Mbivendosja e trojeve tek Gjiri i Lalzit, mbyllet dosja ndaj Vatnikajt

0
320

 Elton Qyno

gjiriPesë familje kundër ish-drejtorit Tunxh Vatnikaj. “Na tjetërsoi pronën e trashëguar që nga viti 1800”.

 

Mbyllet përfundimisht hetimi ndaj ish-kreut të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj. Ish-drejtori i Përgjithshëm është paditur në Prokurorinë e Tiranës nga anëtarët e familjes Hamit Shehu dhe Shefqet Preza, të cilët kanë akuzuar Vatnikajn se ka kryer mbivendosjen e pronës së tyre, që ndodhet në Gjirin e Lalzit dhe më pas kjo sipërfaqe toke u është kthyer anëtarëve të një familjeje tjetër. Sipas kallëzuesve, ata pronën e kanë trashëguar që në vitin 1800 nga të afërmit e tyre, por që në fakt ajo u është mohuar nga ish-drejtori Vatnikaj. Fakti objekt kallëzimi është vendimmarrja e AKKP-së Tiranë dhe pikërisht vendimi nr. 17, datë 20 janar 2009, për njohjen dhe kthimin e një sipërfaqeje toke të ndodhur në vendin e quajtur Gjiri i Lalzit, Ishëm, Durrës, në emër të subjekteve të shpronësuar Muharrem dhe Isuf Cena. Ky vendim, sipas kallëzuesit, ka cenuar interesat e pronësisë së tij si dhe të fisit Kërtusha, Cerri, Jakova. Kallëzuesit e tjerë, trashëgimtarët e fisit Dervishi dhe Kërtusha, gjatë hetimit kanë shprehur të njëjtin pretendim, duke deklaruar se vendimi i AKKP-së Tiranë ka krijuar mbivendosje të pronës së tyre me pronën e subjektit Cena, duke zhvendosur pronën e subjektit Cena, nga pozicioni real i saj dhe duke e vendosur në bregdet. Pikërisht në zonën që ka qenë moçal dhe është pyllëzuar në viti 1967. Nisur nga kjo situatë, njësia hetimore task-forcë ka nisur hetimet ndaj ish-drejtorit Tunxh Vatnikaj për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe dy specialistëve Vasil Lice dhe Rajmonda Delimurati. Mirëpo pas disa muaj hetime është arritur në konkluzionin se vendimi i 20 janarit 2009 ka qenë i drejtë dhe se me këtë vendim, personave që kanë bërë kallëzimin, nuk u është mbivendosur sipërfaqja e tokës. Nëpërmjet këtij vendimi, personat që kanë përfituar tokën, kanë qenë anëtarë të familjes Cena. Pavarësisht nga kjo, kallëzuesit i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës, duke kundërshtuar vendimin e prokurorisë, por që në fakt gjykata ka rrëzuar pretendimet e tyre.

Kallëzimi tek task-forca

Kallëzuesit Hamit Shehu dhe Shefqet Preza i janë drejtuar me një kallëzim prokurorisë, duke kërkuar hetimin e shtetasit Tunxh Vatnikaj. Nisur nga kjo situatë, në kuadër të procedimit nr. 972, janë hetuar dhe materialet kallëzuese të depozituara nga trashëgimtarët e familjes Dervishi, si dhe kallëzimi i paraqitur nga shtetasi Bilal Kërtusha, përfaqësues i trashëgimtarëve të shtetasit Zenel Kërtusha. Nga studimi i materialeve rezulton se shtetasi Shefqet Preza ka bërë kallëzim penal në ngarkim të shtetasit Tunxh Vatnikaj dhe dy specialistëve të AKKP-së. Sipas kallëzuesit, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë përvetësuar pronat e tij, të ndodhura në Gjirin e Lalzit, të regjistruara në emër të paraardhësve të kallëzuesit që në vitet 1750-1800, pretendim i bazuar në dokumente si vendime gjykate, kontratë qiraje, dokumente të kadastrës e prova të tjera shkresore. Fakti objekt kallëzimi është vendimmarrja e AKKP-së Tiranë dhe pikërisht vendimi nr. 17, datë 20 janar 2009, për njohjen dhe kthimin e një sipërfaqe toke të ndodhur në vendin e quajtur Gjiri i Lalzit, Ishëm, Durrës, në emër të subjekteve të shpronësuar Muharrem dhe Isuf Cena. Ky vendim, sipas kallëzuesit, ka cenuar interesat e pronësisë së tij si dhe të fisit Kërtusha, Cerri, dhe Jakova. Kallëzuesit e tjerë, trashëgimtarët e fisit Dervishi dhe Kërtusha, kanë shprehur të njëjtin pretendim, duke deklaruar se vendimi i AKKP-së Tiranë ka krijuar mbivendosje të pronës së tyre me pronën e subjektit Cena, duke zhvendosur pronën e subjektit Cena, nga pozicioni real i saj dhe duke e vendosur në bregdet, pikërisht në zonën që ka qenë moçal dhe është pyllëzuar në viti 1967.

Mbivendosja e Vatnikajt

Në kuadër të hetimit të faktit objekt kallëzimi marrë dhe sekuestruar pranë AQKKP Tiranë, dosja nr. 91, e subjektit Cena. Nga këqyrja e dokumentacionit pjesë e kësaj praktike rezulton se trashëgimtarët e subjekteve të shpronësuar Muharrem dhe Isuf Cena, kanë bërë kërkesë për njohje dhe kthim prone pranë ZRKKP Qarku Durrës. Në lidhje me këtë kërkesë, ZRKKP Durrës me vendimin nr. 368 date 26 dhjetor 2007, ka vendosur ti njohë si trashëgimtarë të ligjshëm anëtarët e familjes Cena, në rreth katër sipërfaqe toke që ndodhen në zonën e Gjirit të Lalzit. Një vendim i tillë është marrë edhe pse është bërë evidentimi i mbivendosjeve të shumta. Pavarësisht nga kjo Tunxh Vatnikaj ka vendosur shfuqizimin e këtyre vendimeve dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në ZRKKP Qarku Durrës, duke lënë detyra përkatëse. Pas kryerjes së këtyre vendimeve, Tunxh Vatnikaj ka dalë me vendimin përfundimtar për zgjidhje të çështjes në themel vetëm pasi në dosje është depozituar dokumentacioni ligjor i nevojshëm për të provuar pronësinë mbi sipërfaqen e pretenduar. Kështu në përfundim të shqyrtimit të kësaj dosje AKKP me vendimin nr. 17, dt. 20 janar 2009, ka vendosur të njohë pronësinë e familjes Cena, për katër sipërfaqe toke.

 

Prokuroria kërkoi dënimin, gjykata i liroi

Plazhi i Gjeneralit, gjykata pafajësi

për Vatnikajn dhe biznesmenin Xhillari

 

Në muajin maj të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës deklaroi të pafajshëm shtatë persona të akuzuar për tjetërsimin e mijëra metrave katrorë truall në Plazhin e Gjeneralit, mes të cilëve edhe ish-kreun e AKKP-së, Tunxh Vatnikaj. Vendimi u shpall pas nëntëdhjetë e pesë seancash shqyrtimi gjyqësor. Sipas vendimit, gjykata i vlerësoi si të pabaza dhe të paprovuara akuzat e ngritura ndaj shtatë të pandehurve. Në seancën e 7 majit, u lexua vetëm dispozitivi i vendimit. Duke thënë togfjalëshin “Deklarohet i pafajshëm”, drejtuesi i seancës radhiti të gjithë të pandehurit: Alban Xhillari, Ali Aliaj, Alma Shehu, Fatos Gj., Gjergji Hyso, Petrit Kullolli dhe Tunxh Vatnikaj. Referuar kërkesës për gjykim të prokurorisë, të pandehurit e kësaj dosjeje, një pjesë e të cilëve zyrtarë të AKKP-së, akuzoheshin se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të tjetërsojnë pronësinë dhe të zhvendosin një sipërfaqe të konsiderueshme toke pranë Plazhit të Gjeneralit në Kavajë. Sipas organit të akuzës, “pazaret” janë bërë me sipërfaqe trualli në pronësi të familjes Shijaku. Sipas një marrëveshjeje mes familjes Shijaku dhe të pandehurit Xhillari, ky i fundit mund të blinte truall në pronësi të familjes, nëse ai i ndihmonte ata për kthimin e pronave nga AKKP-ja. Pas disa kohësh, një pjesëtar i familjes Shijaku mësoi se prona e tyre, nga fshati Bago do të “udhëtonte” në fshatin Bardhore. Kreu i Hipotekës Kavajë, F. Gj.,ka falsifikuar faqe të regjistrit origjinal hipotekor të viteve 1933-35, ku është spostuar sipërfaqja. Përfshirja e ish-kreut të AKKP-së, Vatnikaj, qëndron në faktin që ai ka pasur dijeni për veprimet e jashtëligjshme, pasi për Prokurorinë rezulton se Vatnikaj disa herë ka kërkuar informacion për ecurinë e kësaj dosjeje.

Tunxh Vatnikaj

Ish-kreu i AKKP-së është bërë disa herë objekt hetimi gjatë ushtrimit të detyrës dhe pas saj. Në shumë raste ai dyshohet se ka abuzuar me detyrën e tij, duke bërë mbivendosje pronash dhe, nisur nga kjo situatë, me një vendim të Kryeministrit Sali Berisha, ai është shkarkuar nga detyra.

 

Pafajësia

Në muajin maj të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës dha vendimin, duke e shpallur të pafajshëm Tunxh Vatnikajn. Mes tij, janë shpallur të pafajshëm edhe 6 persona të tjerë, duke rrëzuar akuzat e Prokurorisë së Tiranës për tjetërsimin e pronave në zonën e Plazhit të Gjeneralit.

 

12 muaj burg

Plot 12 muaj burg ka kërkuar Prokuroria e Tiranës gjatë dhënies së pretencës së saj për ish-drejtorin Tunxh Vatnikaj. Ka qenë prokurori Ardian Braho ai që ka lexuar aktakuzën, duke i kërkuar gjykatës dënimin me 1 vit burg dhe 15 milionë lekë gjobë të Tunxh Vatnikajt.

 

Mbivendosjet

Abuzimi me mbivendosjet dyshohet se ka qenë shkelja më e përsëritur e krerëve të Agjencisë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Për shumë raste njësia hetimore task-forcë ka nisur hetimet dhe se në shumë raste të gjitha këto hetime kanë dështuar për faj të prokurorisë dhe gjykatës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency