Standard.al

Sherri për rrethimin e truallit plagoset kryeplaku i Bërxullit

Elton Qyno

sherrAgim Loci dhe miku i tij, Eduard Vani, janë qëlluar nga Riza Haka. Policia arreston 36-vjeçarin

 

Një grindje mes kryeplakut të fshatit Bërxullë dhe bashkëfshatarit të tij për një sipërfaqe toke duket se është bërë shkak i plagosjes së shtetasit Agim Loci, i cili ushtron detyrën e kryeplakut të fshatit. Në këtë sherr ka mbetur i plagosur lehtë në trup edhe shtetasi Eduard Vani, i cili ka qenë nën shoqërinë e kryeplakut të fshatit Kodër-Bërxullë. Sherri mes kryeplakut Loci dhe autorit të krimit shtetasit Riza Haka, ka ndodhur për shkak të pronësisë së një sipërfaqeje trualli që ndodhet në këtë fshat. Loci dhe Haka, pretendojnë se sipërfaqja tokësore i përket secilit të tyre, dhe se nisur nga kjo situatë kryeplaku i fshatit së bashku me shtetasin Eduard Vani kanë shkuar ditën e djeshme të bëjnë rrethimin e truallit, të pretenduar se është në pronësi të Agim Loci. Mirëpo në tentativë për të rrethuar me shtylla betoni të sipërfaqes tokësore, të dy të plagosurit kanë hasur në kundërshtimin e fortë të shtetasit Riza Haka, i cili nuk i ka lejuar të bëjnë nguljen e shtyllave të betonit, në tokën që pretendohet se është në pronësi të tij. Nisur nga kjo situatë, mes tre personave ka lindur një konflikt fizik që më pas ka degjeneruar në përdorimin e armës nga ana e shtetasit Riza Haka.

Plagosja e kryeplakut

Ka qenë ora 14:30 ku pas një debati të ashpër duke shkëmbyer dhe fjalë fyese me njëri-tjetrin, shtetasi Riza Hasa 36-vjeç është përballur me dhunën fizike të dy personave Agim Loci dhe mikut të tij Eduard Vani. Nisur nga kjo situatë, Hasa ka nxjerrë nga brezi një pistoletë të cilët e kishte marrë nga banesa e tij, dhe ka qëlluar në drejtim të kryeplakut të fshatit dhe mikut të tij. Sipas burimeve të policisë, nga të shtënat me armë, Agim Loci ka marrë plagë të lehta në këmbë, ndërkohë që plagë të lehta ka marrë dhe i afërmi i tij shtetasi Eduard Vani. Pas kësaj situate, dy të plagosurit janë rrëzuar në tokë, ndërsa autori i plagosjes së tyre është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Loci dhe Vani, kanë arritur të transportohen me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak,falë ndihmës së dhënë nga disa persona të fshatit, të cilët dëgjuan të shtënat e armës dhe janë afruar afër vendit të krimit. Aktualisht gjendja shëndetësore e kryeplakut të fshatit Bërxullë Agim Loci dhe mikut të tij Eduard Vani, është jashtë rrezikut për jetën. Gjatë ditës së djeshme ata janë marrë në pyetje nga ana e efektivave të komisariatit nr. 5, të cilëve u treguan autorin e krimit dhe motivet e sherrit që solli plagosjen e tyre.

Arrestimi në banesë

Menjëherë pas njoftimit rreth plagosjes së kryeplakut të fshatit Bërxullë, strukturat e komisariatit nr. 5 kanë shkuar në vendin e ngjarjes, duke bërë sekuestrimin e gëzhojave dhe kontrolleve në disa banesa në fshatin Bërxullë, me qëllim arrestimin e shtetasit 36-vjeçar Riza Hasa. Policia bëri të ditur se në sajë të informacioneve të marra nga strukturat e policisë mbi vendndodhjen e autorit, u arrit lokalizimi dhe kapja e tij, i fshehur në Bërxullë, Sipas burimeve të policisë fillimisht, konflikti ka ndodhur në vendin e quajtur Kodër Bërxullë, ku shtetasi Agim Loci, kryeplak, dyshohet se ka shkuar në tokën e autorit, me qëllim vendosjen e disa shtyllave ndarëse për kufirin e një sipërfaqe toke e ndodhur në Kodër Berxullë dhe aty janë konfliktuar e qëlluar më armë zjarri nga autori i dyshuar Riza Haka. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e krimit. Shtetasi Agim Loci është shtruar menjëherë në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën, po ashtu dhe shtetasi Eduart Vani ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

 

Masat e kompanisë

Albtelecom e policia, skaner vjedhjeve të kabllit

Kompania Albtelecom dhe Policia e Shtetit kanë rritur vëmendjen në shkallë maksimale për parandalimin e vjedhjeve dhe dëmtimeve në rrjetin dhe infrastrukturën e kompanisë. Albtelecom dhe autoritetet përkatëse kanë nisur kontrolle në shkallë vendi për gjetjen e destinacioneve të shitjes së këtyre materialeve. Pas veprave kriminale mbi infrastrukturën e kompanisë Albtelecom, kompania ka nisur një bashkëpunim me Policinë e Shtetit me qëllim kapjen dhe ndëshkimin e keqbërësve, si dhe ndalimin e këtij fenomeni që penalizon përdoruesit fundorë të telefonisë dhe internetit, si dhe shkakton dëme financiare dhe në shërbimet e ofruara nga Albtelecom për qytetarët. Gjatë vitit të kaluar janë konstatuar 574 raste vjedhjesh e dëmtimesh, duke ndikuar në shërbimin e më se 27 mijë abonentëve. Nga këto dëmtime numëroheshin çdo muaj mijëra euro humbje, kryesisht nga vjedhjet në puseta. Vetëm gjatë muajit janar nga infrastruktura e Albtelecom në kryeqytet janë grabitur materiale me vlerën 43,804 euro. Persona dhe grupe kriminale kanë vazhduar prej më se 2 vjetësh të grabisin materiale si bateri dhe kabllo përcjellës të telefonisë fikse dhe internetit.

 

Bie nga pallati

Kukës, rrëzohet nga kati i tretë Shkëlqim Koloshi

Një punëtor ndërtimi ka rënë nga kati i tretë i një pallati në qytetin e Kukësit, teksa ishte duke punuar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, kur Shkëlqim Koloshi ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë në tokë duke u plagosur rëndë. Burime pranë dikasterit blu në Kukës bëhet e ditur se 32-vjeçari ka qenë duke suvatuar një pjesë të godinës kur ka ndodhur ngjarja. Ai është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të qytetit ku i është dhënë edhe ndihma e parë. Më pas, për shkak të komplikacioneve mjekët e kanë dërguar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Policia ka shkuar në vendngjarje ku ka marrë dëshminë e personave që ishin të pranishëm në momentin e rrëzimit të Shkëlqim Koloshit. Sipas uniformave blu,shkak i rrëzimit ka qenë mosrespektimi i kushteve teknike në punë.

 

Ngjarja në Lushnjë

Ndalohen 8 klandestinë të ardhur nga Siria

Tetë emigrantë sirianë janë kapur gjatë fundjavës nga policia e Lushnjës. Të gjitha këta persona janë pa dokumente, ndërkohë që mësohet se ata kalojnë transit në vendin tonë me destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Siç bëjnë me dije nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, emigrantët zgjedhin të hyjnë në vendin tonë nga kufiri i gjelbër dhe synojnë me mjete të ndryshme të kalojnë drejt Malit të Zi dhe Italisë. Gjatë muajve të fundit janë ndaluar në vendin tonë dhjetëra shtetas sirianë, të cilët për shkak të luftës largohen nga shteti i tyre.

 

40-vjeçari Tetredi Alkibiadi ishte dënuar me 20 vjet burg

U arratis nga burgu i Nafpliosit të Greqisë

Shqiptari pas 8 muajsh, i vdekur në Prevezë

Gjendet i vdekur pranë Kakavijës një shtetas shqiptar, i cili u arratis nga spitali i burgut të Nafpliosit në Greqi. 40-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit sipas mediave greke është Tetredi Alkibiadi, është gjetur i pajetë në rrethana ende të panjohura. Mësohet se shqiptari ishte i dënuar me 20 vjet burg, pasi mbi të rëndonin akuzat për krim të organizuar dhe grabitje me armë. Shtetasi shqiptar është arratisur më datën 20 gusht 2012 dhe kishte humbur gjurmët pasi kishte dalë nga burgu i Nafpliosit. I burgosuri për dënimin me 20 vjet heqje lirie, ka qenë duke u transferuar nga burgu për në një spital të afërt, kur ndodhi arratisja. Dy persona të armatosur kanë ndërhyrë kur personi po shoqërohej në spital për të ndërruar një fashë të plagës që kishte në dorë. Policia greke ka theksuar se arratisja e shqiptarit ka ndodhur në oborrin e spitalit të qytetit të Nafpliosit. Disa persona të armatosur kanë ndërhyrë në momentin kur shtetasi shqiptar po dilte nga spitali, i shoqëruar nga dy policë. Dy personat e armatosur, që mendohet se kanë qenë bashkëpunëtorë të shqiptarit, kanë qëlluar në ajër dhe kanë kërcënuar policët me jetën. Personat në fjalë kanë “rrëmbyer” 40-vjeçarin shqiptar dhe janë larguar me një makinë tip “Audi”. Gati një vit nga arratisja e bujshme, shqiptari 40-vjeçar është gjetur i pajetë buzë një rrugë në zonën e Prevezës në Greqi. Aktualisht hetimet rreth vdekjes së tij janë duke u kryer nga policia helene, ndërkohë që dyshimet paraprake tregojnë se 40-vjeçari është vrarë për shkak të pazareve me anëtarë të grupeve kriminale të drogës.

Comments are closed.