Shoqëruan Frrokët, pesë policët e komisariatit u “tradhtuan” nga shefat

0
199

Elton Qyno

policetDosja e prokurorisë, historia e shoqërimeve në lokalin e natës “Makuba”.

Shoqëruan vëllain, djalin dhe nipin e Arben Frrokut, policët ranë viktima

 

Tradhtohen nga shefat e tyre dhe prokuroria pesë efektivë të komisariatit nr. 2, që shkuan të arrestonin vëllain e biznesmenit Arben Frroku, Mark Frroku, nipin e tij Jak Jaku, djalin Grand Frroku dhe shtetasit Ilir Lasku dhe Toma. Të pestë efektivat e komisariatit nr. 2 në 18 shkurtin e vitit të kaluar, kanë shkuar në lokalin e natës “Makuba”, që është në pronësi të familjes Frroku, për shkak se kishin marrë një telefonatë nga qytetarët për krijimin e zhurmave. Nisur nga kjo situatë, pesë efektivët e policisë: Adriatik Bregu, Argert Terpo, Artur Celaj, Ferit Saliasi dhe Nuredin Kasma, kanë shkuar në ambientet e lokalit të natës “Makuba” dhe për shkak të kundërshtimit të personave të sipërcituar, mes tyre ka lindur një konflikt që ka sjellë edhe përplasjen fizike mes policisë dhe pjesëtarëve të familjes së biznesmenit Arben Frroku. Pas gjithë kësaj situate, vëllai i tij, Mark Frroku, djali Grand Frroku dhe nipi Jak Jaku janë shoqëruar në ambientet e komisariatit nr. 2, por pas disa orësh ata janë lënë të lirë. Duket se lidhjet e biznesmenit Frroku me drejtues të lartë të policisë kanë bërë që tre personat e shoqëruar të lirohen menjëherë, ndërkohë që kjo ngjarje është kthyer në disfavor të pesë efektivave të policisë, të cilët janë pezulluar nga detyra dhe se aktualisht ndaj tyre është ndërmarrë një proces hetimor nga ana e Prokurorisë së Tiranës. Momentalisht të pesë efektivat e policisë që shoqëruan anëtarët e familjes Frroku, janë vënë në akuzë për “Kryerje e veprimeve arbitrare në bashkëpunim”.

Policët “ranë” viktima

Edhe pse bënë shoqërimin në komisariatin nr. 2, asnjëri prej të ndaluarve nuk është marrë në ndjekje penale, duke përjashtuar anëtarët e familjes Frroku nga hetimi, dhe se në qendër të tij, janë vënë pesë efektivët Adriatik Bregu, Argert Terpo, Artur Celaj, Ferit Saliasi dhe Nuredin Kasma. Që prej 29 tetorit të vitit të kaluar, në gjykatën e Tiranës me kërkesë të prokurorisë, është iniciuar një proces gjyqësor, ndaj pesë efektivëve të policisë, të cilët në 18 shkurt bënë shoqërimin me forcë të Mark Frrokut, Grand Frrokut, Jak Jakut dhe dy personave të tjerë, që ishin duke pirë alkool dhe bërë shumë zhurmë në orët e vona të natës në lokalin e tyre “Makuba” në Tiranë. Çështja në ngarkim të pesë efektivëve të policisë mban numrin 227, ndërkohë që deri në këtë kohë në Gjykatën e Tiranës janë zhvilluar plot 6 seanca gjyqësore kundër pesë efektivave të komisariatit nr. 2. Pritet që seanca e radhës të zhvillohet në datën 6 mars, ku pritet që në gjykatë të paraqiten dëshmitarët e prokurorisë, të cilët do të dëshmojnë kundër pesë efektivave që bënë shoqërimin e njerëzve të familjes së biznesmenit Arben Frroku, i cili tashmë është personi kryesor që dyshohet se ka qëlluar me dhjetëra plumba mbi kryekomisarin Dritan Lamaj. Së bashku me të, mendohet se në vrasje ka marrë pjesë dhe nipi i tij Jak Jaku, i cili mendohet se ka qenë në rolin e drejtuesit të automjetit. Çështja në ngarkim të pesë efektivëve të policisë është duke u gjykuar nga gjyqtari Petrit Çomo, ndërsa prokuror i çështjes është Ervin Karanxha.

Policët: Bëmë detyrën

Të pyetur për këtë ngjarje, punonjësit e policisë thonë se ata kanë qenë duke ushtruar detyrën, kur janë kundërshtuar me dhunë nga pronari i lokalit “Makuba” dhe miqtë e tij. Në kallëzimet dhe më pas në deklarimet e tyre, ata konfirmojnë se kanë marrë njoftim nga salla operative se te “Pallati me Shigjeta” pranë lokalit “Makuba” ka shumë zhurma. Nisur nga kjo situatë, kanë dashur të ndalojnë shtetasit Mark Frroku dhe Grand Frroku, por pas kundërshtimit të tyre është bërë më pas shoqërimi i tyre me forcë në ambientet e komisariatit nr. 2. Nga ana tjetër, Prokuroria e Tiranës gjatë hetimeve të kryera ka arritur në konkluzionin se punonjësit e policisë kanë shkuar te lokali “Makuba” privatisht, pa pasur asnjë të dhëne ose vepër penale, pa pasur asnjë të dhënë ose njoftim nga salla operative për këtë fakt. Punonjësit e policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ushtruar dhunë ndaj disa shtetasve. Ky fakt konfirmohet me së miri nga akti i ekspertimit mjekoligjor, nga verifikimet dhe kallëzimi i Avokatit të Popullit, nga deklarimet e të dëmtuarve, si dhe nga vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë, ku del se arresti i kryer është i paligjshëm, pasi nuk ka asnjë vepër penale të kryer nga shtetasit Mark Frroku, Grand Frroku, Jak Jaku dhe Lekë Toma.

 

Zbardhen dëshmitë kundër 5 efektivave të policisë së Tiranës

Patrulla e komisariatit nr. 2, merret e pandehur për

dhunën, prokuroria të mërkurën ballafaqim me dëshmitarët

Janë mbi 12 dëshmi që kanë akuzuar pesë efektivët e policisë së Tiranës për ushtrim të dhunës ndaj shtetasve, Mark Frroku, Grand Frroku, Jak Jaku etj. Të gjithë dëshmitarët e prokurorisë kanë qenë klientë të lokalit “Makuba”, ku policia ka bërë ndërhyrjen për shoqërimin e personave të përmendur, ndërkohë pas denoncimin nga ana e Frrokut, menjëherë pesë efektivët e komisariatit nr. 2 janë pezulluar nga detyra, vendim ky që është firmosur nga krerët e lartë të Policisë së Shtetit. Pas këtij vendimi, të gjithë efektivat që bënë shoqërimin, janë marrë të pandehur, duke u lënë në mëshirë të fatit, nga ana e shefave të tyre. Në kërkesën për gjykim të prokurorit Ervin Karanxha, janë evidentuar disa dëshmi, të cilat tregojnë dhunën e policëve. “Grandi ishte i shtrirë në tokë, i lidhur me pranga dhe disa nga policët ishin duke e goditur me shkelma dhe shkopinj hekuri. Në atë moment kam parë se nga policët po qëlloheshin dhe persona të tjerë, që nuk i njihja”, – ka deklaruar dëshmitari Enea Mushi. Ndërsa dëshmitarja S. H., e cila ndodhej në tavolinë me disa prej të dhunuarve ka treguar për prokurorinë se rreth orës 3:00 të datës 18 shkurt ka qenë në tavolinë me shtetasit Grand Froku dhe kushërinjtë e Grandit, shtetasit Jak Jaku, Ilir Lasku, Mark Froku dhe Lek Toma. “Në një moment kam dalë jashtë lokalit dhe kam parë shumë policë dhe se një grup prej tyre kishte rrethuar Markun dhe po e godisnin me grushte, shkelma dhe shkopinj gome. Aty afër ishin dhe djemtë e tjerë që ishin në tavolinë me mua edhe ndaj tyre ishte duke u ushtruar dhunë nga policët”, – ka pohuar dëshmitarja. Në këtë moment ajo është afruar drejt policëve duke u thënë atyre të mos ushtronin më dhunë. “Një polic e ka kapur nga qafa dhe më pas nga flokët dhe e ka nxjerrë jashtë. Më pas, një police femër e ka shoqëruar drejt furgonit të policisë. Në furgon më pas kanë sjellë Markun dhe Grandin, të dy ishin të lidhur me pranga dhe Marku kishte shenja në fytyrë. Ne momentin që kanë dalë nga furgoni, si Markun dhe Grandin, policët i kanë goditur me grushte”, – thuhet në dëshminë e S. H. “Nga ana e policisë është ushtruar dhunë deri në dëmtimin fizik të dukshëm ndaj shtetasve Mark Frroku, Grand Frroku, Ilir Lasku dhe Lek Toma”, – thuhet në dosjen e prokurorisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency