Standard.al

Komunikimi online Ministrat më aktivë në Facabook, Olldashi, Bregu dhe Halimi, arsimi dhe kultura të fundit


Florenc Drizari

sokol olldashiKryeministri Berisha: Shfrytëzoni FB për të folur me qytetarët

 

Komunikimi nëpërmjet internetit duket se është një nga mjetet dhe mënyrat që po shfrytëzohet gjithmonë e më shumë edhe nga anëtarët e Këshillit të Ministrave, të cilët, të gjithë kanë hapur profilin e tyre në rrjetin social Facebook. Pas deklaratës së bërë nga Kryeministri Berisha në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2013, gjatë së cilës ai kërkoi nga anëtarët e kabinetit të tij hapjen e faqeve zyrtare në Facebook si një mënyrë për të rritur komunikimin me qytetarët, ministrat i kanë faqet e tyre në internet, paçka se jo të gjithë janë aktivë në profilet e tyre. Sipas një vëzhgimi të fundit rezulton se ministri i Transporteve Sokol Olldashi dhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu kanë numrin më të lartë të ndjekësve në internet, respektivisht 21.446 miq për Olldashin dhe 8.192 për Bregun. Lista e ministrave me numrin më të lartë të fansave vazhdon me vendin e tretë, Vangjel Tavo ministër i Shëndetësisë me 4.985 ndjekës, Eduard Halimi ministër i Drejtësisë me 4336, Genc Ruli ministër i Bujqësisë me 4.054, Ridvan Bode i Financave me 3.444, Flamun Noka i ministër i Brendshëm me 2.170, ministri i Jashtëm Edmond Panariti me 1.515, Genc Pollo për Teknologjinë dhe Informacionin me 1.078 ndjekës. Ndërkaq, në fund të listës prej 15 ministrash për nga numrin i ndjekësve renditen, Arben Imami me 618 ndjekës, Fatmir Mediu, Edmond Haxhinasto, Myqerem Tafaj, Aldo Bumçi dhe Spiro Ksera me 267 ndjekës.
Ndërkaq, hapja e profileve të reja nga ministrat, përveç atyre që nuk kishin ende faqet e tyre në Facebook, erdhi edhe si një kërkesë e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2013. Në atë mbledhje, Kryeministri është shprehur: “Ministra, kërkoj nga ju dhe gjithë zyrtarët që kanë telefona të subvencionuar nga qeveria që ta afishoni numrin në faqen e uebit të qeverisë, këta numra i kemi për publikun. Komunikoni me ta. Shfrytëzoni FB për të folur me qytetarët”.

PUBLIKIMET

Në profilin e tyre ministrat publikojnë njoftime të ndryshme që kanë të bëjnë me aktivitetet në krye të institucioneve që përfaqësojnë si dhe pasqyrime nga takimet që zhvillojnë me elektoratin si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu, në profilet e ministrave nuk mungojnë edhe publikime mbi ngjarje të rëndësishme politike, ekonomike, social-kulturore dhe sportive. Publikimi më i fundit ishte ai i z. Pollo, i cili komentoi edhe prezencën e mundshme të ish-kryeprokurores Ina Rama në listat për deputete të Partisë Socialiste.

OLLDASHI DHE BREGU

Nga një vëzhgim i bërë ministri i Transporteve Sokol Olldashi renditet i pari nga anëtarët e Këshillit të Ministrave si për nga numrin i ndjekësve me 21.446 të tillë, por edhe nga numri i atyre që bëhen pjesë e diskutimeve në këtë faqe, duke kapur shifrën e 5.464. Postimi më i fundit i z. Olldashi në murin e tij është bërë para tri ditësh, ndërkohë që postimi më i hershëm në profilin e tij rezulton të jetë bërë më 15 nëntor të vitit 2012. Ndërkaq, ministrja e Integrimit renditet e dyta për nga numri i miqve që ka në profilin e saj me 8192 të tillë. Edhe në profilin e saj gjendet një numër relativisht i lartë i atyre që marrin pjesë në diskutime mbi publikimet që bëhen në faqe. Zonja Bregu është bërë pjesë Facebook më 9 janar të këtij viti dhe rezulton të jetë ministra me numrin më të lartë të ndjekësve dhe atyre që janë aktiv në faqe, po të krahasojmë kohën e shkurtër të prej 3 muajsh kur ajo është bërë pjesë e këtij rrjeti social.

 

Topalli, rreth 40 000 fansa në Facebook

Kryetarja e Kuvendit është një tjetër përfaqësuese e lartë e që drejton një institucion të rëndësishëm në vend, siç është Kuvendi i Shqipërisë, e cila ka profilin e saj në Facebook. Kryetarja Topalli ndryshe nga ministrat e kabinetit qeveritar ka një numër më të lartë ndjekësish, 39.274 ku 17.934 prej tyre janë aktiv. Zonja Topalli është bërë pjesë e rrjetit social Facebook në prill të vitit 2011 dhe këtë profil gjenden shumë informacione për aktivitetet që lidhen me Kuvendin e Shqipërisë si dhe me iniciativat e saj si drejtuese e Kuvendit etj. gjithashtu në këtë profil pasqyrohen edhe informacione që lidhje me aktivitetet e qeverisë. Profili është i hapur edhe për ata që nuk janë bërë ende pjesë e kësaj faqeje.

 

Kuvendi mblidhet sot në seancë speciale për privatizimet dhe referendumin

Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë sot mes debatesh disa projektligje të rëndësishme siç janë ato për “Ratifikimin e kontratës për shitjen e 100% të aksioneve të shoqërisë “HEC, Ulëz – Shkopet”, projektligjin “Për ratifikimin e kontratës për shitjen e 100% të aksioneve të shoqërisë “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”. Gjithashtu Kuvendi pritet të shqyrtojë sot edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së licencës për Lotarinë Kombëtare, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet i autorizuar, dhe shoqërisë “Oesterreichische Lotterien”, Gmbh, nëpërmjet shoqërisë “OLG Projekt”, Shpk”. Një tjetër nismë e qeverisë që pritet të shqyrtohet në parlament është edhe projektvendimin për miratim me referendum të 3 projektakteve të rëndësishme. Në këtë projektvendim opozita nuk mori pjesë në mbledhjen e fundi të Komisionit të Ligjeve që u zhvillu të enjten e kaluar. Por debate lidhur me mbajtjen e referendumit vazhdojnë të sjellin përplasje mes konstitucionalistëve në vend. Sipas juristit Çlirim Gjata, referendumi nuk mund të kryet brenda këtij viti. “Gjashtë muaj para, tre muaj pasi mblidhet parlamenti, nuk mund të zhvillohet referendum. Nga 7 Marsi që janë gjashtë muaj para përfundimit të mandatit dhe deri në tre muaj nga mbledhja e parlamentit të ri. Pra diku deri në dhjetor. T’i qëndrojmë strikt afateve që ka përcaktuar ligji”- thotë Gjata. Sipas juristit Gjata, mazhoranca do e kishte pasur më të lehtë nëse do të kishte miratuar një ligj të posaçëm për referendumet, siç e parashikon dhe kushtetuta. Por në kushtet aktuale, nisma e 66 deputeteve të PD-së, duket e parealizueshme brenda vitit. “Do një ligj që miratohet me shumicë të thjeshtë, domethënë me 71 pjesëmarrës në parlament me 36 vota mund ta miratosh atë ligj. Nuk është me 3/5. Mazhoranca e kishte mundësinë të miratonte një ligj, t’i kapërcente këto pengesa ligjore që ekzistojnë sot dhe mund ta zhvillonte edhe ditën e zgjedhjeve, edhe para zgjedhjeve mund ta përcaktonte”, – thotë Gjata.

 

Comments are closed.