Gati aplikimet për t’u punësuar në Itali, ja kush përfiton

0
123

Driçim Çaka

punesimiPërparësi do të kenë kandidatët që njohin gjuhë italiane

Përzgjedhja, me tri faza

 

 

Pas datës 15 mars, qindra punëkërkues shqiptarë, të cilët dëshirojnë të punojnë në Itali, do të kenë mundësi të aplikojnë për një vend pune. Ka rreth një vit që mbi 500 punëtorë shqiptarë janë punësuar me kontrata të rregullta në Itali. Thirrjet për aplikime bazohen në memorandumin e mirëkuptimit, nënshkruar në korrik të vitit të kaluar ndërmjet dy ministrive të Punës dhe në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e migracionit për arsye punësimi, të nënshkruar në 2 dhjetor 2008. Punët të cilat ofrohen nga shteti italian, janë të ndryshme, duke filluar nga: Punues metalesh (Programues/Përgatitës makinerish me Kontroll Numerik të Kompjuterizuar, Saldatorë, Montatorë mekanikë, Operatorë makinerish me Kontroll Numerik të Kompjuterizuar, Elektricistë). Shërbime për ndërmarrjet (Pastrues/e në industri). Sekretari e përgjithshme/tregtare dhe marangozë – montatorë stendash, për të cilat të përzgjedhurit do të marrin formim profesional përpara punësimit. Po kështu ofrohet punë dhe në fusha si Turizmi, Hoteleri, Restorante, Ndërtim si dhe Asistencë Familjare.

 

Kush përfiton

 

Të drejtën për të përfituar dhe për t’u regjistruar në kurset e formimit profesional, me qëllim punësimin drejt shtetit italian, e kanë të gjithë ata shtetas shqiptarë, të cilët:

-Kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç,

-Janë të interesuar të zhvillojnë një aktivitet punësimi në Itali në sektorët e renditur në pikën 4 në vijim.

-Nuk kanë qenë të dënuar nga organet gjyqësore ose në ngarkim të të cilëve nuk janë hapur procedime penale,

-Nuk janë subjekte të asnjë gjendjeje juridike që të pengojë lëshimin e vizës italiane për arsye punësimi.

 

 

Procesi i përzgjedhjes                             

 

1. Para-përzgjedhja, e bazuar mbi kandidaturat (për t’u futur në intervistë).

2. Intervista përzgjedhëse tekniko-motivuese (për t’u futur në kurset e formimit).

3. Përzgjedhja përfundimtare për punësim në Itali, e bazuar në ndjekjen e kurseve të formimit dhe në rezultatet e provimeve.

– Fazë e parë e përzgjedhjes do të kryhet mbi bazën e kandidaturave të paraqitura që do të vlerësohen nga ana e Ministrisë shqiptare të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, si edhe nga entet italiane të autorizuara, në bazë të kritereve objektive, sikurse janë treguar në vijim:

• Niveli i arsimit

• Përvoja pune të mëparshme në sektor

• Niveli i njohjes së gjuhës italiane

• Përvoja pune të mundshme jashtë shtetit

• Përvoja pune të mundshme në sektor në Itali

• Një vërtetim i mundshëm i pjesëmarrjes në kurse formimi profesional në sektor

Ata që do të rezultojnë të përshtatshëm, do të kontaktohen, personalisht, nga entet italiane dhe do të ftohen që të paraqiten në një intervistë tekniko-motivuese, e cila përbën fazën e dytë të përzgjedhjes. Personat që do të përzgjidhen për intervistat, do të kontaktohen në numrin e telefonit dhe në adresën e postës elektronike që janë treguar në kandidaturë. Gjithashtu, lista e kandidatëve të përzgjedhur për të bërë intervistën do të bëhet e ditur në faqen e internetit të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (www.mpcs.gov.al) dhe të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (www.kerkojpune.gov.al), si edhe do të afishohet pranë të gjithë Sporteleve të Migracionit.

 

Kurset

 

Personat e përzgjedhur për të ndjekur kurset e formimit, do të duhet të marrin pjesë detyrimisht në kurset e treguara në vijim:

– Njohja e gjuhës italiane

Kursi përgatitor për të përftuar të paktën certifikatën e nivelit A2 të njohjes së gjuhës italiane të Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referimit të gjuhëve (pjesëmarrësit do të kryejnë falas provimin për certifikimin e njohjes së gjuhës dhe do të marrin diplomën përkatëse, të njohur në nivel evropian).

– Kursi i përgatitjes përpara nisjes

Ky kurs parashikon module në lidhje me edukimin e qytetarisë dhe të kulturës italiane, me sigurinë në punë, me të drejtat dhe detyrat e punëtorëve.

– Kurset e rikualifikimit profesional

Bëhet fjalë për kurse intensive prej 8 orësh në ditë, për 5 ditë në javë, të cilat do të zhvillohen kryesisht në Tiranë. Është e detyrueshme pjesëmarrja në të paktën 70 për qind të orëve të përgjithshme të kurseve dhe në veprimtaritë e ndërmjetme të kontrollit, në të kundërt do të shkaktohej përjashtimi i kandidatit nga përzgjedhja përfundimtare. Pjesëmarrja në kurset e formimit dhe certifikimi përkatës do të jenë falas. Çdo kosto tjetër që ka të bëjë me transportin nga / për në vendbanimin e kandidatit, ushqimi dhe strehimi gjatë kurseve të formimit, nuk janë të rimbursueshme.

 

 

Berisha: Hapëm dyert e universiteteve

Ndryshe nga viti 2005, kur kishte vetëm 3.5% të popullatës me diploma universitare, sot kjo shifër ka shkuar në 24-25%. Kështu është shprehur Kryeministri Berisha gjatë përurimit të një kampusi universitar privat. Sipas Berishës, u bë e mundur që të hapeshin dyert e universiteteve shqiptare për të rinjtë. “U dhamë mundësi të rinjve të provojnë veten e tyre në kthimin në realitet të ëndrrës universitare. Vetëm në arsimin privat, në vitin 2005 ka pasur 900 studentë, ndërsa sot janë 32 mijë studentë. Sot janë më shumë në sektorin privat se ç’kishte sektori publik në vitin 2001. Nga 52 mijë studentë që ishin në vitin 2005 në rang vendi, sot kemi 162 mijë. Stafi i pedagogëve, nga 4100 që ishin në vitin 2005, sot kemi mbi 10 mijë. Çdo njeri mund të shtrojë pyetjen – po cilësia? Kjo është pyetja më logjike, më e drejtë. Por ne do të luftojmë më të gjithë forcën tonë që të rrisim cilësinë. Nuk duhet të na pengonte ne një politikë e re universitare për të ecur siç ecëm”, – u shpreh Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij. Kryeministri nuk harroi të përmendte investimet e shumta që janë bërë edhe në arsimin parauniversitar. “Në arsimin parauniversitar, duke vendosur mësuesin në epiqendër, si në asnjë sektor tjetër, kemi rritur rrogat me 120 deri në 150% sipas kategorive. Kjo ka sjellë një përkushtim të madh të madh të mësuesve ndaj detyrës së tyre dhe misionit të tyre. Ka sjellë një vullnet të tyre për t’u trajnuar, për t’u kualifikuar, për të përvetësuar metoda të reja të mësimdhënies dhe përkushtuar mësimdhënies. Pak vite më parë, në tërësi logjistika e arsimit, ishte e rrënuar, ndërsa sot janë ndërtuar dhe rindërtuar 1300 shkolla. Dhe do të ndërtohen dhe rindërtohen që të gjitha. Fëmijët shqiptarë do të ulen në banka dhe shkolla të njëjta me ato të bashkëmoshatarëve të tyre në vendet e zhvilluara”, – theksoi Berisha.

 

 

Ruli: Qumështi nuk ka rrezik

Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, ka reaguar pas alarmit lidhur me përmbajtjen mbi normat e lejuara të BE-së së aflatoksinës në disa lloje qumështi të prodhuara në vend dhe atyre të importit, duke garantuar konsumatorët se asnjë rrezik nuk i vjen popullatës nga konsumi i qumështit vendas. “Çështja e aflatoksinës është një luftë e pandershme konkurrence nga vendeve të rajonit”, – përmendi Ruli, duke konfirmuar se Ministria e Bujqësisë do të mbrojë prodhimet tona, punën e mbi 20 mijë fermerëve shqiptarë. Të njëjtin mendim ka ndarë dhe ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, i pranishëm bashkë me ministrin Ruli në ceremoninë e 85-vjetorit të krijimit të Institutit të Kërkimeve Veterinare Shqiptare. “Rezultatet paraprake të dala nga ISUV na bëjnë të dyshojmë që norma e aflatoksinës në ato parti malli të dyshuara, pra që janë deklaruar dhe institucioni homolog në Kosovë është mbi nivelin e Bashkimit Evropian”, – theksoi Ruli. Ndërkohë menjëherë kanë reaguar autoritet kosovare të cilat kanë mbrojtur të dhënat e tyre lidhur me përmbajtjet e qumështit shqiptar. “Superanaliza e një prej produkteve shqiptare të qumështit, e kryer në laboratorin e certifikuar ndërkombëtar, rezulton pozitive me aflatoksinë, ashtu siç konstatoi Agjencia Kosovare e Veterinës dhe Ushqimit para disa ditësh”, – përmend Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency