHIK. Sipas akuzës, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi vetëm se kanë qenë në kohën e ngjarjes në funksione drejtuese në SHIK, por që në asnjë nga provat e administruara gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, nuk rezulton e pasqyruar përfshirja në vepër penale e e këtyre dy të pandehurve. Në këto kushte për këta shtetas u kërkua nga prokurorja deklarimi i pafajësisë së tyre, duke qenë se nuk i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Para gjykatës ka dëshmuar vetë Ziso Kristopulli, i cili ka deklaruar se është rrëmbyer në Sarandë në tetor të vitit 1995, nga persona që iu prezantuan si të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Më pas është marrë, u dërgua në Tiranë dhe më pas në Lezhë. Gjatë marrjes në pyetje, Kristopulli dëshmoi për gjykatën se e kanë pyetur mbi lidhjet dhe njohjet e tij me Remzi Hoxhën dhe Avdyl Loshajn. Procesi i marrjes në pyetje, sipas tij, është shoqëruar me keqtrajtime deri në torturë për marrje informacioni. Kristopulli ka dëshmuar se është marrë në makinë nga katër persona dhe shefi i tyre ishte Avni Koldashi. Ai ka dëshmuar se nuk e njeh Arben Sefgjinin, ndërsa ka identifikuar të pandehurit Budion Meçe dhe Ilir Kumbaro se i ka parë dhe janë dy nga personat që e kanë keqtrajtuar dhe torturuar. Edhe i dëmtuari Avdyl Loshaj ka identifikuar si keqtrajtues të tij të pandehurin Ilir Kumbaro, si një person mjaft të dhunshëm dhe nga dhuna e të cilit ka ndenjur për një kohë të gjatë në spital. Gjithashtu, Loshaj ka dëshmuar se ka dëgjuar britmat e Remzi Hoxhës. Ndërkohë, roje të bazës së SHIK në Vain të Lezhës kanë dëshmuar se kanë parë Remzi Hoxhën të izoluar aty dhe që merrej në pyetje.

 

Shkodër

“Armëmbajtja pa leje”, shtyhet gjyqi për Emiljano Shullazin

Gjykata e Apelit në Shkodër ka shtyrë dje seancën gjyqësore kundër të pandehurve Emiljano Shullazi e Edison Harizaj, të akuzuar për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”. Shkak për shtyrjen është bërë mungesa në seancë e të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbrojtës. Seanca është zhvilluar rreth orës 12:30, ndërsa nga efektivët ishin marrë masa të rrepta sigurie. Por, më pas u mësua se i pandehuri Shullazi nuk do të paraqitej. Trupa gjyqësore e kryesuar nga relatori Astrit Kalaja dhe dy gjyqtarët Valbona Vata dhe Luan Dervishi, vendosi shtyrjen e seancës së radhës për më më datë 12 mars, duke përsëritur njoftimin për avokatët dhe dy të pandehurit. Më 3 korrik 2012, Gjykata e Lezhës dha masën “Burg pa afat” për Shullazin, në lidhje me akuzën për “Armëmbajtje pa leje”, pasi në qershor u kap me dy pistoleta pa leje në qytetin e Lezhës, përkatësisht në kryqëzimin e Shëngjinit. Ndërkohë që pas një kontrolli në banesën e tij në Tiranë, forcat e policisë sekuestruan 6 telefona celularë si dhe 2 radio policie, dy pistoleta si dhe makinën e blinduar me të cilën lëvizte Shullazi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency