Standard.al

Vrasja e kryekomisarit 1 javë nga krimi, s’gjendet automatiku i ekzekutimit

Elton Qyno

frrokuProvat që mungojnë në dosje, nga kallashnikovi tek qelizat telefonike

Për Frrokun vetëm dyshime, s’ka prova që e përfshijnë direkt në krim

 

Më tepër se 10 hetues janë aktivizuar prej një jave, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. Tre prokurorë të Krimeve të Rënda dhe më shumë se 6 oficerë të Policisë Gjyqësore, prej 7 ditë janë duke kryer një sërë veprimesh hetimore, por që në fakt prej një jave asnjë person nuk është arrestuar në Shqipëri. Grupi i hetimit ka përqendruar verifikimet vetëm tek biznesmeni Arben Frroku dhe nipi i tij, Jak Jaku, ndërkohë që për sa i përket, bashkëpunëtorëve të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, nuk është arritur të zbulohet asnjëri prej tyre. Nga të gjithë anëtarët e grupit hetimor dyshimet e vetme janë ngritur vetëm mbi konfliktin Lamaj-Frroku, ndërkohë që për sa i përket pistave të tjera prokurorë por edhe efektivët e policisë i kanë përjashtuar ato. Pavarësisht bindjes së tyre që bazohet në fakte konkrete, shumë kolegë të kryekomisarit Dritan Lamaj shprehen nën zë se vrasjen mund ta ketë kryer person tjetër, duke u organizuar dhe paguar nga biznesmeni i kompanisë “Xhoi Lloto” Arben Frroku. Kur janë mbushur plot 7 ditë nga vrasja e kryekomisarit Lamaj, të gjithë anëtarët e hetimit, përfshirë dhe tre prokurorët, shprehen se ende nuk janë të sigurt me prova nëse vrasja është kryer nga Arben Frroku apo nga dikush që është paguar prej tij. “Kampi” i të akuzuarve, hedh poshtë në mënyrë të prerë autorësinë e vrasjes, ndërkohë që pas 7 ditësh të turbullta, sërish Prokuroria e Krimeve të Rënda është ajo që duket se nuk ndodhet në pozita shumë të mira, për sa i përket zbardhjes së vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj.

Provat që mungojnë

Momentalisht, në hetimin e vrasjes së ish-shefit të komisariatit nr. 6 janë duke asistuar hetuesit më të mirë dhe tre prokurorë që konsiderohen si akuzuesit e hekurt. Eugen Beci, Kosta Beluri dhe Anton Martini, janë ata që janë duke drejtuar një grup prej më shumë se 10 personash, me qëllim zbulimin e provave, që do çojnë prokurorinë tek vrasësi i Dritan Lamaj. Dyshime të arsyeshme janë ngritur mbi dy personat Arben Frroku dhe Jak Jaku, por që edhe këta të fundit, përgjatë 7 ditëve, dyshimeve u janë kundërpërgjigjur me prova dhe alibi të forta, duke krijuar një rrjetë mbrojtëse, ende pa shkuar përballë gjykatës. Në 7 ditë hetime, ajo që nuk është arritur të gjendet është mbretëresha e provave, që në këtë rast bëhet fjalë për automatikun me të cilin është qëlluar mbi 15 herë në drejtim të kryekomisarit Dritan Lamaj. Prokurorët kanë mundur të sigurojnë makinën tip “BMW” me targa DR 1944 F, por që provën më të rëndësishme në një proces hetimi ende nuk kanë mundur ta gjejnë. Automatiku, model 56, duhet të jetë hedhur diku nga personat që qëlluan, por që fatkeqësisht ende nuk ka rënë në duart e prokurorëve. Ndërkohë që për sa i përket verifikimeve të gëzhojave, ato ka rezultuar se nuk janë qitur nga dy armët automatike që u sekuestruan në banesën e Ndoc Jakut, vetëm disa një ditë pas krimit të rëndë. Rezultate negative janë marrë edhe kur gëzhojat janë krahasuar me të dhënat e arkivuara në kartotekën e laboratorit të ekspertizave balistike pranë policisë shkencore. Prova tjetër që mungon në këtë proces 1-javor hetimi, është dëshmia e grabitësit të makinës së përdorur në krim. Ky person i identifikuar, por jo i arrestuar, mendohet se di shumë rreth personit që ka blerë BMW-në e përdorur në vrasje. Një javë nga krimi i rëndë, dëshmia e këtij personi vazhdon të mungojë në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke sjellë vetëm dyshime rreth rolit të tij por edhe ndaj disa personave të tjerë. Prova tjetër, që mungon është ajo që lidhet me itinerarin e plotë të lëvizjes së Arben Frrokut, ditën e krimit. Deri në këto momente prokuroria nuk ka një qelizë të saktë, e cila do të tregojë vendndodhjen minutë pas minute të biznesmenit Frroku, ditën e krimit. Kjo për shkak se një përgjigje e tillë zgjat disa kohë, nga ana e kompanive celulare, të cilat bëjnë verifikimet nëpërmjet valëve të antenave telefonike. Ndërsa për sa i përket sigurimit të gjurmëve në makinën e gjetur në fshatin Domje, në të nuk është siguruar asnjë e dhënë për autorët e krimit, për shkak se mjeti ka qëndruar gjatë gjithë natës në rrebeshin e shiut që ka filluar në mbrëmjen e 24 shkurtit, kur u qëllua për vdekje kryekomisari Lamaj.

Vrasësi i paguar

Grumbullimi i disa provave dhe pyetja e më shumë se 100 personave që kanë pasur probleme dhe njohje me kryekomisarin Lamaj, nuk ka sjellë asnjë hap para, veç dyshimeve se Frroku dhe Jaku janë autorë të vrasjes së Dritan Lamaj. Asnjë nga dëshmitarët nuk ka arritur të njohë personin që ka qëlluar, por edhe sikur ta ketë njohur, sipas burimeve, dëshmitari është një provë e manipulueshme që bie shumë shpejt në gjykatë. Dyshimet e momentin, tregojnë se vrasësi ka qenë profesionist dhe se në momentin e hapjes zjarr ka qëlluar me gjakftohtësi. Kjo sjell dyshime të forta se ai mund të jetë paguar, për të qëlluar mbi kryekomisarin Lamaj. Mënyra e ekzekutimit nuk është aspak amatore dhe s’mund të ishte kryer nga një person që kishte njohje fizike me viktimën, pasi në çdo moment vrasësi mund të zbulohej dhe dekonspirohej nga viktima, përpara se të qëllonte mbi të.

 

Blerja e truallit nga Vehbi Alimuça

Frroku, si ia bleu 5 mijë metra

katrorë ish-administratorit të VEFA-s

I dyshuari kryesor në vrasjen e Dritan Lamajt, biznesmeni Arben Frroku, ka blerë një truall prej 5 mijë metrash katrorë, truall të cilin e ka blerë nëpërmjet ankandit. Këtë sipërfaqe toke biznesmeni i akuzuar për vrasje ia ka blerë Vehbi Alimuçës, ish-administratorit të kompanisë piramidale VEFA, i cili e kishte blerë nga trashëgimtarët e familjes Palaniku, ku pjesë e saj ka qenë edhe Nexhmije Hoxha. Për këtë sipërfaqe toke Frroku ka zhvilluar një proces gjyqësor me zyrën e Hipotekës, me të cilën ende është në proces gjykimi në Gjykatën e Lartë. Trashëgimtarët e Mehmet Palanikut, shtetasit Qamil Palaniku, Liri Palaniku (Tabaku), Fitnete Palaniku (Aga), Hava Palaniku (Memaga), Nexhmije Palaniku (Hoxha), me kontratën me nr. 9083 të vitit 1996, ia kanë shitur truallin e sipërcituar, me sipërfaqe 5000 m², shtetasit Vehbi Alimuça, ish- administrator i shoqërisë VEFA, në shumën 52.500.000 lekë, shumë e cila sipas kontratës së mësipërme, ju është paguar totalisht në dorë shitësve. Administratorët e Shoqërive Huamarrëse në Administrim, të cilët administronin edhe pasuritë që ndodheshin në emër të ish-administratorit të shoqërisë VEFA, Vehbi Alimuça, pas zhvillimit të ankandit përkatës, me kontratën nr. 988 Rep, 124 Kol, dt. 5.3.1999, ia kanë shitur sipërfaqen e truallit objekt gjykimi, prej 5000 m2 paditësit Arben Frroku, si pasuri të personave, subjekte të ligjit 8215, dt. 9.5.1997. Pas kësaj, prona e mësipërme është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në emër të paditësit Arben Frroku, me nr. regjistri hipotekor nr. 45, dt. 6.5.1999.

 

 

Comments are closed.