Standard.al

Minorenia rrëmbehet e përdhunohet policia arreston “të dashurin” e saj

Elton Qyno

perdhunimiNikolin Samara e mbajti peng gjatë natës në fshatin Mborje. I riu: Erdhi me dëshirën e saj

 

Një 26-vjeçar nga Korça është arrestuar nga ana e policisë, pasi është denoncuar nga një minorene, për akuzën e rrëmbimit dhe përdhunimit në mënyrë sistematike. Minorenia me inicialet M. G. është rrëmbyer nga banesa e saj ku banonte me gjyshërit saj dhe nga qyteti i Korçës është çuar me një makinë në një banesë dykatëshe në fshatin Mborje, ku edhe është përdhunuar përgjatë gjithë natës. Sipas kallëzimit të depozituar në policinë e Korçës, 13-vjeçarja ka pohuar se 26-vjeçari Nikolin Samara e ka marrë me forcë dhe më pas ka abuzuar seksualisht me të. Kaq ka mjaftuar që policia të bëjë arrestimin e 26-vjeçarit, i cili gjatë marrjes në pyetje ka kundërshtuar pretendimet e minorenes, duke pohuar se prej disa kohësh kishte krijuar njohje me 13-vjeçaren dhe se ditën e djeshme ajo kishte pranuar të shkonte me dëshirën e saj në fshatin Mborje, për shkak të mërzitjes që kishte pasur duke jetuar me gjyshërit e saj, pasi dy prindërit ndodheshin emigrantë në Greqi. Kanë qenë këta të fundit që pas marrjes së lajmit të zhdukjes së vajzës së tyre janë kthyer urgjent nga Greqia, duke bërë denoncim në policinë e Korçës dhe për pasojë është bërë menjëherë lokalizimi i banesës ku mbahej me forcë minorenia.

Arrestimi nga policia

Në një njoftim për shtyp, policia e Korçës bëri të ditur se ka ndërhyrë për një rast të një abuzimi me një të mitur nga ky qytet, e cila kishte krijuar një lidhje me 26-vjeçarin Nikolin Samara, banor i lagje 3 në Korçë. “Arrestimi i 26-vjeçarit Nikolin Samara është kryer në orët e vona të natës nga ana e policisë me akuzën e rrëmbimit dhe përdhunimit të një të miture”, – bënë të ditur burime të policisë, sipas të cilave, ka qenë një operacion i organizuar më parë dhe i përfunduar afër mesnatës të së shtunës. Nikolin Samara, 26 vjeç, banor i lagjes 3 në qendër të qytetit, sipas të dhënave, është arrestuar pas mesnate, pas një denoncimi që është kryer në komisariat për një rast të dyshimtë abuzimi dhe përdhunimi të një minoreneje. Si aksioni i policisë, edhe denoncimi i të afërmve të minorenes me inicialet M. G., nxënëse në klasën e shtatë të një prej shkollave periferike të qytetit të Korçës, nuk ka qenë aspak i rastësishëm. Edhe më parë, policia ka qenë e vënë në dijeni për një abuzim të mundshëm të 26-vjeçarit me minorenen, por është dashur denoncimi i prindërve të vajzës që të ndërhyhej për këtë rast abuzimi. Nga hetimet e deritanishme nuk mohohet fakti se 26-vjeçari korçar ka pasur njohje dhe lidhje intime me minorenen 13-vjeçare dhe se mund të ketë kryer me të edhe marrëdhënie intime. Fakti që 13-vjeçarja është marrë këtë fundjavë dhe është çuar në fshatin Mborje, një qendër e njohur për kumar dhe abuzime të mëdha me lojëra të fatit, ka bërë që policia të dyshojë se vajza është lënë peng seksual dhe fizik nga i dashuri i saj për lojëra bixhozi.

Pretendimi i Samarës

I arrestuari 26-vjeçar Nikolin Samara, banor i lagjes 3 në qytetin e Korçës, ka deklaruar se edhe më parë ka pasur njohje dhe lidhje intime me 13-vjeçaren, duke pretenduar tani pas arrestimit se donte të martohej me të. Sipas të dhënave, në mungesë të prindërve të 13-vjeçares, e cila prindërit e saj i ka pasur emigrantë në Greqi dhe jetonte në qytetin e Korçës vetëm me prindërit, 26-vjeçari korçar ka përfituar për një lidhje me këtë minorene prej disa kohësh. Nikolin Samara, sipas të dhënave të policisë, figuron se edhe më parë ka abuzuar me këtë minorene dhe e ka shfrytëzuar atë për qëllimet e tij. I prangosur në orët e vona të mbrëmjes dhe i vënë në gjendje arresti në flagrancë për abuzim me këtë vajzë të mitur, i riu korçar jo vetëm që ka pranuar lidhje të mëparshme, por ka pretenduar se donte të martohej me vajzën, që akuzohet se e ka shfrytëzuar seksualisht. Pavarësisht këtyre deklaratave, policia e Korçës ka dërguar dosjen në prokurorinë e rrethit për akuzën e rrëmbimit dhe kryerjes së marrëdhënieve seksuale ndaj 26-vjeçarit Samara.

 

Plagosja e rëndë në fshatin Moglicë të Korçës

Sherri në lokal, shoku qëllon me thikë

shokun, 28-vjeçari, rëndë në spital

Një 28-vjeçar është plagosur me thikë pasditen e së dielës. Të dhënat e para bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një lokal në fshatin Moglicë të Korçës, ku Aleks Bedollari është plagosur rëndë me thikë nga bashkëmoshatari i tij, Gani Mollaymeri. Dy të rinjtë ishin duke pirë kafe në të njëjtin lokal, ndërsa kanë nisur një konflikt me njëri-tjetrin. 28-vjeçari Bedollari u transportua për në spital në gjendje kritike për jetën, ndërsa Mollaymeri është prangosur. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga pyetja e personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes si dhe e pronarit të lokalit, policia ka mësuar se shkak i krimit ka qenë një debat i lindur rreth futbollit. Fillimisht dy protagonistët e këtij sherri kanë filluar të bëjnë shaka me njëri-tjetrin, por më pas, shakatë e tyre janë kthyer në sherr. Kaq ka mjaftuar që protagonistët të shkëmbejnë sharje ndaj njëri-tjetrit dhe më pas të goditen fizikisht. I gjithë sherri ka ndodhur në ambientet e lokalit, ku bashkëmoshatarët kanë qenë duke pirë kafe. Pasi janë qëlluar me grushte, njëri prej tyre, Gani Mollaymeri, ka shkuar në banakun e lokalit, prej nga ka marrë një thikë, dhe me të e ka qëlluar disa herë bashkëfshatarin e tij në zonën e barkut. Pas goditjes, 28-vjeçari është larguar me vrap në drejtim të banesës së tij, por më pas është arrestuar nga ana e policisë së Korçës. Burime pranë policisë thanë se me shpejtësi është bërë transportimi në spital i të plagosurit Aleks Bedollari, i cili për shkak të plagëve të rënda ndodhet në gjendje kritike për jetën. Pas arrestimit autori i këtij krimi, gjatë marrjes në pyetje, ka shfaqur pendesë, duke treguar me detaje të gjithë zanafillën e sherrit që solli plagosjen e rëndë të bashkëfshatarit të tij.

 

Vendimi i gjykatës

“Albademil”, dëmshpërblim 30 milionë lekë Muratit

Gjykata e Tiranës urdhëron shoqërinë “Abademil”, me pronar të arrestuarin Mihal Delijorgji, t’i paguajë në formën e dëmshpërblimit civil familjes së Kujtim Muratit shumën prej 30 milionë lekësh të reja. Këtë shumë, sipas togave të zeza, duhet ta paguajë kompania “Albademil”, pasi është përgjegjëse për dëmtimet e shkaktuara ndaj 12 vjeçares R. Murati, si pasojë e shpërthimit të barutit të grumbulluar në Gërdec 15 marsin e vitit 2008. Në momentin e shpërthimit vajza ishte 7 vjeçe dhe po luante së bashku me moshatarët e saj në rrugë, në fshatin Muçaj të Vorës. Sipas mjekëve të Spitalit të Përgjithshëm në Selanik, ku vajza është kuruar për mbi tre muaj, si pasojë e shpërthimit ajo ka mbetur invalide për gjithë jetën. Ky vendim erdhi pas 20 seancave gjyqësore të shqyrtuara nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Rezarta Balliu.

 

I mituri

Kamëz, humb një fëmijë 6 vjeç, e gjen polici

Një fëmijë 6-vjeçar është gjetur nga policia në Kamëz, pasi kishte humbur rrugën. Fëmija i cili u gjend nga punonjësit e policisë së komisariatit nr. 5, ka deklaruar se quhet Visi, por pa mundur të tregojë për mbiemrin apo prindërit e tij. Forcat e policisë u bëjnë thirrje familjarëve të fëmijës që të shkojnë ta marrin vogëlushin në komisariat. Mësohet se fëmija ka veshur xhinse blu e atlete të bardha dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Dyshohet se vogëlushi është larguar nga shtëpia pa dijeninë e prindërve dhe nuk ka mundur dot të kthehej më. Që prej pasdites së djeshme fëmija 6-vjeçar është mbajtur në ambientet e komisariatit nr. 5 deri në pritjen e ardhjes së prindërve të tij. Ky nuk është rasti i parë kur fëmijë të mitur në Tiranë humbin rrugën dhe nuk janë në gjendje të kthehen në banesë.

 

Ngjarja në port

Droga në Durrës, kapet kamioni me 900 kg

 

Policia Kufitare e Durrësit ka goditur një tjetër trafik të lëndëve narkotike në port, ndërsa ka ndaluar dhe transportuesin e saj duke arritur të bllokojë sasinë më të madhe të shënuar gjatë këtij viti prej 900 kg drogë. Policia sqaron së droga e llojit kanabis sativa, është zbuluar gjatë një kontrolli në kamionin me targa maqedonase me drejtues shtetasin Pande Muchov. Destinacioni i lëndës narkotike ishte Italia. Nga ana e agjentëve të Antidrogës vijon puna për nxjerrjen e sasisë së lëndës narkotike nga kamioni, ndërsa paralel me të, grupi hetimor po punon për të identifikuar personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. Lidhur me këtë ngjarje tashmë hetimi është duke vijuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjatë marrjes në pyetje shoferi i kamionit nuk ka pranuar të flasë rreth bashkëpunëtorëve të këtij trafiku.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.