Nuk “paguan” vetëm Duro, Partizani përshkallëzon masat

0
104

Altin Vorpsi

 

nga e majta ne te djtahta Musta, Duro, Sallaku, Lika dhe Tomorri

Pas humbjes me Tërbunin, Sallaku ka marrë masa të forta

Ikja e Duros ka qenë vetëm fillimi, pasi janë pezulluar dhe gjobitur disa lojtarë

 

 

Shtatë pikë në katër i rrinin “ngushtë” Partizanit. Skuadra që bëri një mini-“revolucion” gjatë merkatos dimërore (ku në fakt emri më i spikatur ishte ai i Eduart Prodanit, ish-sekretari i përgjithshëm i FSHF-së mori rolin e drejtorit të Përgjithshëm) ka vendosur që të ndryshojë sërish. Ajo humbje ndaj Tërbunit duhet t’i ketë “djegur” më shumë njërit prej pronarëve të skuadrës, Sallaku, që pasi shkarkoi teknikun Duro (la Vllazninë dhe iu bashkua “të kuqve” në janar), ka pezulluar edhe shumë protagonistë të asaj disfate në Pukë.

 

Devolli, “shembulli” i famshëm

Në grupin e lojtarëve të penalizuar nuk mungojnë edhe VIP-at. Kapiteni i “të kuqve”, Bledar Devolli, është emri i parë që është pezulluar nga Partizani. Ish-lojtari i Shkumbinit erdhi me shumë bujë gjatë merkatos dimërore. Ai u “nderua” edhe me shiritin e kapitenit që, me sa duket, nuk e ka nderuar. Mesfushori është një nga të pezulluarit dhe nuk dihet se për sa kohë do ta ketë këtë “status”. Në listën e pezulluarve është edhe mesfushori me tipare sulmuese, Erlis Frashëri. Korçari nuk ka arritur të gjejë shumë hapësira në formacionin e ekipit në këto ndeshje të para, ndërsa në takimin ndaj Tërbunit u zëvendësua nga trajneri Duro në pjesën e dytë. Sa i përket të tjerëve duhet thënë se janë penalizuar vetëm me gjoba. Në këtë kategori bëjnë pjesë futbollistë që për Partizanin kanë qenë kryesorë: Sokol Ishka, Jozef Thana dhe Oriand Abazaj.

 

Lajmërimi

Pezullimet dhe gjobat janë “zyrtarizuar” edhe nga zyra e shtypit pranë klubit “të kuq”. Nëpërmjet zëdhënësit për shtyp, Partizani ka nxjerrë një komunikatë ku thuhej:” Bordi drejtues i Partizanit ka pasur sot (dje) një mbledhje ku janë marrë edhe disa masa penalizuese për lojtarë të veçantë. Bledar Devolli dhe Erlis Frashëri janë pezulluar për një afat të pacaktuar deri në një urdhër të dytë me arsyen e mosimpenjimit në ndeshjet e kampionatit. Ndërsa Sokol Ishka, Jozef Thana dhe Oriand Abazaj janë pezulluar me gjobë, por edhe shuma e kësaj të fundit është ende e papërcaktuar. Arsyeja është mosimpenjim dhe mosarritje të rezultateve në ndeshjet e kampionatit”.

 

Sa masa tek Partizani

Siç dihet, prej kohësh skuadra e Partizanit nuk po “lundron” në ujëra të qeta. Ekipi “i kuq” edhe në fazën e parë ka kaluar shumë peripeci. Lojtarët gjithmonë janë ankuar për pagat që nuk kanë marrë në kohë. Si të mos mungonin këtë probleme edhe ish-aksioneri, Paro Laçi, i cili në atë kohë ishte edhe përgjegjës për ekipin, ka pezulluar në datën 4 dhjetor jo pak, por pesë titullarë të skuadrës, pasi këta të fundit nuk pranuan të futeshin në stërvitje, duke u shprehur se kishin tre muaj pa marrë rrogat. Pezullimi i tyre nuk zgjati shumë dhe ata u rikthyen në skuadër. Ndërkohë që pezullimin e tyre në atë kohë e ka mbështetur edhe presidenti Lulëzim Sallaku, duke deklaruar se lojtarët në fjalë i kishin prishur imazhin ekipit.

 

 

Lika premton shumë, Duro i habitur si u shkarkua

Edhe pse ka 24 orë që ka marrë vesh lajmin se do të drejtojë Partizanin, Hasan Lika nuk ka ngurruar që t’u premtojë tifozëve se do të çojë skuadrën e tyre të zemrës aty ku e meriton. Siç është e rastit, në këto momente ish-trajneri i Teutës u ka bërë të ditur drejtuesve se më këtë grup futbollistësh mund të arrijë Kategorinë Superiore. Burime pranë skuadrës “së kuqe” kanë treguar se Hasan Lika ka premtuar se do të marrë vetëm fitore në takimet e mbetura. Ndërkohë që nga ana tjetër mësohet se ish tekniku Shpëtim Duro ka mbetur i habitur nga mënyra se si ka mësuar shkarkimin. Burime pranë Duros kanë bërë me dije se trajneri nuk ka takuar asnjërin prej stafit drejtues të “të kuqve”, edhe pse këto të fundit kanë një organikë mjaft të organizuar. Ndër të tjera Duro ka pohuar se vendimin e drejtuesve ia ka komunikuar me SMS një pjesëtar i kësaj skuadre.

 

 

Kategoria e Parë

Dinamo mund Naftëtarin

Pas Partizanit një tjetër emër me histori në futbollin shqiptar, siç është Dinamo, po kalon një periudhë të vështirë në kategorinë e parë. Blutë e kryeqytetit arritën një fitore të vështirë dhe minimale me Naftëtarin në ndeshjen përmbyllëse të javës së 19-të të kësaj kategorie. Formacionit të Edmond Dalipit i mjaftoi goli i Djarmatit në minutën e 58’ për të siguruar një fitore të vështirë ndaj kuçovarëve. Kroati shfrytëzoi një krosim të saktë të Imamit nga një goditje e lirë, për t’u dhënë tre pikë me vlerë kryeqytetasve. Me këtë fitore Dinamo ngjitet në vendin e 7-të në kuotën e 27 pikëve, por mbetet 11 pikë larg Mamurrasit të vendit të dytë, që për momentin bashkë me Lushnjën kryesuese janë dy skuadrat më të favorizuara për të luajtur në Superiore sezonin e ardhshëm.

 

Renditja         Nd.      Pikë

1 Lushnja      19        46

2 Mamurrasi  19        38

3 Pogradeci   19        35

4 Tërbuni       19        34

5 Partizani     19        34

6 Iliria             19        29

7 Dinamo      19        27

8 Burreli         19        26

9 Butrinti        19        26

10 Gramshi   19        23

11 Elbasani   19        19

12 Besëlidhja           19        18

13 Himara     19        17

14 Ada                       19        16

15 Kamza      19        16

16 Naftëtari   19        11

 

Trajneri bullgar

Mundja nuk është më sport olimpik? Vetëflijohem

Trajneri i Kombëtares Bullgare të Mundjes, Armen Nazarian, vendosi të futej në një grevë urie dhe kërcënoi deri me vetëflijim, nëse Komitetit Olimpik Ndërkombëtar nuk do të rifusë këtë sport në kalendarin e Lojërave Olimpike. Federata Bullgare e Mundjes informoi se Armen Nazarian “ka vendosur që të mos hajë deri në fillimin e Kampionatit Evropian në 22 mars, kohë gjatë të cilës do të ushqehet vetëm me lëngje”. I lindur në Armeni, Nazarian zhvilloi karrierën e tij si një mundës bullgar dhe fitoi dy medalje të arta, në Olimpiadën e vitit 1996 dhe 2000. Me 16 medalje të arta në histori, mundja është sporti olimpik më i suksesshëm në Bullgari. Midis mundësve bullgarë, konkurron edhe shqiptari i natyralizuar Elis Guri. Nga viti 2020, “KON”-i vendosi në janar që mundja mos të jetë më një sport olimpik. Përjashtimi përfshin të dyja stilet, si mundjen e lirë ashtu edhe atë klasike, e njohur edhe si mundja greko-romake. Shtatë sportet që konkurrojnë për një vend në Olimpiadë në vend të mundjes janë bejsbolli, karateja, patinazhi me patina, alpinizmi, skuoshi, uejkbordi dhe vushuja.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency