Standard.al

Ram largon Dulen dhe zgjedh AK-në: Bamir Topi nuk ka strategji për vendin

Gëzim Saliu

ramaNdryshon taktika elektorale, Rama: PS do të bëjë koalicion me çdo parti që do rotacionin

 

“Ne nuk i vëmë kushte askujt përtej programit tonë për Rilindjen dhe askush nuk na vë dot kushte për partnerët që vijnë me ne”. Kështu ka deklaruar dje kreu socialist Edi Rama në konferencën në Twitter si përgjigje ndaj qëndrimit të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule, i cili ka bërë të ditur refuzimin e tij për t’u bërë pjesë e koalicioneve ku është AK dhe PDIU. Rama ka theksuar se PS mban të hapur derën e bashkëpunimit për parlamentaret e 23 qershorit për Aleancën Kuq e Zi. “E kam ftuar publikisht Aleancën Kuqezi, njësoj si të tjerët që janë rreshtuar me fjalë kundër pushtetit! Dera është e hapur”, – tha Rama. Ndërsa lidhur me mundësinë e një koalicioni të mundshëm mes PBDNJ-së dhe PD-së, kryesocialisti e ka komentuar si një hipokrizi të radhës në politikën e partizave: “Nuk besoj se PBDNJ si parti serioze do të ishte e aftë ta bënte!”.

 

Koalicionet

Sa u përket koalicioneve elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, lideri socialist bëri të ditur se PS do të mirëpresë në gjirin e saj të gjitha forcat politike që duan rrotacionin politik në vend. Ndryshe nga sa kishte deklaruar deri më tani, në konferencën e djeshme, Rama ka qenë më i drejtpërdrejtë duke ftuar të gjitha partitë politike në vend për t’u bashkuar me koalicionin e majtë. “Koalicion me çdo forcë që dëshiron të bashkohet me ne për rotacionin. Asnjë votë për rotacionin s’duhet të shkojë dëm”, – tha kreu i PS-së. Ndërkohë, i pyetur lidhur me përgjigjen negative të kreut të FRD-së, Bamir Topi, për t’u bashkuar me koalicionin e majtë, Rama tha: “Bamir Topi kërkon shpëtimin e PD-së duke filluar nga ndëshkimi i Saliut dhe ka strategji për të djathtën jo për Shqipërinë!”

 

Mandati qeverisës

Pyetjes së një qytetari në konferencën online në rrjetin social Twitter se a do të mjaftonte një mandat si kryeministër për të rimëkëmbur vendin, me anë të “Rilindjes Kombëtare”, kreu socialist iu përgjigj duke thënë se mandati i parë do shërbejë për tu kthyer besimin shqiptarëve. “Mandati i parë do të sjellë rilindjen dhe do te rikthejë besimin se Shqipëria që duam nuk është utopi. Si kryeministër do të ndërtoj një rrugë komunikimi të panjohur më parë për publikun në gjithë këto vite”, – theksoi Rama. Ndërkohë, sa i përket pyetjes së një qytetari, i cili kërkonte të dinte se cila do të jetë sjellja e PS-së lidhur me institucionet e pavarura, Rama tha se: “Rotacioni do të sjelle frikën nga ligji jo frikën nga qeveria”. Një tjetër çështje e diskutuar nga ana e liderit të opozitës ishte edhe ajo që lidhej me rrogat e deputetëve, ku pohoi se me ardhjen e socialistëve në pushtet shpenzimet e politikës do të ulen drastikisht. “Do ulim drastikisht kostot e politikës, kaq mund t’ju them me siguri këtu! Dhe shpenzimet e politikanëve do jenë online”, – deklaroi Rama.

 

Programi

Një pjesë e mirë e konferencës online të kryesocialistit u përqendrua tek programi i PS-së, ku Rama premtoi se lidhur me çështjen e pronave, e majta do t’u japë të gjithëve certifikatën e pronësisë. “Do të japim certifikatën e pronës për të gjithë ata që kanë 20 vjet që e kanë dhe punojnë tokën po s’kanë titullin e pronësisë”. Duke iu referuar sistemit të shëndetësisë në vend, kreu i PS-së pohoi se programi i socialistëve synon të blejë shërbimin shëndetësor me qëllim ofrimin e tij sipas nevojës. “Shteti do blejë shërbimin shëndetësor e do e ofrojë për të pasur a të varfër të punësuar a të papunë, në qytet a në fshat. Kujdes shëndetësor sipas nevojës, jo sipas mundësisë për të paguar me xhepin e vet. Qendrat shëndetësore do të pajisen me të gjithë mjetet e nevojshme dhe do të kostojnë shërbimet e tyre. Në këto kushte, Shërbimi Shëndetësor Kombëtar që do ngremë do të blejë kujdesin shëndetësor dhe do t’ia japë falas qytetarëve”, – tha Rama. Ndërkohë pyetjes lidhur me sigurinë ushqimore, Rama u përgjigj duke nënvizuar: “Së pari, jemi të vendosur që shqiptarët të marrin shërbime publike sa më të sigurta, por duke filluar nga siguria e shëndetit. Së dyti, gjykojmë që sa më shumë të rritet siguria e prodhimeve tona ushqimore, aq më shumë do të rritet vlera në treg”.

 

Zgjedhjet dhe lista

Nisur nga debatet e fundit në selinë rozë lidhur me listën e kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit, Rama theksoi se pavarësisht prurjeve të reja në parti, deputetët socialistë aktualë nuk do të ndryshojnë. “Celibashi do jetë në skuadrën e qarkut të Fierit. Deputetët aktualë janë në detyrë e siç kam thënë skuadra jonë kombëtare ka nevojë për disa plotësime cilësore që po i bëjmë”, – u shpreh Rama. Ndërkohë kreu socialist vlerësoi Kodi Zgjedhor aktual si më të duhurin për nivelin e përfaqësimit që PS kërkon. “Ky është një debat që vazhdon, por unë kam bindjen time se ky kod është i duhuri për cilësinë e përfaqësimit që duam”, tha ai. Nga ana tjetër Rama ka komentuar edhe deklaratën e komisionerit për zgjerim Stefan Fyle, i cili një ditë më parë reagoi për nismën e qeverisë shqiptare për të mbajtur një referendum për miratimin e dy ligjeve dhe rregulloren e parlamentit, të quajtura ndryshe si tri ligjet e integrimit. Ndryshe nga qëndrimet e mëparshme, ku Fyle ka kërkuar me ngulm votimin e tri ligjeve, qëndrimin lidhur me referendumin, Rama e vlerësoi si shprehje të së vërtetës se është qeveria aktuale që ka bllokuar rrugën e Shqipërisë për BE. “Si shprehjen e radhës të së vërtetës se ky pushtet e ka bllokuar rrugën e Shqipërisë drejt BE me një sistem antivlerash”, – komentoi kryesocialisti.

 

Mblidhet asambleja e FGS-së, Keti Bazhdari zgjidhet nënkryetare

Ditën e djeshme u mblodh Asambleja Kombëtare e Forumit të Gruas Socialiste, ku u zhvilluan zgjedhjet për kryesinë e forumit dhe struktura drejtuese të saj. Në postin e nënkryetares së FGS-së u zgjodh Keti Bazhdari dhe Majlinda Bufi e ndërsa si sekretare e përgjithshme u zgjodh Violeta Sinoimeri. Nga ana tjetër sekretare për programin u zgjodh Belioza Coku e ndërsa Jonaiada Hito mori postin e sekretares për Mediat dhe Komunikimin. Në fjalën e saj në punimet e asamblesë, kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste, Olta Xhaçka duke bërë të ditur vizionin e PS-së, pohoi se një objektiv kryesore mbetet barazia mes grave dhe burrave të reflektohet në çdo aspekt të jetës. “Objektivat tonë janë (1) lufta kundër dhunës ndaj grave, (2) Siguria dhe prosperiteti ekonomik i grave, dhe (3) inkurajimi i grave dhe vajzave në funksione vendimmarrëse. Programi i Partisë Socialiste flet qartë për nevojën e adresimit të këtyre çështjeve si një domosdoshmëri për një shoqëri me mirëqenie e kohezion social aq të nevojshme për një shoqëri demokratike. Do të adresojmë dhunën duke emancipuar shoqërinë, duke ndryshuar rrënjësisht arsimin, duke krijuar zhvillim të vërtetë ekonomik që siguron mirëqenie e dinjitet për çdokënd, duke luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë e duke instaluar drejtësinë ligjore e sociale, duke krijuar një të ardhme shpresëdhënëse përkundrejt mentalitetit të mbrapshte se në një vend si ky çdo gjë arrihet me dhunë”, u shpreh Xhaçka. Ndërkohë deputetja socialiste akuzoi mazhorancën qeverisëse si shkaktare të gjendjes së kriminalitetit në vend. “Statistikat e krimit janë alarmante e megjithatë shume krime nuk raportohen e nuk evidentohen sa dhe si duhen. Nuk dimë numrin real të rasteve të dhunës në familje, asaj seksuale, të vajzave që shfrytëzohen për prostitucion sepse vetëm një numër i vogël raportohet. Pavarësisht ligjeve të ashpra në letër, shumë krime nuk ndëshkohen. Vetëm 1/3 e çështjeve që procedohen penalisht dërgohen në gjykatë, rreth 1/3 e tyre pushohen, 1/3 e tyre pezullohen”, – përfundoi kryetarja e Forumit të Gruas Socialiste, Olta Xhaçka.

 

 

 

Comments are closed.